Dritarja e bardhë

by

http://imageryoflight.files.wordpress.com/2012/01/white-window.jpg

© Sheila Creighton 2012

Nga: Dorina Bebja

“Alo?”

“Alo, përshëndetje! Me zonjën Era flas?”

“Po. Kush jeni ju?“

“Zonja Era…mund t’iu therras Era se nuk më pëlqejnë formalizmat?“

“Po meqë e paskeni problem…më thërrisni Era.  Unë si mund t’iu thërras?”

“Ju lutem të më falni.  Jam kaq i hutuar. Ky telefoni krijon shkëputje herë pas here. Po ta dija do ju kisha telefonuar nga telefoni i zyrës së shefit, por ai ka ikur me shërbim dhe e paska kyçur derën.“

“Si?”- pyeti ajo, e përgjumur siç ishte.

Ishte përgjegjësi i ri i gazetës për njoftimet të cilat silleshin në redaksi për tu botuar .

U kthye nga ana tjetër e krevatit e bezdisur. Zgjati dorën dhe ndezi radion.  Një moment ndjeu një përshtjellim lodhës, një formë shqetësimi  sikur kjo telefonatë nuk do të përfundonte kurrë; sepse kush e di çfarë sikleti tjetër do të nxirrte ky tipi e do të fillonte sërish llomotitjet nga e para .

“Është dita e parë e punës..dhe..dëgjoni Era, kam një lajm të mirë për ju.” – vazhdoi zëri përtej telefonit.

“Më në fund…”- tha ajo si nën zë.

U rrotullua sërish në anën tjetër të krevatit.

Radio vazhdonte dhe bënte zhurmë. Ajo s’po gjente rehat dhe lëvizte e rrokullisej vazhdimisht në krevat.  U ndje disi e acaruar prej këtij personi që realisht nuk po i  thoshte asgjë mbi lajmin që kishte për t’i dhënë, por ishte i mbytur në emocionet e tij të pakontrolluara.

Një moment mendoi ta mbyllte telefonin, por pastaj u kujtua që ai e kishte telefonuar për t’i dhënë një lajm të mirë.

“Po pres akoma, për atë lajmin për të cilin më morët në telefon .”- i tha duke shtrënguar dhëmbët. Po humbte durimin.

Nga ana tjetër e telefonit ra qetësia. Dikush mori frymë thellë.

“Kërkoj ndjesë…Era, unë kam gjetur shtëpinë që kërkoni dhe ka pikërisht… ”

Ajo hapi sytë rrufeshëm sikur diçka ta kishte pickuar dhe u përqëndrua te telefoni si të  ishte objekti i vetëm në  atë  dhomë.

“E paskan gjetur.”- mendoi.

Ky mendim depërtoi si jehonë brenda mureve të mendjes, bashkë me dritën që sulmonte pa të drejtë retinën e saj  duke shkaktuar një aktivizim të menjëhershëm të trurit.

“E keni gjetur? Besoj duhet të jeni në dijeni që shtëpia nuk ishte thelbi i njoftimit. Mua më duhet një dritare e madhe dhe e bardhë..dua të them brenda shtëpisë. E keni të shkruar aty. Më kuptuat?”

Ndjeu që po e kapte një nervozizëm i pakontrolluar. Duart pësuan një ftohje të menjëherëshme.

“Po ju nuk më latë të mbaroj fjalinë.” – tha zëri, tashmë i shqetësuar, përtej telefonit.

“Nuk doja të hutoheshit përsëri në hutimin tuaj” – ia ktheu ajo, pa kaluar as fraksioni i parë i sekondit nga përfundimi i fjalisë së tij. Vuri dorën tek buzët, për të ndalur zemërimin e fjalëve që mund t’i dilnin prej tyre. Ndjeu një të ftohtë ethendjellës që po i përshkonte trupin.

Fiku radion. Duart po i dridheshin. Nuk duhej shumë për të kuptuar që ankthi  po i rikthehej.

“Po ju dëgjoj. Nuk iu ndërpres më.” – tha ajo, këtë herë duke u munduar të kontrollonte tonin e zërit, edhe pse padurimi po e lodhte. Fundja ai i kishte folur me mirësjellje.

Vuri dorën tek flokët e saj të ngatërruara duke tentuar t’i rregullonte.

“Zonjë do t’iu marr për pak minuta në telefon. Më doli një punë urgjente. Të më ndjeni..”

“Si?? Alo zotëri, alo, aloooo..”

Nga ana tjetër e telefonit ra heshtja. Ajo vazhdonte të kërkonte me ngulm zërin përtej telefonit.

Ai kishte gjetur shtëpinë…

Një ndjesi e errët po i gurgullonte së brendshmi. Si dreqin kishte guxuar t’ia mbyllte telefonin. E kush; një qullac që po mbytej nga emocionet e ditës së parë të punës.

U ngrit të merrte një gotë ujë.  Kërkoi me këmbë shapkat dhe s’po i gjente.

“I marrtë dreqi edhe shapkat,”- tha, ndërkohë që rrëmonte me këmbë poshtë krevatit,“nuk rrinë asnjëherë aty ku i lë.”

Dyshemeja ishte e ftohtë.

Ndjeu që po i merreshin mendtë. Muret e dhomës u dukën krejt të bardha dhe filluan të rrotulloheshin rreth saj. U shemb përdhe.

Ajo hap sytë. Një zile telefoni bie. Ngrihet me nxitim drejt tij.

“ Alo?”

“ Alo! Zonjë e nderuar, u bënë dy ditë që iu telefonoj vazhdimisht. Ju më thatë që do vinit të shikonit shtëpinë dhe nuk u bëtë më e gjallë. Më keni prishur shumë punë.”

“ Vërtet? Të më falni zotëri, unë…a mund të takohemi sot?”

E mbylli telefonin dhe u ngrit fluturimthi. Kontrolloi për shapkat, por nuk i gjeti. Dyshemeja ishte e ftohtë. Muret u bënë të bardha sërish. Një dritare e madhe e bardhë u shfaq përballë saj. Nuk lëvizi.

“ Po kjo dritare tani? Unë akoma nuk jam nisur.” – mendoi e hutuar. Dikush duhet t’i shpjegonte ç’po ndodhte. Nuk po kuptonte asgjë.

Ndjente se dritarja po e tërhiqte drejt vetes pa vullnetin e saj. Këmbët nuk po i preknin më dyshemenë e ftohtë, por ama po i afrohej dritares. Radio  u ndez e një  zhurmë e madhe veshi të gjitha muret e dhomës të cilat rrotulloheshin pambarimisht rreth saj. U shëmb përdhe, sërish.

Radio u fik.

“Mbaje fort, ta provojmë edhe njëherë me elektrodat”,  u dëgjua zëri i mjekut.

“Tepër vonë doktor, më vjen keq..”

Në dhomë ra heshtje.

Tags: , , , ,

One Response to “Dritarja e bardhë”

  1. asja Says:

    R.I.P Era

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: