BIRRE, POETE dhe LLOGJE

by

nga Charles Bukowski

përkthyer nga Urim Nerguti

Eh çfarë nate ! Willie kishte fjetur natën e kaluar në fushat në të dalë të Bakersfield. Dutchi kishte ardhur me një shok. Isha dëng me birrë. Po përgatisja sandviçe. Dutchi llomotiste për letërsi dhe poezi ; isha munduar ta largoja por, prapë, i fuste që i fuste hundët. Dutchi mban një librari andej nga Pasadena, nga Glendale apo ku e di unë. Kemi folur për rrëmujat. Më kanë pyetur ç’mendoja për to dhe iu kam thënë të dalë ç’të dalë, përgjigjet do të vinin vetë. Të dish të presësh, ishte mirë. Willie më ka marrë një cigare, e ka shkoqur mbështjellsen dhe e ka ndezur.

« Si ia bën ti për të shkruar artikuj nëpër gazeta ? ka thënë dikush. Ti tallje menderen me Liptonin për shkak të artikujve të tij, dhe tani bën si ai.
– Liptoni shkruan gjëra të majta alla Walter Winchell. Kursë unë bëj Art. Këtu është i gjithë dallimi.
– Ej, plako, a të kanë ngelur më qepë ? » ka pyetur Willie.

Kam vajtur në kuzhinë të kërkoj ca qepë të njoma dhe birrë. Willie sapo kishte përfunduar një roman – një roman që s’e kishte shkruar askush. Ai ishte gjithë-gjithë një tufë qimesh, një kafkë dhe një mjekër. Bluxhins të arnuar. Ishte në Frisco, një javë.
Pesëmbëdhjetë ditë më vonë, në Albuquerque. Pastaj ende diku gjetkë. Ngado që shkonte, merrte me vete një tufë poemash që i kishte zgjedhur për revistën e vet. Kjo revistë e famshme, a do të dilte ndonjëherë në dritë ? Këtë, vetëm Zoti mund ta dinte. Willie Fildefer, i thatë, vallëzues, i pavdekshëm. Shkruante bukur. I ndodhte që të nxehej keq, por e kishte pa urrejtje. Vetëm t’i lëshonte fjalët, e të takonte ty pastaj t’i mbaje. Gjëra të përcipta plot hir.

I kam ekzekutuar ende dhe ca birra. Dutchi vazhdonte trimëritë e veta mbi letërsinë.
Sapo kishte botuar 18th Dynasty Egiptian Automobile Tournon nga D.R. Wagner. Punë e paqme. Shoku i Dutchit mjaftohej duke dëgjuar – brezi i ri : memec, por mjaft i pranishëm. Willie jepte e merrte me një qepë :
« Kam folur me Neal Cassady. Ka dalë mendsh.
– Po, do statujë dhe ai. Rrota. Po i ngre vetes një mit kot. Kerouac e ka përmendur në librin e vet dhe kjo ia ka rritur ca hundën.
– Asgjë tjetër, kam thënë unë, përveç llomotitje të qelbura letrare, hë çuno ?
– Po, ka thënë Dutchi, të flasim për bathët tona. Të gjithë shohin kaçoren e vet.
– Pa më thuaj, Bukowski, ti beson vërtet se shkruhet ende poezi në ditët tona ? I ka ikur koha Lowellit, ti e di.
– Pothuaj gjithë të mëdhenjtë kanë vdekur – Frost, Cummings, Jeffers, W.C. Williams, T.S. Eliot, dhe të tjerët. Edhe Sandburg para dy ditësh. Të gjithë me radhë, madje të duket sikur vdesin bashkë, Vietnami i ka lënë shakull, bashkë me këto rrëmujat që s’po mbarojnë më. Po fillon një kohë e re, e çuditshme, e ngjeshur, kalbëzuese. Vështroni fundet e çupave sot, rrafsh me tulet. Gjithçka ndryshon shumë shpejt dhe aq më mirë, s’është ndonjë gjë e keqe kjo. Por elita trembet për kulturën e saj. Kultura është stabilizuese. Ska asgjë më të mirë se një muze, një opera të Verdit apo një poet të ndrydhur për të frenuar progresin. Lowell është futur në këtë të çarë, duke treguar poshtë këmbën e bardhë. Lowell është mjaft interesant për të të penguar të flesh, por mjaft i turbullt për të qenë i padëmshëm. Kur e lexon, ajo ç’të vjen ndërmend është se ky fëmijë nuk ka ngordhur kurrë urie, as ska patur ndonjëherë dhimbje dhëmbësh. Kështu ka ndodhur pak a shumë me Creeley dhe ma merr mendja se elita ka nguruar për një çast ndërmjet Creeley dhe Lowell. Dhe në fund ka zgjedhur Lowell sepse Creeley nuk dukej aq i qullët dhe nuk mund të kishe besim tek ai – është lloji i tipit që ia beh në një piknik tek Presidenti dhe i gudulis të ftuarit me mjekrën e tij.
Duhet të ishte pra Lowell, dhe atë kemi pasur.

– Atëherë ku janë poetët e vërtetë ?
– Jo në Amerikë. Dhe nuk shoh tjetër përveç nja dy a tre. Harold Norse, që ngushëllon neurasteninë e vet hipokondriake në Zvicër, boshatis xhepat e pasanikëve bamirës, ka diare, djersë dhe frikë nga milingonat. Tani nuk shkruan dhe aq shumë, po çmendet si ne të tjerët. Por ama kur shkruan, çfarë shuplake. Tjetri është Al Purdy. Jo Al Purdy romancier, por Al Purdy poet. Ka dy të tillë. Al Purdy jeton në Kanada, kultivon vreshtën e vet dhe shtrydh verë. Eshtë një pijanec ai, një gërdallë e vjetër dyzet vjeç. E shoqja e mirëmban që të shkruajë poema, dhe duhet pranuar se një grua e tillë është mrekulli. Kurse ne, s’kemi takuar ndonjëherë një të tillë. Shkurt, qeveria kanadeze i ka lidhur njëfarë burse, dy kacidhe herë pas here, dhe e ka dërguar në polin e Veriut që të rrëfejë për jetën atje, dhe kështu ka bërë : poema krejt të çmendura mbi zogjtë, njerëzit dhe qentë. Madje një ditë ka shkruar dhe një libër poezie që quhet Këngë për tërë Annettat, një libër që pothuaj më ka bërë të qaj nga fillimi deri në fund. Nganjëherë është mirë të admirosh, të kesh heronj, është mirë të dish se një tjetër gjithashtu po tërheq një pjesë të gjyles së zinxhirëve.
– Nuk beson se ti shkruan po aq mirë sa këta çunat ?
– Nganjëherë po. Por shpesh jo. »

Birra ka rrjedhur dhe më ka ardhur të dhjes. I kam dhënë pesë dollarë Willit dhe i kam thënë se do të ishte një ide e mirë që të na sillte nja dymbëdhjetë Schlitz të mëdha (kjo është një reklamë). Janë larguar që të tre dhe vetë kam shkuar të ulem në nevojtore. Dakort për të përzier problemet e mëdha të kohës, por më pëlqente më mirë të bëja çka bëja. Kam menduar spitalin, garat, ca vajza që i kam njohur, ca të tjera që i kam varrosur, pasojë kjo shkërdhimesh, dhe jo argumentimesh. Pijanece të çmendura që duheshin lidhur e që më kishin ndezur mirë, që dinin si të silleshin. Pastaj kam dëgjuar këtë nga prapa gardhit :

« Dëgjo, Johnny ? s’më ke puthur fare këtë javë. Çfarë ka që s’shkon, Johnny ? Fol, më thuaj, dua që të më flasësh.
– Po ik tani, ik. S’kam qejf të flas. ME LER VETEM, KUPTOVE ? HEJ ZOT, ME LER VETEM TE THASHE !
– Dëgjo, Johnny, dua thjesht të më flasësh, s’mundem më. S’ke nevojë të më prekësh, vetëm më fol, Johnny, s’mundem më, S’MUNDEM ME, O ZOT !
– HEJ ZOT I MADH, TE THASHE ME LER VETEM ! MERR VESH TI ? ME LER VETEM PO TE THEM, ME LESHO, HIQMU QAFE !
– Johnny… »

Ai ka goditur fort. Një shpullë. Me të vërtetë e ashpër. Desh kam rënë nga nevojtorja. Nga zhurmat, duket se ajo e la të pshurrte dhe po largohej.
Pastaj kanë mbërritur Dutchi, Willie dhe shkuma e birrës. I kanë hapur shishet. I dhashë fund punës në nevojtore dhe jam kthyer pranë tyre.

« Po përgatis një antologji, ka thënë Dutchi, një antologji të poetëve më të mirë të gjallë, vetëm të mëdhenjtë fare.
– Shkëlqyer, ka thënë Willie, e pse jo ?
Pastaj më ka parë mua :
– « Dhjeve mirë ?
– Eh, ja ashtu.
– Jo ?
– Jo.
– Ke nevojë për lirues, duhet të hash më shumë qepë të njoma.
– Kështu thua ?
– Po.

Kam zgjatur dorën drejt qepëve dhe kam ngrënë dy. Mbase do të ishte më mirë herën tjetër. Nejse, po vazhdohej përsëri me rrëmujat, birrat, llogjet, letërsia, ndërsa gjetkë zoçkat e vogla dhe të bukura lumturonin miliarderët e dhjamur. Kam zgjatur dorën për një cigare, ia kam shkoqur mbështjellsen, hequr unazën, e kam ngulur rrakun në gojë, një gojë e çuditshme dhe e qelbur, pastaj e kam ndezur. Të dështosh në një libër apo me një femër, është njëlloj : s’ke ç’bën.

Tags: , , ,

25 Responses to “BIRRE, POETE dhe LLOGJE”

  1. flo Says:

    love it!

  2. yummania Says:

    ju flm juve per sjelljen dhe Urimit per perkthimin.eshte perhere kenaqesi te lexosh Bukowskin:)

  3. ehe... Says:

    Shpejt e shpejt, kalimthi :

    Pershendetje flo dhe eni. Ne fakt, ajo çka eshte per t’u çuditur me kete dreq letersi, eshte se ajo i fsheh tmerresisht kembet e veta dhe rralle here e dime se ku i le gjurmet. Nga Proust tek Bukowski, nga Beckett tek Flaubert, letersia na rezulton si e mundshmja par excellence. Gjithçka eshte e mundur ne te. Te shkruash si Bukowski, eshte letersi, e madhe madje. Te shkruash si Proust, eshte gjithashtu njelloj. Por keto dy letersi s’kane pike lidhje me njera-tjetren, te pakten persa i perket formes, frymes, gjithçka. E megjithate, te gjitha keto letersi, ne dukje te papuqshme me njera-tjetren, kane diçka te perbashket, madje kjo eshte e vetmja pike e tyre e perbashket, qe eshte BUKURIA.

    ps : ne lidhje me ndonje “problem” perkthimi, kam deshire te behet e qarte se, perveç nja dy a tre “nderhyrjeve” fare fare fare te vockla qe kane te bejne me rrjedhshmerine (por me gjeni ju nje perkthim absolut, dhe une do t’ju kurorezoj hyjnesha te perendise), zgjedhjet e tjera jane teresisht te qellimshme, te vetedijshme dhe madje qe nxjerrin ne pah nje kembengulje te hershme timen, e qe eshte ajo e perfshirjes ne zakonet e te shkruarit shqip te nje menyre sot krejtesisht te harruar dhe te shperfillur nga menyra “zyrtare”. Falemnderit.

  4. flo Says:

    une doja te lexoja te tjera nga Bukowski

  5. alfred Says:

    Bukowski eshte i madh. Ka nje menyre fantastike te te shkruarit, te pavemendshme, te cjerret, pa moralizma, pa turp.
    Mu me kujton Heminguejne, sa here e lexoj. Dhe jam i bindur se nese B do kishte bere ndonje lufte, do kishte shkruajtur ne te njeten menyre. Me siguri kishte shkruajtur Lamtumire arme, me te nje ndryshim te vogel : personazhi do kishte len luften per te shku me u be tap ne ndonje lokal milanez apo ne ndonje cep te Emilia Romagnas.
    Perkthysit kte here merr noten shume mire. Disa pjese jane gati te pakuptueshme po tmos e njihnim autorin.

  6. ehe... Says:

    Flo, do te mundohem te sjell dicka se shpejti, mbase ne lidhje me aktualitetin.

  7. doriani Says:

    pershendetje!
    (vetem per “muhabet”) sepse ka kohe qe kam hequr dore nga komentet on-line por kete here ndjej se duhet te them ate qe mendoj, pa besuar se do prek njeri,aq me teper B. vete, sepse fama e tij eshte shume me e madhe se opinioni im.
    E thene ndryshe B. per mua eshte nje shkrimtar supermerkati, prodhim i nje kohe me ide te varfera per ms te thene te vobekta,misherim i asaj pjese lexuesish qe lexojne sepse keshtu e kane me te lehte per ti zene gjumi.Per te folur me realisht nga pozita letrare, po them se fabulat e tij jane te thejsta sa perrallat e çdo lloj tipi, per mos te thene se ka perralla akoma me te “nderlikuara” si per nga menyra e kompozimit edhe per nga mesazhi(nqs duam te marrim parasysh kete te fundit)Tregimet e B. jane thjesht nje fotografi(pa ngjyre), nje marramendje aksionesh te nderthurura me pseudopsikologji,tentojne te arrijne me nje maje gjilpere ne qender te tokes,per mua jane te paafta te percjellin emocione ne nje lexues te kualifikuar, me shije te perpunuara e te mprehura.Sa here e lexoj dhe sa here degjoj njerez qe mahmiten nga thjeshtesia e B. mendoj se letersia eshte vertete e gjere dhe ka vend per te gjithe.Sipas meje tregimet e tij jane pak me shume se reportazhe gazetareske edhe kur marrin persiper te flasin per ndjenja,personazhet e tij jane te tipizuar me ate qe eshte tipike e vulgut,pra me ate qe eshte me e thjeshte per tu pare dhe asnjehere me ate qe eshte atipike e veshtire per tu kapur nga syri i nje krijuesi te vertete.Fakti qe nxori nga pluhuri “pyesni pluhurin” me ka dhene nje konfirmim tjeter te kesaj qe sapo thashe,B eshte zedhenes i letersise limonate, qe nuk eshte “e demshme” dhe as e dobishme,mund ta lexosh nen çader ndersa te skuq dielli,edhe ndersa je ne banjo.Te isha une redaktori i shtepise botuese,B. nuk e shihte driten e botimit.Pa dashur te bej polemike e tj. tj. tj. doja vetem te thoja mendimin tim sepse kjo lloj letersie vertete me shqeteson ne kuptimin artistik(dhe jo etik) te fjales.
    ps.Jam i sigurte se perkthyesi ka bere pune te mire.

  8. flo Says:

    Ndersa mua me shqeteson ky komenti me siper, po kush je ti mor zoteri qe na paske kutin e vleresimit te letersise limonate apo jo? Sa per Fantene Buki duhet uruar miliona here qe ia prezantoi lexuesit nje autor te tille

  9. ehe... Says:

    Nuk mendoj se Bukowski ben pjese ne ate çka quhet letersi “limonate”. Ose perndryshe, nuk e dime mire perkufizimin e kesaj te fundit. Letersi “limonate” quhet pergjithesisht letersia sentimentale. Mund te thuhet ndryshe dhe “à l’eau de rose” (me leng trendafili). Nje letersi sentimentale eshte ajo lloj letersie e cila ka si synim kryesor manipulimin e ndjenjave apo ndjesive te nje lexuesi, por te gjitha keto te marra ne graden e pare, dmth pa thellim te metejshem. Psh, idete-klishe si “dashuria eshte e bukur” dhe “lufta eshte e keqe”, jane standart ne kete lloj letersie. Nese doni nje shembull te mire letersie sentimentale (limonade, me leng trendafili), mund te permendim psh çiftin vella e moter Delly, franceze, te cilet kane shkruar deri nga fundi i viteve 40, rreth 105 romane.

    Sot, kjo lloj letersie perfaqesohet, perveç nga rryma e zakonshme e autoreve (meshkuj dhe femra) qe kapin ca ide-klishe duke i zgjeruar me situata njera me karamboleske se tjetra, edhe nga rryma e letersise fantastike, psh nga cikli Twilight. Ne pergjithesi, jane libra qe lexohen lehte, por jo nga mungesa e fjalorit. Sepse si fjalor, keto libra mund te kene shume me teper se nje Carver apo Bukowski, por lehtesia e leximit te ketyre librave shpjegohet nga bashkeshoqerimi klishe (deri ne karikature !) i ideve. Gjithashtu, metaforat apo figurat letrare te ketyre librave jane nga me te thjeshtat, por nganjehere edhe nga me te nderlikuarat qe ne fakt s’do te thone asgje. Eshte thjesht nje cektesi qe te jep imazhin e thellesise. Ju e keni provuar besoj, kur doni te nguleni me zhyt ne nje cektesi, ju dhemb koka nja dy jave, me kusht qe te mos keni vdekur ne vend.

    Kurse Bukowski nuk eshte aspak i kesaj rryme. Ai ben pjese ne grupin e Beatnikeve te vonshem, post-beatnik te themi, ku hullia qe hapur me pare nga tipa te tille si Kerouac, Burroughs e ca te tjere. Nder ta dhe Fante (John). Keta tipa, as mendja nuk iu shkon qe te “manipulojne” ndjenjat tona si lexues, por kane merak thjesht te ruajne lirshmerine dhe vetvetishmerine e te shkruarit. Ata kane dashur, ne njefare menyre, te ndahen nga romani i mirefillte francez apo rus, dhe t’i kushtojne rendesi me te madhe perjetimit te çastit, aty, ne vend. Nje autor sentimental do te shkruante se droga eshte e keqe, kaka, mos e prek ! kurse nje autor i tipit bukowski do te thoshte se kam pire aq shume whisky sa do te kisha vdekur po te mos kisha pire, dhe se jeta ime nen kembet e urave ia vlen njeqind here me mire se jetet tuaja ne çarçafe te mendafshte. Shikoni me siper kur thote se filani eshte mire, por ama s’e ka provuar se ç’do te thote te vdesesh urie.

    Mirepo kjo na shkakton kokeçarjen e Marcel Proust, i cili s’vuante fare per buke apo uje. E megjithate, ngelem i mendimit se gjenite s’duhen marre parasysh asnjehere sepse ngelen perjashtime. E verteta eshte se uria, vuajtja, shpirti i ndjeshem, endja, gjithçka qe del jashte normales prodhon letersi me te mire. Po te vesh re autore te tille si Salinger, Vonnegut apo ne France, Beckett, Gary, etj, do te shohim se te gjithe keta mbartin ne vetvete plagen e hapur dhe asnjehere te sherueshme te nje traume te forte : Salinger – lufta e dyte boterore ; Vonnegut – po ashtu ; Beckett – thyerja me kristianizmin dhe marredheniet e nderlikuara me te emen ; Gary – kujtesa e holokaustit, peshtirosja me nje njerezim qe ska asgje njerezore.

    E ky diskutim mund te vazhdoje me ore te tera, por puna eshte se vajti ora per ne… hale.

  10. o_Monstro Says:

    Ne fakt rolin e Dorianit duhet ta bente dikush. Dikush duhet (edhe) ta “kritikoje” Buko-n. Ndoshta ai eshte i pakritikueshem, ju pelqen te gjitheve sepse shkruan lirshem, me nje pafytyresi natyrale dhe e gjitha kjo ne na pelqen. Flo-ja psh nuk e pelqen kritiken, por nese ti do ta mbrosh shkruaj pse te pelqen dhe pse duhet mbrojtur Bukowski.
    Urimi qe e ka perkthyer (te cilin natyrisht e falenderoj), nderhyu duke e shpjeguar pse nuk quhet letersi leng frutash.
    Ndoshta leng frutash eshte pak e trishte per tu thene per nje autor te tille. Vetem se une kur e lexoj nuk perjetoj ndonje nga emocionet kur lexoj dicka tjeter, ndoshta sepse ketu eshte edhe fuqia e shkrimit te Bukos, ai eshte unik ne kete lloj te shkruajturi
    Here here sdo te doja ta lexoja me, ndaloj dhe nuk me pelqejne me ato qe lexoj, por i kthehem perseri. Nuk jemi mesuar te lexojme kaq shume felliqesira njeheresh, ndoshta prandaj edhe kam kete lloj interference here pas here kur e lexoj.
    Mendoj se romanet e tij te felliqura me lloj lloj peshtiresish brenda, kam bere mire qi i kam lexuar.
    Buko-ja duhet lexuar…

  11. ehe... Says:

    O_monstro,
    Falemnderit. Nuk e di, ne ç’gjuhe e ke lexuar Bukowskin ? E pyes kete, aspak per te ulur kete apo ate, por thjesht per kureshtje timen : ne frengjisht, Buku tingellon per mrekulli : ka nje humor qe mua me pelqen shume. Une s’e kam lexuar ne shqip, nuk di ç’behet me te ne shqip. Por fryma e Bukut ne frengjisht, eshte mjaft e bukur, dhe jo me kot ai ka lexuesit e vet – kuptohet se lexuesit e Bukut nuk jane ata te Levy apo te Gavaldas.

    Kam pershtypjen se ngaterrohen dy gjera :

    1- perputhja – e rralle, ne fakt – ndermjet shitjeve te shumta (bestseller) dhe cilesise se larte.
    Na eshte bere zakon te themi se nje liber i shitur shume, eshte i keq. Kjo, jo gjithmone eshte e vertete. Littell eshte shitur 1 milion kopje ne France, e megjithate eshte letersi shume e mire. Barbery, me Elegancen e iriqit, ka shitur mbi 1 milion kopje, dhe eshte letersi vertet e mire. Por Levy ka shitur mbi 15 milion libra nga romanet e tij, dhe eshte letersi e dobet.

    2- Gjuha e perdorur ne shkrime : Buku, pavaresisht nga nje reputacion i perhapur andej-kendej, s’eshte aq i felliqur nga goja. Madje, do te thosha se mesazhet e tij jane ku e ku me te pastra se te dikujt qe shkruan budalliqe me Brendan qe ndau Brandonin dhe u bashkua me Brajanin. Keto, per mendimin tim, jane shume me te rrezikshme per trurin sesa gjerat e thena troç te Bukut. Pornografia per pornografi, nuk eshte tipar i Bukut. Fjalet vulgare jane ne nje kontekst, ne nje fryme, ne nje synim. Buku nuk eshte Sade qe shkruante thjesht per te tronditur apo shkaterruar truret e njerezve.

    Sidoqofte, ke te drejte aty ku thua se Buku duhet lexuar, ky lloj shkrimi vetem sa e larteson letersine dhe nuk e rendon aspak. Eshte nje rryme e tere qe duhet studiuar si e tille. Edhe une, psh, kam pak veshtiresi me stilin e “romanit te ri”, por prapeseprape, eshte nje letersi e mire, shume e mire, e cila duhet zbuluar (kjo rryme ka nxjerre nje nobelist e gjysme, psh : Simon dhe Beckett).

    Pershendetje.

  12. loer Kume Says:

    une po marr te mireqene qe Bukowsaki nuk ia vlen dhe eshte i ceket, pertac, tallbythes, dhe ordiner ne te shkruar.
    OK.
    atehere, nje njeri i tille, ka shkruar ca poezi. nese dikush, kushdo, hedh poshte ato poezi, e ftoj te shfaqet. me kete dua te them qe poezite e tij jane te dashura per kedo qe i ka lexuar. (me sa kam vene re une)
    te rikthehemi ne fillim, nje njeri qe shkruan te atilla poezi, a mund te jete i ceket, dhe ato cka ai thote te jene vetem ca ngarkim shkarkime testosteroni neper dhoma te shpifura hotelesh?
    ore dhe mbase, por ne i veshim te bukuren shemtise, dhe ky njeri na e ka lene hapesiren e duhur per ta bere.
    nuk harroj dot investigatorin te PULP qe angazhohet nga Zonja vdekje per te vertetuar nese ai tipi me pardesy te
    verdhe te piste eshte Celine apo jo. sepse sipas saj, celine i paska shpetuar dhe qenka arratisur ne los angeles.
    po ai ka vdekur.
    ate e di une. e ben dot apo jo.
    do perpiqem, se ti me pelqen shume a dicka e tille.
    😀
    henry miller, eshte faktikisht sipas meje me i kompletuar, se bukowski te bukuren e mblodhi ne poezi, ndersa miller e shkriu poezine ne prozen e tij. kjo meqe ishin miq, dhe meqe po jap opinionin tim.
    sidoqofte, keta tipat kane bere letersi, sepse po lexoj tani ditarin e nje prostitute londineze, njeri shume serioz dhe i instruktuar, dhe ajo c ka permban natyra njerezore ne te vertete, te keta dy autore “dirty” eshte paraqitur shume embel e plot metafora.

  13. flo Says:

    …nese kjo poezia mund te quhet limonate…

    Charles Bukowski

    we had goldfish and they circled around and around

    in the bowl on the table near the heavy drapes

    covering the picture window and

    my mother, always smiling, wanting us all

    to be happy, told me, “be happy Henry!”

    and she was right: it’s better to be happy if you

    can

    but my father continued to beat her and me several times a week while

    raging inside his 6-foot-two frame because he couldn’t

    understand what was attacking him from within.

    my mother, poor fish,

    wanting to be happy, beaten two or three times a

    week, telling me to be happy: “Henry, smile!

    why don’t you ever smile?”

    and then she would smile, to show me how, and it was the

    saddest smile I ever saw

    one day the goldfish died, all five of them,

    they floated on the water, on their sides, their

    eyes still open,

    and when my father got home he threw them to the cat

    there on the kitchen floor and we watched as my mother

    smiled

  14. loer Kume Says:

    dhe mire e ka xhibi, buku buku buku, ca ka o vella, jeni te fiksuar pas brumrave? 😉

  15. doriani Says:

    mirdita!
    me duket se po behet nje ngaterrese e vogel qe ka te beje ne rradhe te pare me kulturen civile lertar.Nuk kam ndermend(dhe jam aq i rritur) sa mos te gjykoj shijet e “tjetrit”,flas vetem per ate qe kam bindje letrare PERSONALE, pra duke eleminuar edhe shijet e mia,subjektivitetin .Pranoj se i kam lejuar vehtes te jap mendim te siperfaqshem rreth tipologjise se lexuesit por e kam bere si rrjedhoje e kontekstit te komentit. pa ashur te “akuzoj”,fyej asnjeri
    Ps.Nuk kam asnje dyshim se Buk. mund te shkruaje poezi shume te bukura.Nuk do te ishte hera e pare kur krijues me dell te “eksituar” poetik shkruaje proze te varfer(gjithmone sipas shijeve dhe bindjeve temia thellesisht personale).

  16. loer Kume Says:

    jo mo doro, e kisha qe nese ky njeri shkruan keshtu poezish, dmth qe ne ato tregime qe ngjajne si gazeta, dmth ka futur dicka, jo eshte pa sens. megjithate tipat si puna e bukowski nuk e rruajne shume, bejne cdo gje, madje dhe te tallen me lexuesin, dhe une shpesh e kam pare veten me dyshim, ore po tallet me mua ky? ashtu si bente piccasso me brack, kur shkembenin pikturat e njeri tjetrit e i firmosnin vete.

  17. ehe... Says:

    LETER NDAJ GERALD LOCKLIN
    22 qershor 1987

    « Le të themi se gjithmonë më ka pëlqyer fjalia e thjeshtë dhe e zhveshur, sepse kam pasur gjithnjë përshtypjen se Letërsia, si e sotmja ashtu dhe ajo e shekujve të kaluar, ishte në pjesën më të madhe e trukuar, më kupton, si ndeshjet e catchit. Edhe ata që kanë zgjatur me shekuj (me ca përjashtime) më kanë dhënë ndjesinë e çuditshme se ma kanë futur. Në fakt, kam përshtypjen se do të ishte më e vështirë që të gënjehet me një fjali të zhveshur, madje kjo lexohet edhe më lehtë, dhe ajo çka është e lehtë është e mirë, dhe ajo çka është e vështirë të çan menderen. (Kjo më ka ngelur nga uzinat dhe nga shoqërimi me femrat.)
    Kështu, Fante më ka dhënë fjalinë e ndjeshme, Hemingway fjalinë që s’kërkon asgjë, Thurber fjalinë që tallet me atë çfarë ka bërë mendja e cila s’mund të bënte asgjë ; Saroyan fjalinë që dashuron vetveten ; Celine fjalinë që e pret faqen e librit si një brisk ; Sherwood Anderson fjalinë që flet përtej fjalisë. Mendoj se të gjithëve këtyre iu kam marrë nga diçka dhe s’e kam për turp që ta pranoj. Shpresoj thjesht që t’iu kem shtuar edhe emrin tim, me një fjalë. Po ta dija këtë çfarë bëj, s’do të mund të shkoja më larg […]
    _____

    Charles Bukowski, Letërshkëmbim 1958-1994.

  18. darienlevani Says:

    Miredita

    Kesaj here jam dakord me Dorianin, edhe pse nuk jam kaq i ashper sa ai. Shume mire qe nje autor i tille ka dale ne drite, kush te do e lexon.

    E megjithate, sa here qe e kam lexuar kam patur pershtypjen e nje proze te varfer – por efikase – me ide te varfera, shume te varfera. Ne 40 vjet aktivitet Buk ka folur per dy tre gjera : femra, kuaj, alkol. A ka ndonje gje te keqe te kjo? Jo xhanem, se secili shkruan si te doje vete, nuk eshte aty problemi. Por edhe i gjithe ky adhurim me duket i tepert.

    Besoj se ky brutalitet & sukses i Buk vjen nga dy elemente : ne radhe te pare, nga fakti qe shkruante ne nje moment delikat, e ishte gjithmone kunder rrymes se poezise se atyre viteve. Kunder Ginsberg, Ferlinghetti. Buk eshte me afer Kreouac se sa Dylan, e ndoshta edhe prej kesaj ka pasur nje fare suksesi duke shkuar kunder çdo gjeje. Ne radhe te dyte, e kjo eshte me e rendesishme, Buk ka qene gjithmone i sinqerte me publikun e tij. E shpesh here eshte i afte per nje sinqeritet te paarritshem nga askush tjeter. As Miller e as Fante, te cilet ne fund te fundit Buk vjedh, nuk kane qene te afte te luajne kaq shume me veten e tyre.

    Por, ne fund te fundit, ngelet ne nivelin e te alkolizumit te lagjes qe te ulet ne tavoline e te thote duke treguar me dore nje vajze ” Ate e keputa, pu pu shoko…pastaj shkova lujta Interin dysh e humba 300 mi lek…neser do dal te Ushtari i Panjohur, mos gjej noj pune…”

  19. loer Kume Says:

    darieno, eshte krejtesisht ceshtje optike kjo puna e pijanecit te lagjes.
    ndersa jim e shihte realitetin lidhur me LSD marijuana gjarperinj, meskaline dhe indiane te vdekur, bukowski e shihte lidhur me nevojat bazike dhe me te filozofuarit mbi to me shishe ne dore, jo me cekan si puna nices. bukowski eshte nje miller krejtesisht rock. miller ishte nje celine amerikan. po askush nuk vjedh tjetrin, bukowski dhe miller ishin te njohur.
    me sa di une, me aq sa di e, bukowski s ka qene kunder ginsberg, nese po, perse ka qene kunder? s ka pas ndonje kundershti aty, bukowskin thjesht, skishin ku ta fusnin, dhe e futen ne beatnic, kostum i cili i rri jo fort mire.
    gjeratorja qe krijon bukowsi rreth vetes eshte ajo e nje poeti dhe e praktikisht rockstari, wiskey, seks dhe rock n roll, s me duket ndonje ndryshim i madh midis tij dhe mick jagger fjala vjen.
    puna eshte qe ka qene nje kohe, te cilen ky njeriu e perqafoi mire, dhe e simbolizoi po aq mire. dhe kur lexojme bukowskin, lexojme nje sinqeritet, sigurisht, po te kujt? te njeriut me veten kur eshte krejtesisht i zhveshur, dhe me kohen qe ai perfaqson.
    mjafton te lexosh pulp, per te kuptuar ironine e holle me te cilen ai tall sistemin e vlerave dhe budalleqet njerezore. sigurisht, ai nuk eshte heroi, qe do shpetoje shoqerine, eshte krejtesisht antihero, por duke ulur veten ne nivel baze, para tij, cdo gomarllek e alienizim njerezor ngjan nje qiellgervishtes kashte.
    secilit vendi i vet, nuk ishte gjeniu me i madh i shekullit, por ishte gjeniu i asaj c ka ishte.

  20. ehe... Says:

    Me pelqeu diskutimi yt, Loer. Po ta shohesh mire postimin tend, ka shume gjera aty, te cekura mjaft drejt, qe mund te sherbejne per t’u shtjelluar me tej.

    Kur lexoj Bukun (keshtu njihej ai, me nofken Buk), me duket se kam perpara vertet nje qenie te ndershme, te sinqerte. Te pakten kete pershtypje jep shkrimi i tij. Ka me teper njerezi ne shkrimet e tij sesa ne ato te dikujt tjeter qe mundohet ashtu e keshtu. Por sidoqofte, ti e the, Buku eshte perfaqesues i nje kohe, nje epoke, dhe ai e ben aq mire kete.

    Nje pike qe te ka shpetuar, eshte mbase humori. Ky njeri ka nje humor shkaterrues, teper te shendetshem per nje shkrimtar. Per mua, nje shkrimtar qe s’te ben per te qeshur, buzeqeshur, nenqeshur, me kapjet dhe gjetjet e tij, per mua ka diçka qe s’shkon. Edhe vete Marcel Proust qe shkruante gjera serioze, ka humor. Jo aq sa dora e Bukut apo Fantes apo Salingerit, por ama ka.

    E dyta, Buku ka nje aftesi kondensimi te jetes reale. Dikush mund te thote se ai thjesht tregon histori qe i sheh rruges, apo me shoket. Jo, eshte me teper se kaq : ai i jep kesaj nje domethenie, nje kah, nje fryme, por e ben kete me nje lirshmeri te shkruari qe ne na duket sikur po tallet. Ne fakt, problemet qe ngre ai, jane shume te renda. Ceshtja e identitetit dhe e besnikerise ndaj vetes, çeshtja e njerezise, pavaresisht se ne jeten e vet ishte ca i vrazhde. Ceshtja e sinqeritetit, e mos-shtirjes, e varferise, e deshirave te njerezve te thjeshte qe vetem mbijetojne, ceshtja e shitjes se trupit duke qene me shpirt te lire, shkurt, ka çeshtje sa te duash.

    OK, njehere tjeter.

  21. alfred Says:

    Me duket se po ngaterroni dicka ketu. Nuk mund te flitet per B si nje njeri i sinqerte apo i ndershem ne letersi, i cili ben nje filozofi me te rena shishesh, apo ku e di une.
    Ne vitin 2004 -5-6 mos gaboj mora pjese ne nje festival ne Firence:”festivali i popujve”. Ate vit u fol per shume gjera, per kosoven, tribute afrikane, e nder keto ishte dhe nje dokumentar mbi Bukowskin. Ishte cdo gje reale, mes miqsh, ne shtepi, me gruan e vet qe e rrihte, ne leksionet ne universitete, etj.etj. Skishte improvizim, as sinqeritet, as ndershmeri, as vanitet. Ky robi ktu eshte thjeshte vetevetja, eshte ai qe askush ne letersi nuk ka arritur te jete. Te gjithe na e kan fut me pak fjale. Po ta shikojme me ne brendesi mund te verehet se si Tolstoi i ka vjedh dicka Getes , i ka vjedh idene, nenidene, ashtu sic bejme ne, por jo stilin, menyren e te shkruajturit. Ky, B, nuk mund ti vjedh njeriu gje, smund te jete i sinqerte me ne, nuk i rruhet trapi per ndershmeri. Ndak nje njeriu qe nuk i rruhet per shendetin e vet smund ti kerkohet me qene i ndershem. Ai eshte vetevetja dhe aq, mbaron aty.Nese eshte banal eshte sepse ne jete eshte i tille, dhe jo sepse kekron te jete i nddershem me ne qe e lexojme. Ai nuk ben kompromise per t’u pelqyer masave. MUnd te cdese per buke e kete s’e ben. NUk shkruan ka–lliqe sepse kjo i pelqen publikut, e ben sepse keshtu eshte. Dikush qe nuk mund te zgjedhe eshte ai dhe pike. NJe tjeter zgjedh te jete ashtu apo keshtu, B nuk e ka bere nje zgjedhje te tille.
    Nese ka nje filozofi qe mund ti vishet B eshte ajo qe pershkruan Principi i realitetit. Te gjithe e dime qe jeta eshte nje gjendje muti qe ndryshon nga dita ne dite duke ruajtur esencen e asaj; trishtimin e pashtershem te te qenurit. Ndaj dikush mud te zgjedhe te jetoj keshtu me disa alternime lumturie tek e tuk ndersa dikush jeton nje jete te tille qe ne gjenez sepse keshtu e ka bere nena natyre.

  22. loer Kume Says:

    Te gjithe e dime qe jeta eshte nje gjendje muti qe ndryshon nga dita ne dite duke ruajtur esencen e asaj; trishtimin e pashtershem te te qenurit

    pse keshtu eshte vertet? sapo lexova versionin bukowskian te budizmit 🙂
    boh, kete po thonim, qe ai shkruan ndershem, jo qe eshte i ndershem, ideja ajo eshte, s ka si te shkruaje diksh ndershem me qellim, sepse nuk do ishte i ndershem pastaj, po varja kesaj ndershmerise se qelbur… kryesorja eshte vertet qe ai rob ta sjell pjaten ne menyre qesharake, te femrat jo dhe aq, por ne tregimet qe am lexuar une, dhe te Pulp, vertet qe me ka shkrire. e kisha harruar kete.

  23. flo Says:

    Une doja te thoja vetem kete: me ne fund dicka qe gozhdon vemendjen time lendinave pa-buke te internetit…
    Faleminderit.

  24. The Kindly Ones Says:

    We are like roses that have never bothered to
    bloom when we should have bloomed and
    it is as if
    the sun has become disgusted with
    waiting.

  25. ehe... Says:

    Nuk e mora vesh mire nderhyrjen e Alfred B.

    Nuk di pse anashkalohet diçka qe shume pak vete po e cekin : bukuria e prozes se Bukowskit. Sigurisht qe shkrimi i tij eshte subversiv – te pakten per ate kohe – por nuk di pse nuk shikohet si letersi. Tekstet e tij jane te shkruara mjeshterisht, te pakten ne llojin e stilit qe ka perqafuar. Ne pergjithesi pa sterhollime te gjata, plot me dialogje, asnjehere nje arsyetim i gjate tre-fjalish, thjesht copeza jete.

    Une e kam thene shpesh se histori te Bukowskit, histori pijanecesh, njoh plot, ne Shqiperi dhe ne France. Nuk besoj se Buku mund te me mesoje diçka ketu. Por halli se une nuk di t’i rrefej keto histori siç di ai. Nuk di te terheq vemendjen e lexuesit. Dhe jo me kot : sepse me mungon ajo qe i jep nje teksti hirin dhe bukurine e vet. Bukowski e zoteron kete. Ska rendesi ku e ka mesuar, kush apo si. E rendesishme eshte se ai di te rrefeje. S’me kujtohet kush ka thene, Flauberti apo Sainte-Beuve, apo dhe Buffon, se “Njeriu eshte stili”.

    Ne kete pikepamje, Bukowski shkrihet fort ne nje : stil + jete vetjake = Bukowsk puro.

    Dhe diçka tjeter : duke i meshuar kesaj se Bukowski rrefente vetem histori reale, ju i hiqni atij ate çka e ben shkrimtar nje shkrimtar : aftesine trilluese. Jo, Bukowski nuk eshte thjesht nje dikush qe tregon ç’sheh ne rruge, por trillon, sajon, ne varesi te idese qe ka. Nese i ka bere pershtypje diçka, ai gjen nje vegez dhe e ftillon. Nuk eshte Bukowski aq kriminel sa ç’kerkon te hiqet. Legjenda thote se ai ishte nje kafshe, por eshte thjesht legjende. Edhe ai kishte çastet e veta te njerezise, madje te nje njerezie prekese, ngaqe e paperpunuar.

    OK, njehere tjeter.

Leave a comment