Rrugë e gjatë për në civilizim

by

Nga: Dorian Isai

Qyteti im i fëmijërisë  dhe adoleshences së hershme gjëndet në grykë të disa kodrave kokërrjepura.Ta shohësh nga lart besoj se jep përshtypjen e një kocke që i ka ngelur në grykë një qeni me nofullat e shqyera nga sforcimi për ta shkërrmoqur atë dhe ky mundim e ka bërë të ngordhë në atë pozicion jo të rehatshëm si për atë vetë,si për ata që e vështrojnë dhe kështu vizitorët kërkojnë të ndërtojnë një lloj indiferentizmi ndaj situatës duke tkurrur vazhdimisht buzët.Duken në ato kodra ca vijëza gjigande si vraga te pashëruara,gjithmonë me ngjyren e kuqe të baltës që mua më bënte ti quaja kodrat e qytetit tim nga “nofullat e shqyera të qenit” në”shalë te përdala”.Më duhet te pranoj se nuk kisha krijuar askurrfarë lidhje sentimentale me atë qytet ku ishim trasferuar kur unë sapo kisha mbushur dhjetë vjeç.Megjithatë,në ditë të ftohta dimri,kur ngjeshja hundën në dritare dhe luaja me avullin që nxirrja në intervale të parregullta nga goja,ndjeja se thellë-thellë e mëshiroja këtë qytet liliput.Shihja sesi ndërgjegja ime kërkonte të përmbante mllefin që qyteti-liliput më shkaktonte sa herë që në mëndje më vinte qyteti im i lindjes që sipas parametrave të mia gjeografikë të kohës,ndodhej në anën tjeter të botës.Ajo ku banonim tani,ishte një qytezë e vogël, ku binin në sy piksëpari ca baraka minatoresh ndërtuar me dërrasa të errëta që nga dita e parë e zdrukthimit-pagëzimit,kuaj të dobët  karrocash si fantazmat e Rosinantit që bënin bajga papushim në të vetmen rrugë të asfaltuar.Karrocierët në ditë dimri me shi vishinin ca mushama të murrme me kapuç me majë.Rrinin çuditërisht në këmbë, paksa përkulur para,në një pozicion të pakuptueshëm për ne që i shikonim dhe mbase prej skenografisë ,mbase prej natyrës së tyre,mua më dukeshin si krijesa nate që nxitonin të kryenin misionin e tyre nën dritën e ditës.Bajgat e kuajve(e vetmja gjë e ngrohtë në pejsazhet e dimrit) dukeshin si përqeshje dashakeqe që ata linin pas bashkë me hijen  e tyre të rëndë.Elementi më “human” ishin gratë me çizme gjithë baltë që ktheheshin nga puna(përgjithesisht në ullishtë ose ndërrmarrjen pyjore).Me pak fjalë ishte një pejsazh i rëndomtë,i tkurrur,i ngrysur, monoton,një fotografi e një copëze jetë e “pajetë” si pejsazhi i një mëngjesi tetori i vënë në kornizë mbi kodra e që  bënte përherë hijen e tij të murrme.Mendoj se ky mund të ishte përkufizimi më i gjetur për qytetin që më kishte adoptuar pa më dhënë asgjë nga dashuria e tij(në rast se ai do të kishte dashuri për të dhënë).Sipas meje aty kishte vetëm njerëz që vuanin në mënyrë të njëtrajtrshme e të pabujshme deri në atë pikë sa vuajta ishte bërë e vetmja formë jetese,si të thuash një modë e përgjithshme dhe e pacënueshme nga e cila s’mund të dilej derisa të mos gjëndej një mënyrë tjetër jetese.Ndoshta s’do të kishte asgjë për të treguar rreth atyre viteve të kaluara atje nëse si piknisje e historisë  s’do të ishte një grua,një familje  e ardhur aty nga Tirana.Si çdo gjë që vinte nga jashte qytetit dhe sidomos nga Tirana,ardhja  e tyre u shoqerua me zhurmën e zakonshme në të tilla raste.Detaji i parë interesant kishte të bënte me mungesën e fëmijëve.Ata nuk kishin fëmijë dhe ishin martuar prej katër vitesh.Të gjitha gratë e lagjes e mëshiruan menjëherë gruan e bukur tiranase(gruaja me këmbë të gjata) që ndërsa ecte bri tyre dukej se i përkiste një universi tjetër, si një meteorit i rënë nga qielli aty, në mënyrën më të gabuar  e më të pallogjikshme që një meteorit mund të bjerë.Unë mendoj se gjithësia ka rregullat e saj dhe ky përjashtim nga rregulli më bënte të ndjehesha keq ndërsa shikoja atë ,me funde të shkurtëra,këmbë të gjata,flokët e mbledhura bisht dhe këmishat paksa të zbërthyera përpara.Ishte një kartolinë për sytë tanë.Mendoj se gratë e qytet-thit do ta kishin mëshiruar më shumë për faktin se nuk kishte fëmijë sikur ajo të ishe më pak e bukur.Besoj se” mëshira” që ato ndjenin ndaj saj(kuptohet në doza të kontrolluara), i bënte që të mos kthenin kokën vazhdimisht sa herë që ajo kalonte në rrugë.Është e kotë t’ju them që çifti ishte si një trup i huaj në qytet.Burri ishte inxhinier  në minierë dhe për çudinë e të gjithëve nuk hynte ne klub,nuk pinte cigare dhe nuk pështynte në tokë kur dilte nga puna.Njëherë,kishte nxjerrë një shami,kishte pështyrë në ‘të, në mes gjithë punëtorëve.Pas kësaj ai u bë i njohur me emrin indian”Burri që s’pështyn në tokë.”Për nga mënyra sesi shqiptoheshin këto fjalë ishte njëlloj sikur ta quanin”burri pa allate”.Ishin vitet e fundit të ’80-ës,dhe kishte pak muaj që R. Alia kishte deklaruar në tv. se Partia do të hiqte “luften e klasave” nga programi i saj.Nëse do të ishte akoma në fuqi  ligji i mëparshem, mendoj se burri do ta kishte “ngrënë” një denoncim për “mos-shoqërim” me masat,e thënë ndryshe,për mos ulje “gju më gju me popullin”.Veç kësaj përshtypje të madhe në qytezë bënte gruaja kur e panë se dy ose tre herë në javë ajo  vraponte në kodrën afër shtëpisë.Vishte një komplet të bardhë sportiv,këpucë të bardha sporti dhe mbase për këtë arsye atyre që e panë për herë të parë mund t’iu jetë dukur si një vegim, një fantazmë e koheve moderne, e mbrojtur nga bestytnitë  e paraardhësve.Deri në atë moment, në qytet mbizotëronte mentaliteti se çdo femër që shikohej në kodra,ishte kurvë sepse një femër atje shkonte vetëm për të hapur këmbët.Megjithatë “detaji”   që ajo vinte nga kryeqyteti ku kishte njerëz “të habitshëm”,arriti te justifikonte këtë sjellje aq të panatyrshme për banoret e qytetthit liliput.Deri atë ditë ata dinin se njeriu vrapon për hall dhe të vetmit njerëz që shiheshin të vraponin,ishin fshataret përrreth kur nxitonin të kapnin autobuzin që të çonte në qytet,atë më të madhin që gjëndej rreth 40 km. larg.Veprimi i tyre ishte mëse i justifikueshem duke patur parasysh që autobuzi tjetër nisej pas 4 orësh.Kishte vetëm dy të tillë në ditë dhe sa herë që ndonjë fshatar i vonuar llangoste vehten e të tjerët me hapat e tij të vegjël ndërsa turravrapthi kërkonte të kapte  autobuzin,kishte gjithmonë një ose dy të tjerë më të ngeshëm që në njëfarë mënyre bënin tifozet e rastit me shprehje të tipit:”e kap, e kap,aty ishte pesë minuta para.Shoferin e pashë në klub,nuk ngrihet pa dy dopjo ai”.

Gruaja dilte pak nga shtëpia dhe të gjitha lëvizjet e saj kohët e para binin shumë në sy.Nuk mendoj se e ruanin por duke qënë se qytetthi kishte vetëm dy rrugë,detyrimisht dukeshe ngado që të shkoje.Befasia ishte ruajtur në diten kur ajo shkoi në konsultoren e grave,se per çudi, në vëndbanimin tonë kishte edhe një maternitet për të gjithë zonën   ku ishte përfshirë edhe reparti i konsultores së grave.Gruaja(në këtë pikë të rrëfimit nuk po i vë  emër.Do të ishte një limit vënia e një emri të përveçem) thuhet se kishte hyrë aty dhe kishte kërkuar një takim me gjinekologun.Kishim një gjenekolog,quhej Baftjar a diçka e tillë.Flinte gjithmonë gjumë dhe ishin mamitë ato që zakonisht  merreshin me lindjet.Ato bënin edhe kontrolet rutinë por këtë rast Baftjari s’mund ta linte t’i shpëtonte.Bashkë me krye- infermierin e spitalit ,Frrokun, i gjeje  në klubin më të afërt duke folur për fotboll dhe femra.Ishtin këto hobby-t e tyre.Gruaja i tha qetësisht,duke u munduar të fshihte një lloj sikleti që vështrimi i Baftiarit po i ngjiste si jargë se dyshonte se ishte shtatzënë dhe donte të sigurohej për këtë.Veç kësaj kishte edhe probleme të tjera që atë moment nuk ia tha.Doktori, me sytë që po i lëngëzonin e ftoi në dhomën e vizitave ku ishte  edhe një infermiere-mami,thuajse gati-tu(qëndrim për rastin në fjalë se zakonisht uleshin ne  të njëjtin shtrat me pacienten dhe i bënin pyetje nga më personalet).Gruaja bukuroshe u shtri në krevat dhe Baftiari me një shtëllungë pështyme që i zuri grykën,gjeti mundësinë ti thoshte mes belbëzimash që të hiqte pantallonat,mbathjet e të hapte këmbët.Mamija e besuar,ndërkohë u afrua më pranë shtratit në mënyrë që të kishte një rreze shikimi më të qartë.Gruaja që ndjehej si një peshk i hedhur nga deti në akuarium,me gjeste të prera e të bindura që fshihnin nervozitetin e rastit u zhvesh dhe mori pozicionin që mjeku i kishte parathnë.Mamija nga vëndi ku ishte nuk mund të shihte qartë të gjitha detajet por vuri re me qartësinë më të madhe Baftiarin të prapësohej,të fuste duart në xhepa dhe ti bënte grusht brënda tyre.Kishte kthyer kokën nga ajo për ti thënë diçka me vështrim a për të gjetur në vështrimin e saj miratimin se ajo që po shihte ishte e vërtetë.Rrotulloi  koken rreth qafës nja tre-katër herë si dem i kapur prej hundesh,tha:më fal pak,kthehem shpejt dhe doli.Bulëza djerse i mbulonin ballin.Mamija qëndronte akoma në këmbë,tanimë si statujë, e paqartë për situaten ku po ndodhej.Hera e parë që mjeku largohej ashtu nga një vizitë konsulte me një paciente dhe ajo që e habiti më shumë ishte përdorimi i fjalës “më fal..”.Sa e sa herë asaj i ishte dashur të çonte deri në fund  e vetme lindje të vështira sepse ai flinte.E kishte porositur që ta zgjonte vetëm për raste të rënda dhe nëse asaj nje rast i dukej i rëndë dhe atij jo,atëherë të thirrurat,të sharat dëgjoheshin në gjthë spitalin.”Si ka mundësi të jeni kaq të paafta,kaq dhi të egra,një jetë mami e s’dini të prisni një fëmijë,edhe kur të vdes do më ngrini  nga varri për një pidh të mykur që do të pjellë rradhë e pa rradhë”.Mamija akoma nuk po përtypte “më fal” të mjekut dhe ndërkohë ishte afruar edhe më afër këmbëve të hapura të gruas  e cila kishte ngelur ashtu,si një gjysëm statuje që vetëm gjoksi që i ulej e i ngrihej e bënte të dukej e gjallë.U afrua edhe më,deri sa e kishte para hundës pubisin e gruas dhe kur vuri re se ishte afruar aq sa edhe për pak mund ta prekte me majën e hundës,u largua vrikthi,sikur ajo që sapo kishte bërë nuk bënte pjesë tek detyrat e saj si mami.Pacientja,ndjehej keq.Gjinekologu u kthye shumë shpejt me mikun e tij,Frrokun.U afruan te dy me kokat përqafuara tek kembët e hapura të gruas  e cila nuk kishte fuqi të reagonte dhe as të kuptonte sa çfarë po ndodhte.Me frymët e tyre ata preknin rrezëkofshën e gruas.Dukej se ishin para një zbulimi që po i mahniste e befasnte njëkohësisht.Pas disa sekondash të pambarimta ku ndjehej frymëmarrja e rëndë e burrave,trokëllima e akrepave të orës dhe heshtja e grave,Frroku u ngrit nga pozicioni”përkulur” e bubëlliu:”Po ky keka paidh i rrujtëm or taj”.Frroku kishte më shumë se dhjetë vjet që jetonte në qytetthin “tonë”.Vinte nga veriu por shkonte shumë rrallë atje.Ishte martuar me një vajzë vëndase,kishte dy fëmijë dhe  që prej martesës kishte filluar të fliste dialektin e zonës.Kishte ndodhur papritur,një mëngjes kishte shkuar në kafenë kryesore dhe me gjuhën e shqitur dhe shkoqur fare kishte porositur një kafe e një gotë raki sikur të kishte lindur buze atyre kodrinave të mavijosura me vraga të dheut të kuq:”Lalkë do ma bësh një kafe e një gotëz nga ajo  viranja”.Thuhet se atë mëngjes ia kishte ofruar baristi dhe gjithë ditën kishte folur me klientët(që ishin pak a shumë të përhershmit) sesi Frroku fliste dialektin e tyre.Kishte patur edhe nga ata që kishin shkuar në spital e  kishin dashur të flisnin  personalisht me Frrokun që të bindeshin.Kështu rridhte jeta atje.Disa detajeve të vogla u jepej rëndësi hollivudiane.Pas kësaj i vunë nofken “Frroçkë” po ai nuk u merzit.I thanë se tanimë ishte “nga fshati i gruas” dhe Frroku pranonte me kënaqësi, me buzeqeshje naive,pa u ndjerë në siklet ose i vënë seriozisht në lojë.Kjo ishte hera e parë që ai fliste në dialekt pas kaq vitesh dhe miku i tij me i mire,Baftiari e kuptoi  edhe nga ky detaj se situata ishte vërtetë  po aq bombastike sa e kishte menduar edhe ai vetë.Ndërkaq,gruaja u ngrit mbi bërryla,kishte gjetur kurajo në pritjen  e marrë duke dëgjuar atë që po ndodhte dhe e skuqur nga zemërimi kishte thënë”Doktor, kam probleme që nuk i kam patur më parë,ndjej të më djegë e të krruhet”.Infermierja që kishte qënë në prapaskenë deri atë moment kishte bërë përpara dhe ishte vëne mes dy burrave dhe  këmbëve të hapura të gruas.Në kushte të tjera nuk do të kishte bërë këtë veprim,nuk do të ishte vënë mes autoritetit të gjinekologut dhe sëmundjes së një pacienteje.Ky ishte solidariteti i mirfilltë mes grash dhe burrat drejtuan më në fund kurrizin e morën një qëndrim pak a shumë normal.Ndjeheshin akoma nën efektin dehës të situatës.Baftiari,mbas disa rrotullimesh tipike që i bëri kokës rreth qafës i tha mamisë të merrej ajo me këto djegie e krruajtje duke përmbajtur vehten me vështirësi të bënte ndonjë batutë  nga ato të tijat.

Lajmi u përhap në qytet me shpejtësi skëterre.Brënda pasdites të gjithë e moren vesh se gruaja e bukur tiranase kishte një pubis të rruar taze, si mjekra e dhëndërrit në ditën e dasmës.Ishte hera e parë që ata përballeshin me një fakt të tillë.Deri ato kohë “patatja” e rruar e grave egzistonte vetëm në legjenda metropolitane e në rrëfenja rreth atyre që quheshin “kurva me patentë”.Për gratë e tyre kjo kishte qënë përherë një tabu, një linjë e pakalueshme,një herezi e shkallës më të lartë.As burri e as gruaja nuk duhet ta zhvishnin marrdhenien e tyre seksuale deri në lakuriqësinë totale.Ishte e pamoralshme, ishte mbështjella e fundit që gruaja me cipë e turp duhet ta mbante për vehte,ishte prova se ajo seksin nuk do ta merrte asnjëherë aq seriozisht e nuk do ti kushtonte aq rëndësi e të përkujdesej aq gjatë.Pallati tre-katesh ku çifti banonte, në pak ditë u kthye në vënd peligrinazhi.Shumë burra shiheshin të kalonin andej,”rastësisht”, me veshet e sytë katër për të ndjerë hapat e saj ose për të kërkuar të zhbironin me vështrimin e lëngëzuar poshtë fustanit ose pantallonave të femrës së momentit,sado të trasha që mund të ishin.Ideja se poshtë tyre gjëndej diçka e rruar deri në rrënjë, e bardhë, e butë si asgjë tjetër i bënte të gëlltisnin ajrin me zellin e atij që sapo ka dalë nga thellësitë dhe nuk ngopet me oksigjen.Thuhet se njëri prej kurvarëve më të njohur të zonës,shofer i ndërrmarrjes së tregëtisë kishte ardhur aty nga qyteti dhe se ishte përballur me gruan e bukur.Nuk dihet se çfarë mund të kishin thënë por që pas asaj dite zhurma dhe thashethemnaja pësuan një përkulje.Ndoshta banorët e qytetthit u ndjenë të prekur në seder  që një person nga jashtë donte të shihte pataten e rruar të një bashkëqytetareje të tyre, ose thjesht,koha me të cilën ata ishin marrë me të kishte arritur në limitin e saj dhe të gjithë po mendonin për përditshmërinë.Kaloi një periudhë e gjatë heshtjeje ku asnjëri nuk fliste për burrin që “nuk pështynte në tokë” dhe për gruan me “këmbe të gjata”.Ata ishin aty, prezentë çdo mëngjes por tanimë mjaftonte  ti shihnin, bindeshin për praninë e tyre vetëm duke i vështruar dhe nuk ndjenin nevojën të flisnin për ata.Qyteti ishte zhytur ne monotoninë e tij më të njëtrajtshme se një autostradë në shkretëtirë.Ndryshimin e parë dhe të vetëm e vuri re shitësi i kinkalerisë së vetme të qytetit.Po  shiste më shumë brisqe rroje,më shumë sesa zakonisht,shumë më tepër.Si gjithçka që dilte jashtë të zakonshmes në qytet,ai e foli menjëherë në tavolinat më të nxehta të klubit të qëndrës.Thoshte se burrat pak a shume rruheshin me të njëjtin frekuencë ,s’kishte parë asnjëherë një minator të rruhej çdo mëngjes e të shkonte në galeri i paster në faqe si ushtar i ri.Shikonte përherë të njëjtat fytyra,përherë me mjekren që i zvarritej ndër faqe si liane deri në momentin kur nuk dukej më asgjë nga fytyra.Kjo donte të thoshte se kishe ardhur dita për tu rruajtur.Nuk kishte ndryshim në këtë tabllo të bashkëqytetarëve të tij.Atëherë,si shpjegohej shitja në masë e brisqeve  të rrojes?!Pjesa më e madhe e atyre që e dëgjonin ishin gjysëm të dehur ose tepër të zënë  me lojën e dominove ose shahut.Klubi shërbente edhe si vend-mbledhjeje per të tilla hobby që praktikisht ishin i vetmi kurim për jetën e përditshme të qytetthit.Askush nuk përpiqej ti jepte një përgjigje pyetjes së tij, nuk dinin të shpjegonin këtë fenomen. Shitësi nisi të vrojtoje me kujdes klientelën,ishte ajo e përhershmja,gra që blinin brisqe,ashtusi përherë,për burrat e tyre që pasi ktheheshin nga puna