Jam gabel i Istitutit…

by

f1_pastrimi1337705958

(sepse edhe mund të tallemi, por duhet të tallemi me seriozitet)

Të rrimë shtrembët e të flasim drejt: pas shumë vitesh heshtje që bie erë komploti, ka ardhur koha që të merremi me kryeveprën letrare shqiptare që, më shumë se çdo poezi a këngë, përfaqëson tragjedinë e dashurisë së humbur. Çdo popull prodhon gojëdhëna trimërie a dashurie: nga Wilhelm Tel te Robin Hood, nga Tristano & Isotta deri te Bewolf. Më në fund, edhe Shqipëria paraqet diçka që ka të njëjtën elegancë, të njëjtën dashuri e tragjedi. Poeti e shpreh dhimbjen e tij në pak rreshta që bëhen të popullit sepse atij i përket, përfundimisht, sa dhimbja aq edhe poezia.

Si të gjitha kryeveprat letrare, edhe në këtë rast autori humbet në kohë. Pushteti popullor, që nuk ngopet me një version, e shkruan dhe e rishkruan. Diku shton një varg, diku heq dy a tre, sipas krahinës dhe moshës të atij që e tregon. Për momentin po qëndrojmë te versioni zyrtar i poezisë. Kanë ikur tashmë kohët e Naimit e Ismailit, kur dashuria, si virtyt, lavdëronte hijet e saj në vargje kristali. Poeti është i drejtpërdrejtë në dhimbje dhe na jep edhe më shumë informacione se sa duam.

           jeta ime rrapa-shtrrapa
          jam gabeli i institutit,
          një dashnore që e pata
          ma shtypi makina e mutit.

Ofelia moderne shpërthen në gjithë dramën e saj, lind e vdes në kujtesën e poetit. Këtu nuk ka nevojë për intriga familjesh në ballkonat e Veronës, për lot a keqkuptime. Heroin tonë e imagjinojmë në mejhane të ndyra tek kujton dashurinë e humbur me raki e kukurec. Dy rreshta dhe lind postmodernizmi tallava.

Ky version, ndryshe nga të tjerët, ka edhe meritën që na ndihmon në identifikimin e poetit. Në sajë të saj, pra, marrin kuptim edhe teoritë sipas të cilave është këngë e Brrakës kënduar në aktivitetet kulturore të ndërmarrjes së Komunales, ku, ma merr mendja, makina hyn e del shpesh. Askush nuk e di, por dashnorja edhe makina po shkojnë drejt fatit të tyre, drejt përplasjes finale. Nëse autori është vërtet “gabel i institutit”, ai dhe dashnorja mund të kenë qenë fare mirë punëtor të Komunales. Në mendjen tonë shikojmë si lind e si lulëzon kjo ndjenjë: pas vitesh vetmi kemi, më në fund arrin dashuria në kohën e stërkaleve.

Autori nuk na ofron mizerjen e jetës së tij. Këtu nuk ka vargje “shumë kam vuajtur” e “shumë kam hequr”.  Jo. Autori, mjeshtër i thjeshtësisë, përdor vetëm një “rrapa-shtrrapa” për të na futur në jetën e tij. Sot shprehje të tilla janë zëvendësuar nga “rronxho-ponxho”, nga ushqimori “çupa-çups” e nga muzikori “koko-xhambo”. Por asnjë nga këto s’e ka fuqinë e rrapa-shtrapa: na kujton një rrotë të prishur që mezi ecën, me njëmi mundime. E nëse e pyesim veten mbi arsyen e kësaj vuajtje  ja që autori – që e dinte që do pyesnim se pse –  na servir “jam gabel i Istitutit”, e menjëherë edhe jeta rrapa shtrrapa merr kuptim.

Drama rritet tek rreshti “një dashnore që e pata”! Për herë të parë shohim një ditë të bardhe në jetën e tij, e ndërsa gëzohemi edhe trembemi. Pse thotë “që e kisha”? Ça të ka ngjarë vallë? Dhe mendojmë për dashurinë e Hamletit, për tragjedinë e Romeos, për ato dashuri që ka kanë njomur sa e sa sy beqareshash. Poeti nuk na kursen, na sulmon me vargun e fundit kur na servir fatin e vajzës. Por nëse dhimbja e Hamletit e Romeos ishte fisnike, dhimbja e tij është banale dhe e kemi të vështirë që të identifikohemi me autorin. Ai është i qartë, na kërkon një pozicion politik: ose jeni me mua, ose jeni me makinën e mutit: nuk ka rrugë të mesme në këtë mes.

Siç ndodh shpesh, të gjithë duan që të marrin meritat e kësaj kryevepre. Ja Tirana që e kërkon sepse, helbete, është kryeqytet e ka Istitutin. Ja aty Vlora që nuk pranon teori përveç asaj të cilës poeti është vlonjate. Kush e di, ndoshta përtej krenarisë poetike, këtu fshihet edhe një strategji turistike: mijëra veta viti për vit vizitojnë rrënojat e Trojës, kërkojnë varrin e Homerit apo vizitojnë atë të Edgar Allan Poe. A është e tepruar të mendojmë edhe një turizëm poetik bazuar mbi autorin e kësaj poezie? Hollandez, danez, gjermon, amerikan që vijnë në Shqipëri për të kërkuar shtëpinë ku ka banuar “Gabeli i Istitutit”, që vizitojnë “Komunalen” dhe që bëjnë fotografi pranë makinës së mutit. Ëndërr apo utopi?

Megjithëse versionet ndryshojnë, disa gjëra janë të sigurta. Në një version psh, këndohet “një dashnore qorre që e pata”. Kështu edhe incidenti merr një kuptim të qartë. Në një version tjetër makina shfaros pesë e gjashtë dashnore, diku tjetër shkruhet

     S’kam mendjen e Ajshtajnit ,
    s’kam lekët e hajdutit,
    po dhe një dashnore që pata,
    ma shtypi makina e mutit.

Lexuesi, me siguri tashmë i emocionuar, mund ta vlerësojë vetë ndryshim midis dy versioneve. Unë nënvizoj vetëm atë “dhe” te rreshti i tretë. “Dhe” një dashnore na tregon qartë që ajo ishte e vetmja rreze dielli në jetën e tij.

Nuk i përkas krahut ekstremist që mendon se “Makina e mutit” është e të njëjtin nivel me vepra  si “Ajkuna qan Omerin” apo “Shokë më bini longarë”.  Nuk ka dyshim ama, që lidhja midis makinave dhe tallavasë lind këtu, dhe në vite transformohet duke mbajtur tre element konstante: poeti, dashnorja, makina. Por ndryshimi, mbi të cilin do duhen studime antropologjike urgjente, është që me kalimin e kohës makina bëhet aleat dhe përdoret për të kapur dashnore të tjera, të cilat ama mund të jenë edhe kundër. Por fati i tij vazhdon të ngelet mizor, sepse në momentin kur zotëron armikun e vjetër, makinën, zbulon që ka humbur dashnoren, a thua se s’duhet të ketë kurrë një ditë të bardhë në jetën e tij. Kujtojmë këtu“sa më bëhet qejfi/ prishe mercedezin”  apo “me alfaromeo të buzëqesha”. Nën këtë këndvështrim “Makina e mutit” është zanafilla profetike dhe pasardhëse e denjë e të gjithë rrymës poet-makinë-dashnore.

Por lexuesi i vëmendshëm s’mund të mos mendojë për rrymën ludistë, të cilës padyshim edhe kjo poezi i përket. Një konfirmim të tërthortë e gjejmë në versionin tjetër ku “makina” bëhet “karrocë” dhe kënga vazhdon me ankim kundrejt saj. Me kalimin e viteve populli mund ta ketë përditësuar për ta bërë më aktuale duke kaluar nga karroca në makinë. E të gjithë falënderojmë që ka përcjellë deri te ne kryevepra të tilla.

Advertisements

Tags: , , ,

One Response to “Jam gabel i Istitutit…”

  1. Su Says:

    o racist pse ma ke heq komentin? e??????racist m…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: