Shtypja e kryengritjes së vitit 1847

by

nga Lulzim Gërveshi

Zenel Gjoleka e Tahir Çapari, në krye të 1500 kryengritësve, më 28 gusht 1847 i dolën përpara ushtrisë osmane prej 5000 vetash, që ishte nisur nga Janina. Pas përleshjes që zhvilluan me të në fshatin Dholan, në verilindje të Janinës, i shkaktuan asaj disfatë. Me këtë fitore para kryengritësve u hap rruga për në Janinë, të cilën mund ta merrnin edhe për shkak se garnizoni i qytetit përbëhej në shumicë nga ushtarë shqiptarë. Por marshimi i mëtejshëm i kryengritësve drejt Janinës u ndal për shkak të lajmit se forcat e tjera ushtarake osmane po përparonin nga Manastiri drejt Beratit e Mallakastrës. Ky ishte kulmi i shtrirjes së kryengritjes, rruga për në Janinë ishte hapur, kështjella e Beratit ishte rrethuar, nga ky çast do të shuhej shpejt. Zenel Gjoleka u hodh në Labëri, ku ishin drejtuar forcat e shumta osmane. Kryengritësit e udhëhequr nga Rrapo Hekali goditën forcat ushtarake të komandantit të Rumelisë gjatë rrugës drejt Beratit, në afërsi të këtij qyteti, por u detyruan të hiqnin dorë nga rrethimi i trupave në kalanë e Beratit, sepse me ardhjen e trupave të serasqerit të Rumelisë kishte rrezik të binin edhe vetë në rrethim. Kur vetë Mehmet Pasha u shfaq në Berat në krye të dhjetë batalioneve, shqiptarët e Toskërisë u shpërndanë pa bërë asnjë lloj qëndrese. Në këtë betejë morrën pjesë tre pashallarë; ai i Manastirit, i Thesalisë dhe i Janinës.

Nga Berati ushtria osmane u hodh në Vlorë për t’u bashkuar me pjesën tjetër që kishte ardhur nga deti dhe për të ndarë forcat kryengritëse të Rrapo Hekalit nga ato të Zenel Gjolekës. Prej andej ushtria u drejtua për në Labëri, ku nuk hyri dot nëpërmjet Grykës së Kuçit, sepse aty ishin përqendruar kryengritësit e Zenel Gjolekës, por nga ana e Mesaplikut. Ushtria osmane dogji fshatrat Bolenë, Kuç, Kallarat etj.

Ç’u çkulë nga Manastiri,

tre Pashallar’e Myshyri,

Bymbash Sulejman Tahiri,

përposh nga Berati hyri,

-Gjolekënë të ma ziri,

rrathë në kokë t’i hidhi,

mase vjen ndërmënd qafiri,

u dogj Kuçi si Misiri.

Reparte të tjera ushtarake osmane zbarkuan në Himarë për t’u rënë kryengritësve prapa krahëve. Në kushte të tilla edhe Zenel Gjoleka i ndau kryengritësit në çeta më të vogla. Njëra prej tyre u ndesh me forcat osmane në fshatin Palavli, në fushë të Delvinës. Ndonëse luftuan me trimëri, kryengritësit u thyen përballë ushtrive të shumta armike.

Me shtypjen e kryengritjes në Shqipërinë e Jugut, trupat osmane përdorën gjerësisht terrorin mbi popullsinë, duke e vijuar ekspeditën ndëshkuese edhe gjatë dimrit 1847-1848. Serasqeri bëri arrestime të shumta në radhët e krerëve të Shqipërisë së Jugut: Rapo dhe Hamit Hekali nga Berati, dy djem dhe dy nipër të Ismail bej Vlorës nga Vlora, Veis Vesiari dhe tre djemtë e Tahir Abazit nga Tepelena, Tahir beu nga familja e Kapllan Pashës në Gjirokastër, Abdyl bej Koka, Çelo Picari dhe Sulo Kallapodhi nga Delvina, Alizot dhe Ahmet Dino nga Filati, Tahir Çapari nga Margariti; por u arrestuan edhe plot të tjerë nga shtresat e ulëta. Gjashtëmbëdhjetë krerë të kryengritjes u burgosën në Konia të Anatolisë, ndërsa pjesëmarrësit e tjerë,u falën me një dekret perandorak. Ushtria turke arriti të shuante njërën pas tjetrës vatrat e qëndresës edhe në trevat e tjera. Qeveria osmane ndërmori atëherë zbatimin e sistemit të ri tanzimatist në Shqipërinë e Jugut. Pas përfundimit të kryengritjes jo të gjithë krerët u arrestuan, një pjesë ngelën të lirë, keshtu që Porta dërgoi forca që ti arrestonin. Disa prej tyre arriti t’i kapte dhe i vari ose i vrau, por një pjesë tjetër shpëtuan. Nje këngë thotë:

Gjemitë në det po vijnë,

për të lidhë Parësinë,

e zunë që në Kaninë,

Laton e Dalan Seinë,

Në Kudhës Imer Alinë,

Mustafa Begë birbilë,

në Brataj Matan Haxhinë

Lilo Qëndro nishanllinë,

në Tërbaç Beqir Selimnë,

edhe Dulo Kokë trimnë,

Haxhi Hoxhënë Smokthinë,

dhe në Vajzë dy nishanë

Meten e Sadik Çobanë,

Leskodukajtë Bolenë,

Kallarat ata që qenë,

Lamenë me Dervish bejnë,

Birbil Hasani e Meçenë,

vanë në Sudan e mbenë,

Kallarat katër nishanë,

Lamja me Dervish Qejvanë,

Meçja me Birbil Hasanë,

mu tek rrapi seç u varrë,

tre bolenasit që qenë,

me Sadikun e Birçenë,

me Birbil e me Meçen,

me Lamen e Dervish bejnë

mu tek rrapi degë vjerrë,

të shtat si shqerra i therrë.

Kundrejt tyre u treguan të pamëshirshëm. Vetë veziri i madh jepte urdhrat për kapjen e tyre. Siç dëshmon kënga kushtuar Leskodukajve të Bolenës.

Dërgon një kartë veziri:

-Leskodukajt të mi ziri,

me duar prapa t’i lidhi,

rrathë në kokë t’u viri,

pisha nëpër thonj t’u shtiri,

në Stamboll brënda t’i shpiri!
Por Gjolekën, autoritetet nuk e kapën dot. Gjoleka në fillim u strehua në fshatin e lindjes së tij, e në shpellën që ka marrë emrin e tij, (Shpella e Gjolekës) që ka rreth 30 m thellësi, në shpellën e Hurdhës po në Zarel e në honet ku burojnë Ujërat e Zogje të Kuçit, më pas në malin e Çorrajt. Rezistencë heroike treguan Çorrjotët për moskapjen e këtij kapedani trim. Më vonë Gjoleka u largua për në Meçovë e Hajsla të Tërhallës, por këtu u kallëzua nga banorë të shitur tek turqit, u kap prej tyre dhe u dërgua në Manastir e pastaj në Stamboll. Kjo këngë e mëposhtshme shpreh gjendjen e Gjolekës atë dimër, përpjekjet e tij për të organizuar një tjetër kryengritje dhe së fundmi dëshpërimin e tij dhe largimin nga atdheu.

Mbeti Gjolekë spanoi,

Mbeti vetë i dymbëdhjetë,

Një dimër në male e shkoi,

Sa u mbush vendi me fletë,

Tjetër ushtri kërkoi,

Po kish mbetë vendi i shkretë,

Gjoleka shumë u mundua,

Tha ç’i bëra perëndisë,

Do largohem dua s’dua,

Nga vendet e Labërisë.

Më vonë u fal dhe u caktua nga qeveria me detyrën e komandantit të trupave të parregullta dhe me këtë detyrë ishte edhe në fushatën kundër Malit të Zi, më 1852, ku edhe u vra.

Gjatë arratisë së Gjolekës, ka ndodhur një ngjarje që të trondit, kjo i ka ndodhur Maro Kondës. Ndërsa Gjoleka ndodhej i fshehur, banorët e fshatit Çorraj përpiqeshin ta furnizonin me ujë e me bukë, ia çonin në mal, pasi nuk mund të zbriste vetë. Turqit që nuk arrini të gjenin dot vendin ku fshihej, kishin nevojë për një udhërrëfyes. Gjetën Maron që mbushte ujë në krua, me vete kishte dhe foshnjën e sapolindur. E detyruan me forcë t’u printe. Nga frika se mos u ikte e lidhën me zinxhirë duke u lidhur edhe vetë me të. Marua para, ata pas. Në një grykë të thellë e të ngushtë, po kalonin buzë një humnere. Në çastin kur të tërë ishin në buzë të humnerës, Marua u lëshua në humnerë me gjithë foshnjën e saj, duke tërhequr pas vetes edhe turqit që ishin të lidhur me të. E motra e saj ishte e para që do t’a gjente e do ta qante me ligje, fjalët saj kanë arritur deri tek ne.

Ika vajta në të parë,

Shko derëbabe më thanë,

Vura xhezven për babanë,

Aty mandatën ma dhanë,

Kur mora përpjetë malë,

Gjeta Maronë me djalë,

U rrinë melaqeja pranë…

Buzat lule kur i panë,

Buzët në buzë ua dhanë,

Buzat kur u venë trima,

Ua shtrojnë me trandelina.

O zemra që kullon serë,

Qysh më iket menjëherë,

Skifterë që shkuat në erë!

O Marua ime si vitë,

Me cirokun sa një çikë,

Që të vinte erë gjiri,

Si në maj trëndafili.

Ç’është kjo flakë e jeshiltë

Që brenda xhanit zhurit?

O Maro, o rrënjëdalë,

S’pate dert nga asnjë valë,

Maro kur shkoje përpjetë,

Hënë e larë e nuri vetë.

Kur Motra s’të sheh të gjallë,

Dheu s’do ta tretë mallë

Qysh do ta shkoj këtë jetë,

Duke dertur det më det?

Korba unë, qysh durova?

U derëzeza ç’pësova?

Qysh e hoqa këtë gjëmë?

M’u si ti plagën e rëndë?

Qysh m’u këpute si ylli?

M’u çkoqe si trëndafili.

O ylli që lëshon çika,

O ylli me shtatë drita,

Lindur në Kondaj në grika,

Kur lindi vetëm petrita.

Filxhan me vija jeshile,

Lezeti i derbabës time.

Manushaqja kserikua,

O buza qitro lejmua.

Trëndafilja në lulishte,

Shtatëpalë nure kishte.

Ndryshe në të tjera ishte,

E tëra trëndafilishte.

Rreth e rrotull malet u nxinë,

Për sorkadhen trëndelinë,

I pa Marua tek vinë,

Si ylli që sheh stuhinë,

Por kur fluturove mbi re,

Kujtove mua e the:

M’erdh o Beho me hile

Pas jelekut kadife,

Ç’qe kjo tesqere?

Maksus për muharrebe.

Po ti në flakë, në flakë u re,

Armët nga gryka ua dhe.

Marua ime kaçandone,

M’u si zonja e Vrijone,

Osmanët prapa të muarr,

Ç’i deshe tymet e shuar,

Me t’i parë ti i godite

Ata hidhu e ti për grike.

Te avllia me kalldrëme,

Më vin motra e një nëne,

Ai yll që del mbas hëne,

Pëllumbesha pëndëshkruar,

Ra në hon duke rënkuar.

Një pik lot i met në faqe,

Si vesa mbi manushaqe.

O Marua ime suljote,

Nuk shërohet plaga jote,

S’kam shërim e s’kam jatri

Jam veshur në të zi,

Njëra sa të vij tek ti.

Tags: , , , , ,

Leave a comment