Gjeniu i asfiksuar nga miti mbi kalë!

by

(Refleksion mbi veprën “Kryqtari i Fundit” të Virgjil Kules)

Nga (Hamdi) Erjon Muça

Kopertina-e-monografise-640x1024

Kontaktin e parë me veprën e z Virgjil Kule, e pata nëpërmjet medias vizive: nga një intervistë e dhënë për një rubrikë prestigjoze në një televizion mjaft prestigjioz. Mendimi parë që më shkrepi në kokë, (lexuesi duhet të më falë për sinqeritetin tim te tepruar) ishte ky:

” Ja edhe një tjetër personazh që kërkon të bëje bujë personale duke shfrytëzuar figurën e një tjetër personazhi të historisë tonë, në rastin konkret të kryeheroit, Gjergj kastrioti” . Sepse është bërë paksa e modës në ditët tona, që pseudointelektualë të ndryshëm vihen dhe shkruajnë libra, që në shumicën e rasteve, janë pa kurrfarë vlere. Hapi tjetër është të uzurpojnë emisionet televizive duke i bërë reklamë të paftyrë librucëve të tyre. Në këto intervista ata ngulin këmbë se në to gjenden fakte të pamohueshme dhe të pazbuluara më parë. Një konstatim personal: në këto 22 vite post komunizëm, janë shkruar aq shumë libra dhe artikuj mbi jetën e Enver Hoxhës, sa nuk janë shkruar në 45 vjet diktaturë. Edhe me heroin e librit në fjalë janë shkruar shumë vepra, por të gjithë shqiptarët që kanë shkruar për kryetrimin tonë, nuk kanë dalë jashtë suazës me të cilën jemi mësuar ta shohim figurën e tij.

Mendimi tjetër që më shkrepi në kokë ishte pak më butë se i pari. Tek degjoja me vëmendje intervistën e z. Virgjil Kule, mendja më shkoi tek një tjetër libër për Skënderbeun, botuar pak kohë më parë, por jo nga autor shqiptar. Në atë kohë pati reagime sa qesharake aq edhe të egra ndaj librit, autorit dhe përkthyesit të veprës që, me sa mbaj mend, djersinte gjatë debateve të ndezuar në një nga emisionet e shumta që u realizuan në kuadër të botimit në shqip të librit te zotërise gjermanisht folës.

Ishte qesharake sepse askush nga oponentët nuk sillte fakte konkrete që ta kundërshtonin veprën në fjalë. E gjithë oponenca i ngjante një grindjeje të madhe të bazuar më shumë tek të bërtiturat dhe te ofendimet. Situata kish marrë ngjasimet e reagimeve të botës arabe mbas publikimit në një revistë suedeze të karikaturave të profetit Muhamed.
Në fakt historiografia jonë ka një defekt gjenetik: nuk jam i sigurt në është një defekt i lindur apo i mbjellë tek ajo.
Në historinë tonë, në atë të trajtuar nga njerëz me nga, minimumi dy tituj përpara emrit, figurat ose janë të mitizuara përtej kufive të legjendave, mu pranë portave të shentjërimit, ose janë të demonizuara shumë më poshtë cakut njerëzor, pranë portave të ferrit, në mos në brëndësi të tij.

Tek dëgjoja reagimet, shpresova që ndonjë zotëri i ndritur do të dilte me një libër serioz, për të kundërshtuar librin e historianit të huaj. Por asgjë, veç thirrjeve për herezi!

Të gjithë heshtën vetëm pas sprovës letrare të gjeniut të letrave shqipe. Me veprën, dhe analizën e tijë, Mosmarveshja, Kadareja i qetësoi të gjithë.

Në atë vepër Kadare nuk përdor fakte historike, por vetëm një analizë të hollë dhe gjakftohtë, gjë që duhet ta bëjë një historian. Në veprën e tijë Kadareja flet për një njeri, gjeni, me të gjitha difektet dhe kufijtë e racës njerëzore. Është me të vërtetë sa qesharake aq e dhimbëshme që historianët të heshtin përballë një romancieri, por jemi në shqipëri dhe gjithçka është brenda normales.

Do ta durojë dot Virgjili tymnajën që mund të ngreje libri i tij Kryqtari i Fundit, mendova tek dëgjoja intervistën e tij.
Çuditërisht reagime nuk pati, megjithëqë librit ju shit botimi i parë dhe po bëhej gati për ribotim. Heshtja me beri fillimisht te mendoj se edhe Virgjili nuk kishte dalë nga suaza mitizuese, ndaj edhe askush nuk po reagonte.

Gjatë pushimeve që kalova në Shqipëri (në Durrës) u mundova që ta gjeja librin, por ai nuk gjendej dhe ribotimi donte edhe ca kohë që të mbaronte.

Në muajin Nëntor, gjatë panairit të librit, gjeta veprën në fjalë si edhe pata fatin të bashkëbisedoj për më shumë se një orë me zotin Virgjil Kule. Ishim të dy në stendën e Shtëpisë botuese Ombra gvg.

Me dashje e hodha bisedën mbi veprën Kryqtari Fundit. Gjatë bisedës, miqësisht Virgjili më pyeti:

– Çfarë ke lexuar për Skënderbeun?

Me naivitet ju përgjigja se kisha lexuar ato që jepeshin në shkollë si edhe romanin e shkrimtarit Sabri Godo.

– Atëherë ti nuk e njeh Skënderbeun.- mu përgjigj Virgjili me gjakftohtësinë e njeriut që është i bindur për çka thotë.
Nejse, u ndamë duke shkëmbyer autografët dhe duke i premtuar njëri-tjetrit se do të gjenim kohën për të lexuar librat që shkëmbyem.

Kryqtari i Fundit hyri në bibliotekën time duke pritur radhën për t’u lexuar sipas një programi që kam.

*****
Lexoj librin Kryqtari i Fundit. Që në prolog e sheh që, si lexues, nuk je vetëm.

Virgjili te ka hapur një sarkofag të quajtur “e shkuar e largët”, i cili ka qenë i mbuluar nga pesha e pluhurit e gati 600 vjeteve jete njerëzore. Ai të ka kapur përdore dhe po të shoqëron mes vendeve, dokeve, ligjeve pa pasur frikë. Ai është nisur në kërkim të heroit të tij dhe të tërheq pas vetes. Por mban gjithnjë njërin sy nga ty dhe tjetrin që mos të përhumbet në të shkuarën. Nuk ndalet tek e prejardhja e heroit, siç kanë bërë gati të gjithë autorët shqiptare për t’i bërë jehonë fjalës së urtë popullore ” dardha nën dardhë bie”. Ndoshta ngaqë Virgjili e di se edhe molla, po të ndjekim këte filozofi, bie nën mollë dhe kumbulla nën kumbull. Ose-ose, e di që kjo filozofi nuk ështa edhe aq e gjetur. Sepse, që fruti të biere nën pemën mëmë, nuk është as plotësisht në mundësitë e frutit dhe as të pemës. Një rol parësor luan edhe terreni, sepse po të jetë shumë pjerrësi dhe dardha të ketë ndojë degë të anuar, bie fjala mbi pjeshkë, ja që dardha bie mbi pjeshkë dhe kjo e çon drejt konfuzionit frutambledhësin. Dhe ai mund të thotë se ra dardha nën pjeshkë.

Virgjili e gjen heroi e tij dhe ta tregon edhe ty. Nuk është edhe aq e lehtë për ta njohur mes të gjithë atyre të rinjve që studjojne dhe që janë të veshur të gjithë njëlloj, me uniformën e shkolles se Edirnesë. Ai ja ka parë vështrimin, i ka lexuar në të inteligjencën, gjenialitetin, egoizmin, virtytet dhe veset bashkë.

Ja ka njohur sepse ai nuk i ka ato si të masës, që siç thotë Leonardo da Vinçi, vjen në jetë për të ngrënë dhe për të prodhuar pleh. Jo ai nuk i ngjet një gjallese bar ngrënëse, ai është mish ngrënës. Ai është gjallesë që mbijetesën e tij e bazon tek pritja, taktikat, dhe vështrimi, përtej normales.

Je duke ndjekur Virgjilin dhe ai po ndjek Kryqtarin e tij. Je aq i mbërthyer nga shkrimi realist i Virgjilit saqë nuk e kupton se po kalon nga kapitulli në kapitull, në ndjekje të një gjeniu që nuk i ngjet aspak mitit të kalëruesit me shpatë në dorë. Herë pas here ky mit shfaqet, por akoma nuk i ngjason atij “legjendarit”, që mendoje se do të takoje.

Nuk idhnohesh aspak, përkundrazi ndjehesh tejet krenar, sepse ai të ngjet ty, tët eti, gjyshit tënd, domethënë çdo humani që ka jetur në këto vise në të shkuarën. Një humani gjeni, në të gjitha aspektet.

Virgjili ulet pranë tijë kur ai fiton apo humbet dhe është duke medituar. Nuk ka frikë nga ai, por e repekton megjithëqë na e shfaq atë pa peshën e parzmores së ndritëshme dhe të rëndë. Nuk e sheh as nga poshtë siç janë mësuar të tjerët dhe as nga lart, siç ka dashur ta shohë dikush. Ai të tregon në rrugëtimin jetësor të një njeriu dhe jo të një një hyjnije. Të shpjegon për nevojat që kishte ky njeri dhe që janë më shumë materiale se shpirtërore, si te të gjithë humanët. Ai të tregon gjeniun që ka një projekt madhor. I është vënë ne pritë presë së vet dhe pret. Nuk ngutet, nuk hutohet as kur fare pranë këtij gjahtari ka kaluar një dre. Ai po pret luanin. Ai don luanin. Do ti marrë lëkurën dhe ta hedhë mbi shpatulla si Herakliu. Sepse ai nuk është një human normal, ai është një gjeni.

Bashkë me Virgjilin e ke kaluar gjysmën e vepërs dhe rrugëtimit jetësor dhe atë e mitin mbi kale e ke parë aq pak sa që e ke harruar gati fare. Ke nisur të adhurosh këtë gjeni të politikës mesjetare dhe as që te vete mendja se e gjithë bindja jote formaliste është shembur në më pak se treqind faqe të lexuara.

Vazhdon ta ndjekësh këtë idhull të ri dhe hera-herës të duhet të presësh Virgjilin, i cili ndërkohë që ti rend pas kryqtarit “tënd” është ndalur për të shqyrtuar faktet.

E ke parë tek nëneshkruante traktate, tek i shkelte ato e tek plaçkiste tokat dhe fshatrat e armikut dhe nuk e urren, sepse ti po jeton pranë tij dhe kupton se edhe ai ka nevojë, më shumë për të ardhuar materiale se morale.

E sheh kryqtarin tënd që është lartësuar, është rrëzuar për tu ngritur dhe për tu lartësuar sërisht. Ka marrë dhe ka dhënë goditje të fuqishme, por edhe kur i ka marrë ato nuk është tërhequr. Dhe ti sheh se shumë të tjerë, më të mëdhej se heroi yt, janë tërhequr ose po bëhen gati të tërhiqen.

E sheh Kryqtarin e Fundit tek është pranë realizimit të projektit të tij. Është fare pranë, por rrethanat ia mohojnë prekjen. Sërisht ai nuk tërhiqet. Dhe të vejn keq kur ai nuk arrin ta bëjë reale ëndrën e vet. Nuk qe për faj të tij. Thjesht nga ai segment, i parashkruar, kohor, me emrin jetë.

Në fund fare ngre kryet dhe kupton që ke jetuar jetën e Skënderbeut sepse Virgjili ta ka treguar aq hollësishëm dhe bukur saqë të duket sikur e ke jetuar. Por nuk është tamam ai Skënderbeu që ndodhet në sheshet e Tiranës, Krujës, Prishtinës dhe Shkupit. Kryqtari yt (sepse tashmë nuk është më pronë vetiake e Virgjil Kules), është mundur vetem nga armiku që mund këdo. Vdekja, natyrale!

Të lindin shumë pyetje që do të doje t’ia bëje autorit. E para! Pse e solli në bibliotekat tona këtë libër të thjeshtë dhe serioz njekohesisht? Mos ndoshta për t’i dhënë përgjigjen serioze atij librit të sipërpërmendur, që duhej t’ia jepnin doktorët dhe profesorët e historiografisë, por që nuk ja dhanë kurrë?

Jo jam i bindur që nuk është kjo! Do të ishte tepër mediokre po të kish qenë keshtu. Dhe një autor që shkruan një vepër të tillë, nuk mund të bëje pjesë kurrësesi te mediokrit.

Arsyeja e Virgjilit duhet të ketë qenë tjetër, shumë më njerëzore dhe e madhërishme. Ai, duke jetuar në Tiranë do të ketë rastisur që ta shohë më shumë se dy herë në ditë statujën e heroit. Ndoshta Virgjili ka ndjerë dhimbjen dhe vuajtjen e Skënderbeut. Do të ketë parë lodhjen që ajo armaturë ka shkaktuar në trupin e heroit të vjetër.

Virgjili iu afrua dhe e ndihmoi të zbriste nga kali. Nuk u mundua ta hidhte poshtë. Kastrioti qe një njeri që kalërimin e përdori zgjuarsisht vetëm për të ndihmuar gjeniun politik që mbartete trupi i shqiptarit të madh të mesjetës.

Ia hoqi parzmoren e rënduar nga pluhuri i kohës, përkrenaren e rëndë, si edhe shpatën që ai ngrinte vetëm kur nuk kishte rrugëzgjidhje tjetër dhe që, sigurisht, tmerronte këdo. E uli në kolltukun e studios së tij dhe i tha.

– Ulu miku im! Tani ka ardhur koha që t’i harrosh vuatjet e kalërimit gati 600 vjeçar. Tani duhet të meditosh, të mendosh dhe të veprosh ashtu dhe aq mirë siç veprove në realitetin tënd të harruar pas atj mitit që i pëlqente të luante vetem luftash dhe që nuk ishte ti, por vetem imazhi yt gabuar që të krijuan pasardhësit tu të papjekur.

Me respekt dhe falenderim Z: Virgjil Kule.

(Hamdi) Erjon Muça
23-03-2013

Tags: , , , ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: