Masa të kota – KUNDER DASHURISE

by

Nga: Dino Buxati

Përktheu nga italishtja: Renato Kalemi

Tani që ai u largua dhe nuk do të bëhet i gjallë më, u zhduk, u fshi tutje nga fusha e jetës saktësisht si të kish vdekur, asaj, Irenës, nuk i mbetet veçse të armatoset me gjithë guximin që një grua mund t’i kërkojë Zotit dhe të shkulë të gjitha rrënjët me të cilat ajo dashuri e pafat i ishte ngjitur pas rropullive të saj. Gjithmonë ka qenë një vajzë e fortë, Irena, e kësaj here s’do të jetë më pak e tillë.

U krye! Më pak e tmerrshme nga sa e mendonte ajo; e më pak e gjatë. Nuk kanë kaluar as katër muaj dhe ja teksa ndihet plotësisht e çliruar. Paksa më e dobët, më e zbehtë, më delikate, më e lehtë, me qetësinë e ëmbël të konvaleshencës brenda së cilës rrahin tashmë iluzione të reja të paqarta. Oh u tregua trime, heroike u tregua, diti të ishte mizore me veten, shtyu me tërbim të gjitha joshjet e kujtimeve, tek të cilat mund të ishte braktisur ëmbëlsisht. Të shkatërronte me duart e saj gjithçka mbeti prej tij, mbase edhe një spilë, të digjte letrat dhe fotografitë, të flakte teshat e veshura kur ishte ai, mbi të cilat ndoshta vështrimet e tij kishin lënë një gjurmë të padukshme, të hiqte qafe librat që edhe ai kishte lexuar sepse leximi i përbashkët i tyre mbante një bashkëpunim sekret, të shiste qenin që tashmë kishte filluar ta njihte dhe vraponte drejt tij tek dera e kopshtit, të braktiste miqësitë që u përkisnin të dyve, të ndërronte madje edhe shtëpinë sepse një mbrëmje ai kishte mbështetur bërrylin mbi oxhak, sepse një mëngjes ajo derë ishte hapur dhe pas saj ishte shfaqur ai, sepse zilja e derës lëshonte të njëjtin tingull kur vinte ai, dhe kështu në çdo dhomë i dukej se gjente një gjurmë misterioze. Prapë: të mësohej të mendonte për gjëra të tjera, të zhytej në një punë masakruese prej së cilës në mbrëmje, kur rreziku vinte edhe më kërcënues, një gjumë i rëndë gur ta vinte përtokë, të njihte njerëz të rinj, të frekuentonte vende të reja, të ndryshonte edhe ngjyrën e flokëve.

Ajo ia doli t’i bënte të gjitha këto, me përkushtim të dëshpëruar, duke mos lënë asnjë cep të pambrojtur, asnjë çarje, nga e cila kujtimi mund të hynte. E bëri. Dhe u shërua. Tani është mëngjes, me një fustan të bukur kaltërosh të cilin sapo ia ka dërguar rrobaqepësja, Irena është duke dalë nga shtëpia. Jashtë ka diell. Ajo ndihet e shëndoshë, e re, e pastër nga brenda, e freskët si të ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç. E lumtur madje? Ndoshta.

Por, nga një shtëpi aty afër vjen një valë e lehtë tingulli. Dikush ka ndezur radion ose gramafonin, dhe një dritare është hapur. Hapet dhe pastaj menjëherë mbyllet.

Mjaftoi. Gjashtë ose shtatë nota, jo më shumë, sigla e një motivi të vjetër, kënga e saj. Jepi, e guximshmja Irenë, mos e humb për kaq pak, vrapo në punë, mos ndalo, qesh! Por, një boshllëk i tmerrshëm i është formuar brenda në gjoks, ka ngrënë një humnerë. Për muaj e muaj dashuria, ky ndëshkim i çuditshëm, kishte bërë gjoja sikur flinte, duke e lënë Irenën të gënjente veten. Tani një hiçgjë kishte mjaftuar për ta shkatërruar.

Jashtë lëvizin makinat, njerëzit jetojnë, askush nuk e di për një grua që, e braktisur në dyshemenë afër derës së një shtëpie si një fëmijë i dënuar, duke zhubrosur fustanin e ri, qan e përhumbur. Ai është larg, nuk do të kthehet kurrë më, dhe gjithçka qe e kotë.

Advertisements

Tags: , , , , , ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: