Mrekullia

by

Në qytet pritej të ndodhte një mrekulli. Ju nuk e dini çdo të thotë të presësh një mrekulli çdo ditë. Ndoshta gjithkush, në një moment të vështirë të jetës së tij, ka pritur të ndodhë diçka e pazakontë, por kjo ka qënë një pritje e pa bazë, krejt rastësore, madje e pa paralajmëruar. Një mënyrë për të ngushëlluar veten.

Mrekullia do të ndodhte patjetër. Nuk dihej burimi i saktë i lajmit, dihej vetëm që ishte i besueshëm. Se nga vinte e gjitha kjo besueshmëri ishte gjithashtu një mister më vete.

Kjo lloj mrekullie ndodhte një herë në njëqind vjet. Ky vit ishte mundësia e fundit që të ndodhte. Mrekullia do t’i shfaqej vetëm një personi dhe ai do të quhej ” personi i përzgjedhur”. Ajo mund të ndodhte çdo ditë . Pra të gjithë banorët e qytetit duhet të rrinin sa më shumë të ishte e mundur pranë vendit ku mendohej t’iu shfaqej mrekullia në mënyrë që të rritej mundësia a ndodhjes për gjithësecilin.

E gjitha kjo shkaktoi një konfuzion të madh në qytet. I paparë si fenomen. Disa persona në gjendje të mirë financiare, vendosën të linin punën e të qëndronin sa më shumë të ishte e mundur në këtë vend. Rrethinat pranë u mbipopulluan duke qënë se shumë njerëz u shpërngulën aty duke blerë edhe apartamente të reja. Aktiviteti i përditshëm pësoi një paralizë të ndjeshme. Të gjithë prisnin me ankth.

Harrova t’iu prezantoj xhaxha Xhemalin. Ndoshta ndonjë prej jush mund ta ketë pasur në lagje ose të ketë dëgjuar për të. Xhaxha Xhemalin e thërrisnim Xhejms. Atij i pëlqente kur e thërrisnim ashtu se i dukej vetja i ri. Ishte rreth tetëdhjetë e tre vite. Jetonte i vetëm që në moshën dyzet vjeçare pasi familjen e kishte humbur në një aksident automobilistik. Jeta nuk ishte treguar bujare me të, por plaku Xhejms kishte një mirësi në sytë e tij dhe një buzëqeshje shumë fisnike pavarsisht çfarë i kishte ndodhur vite më parë.

Xhaxha Xhejmsi nuk donte ta shihte mrekullinë, kishte kohë që nuk i besonte më të tilla gjëra . Unë dhe ime motër kujdesemi shumë për të e në shkëmbim kemi dashurinë e tij prej gjyshi të mirë. Një ditë , kur e morëm ta nxirrnim shëtitje, tha : ” Të dashurit mij, kjo histori ka kohë që diskutohet , që në fillesat e njerëzimit. Cdokush , të paktën një herë të vetme në jetën e tij, ka pritur dhe është lutur t’i ndodhë një mrekulli. Njerëzimi e shpiku fenomenin “mrekulli” për të mbajtur veten me shpresë se një ditë prej ditësh do të ndodhë diçka e pazakontë për to dhe gjithçka do të ndryshojë. Kjo gjë i ka trishtuar njerëzit, të presësh për diçka që nuk vjen kurrë është dërrmuese. Ju jeni të rinj , por sipas meje, të pranuarit që mrekullitë nuk ekzistojnë ta bën jetën më të lehtë, më pak të trishtueshme…Ajo mrekulli për të cilën flitet s’do ndodhë dhe po të isha si banorët e këtij qyteti nuk do të shpenzoja kohën e artë dhe rininë për një iluzion. “

Më ngelën në mendje ato fjalë, por prap brenda meje kishte diçka që më bënte të besoja që mrekullitë ekzistojnë. Ndoshta qenka pjesë e natyrës njerëzore të biesh në batakun e të mbajturit të vetes me shpresa të rreme.

Kaluan plot njëmbëdhjetë muaj dhe mrekullia nuk i kishte ndodhur askujt. Në qytet dhe rrethinat e tij ndihej tensioni i pritjes. Ekzistenca në atë qytet qe kthyer në një ekzistencë që të peshonte mbi supe si një ngarkesë që duket që s’do të ketë asnjë destinacion.

Xhaxha Xhejmsi kishte disa ditë që nuk ndihej mirë. Një ditë prej tyre nuk e gjeta në ballkonin e tij. U bëra merak. Dola ta kërkoj. Zemra më rrihte fort se druhesha mos i kishte ndodhur diçka jo e mirë. Shikimi i qe dobësuar shumë kohët e fundit. Nuk e gjeta , nga nuk e kërkova . Kthehem në shtëpi dhe shoh një shënim që kishte rënë poshtë tavolinës së ngrënies: ” Kam dalë të blej në farmaci ilaçet e zemrës. ” Papritur dëgjoj një zhurmë të pazakontë jashtë. Dal jashtë pallatit e c’të dëgjoj…

Mrekullia kishte ndoshur. Mrekullia kishte zgjedhur atë, xhaxha Xhejmsin.

Tags: , ,

2 Responses to “Mrekullia”

  1. un Says:

    Pjese shume e bukur, Dorina. Me pelqeu shume. Ka te gjitha tiparet e nje tregimi te shkurter ku fjalia e fundit zgjidh gjithçka. Sepse, po te flasim pak me gjere, ka dy lloj tregimesh te shkurtra :

    1- tregime qe mbyllen natyrshem, pa asgje te jashtezakonshme, rrefimi ka krijuar nje gjendje shpirterore dhe ne fakt s’pritet asgje ne fund. Me teper, keto jane rrefime melankolike, disi trishtuese, lexuesi e ka marre dozen ngadale, njelloj si morfinen ne damar. Keto tregime lexohen vetem njehere, nuk ka ç’pritet me teper, leximi i dyte vetem sa i heq sharmin.

    2- tregime qe mbyllen me nje fjali e cila zbulon gjithçka, ku tensioni ka vajtur ne kulm dhe duhet nje zgjidhje, perndryshe nuk funksionon. Ne pergjithesi, keto tregime duhen lexuar dy here, dmth pasi te marresh vesh zgjidhjen, te rikthehesh dhe te gjesh nenkuptimet e fshehura qe nuk jane kapur ne fillim. Ketu merr reliev i tere rrefimi.

    Tregimi yt i perket shembullit 2. Dhe eshte shume mire.

  2. M.Zefi Says:

    🙂

Leave a comment