e kishin të vështirë të merreshin me psonisje.Për ata ishte më e lehtë të rrinin parruar sesa të shkonin e të blinin brisqet vetë.Ato kohë tek ne shiteshin eskluzivisht brisqe “big” njëpërdorimshe ose pak përdorimshe.Pastaj, vuri re gratë që të mbledhura para dyqanit të tij, flisnin për “teknikat” e rruajtjes së këmbeve e tj. dhe haptas filluan ta pyesnin për shkumat e rrojës dhe cilesinë e tyre.Po flisnin për ‘to sikur të kishin përvojë në përdorim dhe të interesuara të zgjidhnin llojin më të përshtatshëm për të acaruar sa më pak lëkurën.Cilën lëkurë?!?!lëkurën e faqeve të burrave apo lëkurën e këmbëve të tyre?!.Ky ishte një lajm bombastik.Dyqanxhiu i kinkalerisë që deri atëherë kishe qënë thashethemexhiu i paqtë i zonës ndjeu se kishte në dorë lajmin që mund ta bente personazh për ca kohë.Kur e degjuan në klub,këtë rradhë,i kushtuan më shumë rëndësi se herën e parë,ndërprenë lojën, panë me habi nga ai,tjetri që kishin përballë,pastaj kthyen vështrimin nga vetja e pas ca komenteve të pazëshme të bëra me përpjekje buzesh e zëtha të dalë me zor nga fyti, të gjithë vazhduan të bënin atë që po bënin para se dyqanxhiu të hynte.Por.. e menduan më pas.Sipas legjendës metropolitane,burrat ato kohë nisën ti kushtonin më shumë kujdes vrojtimit të këmbëve të grave të tyre në krevat,hasnin në risinë e paparashikuar,habiteshin me vehten sesi nuk e kishin vënë re më parë dhe me një buzëqeshje të përgjysmuar të lënë në mes nga nxitimi, bënin dashuri në një formë,mënyrë që u dukej e re.

Të vazhdosh të flasësh për këtë moment sublim në jetën e qytetthit ku banoja njëherë e një kohë duhen fletë të tëra e orë të bardha për t’i mbushur  ato fletë.E rëndësishme është se diçka ndryshoi në nonotoninë e banorëve,mua më pëlqen të mendoj se ajo cipë e formuar nga një tufë lesh që vërtitej mes dy trupave si një membranë tanimë nuk egzistonte.Do të isha idilik sikur të thoja se që prej asaj kohe banorët e qytetthit duheshin më shumë,mbase me ndonjë çift edhe mund të kishte ndodhur.Unë shkova atje vite më vonë,pasi vëndi kishte kaluar traumën e ’91 dhe atë të ’97.Dy lloj revolucionesh me/pa gjak.Këtë askush nuk e ka marrë vesh as sot, se gjaku që u derdh ishte “revolucioanar”, se shërbeu për diçka apo thjesht  ajo që ndodhi ishte një rudiment historik pasojat e së cilës i vuajmë edhe sot.Mua më bëri përshtypje se në qytetthin minator, me një rrugë të vetme të asfaltuar por që megjithëkëtë ishte gjithmonë e përbaltur në dimër,me kodra plot me vraga ndër supe;pikërisht atje në këtë zonë të harruar nga mëshira e zotave,atje nuk ndodhi asnjë plaçkitje,vrasje,vjedhje.Aroma e Shqiperisë së atyre viteve të pafund,mbushur me mllef,urrejtje e nevoje të ngutshme për ndryshim,atje nuk u ndje në atë mënyrë.U përjetua ndryshe,qetë me dëshirën për të qënë më afër njëri-tjetrit.Tani,po, e teprova,u bëra paksa idilik.Po vazhdoj të jem i tillë.Që prej asaj kohe kam ngritur një mendim.Për këtë me ka ndihmuar edhe shprehja e një njeriu të madh që thotë:Eduko një burrë dhe ke edukuar një njeri,eduko një grua dhe ke edukuar një brez të tërë”.Duke e përshtatur këtë thënie në kushtet e qytetthit të vogel e banal unë kam arritur në përfundimin se rruga e civilizimit është e rëndë, e gjatë dhe e errët si galeritë e një miniere primitive,ajo kalon nëpër revolucione me ose pa gjak,kulturore ose ushtarake por ndonjeherë është mëse normale(dhe mbase më e sigurtë) nqs kalon nëpër pidhin e një gruaje,po të jetë i rruajtur,akoma më mirë

Advertisements

Tags: , , , , ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: