The Aliçka Problem: “Periudhat e çuditshme te jetës tonë duhet të zgjasin përgjithmonë”

by

“Slowly will cover us
The soft dirt of this world”

Për të shkarkuar albumin e fundit “Best Music” klikoni këtu : http://thealickaproblem.bandcamp.com/.

Nga Alfred Bushi

The Aliçka Problem

The Aliçka Problem

Në kujtesën kolektive vitet ‘70 etiketohen si një nga dekadat më të rëndësishme të historisë së ndryshimit dhe emancipimit si politk ashtu dhe kulturor të njerëzimit. Janë vitet e kurorëzimit të fermentimit kulturor që nxiten levizjet e fundviteve ‘60. Ndër to mund të përmendim emancipimin e metejshem të të drejtave të grave dhe zezakëve, protestat kundër luftës në Vietnam dhe përfundimi i saj, ngritjen e çështjeve ambientale, skandalin e WaterGate, Revolucionin Iranian, pushtimin e Afganistanit nga B.Sovietik, vdekjen e F. Franco-s. Ndërsa në Shqipëri Komunizmi shtonte dozat e izolimit pas prishjes me sovietikët dhe lidhjes me Kinën.

Për sa i përket artit, muzikës në veçanti, gjërat janë më të nderlikuara për shkak të eksperimentimeve të ndryshme që bëhen me ritmin, tingujt dhe vargjet. Rock ‘n’ Roll shkurtohet dhe bëhet Rock. Nga Rock shndërrohet akoma duke u bërë herë më i sjellshëm e herë më i ashpër: hard rock, progeressive rock apo heavy metal. Ndër emrat më domethënës të kësaj risie përmendim Pink Floyd, Deep Purple, Led Zeppelin, Genesis, Uriah Heep, Queen, The Who, Judas Priest. Kemi po ashtu lindjen e rrymave të ndryshme të lindura nga ngjizjet ritmiko-melodike si funk, disco music, jamaican reggae dhe jazz-rock.

Nga protopunk-u i viteve ‘60 shfaqet punk rock-u me emra si Ramones, Blondie, Patie Smith, Sex Pistols, The Clash etj. Në këto vite vdesin, nga i njëjti shkak, në moshën 27-vjeçare, Hendrix, Japlin, Morrison dhe pak më i vjetër E.Presley. Dylan nxjerr këngën jetëgjatë Knocking on Heavens Door dhe në fund të viteve ‘70 kemi rilindjen e tij shpirtërore me krishtërimin pasi u është kthyer teksteve të testamentit të ri dhe personazheve biblike. Tjetër ngjarje e rëndësishme është dalja e albumit më domethënës të Pink Floyd, Dark Side of the Moon.

Më 1979 del albumi i nëntë i F. de Andre titulluar “Rimini”, shenjuar nga zhgënjimet politike të atyre viteve dhe nga trajtimi i historive të personazheve të përhershëm të jetës dhe artit të tij si njerëzit e margjinalizuar, prostitutat dhe të droguarit. Veçori tjetër e këtij albumi është futja për herë të parë e dy pjesëve instrumentale. El Topo është një film i Alejandro Jodorowsky që del po në këto vite. I cilësuar nga kritika si një Cult film dhe i karakterizuar nga ndodhi të çuditshme me personazhe po aq të çuditshme, El Topo në tërësinë e tij është një film mbi kërkimin e kuptimit të jetës.

Me siguri po mendoni se ç’lidhje ka gjithë kjo parathënie me The Alikça Problem. Në fakt kanë dhe s’kanë por ç’rëndësi ka tashmë. Menduam të stërzgjatëshim me këto shpjegime pasi albumi për të cilin duam të flasim është dëshmi historish të ndërlikuara të cilat, si pjesët e një puzzle, formësojnë një histori të plotë personale, familjare, shoqërore e mbi të gjitha universale. Duke nisur që nga formati “Best music” është një EP (extended play) që kërkon të jetë diçka e mesme mes albumit të gjatë dhe Singel’it. Për herë të parë EP- ja është përdorur nga grupet punk dhe indie, rryma këto që kanë influencuar Aliçkën.

The Aliçka Problem, aktiv prej shumë vitesh tashmë, janë një grup shqiptaro-gjerman nga Mannheim (Gjermani) i formuar në vitin 2008. Pjesëtarët janë, Julia Aliçka-Berthold (bass-vocal), Daniel Mudrack(bateri) dhe Joni Aliçka (kitarre-vocal). Deri me sot kanë publikuar një Demo-CD në 2010, “Strange periods of our lives should last forever“, një album në 2012 të titulluar “Xor” si dhe albumin “Best music” i cili ka dalë më 25 Tetor të këtij viti.

Për ata që parapëlqejnë përcaktimet, Djemtë dhe Vajza bëjnë shoegaze, post-punk, post-rock, progressive-rock dhe psychedelic-rock. Në influencat e tyre, që duken të shumta, rreshtojmë P.F, Dylan, F. de Andre, Nick Drake, Leonard Cohen, Tom Waits edhe, dreqi e di se pse, Phil Selways (Radiohead ). Në fakt taksonomia e përdorur si përcaktim i muzikës së tyre nuk bën punë në rastin e këtij grupi pasi parashtesa “Post” është shenjë e tejkalimit mjështërisht të suksesshëm të rrymave që i kanë influencuar.

Që nga albumi “Xor”, dalë në 2012, vihet re personaliteti i veçantë i muzikës së tyre, tingujt kompakt dhe të dendur, të ngjizur nga ndërthurja herë e sjellshme, herë konfliktuale mes dridhjes së bassit dhe rendit që kërkon të vendosë kitara elektrike. Ashtu siç e quan Joni, “Xor” është fëmija i parë i tyre, me një emër futurist si shprehje e mospajtimit të opinioneve, ashtu si në një proces dialektik në formë spiraleje që ngjitet vetëm lart duke krijuar nota gjithnjë dhe me sublime.

Kënga e parë “Train” është një crescendo e pafundme që ngjan me rrugëtimin e një treni, i cili pasi del nga stacioni, vazhdon duke e rritur shpejtësinë, për ta zvogëluar sërish në afërsi të stacionit tjetër. Tradita më e mirë e së kaluarës ka gjurmët e veta në këtë album dhe vjen si përzierje mes punk-ut dhe thjeshtësise elektronike pa harruar tingujt e fshehur që duken sikur qëndrojnë në prapaskenë dhe që të sjellin ndërmend Pink Floyd me tingujt e zgjuar dhe efektet postmoderne. Tekstet mbesin një mister në dëshifrim e sipër.

Ndërsa “Best Music” është histori tjetër e treguar me një përkujdesje gati prindërore. që në lindje ka marrë statusin e motrës së ledhatuar prej krijuesve të saj. Një produkt i ndërlikuar që vjen si përzierje tingujsh dhe influencash të ndryshme, që i japin një karakter të fortë dhe të pavarur. Histori personale, dhe jo vetëm, që marrin trajtat e universales duke iu drejtuar të gjithëve sepse të përftuara nga çaste jetësore që u përkasin të gjithëve. The Aliçka Problem janë cilësuar nga kritiket si një markë e rrallë e post-rock’ut europian.

Prejardhja e tyre ekzotike dhe ndërlidhjet shumëdimensionale të elementeve që ato fusin në muzikë u japin me të drejtë këtë titull. I gjithë albumi vjen si një frymëmarrje e plotë dhe pa pauza. Nis dhe mbaron si një Kënge e vetme duke t’i mbajtur neuronet gatitu deri në fund. Gjithçka ngjan me një histori të vjetër treguar me tonalitete të ndryshme sipas tensioneve që mbartin ngjarjet në brendësi. Pas çdo crescendo’je, koncept kyç i The Aliçka Problem,vjen një diminuendo e ëmbël që ekuilibron të gjithë ndërtesën melodike dhe konceptuale. Shumë pak albume mund të kenë një karakteristikë të tillë e veç Dark Side of the Moon i përmbush këto kritere.

Tjetër element interesant i këtij albumi është kopertina e tij, ku shfaqen vëlla e motër ndërsa i drejtojnë pistoletën njëri tjetrit, të veshur njëri në të bardha dhe tjetri në të zeza, ngjyra këto që personifikojne të mirën dhe të keqen.

Albumi hapet me një pjesë instrumentale, “Strange periods of our lives should last forever”, një riinçizim i demo’s së 2010 dhe mbaron me “White”, tekst apokaliptik që flet për një periudhë akoma me apokaliptike, këtë herë të jetës se popullit tonë.

Kapitulli i parë i ngjarjes, Strange Periods of Our Life Should Last Forever (Instrumentale), një pjesë post rock e ndërthurur me pjesë classic-rock, një frymëmarrje në përshpejtim e sipër që ngjall nostalgjinë e “Breath” të Dark Side of the Moon. Në të njëjtën perspektivë tingull-lëshues qëndron dhe instrumentalja e dytë “ Raised our 16 children” me zhurmat hyrëse që të sjell ndërmend Speak to Me. Ndërsa “Arabiqum”, një shkrirje mistike dhe ekzotike tingujsh Post “Time”, duket si eko që vjen nga diku larg në hapësirë.

Southern Soldier është kënga e dytë e albumit. Vargje impenjative në formë denoncimi poetik që prekin probleme të nderlikuara sociale dhe politike. Kënga është e lidhur ngushtë me ngjarjet e 12 marsit 2009 në Winnenden (pranë Shtutgart, Gjermani) ku një nxënës i shkollës së mesme (Tim K.) merr pistoletën e të atit dhe vret 16 nxënës dhe policë dhe më pas vetën. Tragjedia vazhdon më tej, me ngjarjet e mëpasshme siç ishte gjykimi me burg i të atit të Tim K. dhe trajtimi i tij si kriminel (meqë nuk e ruante armën e tij në një vend ku nuk do kishte pasur mundësi djali i tij ta merrte). Teksti duket sikur është shkruar nga dy duar të ndryshme, herë nga pikëvështrimi i të atit, herë nga ai i të birit. Fjalët e të atit:

“If you’d ask me, i would give you,
the right tools to make them bleed.
Bleed ’till their death”

Arsyeja e shkrimit të kësaj kënge gjithsesi duket sikur nuk është romantizimi i botës apo mendimeve të një djaloshi 17 vjeçar, po për të shtruar disa pyetje se si opinioni publik (dhe drejtësia) trajton raste kaq komplekse. Sa e drejtë është të mbetet i vetmuar një 17-vjeçar, i izoluar dhe i “alienizuar” në histori si kriminel që i mori jetën 16 njerëzve? Kush është morali i një shoqërie e cila dikujt që është përtoke i fut edhe nja dy grushta turinjve (dënimi i të atit të Tim K. me 7 vjet burgim për “vrasje nga pakujdesia”)?

Edhe shumë pyetje të tjera që ndoshta nuk janë të lidhura aq ngushtë me ngjarjen në fjalë, por që mund të vënë gishtin mbi shembjen e strukturave në familje, në shoqëri apo në religjion… Një histori që ripërsëritet, të drejta të munguara, të pathëna, që duan të dalin në dritë, e që kjo shoqëri, ashtu si të mëparshmet, në një mënyrë a tjeter, nuk i sheh të denja për tu thënë.

Kënga e katërt “ Milk”, e cila ka dhe një videoclip shume interesant, është kënga me “agresive” e albumit. Në Riff-et e fillimit ndjehet një frymë alternative e cila ndryshon më pas formë duke iu afruar refrenit. Për sa u perket vargjeve ndihet hija e Fabrizio de Andre në këngën Sally.

Vajza me fytyrën si diell dhe flokët e shndritshëm dhe impakti që lënë rrobat HM tek djelmoshat 16 vjecarë teksa dëgjojnë shoegaze nga Slowdive. Kjo është historia e treguar nga Milk. E gjitha e shkruar nga perspektiva e një vajze që po përjeton eksperiencat e para jetësore me gjithë kontradiktat që ato mbartin. Sally ka rrjedhë të ngjashme, është përsëri një vajzë që larg familjes përjeton ritin e hyrjes në botën reale në të cilën has me drogën, prostitucionin, dhe dhunën. Personazhi femëror i Pilar është i marrë nga Njëqind Vjet Vetmi ndërsa Mbreti i Minjve nga filmi El Topo i Alejandro Jodorowsky.

My mother told me not
To go out in the Woods
With the boys of my neighbourhood

Nobody’d shown me
All the forbidden things
That girls have to do

Opium është kënga e parafundit. Ky titull në fakt, për një mendje të pavëmendshme ( si gjithë titujt e këngëve të albumit dhe vetë titulli i albumit) do ishte paragjykues i të gjithë tekstit. Vargjet e këngës janë të rimarra nga një këngë e Shqipërisë së Jugut, nga kënga O njëzetë e pesë gershetat. Në nisje të kënges ndihet pak trip-hop në stilin Portishead por më pas crescendo-ja ndryshon rrjedhën e tingujve duke na çuar në një dimension tjetër progresiv-rock.

Kënga përmbyllëse e albumit është “White”. Tekst apokaliptik i marrë nga poema Epopeja e Ballit Kombëtar të Shefqet Musarajt. Një nga veprat më të arrira të pasluftës. Ndërthurje mes sarkazmës dhe përshkrimit realistik të gjendjes së borgjezisë të asaj kohe të përfaqësuar nga Ballistët të cilët zgjodhën që në vend që të ishin histori-bërësa u bënë pësues të saj dhe vegla të pushtuesit.

Do na mbulojnë
Plehrat e tokës,
Do ngrihen kembet
T’i bien kokës.

T’i kthejme krahët
Mikut që patmë
T’i marrem xhanë
Se ndryshe vamë…

Dy strofa te kënges:

Slowly will cover us
The soft dirt of this world
The legs will stand up
To beat up, destroy the head

Turn your back to your old friend
Let’s take his soul away
Otherwise we’re gone away
The only friend we had

Ndiqni The Aliçka Problem në faqen e tyre zyrtare Facebook

Advertisements

Tags: , , ,

5 Responses to “The Aliçka Problem: “Periudhat e çuditshme te jetës tonë duhet të zgjasin përgjithmonë””

  1. The Aliçka Problem: “Periudhat e çuditshme te jetës tonë duhet të zgjasin përgjithmonë” Says:

    […] Lexoni vazhdimin e këtij artikulli në blogun kolektiv Tirana Calling […]

  2. Anonymous Says:

    […] […]

  3. Abel Says:

    Me dash me e ble albumin, ku me e gjet?

  4. I periodi strani della nostra vita dovrebbero durare per sempre Says:

    […] sul blog collettivo Tirana Calling del 8 novembre 2013. Titolo originale The Aliçka Problem: “Periudhat e çuditshme te jetës tonë duhet të zgjasin përgjithmonë”. Quest’articolo è stato pubblicato anche in lingua inglese sotto il titolo The Aliçka […]

  5. The Aliçka Problem: “Strange periods of our lives should last forever" Says:

    […] First published in Albanian language on Tirana Calling under the title The Aliçka Problem: “Periudhat e çuditshme te jetës tonë duhet të zgjasin përgjithmonë” […]

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: