Lugë

by

nga Arben Dedja, shkëputur nga Amputime të Zgjatura

 
Nga qëmtimi i dokumentave në Arkivin Qendror të Shtetit po zbulohen dita-ditës fakte tronditëse nga koha e Diktaturës si, për shembull, historitë e dhimbshme të shpronësimit të familjeve të tregtarëve të kamur në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, ku shpesh polemi, i nxitur nga Partia në pushtet, merrte pjesë vetë në raprezaljet ndaj kujt mendohej se kishte pasuri të fshehura, edhe pse i paguante një më një tatimet marramendëse që u vinte shteti dhe, në raste të veçanta, Ministria e Punëve të Brendshme, me ato mjetet e veta… merrej me disa prej tyre, siç mund të përmendet, bie fjala, rasti i vëllezërve Xinxo nga Korça të cilëve, pos pasurive të tjera, i sekuestruan shifrën rekord të 2 029 734 lugëve argjendi fshehur në themelet e shtëpisë, shifër lugësh kjo e pahasur më parë në Ballkan e më gjerë; vëllezër këta që pësuan një fat tragjik, sepse i madhi vdiq pas 12 ditë torturash çnjerëzore nga ana e sigurimsave pa arritur t’i nxjerrin nga goja asnjë të dhënë për pasuri të tjera kinse të fshehura s’di se ku, kurse i vogli, pas vdekjes së vëllait dhe pas hatasë edhe më të madhe të gjetjes së lugëve, doli faret duke i ngrysur ditët në çmendinë kur, pas shumë vitesh, diku andej nga mesi i viteve ’70, sajë vrojtimeve të vëmendshme shumëvjeçare të meteorologut të qytetit, që kish kohë që vërente sesi rrufetë preferonin të binin në trungun tashmë krejt të rrëgjuar të një shege në anën tjetër të rrugës dhe shumë larg shtëpisë së dikurshme të Xinxove, më mirë se mbi lisin gjigant aty pranë, zbuloi pra, duke lajmëruar në çast organet kompetente që pak para vdekjes edhe e propozuan për titullin Mjeshtër i Madh, thellë në rrënjët e kësaj shege shtatë voza të mbushura me sasinë marramendëse të 2 029 733 thikave argjendi të familjes Xinxo, tashmë të shuar, duke shkaktuar kjo padashka një revolucion të vogël në jetën e përditshme të qytetarisë korçare, e cila atëbotë, por edhe sot e gjithë ditën, përderisa çështja s’është zgjidhur ende, ndjek me vëmendje çdo hapje themeli të cilësdo shtëpie të re dhe, akoma më me vëmendje, urdhërin qiellor të rrufeve mbi qytet.

Kërkojnë sasinë marramendëse, të pahasur më parë në Ballkan e më gjerë, të 2 029 734 pirunjve argjendi të fshehur s’di se ku dhe të një thike, po prej argjendi, groposur në shpejtësi e sipër bashkë me pirunjtë.

Tags: ,

One Response to “Lugë”

  1. Irma ttbmlj Says:

    A eshte kjo e vertet??

Leave a comment