Skica e jugut

by

“Land Meets Sea,”, David Beale.

Nga: Loer Kume

Mëngjesi i erës, erës së marrë marrë shkund fieret e shelgjet. E të zhvesh krejtësisht në një lakuriqësi të ndjerë e ngre dallgë të bardha mbi sipërfaqen e blusë së thellë.
Menjëherë si me urdhër era zhduket, dallgët zhduken në një pezulli të shkëlqyer e lëmuar argjendi.
Tërë nuancat e së gjelbrës, nga deti smerald në hardhitë që veshin kodrat. Një njollë e zezë, boja e mbetur e zjarrit tallet me shtëpitë njerëzore ca dhjetra metra më tej.
Rruga buzë detit, asfalti i përkëdhelur nga gjuhët e valëve, tufa krahëndera pulbardhash gjigande e zogjsh shtegtarë mbi xhamin e makinës shpejt e nxituar kuturu, pa adresë. Kënga e lartë. My body tells me no o o, but I wont quit, cause I want more, o I want more…
Pyll i dendur. kupola e pishave përkulur mbështjell rrugën e drejtë. Diku, rrënoja të vjetra mbuluar nga bimësia e harlisur. Ca pika shi pastrojnë ajrin e lënë gjurmë mbi shtresën e pluhurit mbi asfalt, mbi makinë, mbi njerëz. Sërish era e çmendur hyn vrullshëm nga dritaret e hapura. Kjo ere vjeshticide nuk rrezon gjethe, kjo ere e verdhe juge e ngrohte pjek fruta, e përshkon me grimca e bulëza papeshësie trupin.
Një udhë mes hapësirash djerre shkretëtirë, me shkurre jeshile të dendura të dashura aty këtu. Shkurre ftuese duhet ti quajmë.
Një ishull sishull, një manastir i rrënuar kafshuar nga koha. Pluhuri e dheu mbulojnë të kaluarën. Një qetësi absolute e shije vetmie, vetmi topitëse ndaj gjithçkaje të shëmtuar e të bukur, një vetmi sterile pa asnjë fjollë shprese e dëshire ka zënë vend mirë në dhomën e mugët të lutjeve.
Fytyra shenjtorësh me prerje flokësh demode. Fytyra plot dritë hipokrite. Nëse do i pickoje, do shihje shtrembërimin e kithët të tipareve drejt trekëndëshash të hidhur Kandinskijane.
Shkallë rrënjësh peme për të ngjitur kodrën në shtegun që dredhon mes pishave. Një thike ngulet nëpër drurë.
Nën një pemë në hyrje të pyllit, në hije, në prehër një çift i bukur. Këmbët e tij të shtrembra, fustani i saj ngjyre mishi, i hollë i hollë plot me erë të çmendur që luan e çluan.
Ura e drunjtë krakëllimë. Fshatari i pjekur që shet ujë. Peshkatarët spore, si shpirtra në pauzë buzë lagunës së kaftë valëzuar nga era, e fustanit dhe e botës mbarë. Kaltërsia verbuese mes majave të pemëve, aroma e limonit, blirit dhe e një luleje misterioze mbush hundën, mushkëritë e të ngre pezull.
Një fshat tog shtëpish i bëjnë rezistencë heshtjes mes luginave të pa mata të shkreta e barshkurtra. Jehona e pamjes së shtëpive të bardha pasqyrohet maleve të gjera e mprehta si thika buke gjelbërgri. Njerëz të shkurtër, të fortë si kërcunj të thatë pa buzëqeshje, fytyra rakie por që mund të vrapojnë në kodër plot energji për të shkuar Sizifë nga sheshi të klubi. Në mes të fshatit të mjerë iluziv një superhotel që mbyll e improvizon jetën me hauze ujëqelbur aq pak metra larg detit.
Qen që lehin, shqiponja të largëta, e muzg. Te qeshurat gurgulluese te freskëta ne nje prehje pa bere asgje, pa patur asgje per te bere.
Diana hënë e drapërt, e Afërdita motër sot sykuqe, ndryshe nga pak ditë më parë kur shiheshin në sy, i kanë kthyer shpinën njëra tjetrës në një largim të ngadaltë me rënien e errësirës.
Perëndimi i qumështë ka ngjyer gjithë çka me një bardhësi mugulluese. Asnjë ngjyrë më nuk duket qartë, veç trajta në një shkëlqim argjendi. Deti mbyllet në një të zezë shkëlqyese. Vargmalet atjetej me kurorë resh të bardha e tashmë kokëulura nga era vrasëse e vjeshtës. Malet e retë vijnë e shkrihen me njëra tjetrën. Loja e reve. Një profil njeriu me hundë të madhe e balluke. Një dragua. Një kone. Një kullë. Pas pak minutash profili bëhet njeri i shtrirë vdekur me duar të kryqëzuara, konia shndërrohet një triceratops ulëritës, dragoi fisnik në një sup femre e koka mbështetur në mal. Dalin në skene dy këlyshë elefanti. Një kullë.
Në mes të qiellit plot yje, një e vetme re formëshqiponje në fluturimin krenar. Errësira shkrin gjithçka në një, duke fshehur shpirtrat e papërsëritshëm nën çarçafin e zi të shtratit Një.
Ka vetem tinguj e aroma tashmë. Më bllokohen veshët. Bulktha. Heshtje. Dallgë që përplasen në gurë. Klicku i tastierës në shkrim e sipër. Duhet të flene të tërë ndërsa unë shoh gjurmën shndritëse të çerekhënës mbi det. Atë Gjurmëudhën aventuroze plot pikepetje që do rimarr nesër drejt…
A Journey to the Soul of South… PaPeshë.

Tags: , , ,

3 Responses to “Skica e jugut”

  1. meteorologu Says:

    “Loja e reve. Një profil njeriu me hundë të madhe e balluke. Një dragua. Një kone. Një kullë. Pas pak minutash profili bëhet njeri i shtrirë vdekur me duar të kryqëzuara, konia shndërrohet një triceratops ulëritës, dragoi fisnik në një sup femre e koka mbështetur në mal. Dalin në skene dy këlyshë elefanti. Një kullë.
    Në mes të qiellit plot yje, një e vetme re formëshqiponje në fluturimin krenar. Errësira shkrin gjithçka në një, duke fshehur shpirtrat e papërsëritshëm nën çarçafin e zi të shtratit”

    Ndofta eshte ndikim i pavullnetshem, por ky detaji i “lojes se reve”, “hunda e madhe”, profili qe shnderrohet, carcafi dhe krejt paragrafi i cituar i lojes se reve si ide me sjell ndermend nje tregim te vjeter te nje autori tjeter .

  2. meteorologu Says:

    te ky tregimi ketu pra:

    http://whisperthereal.blogspot.ca/2009/02/nata-e-te-cmendurit-tregim.html

  3. Loer Kume Says:

    e lexova tregimin. Mbase transportimi eshte i njejte. mbase klima nese e shohim jo ne tere tregimin, por ne dritare te ngushta.
    tjeter gje nuk mu duk e ngjashme.
    loja ime me rete eshte saktesisht e jetuar njesoj si e kam shkruar. nga ana tjeter, a ka njeri qe s ka luajtur me rete? eshte loje e lashte shume…. faleminderit Metereolog

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: