Shije dhune (Palumturi)

by

Nga Tea Mersuli

Mëngjes. Duke shkuar në shkollë përballem me një imazh të pafjalshëm: Trotuari i urës mbi Lanë zhytur në gjak: gjak, cifla xhamash të thyer, copëza metali, vaj, vaj dhe gjak! Duke ecur dhe befas përballem me nje skenë të tillë, gjendem e rrethuar, mu në mes të së gjithës dhe nuk di si të kaloj matanë rrugës përveçse të kërcej si kangur. Të kërcesh si kangur mbi gjak, sa i neveritshëm mund të jetë ky akt?! Edhe si e shmang rrugën, sholli i këpucëve ngjit në rrugë, si për më ndalur të drejtën time për të harruar. A e kam të drejtën  për të harruar?! Për një moment mendoj që isha e vetme e s’kish tjetër njeri që kalonte aty. Shoh rrotull: njerëz që ecin, shkelin aty si pa të keq, shkelin edhe vazhdojnë, asnjë reagim, as këpucët s’fshijnë ndërsa ecin, a thua s’ngjisin! Ngjisin që ç’ke me të, ngjisin si të miat! Policia kishte hequr nga vendi mbetjet e mëdha të aksidentit, kishin vënë madje dhe semafor! Kishin lënë aty “gjërat e vogla”, ato që s’të bllokojnë rrugën, që s’të ndalin përpara respektimit të madh të orarit të punës a kafes. Më e keqja: trotuari mbeti ashtu për ditë të tëra, dhe unë për ditë të tëra ndërrova rrugë, ecja në krahun tjetër e shihja njerëz që kalonin mbi gjak pa kurrfarë shqetësimi: as neveri e jo më tepër! U desh që binte shi mesnate që nata-natës të lante gjakun e të mjerit ose të mjerës dhe tanimë prej gjithçfare ka mbetur pak vaj në vijat midis pllakave, ngjyrë ylber në shi.

Përtej brutalitetit të kësaj ndodhie, që s’më shqitet nga sytë e mendja, rrugët e Tiranës janë gjithnjë po njëlloj. Rrugë që më pëlqen tu rrekem, rrugë të njoma e të gjalla, rrugë që duhen ecur pasysh. Nqs ngre kokën sheh njerëz: tipa, karaktere, klasa, punë, fytyra, jetë të ndryshme që bashkohen nga diçka e vetme: një shije dhune. Më së shumti shoh fytyra të lodhura, të vyshkura, të thara, të pashpresa; njerëz të kërrusur që s’iu gjendet dot mosha. Kategoria e kundërt e të lartpërmendurve janë njerëzit që u shndërrin fytyra nga shëndeti dhe pudra. Këta duhet të jenë të lumtur domosdo! Burrat tipikë: të larë, kollarisur, kremosur, me një bark gjigand dhe faqe të varura që kur flasin shpërkasin pështymë me një rreze një metër dhe kur qeshin dëgjohen dy kilometra larg. Këta janë Sulejmanët e Madhërishëm të Tironës moderne-mondane! Gratë e tyre, ato të ligjshmet: flokët portokalli ose të kuqe, thonjtë që të japin shumë dëshirë tu hash gatimet e tyre (nqs gatuajnë), gjithnjë në rrugë pa ndonjë qëllim të mirëfilltë: kanë ndonjë gjë të rëndësishmë për të bërë përvecse të marrin frymë?! Ka edhe të tjerë që në hapin e tyre ritmik s’lënë shumë hapësirë për t’i psikologjisur, por këmbët i çojnë drejt monotonisë së përditshme: pozicioni i punës: vështirësi e mesme; rroga, e mesme; jetëgjatësia e rrogës, mesi i muajit; orari, mesatarisht i gjatë; shefi, mesatarisht i mërzitshëm kur të kap prej mesi, mes, mes, mes…

Problemi qëndron të pranimi i së mesmes si zgjidhja më e mirë e mundshme për çdo gjë! Kompromis me gjithçka: pak kështu e pak ashtu, pak fjalë e pak dru! Medemek ca gjëra ne s’i shmangim dot, ndaj rrimë shohim punët tona! Për çdo fenomen dhune bëjmë një rreth ku në qendër jemi ne, dhe: Opa, ja hodhëm! Për supernovan e vrasjeve grykësegrash: tak, vëmë majën të Kulla e Sahatit, hapim kompasin deri hm… tek Unaza e Madhe dhe fap, e bëmë rrethin! Dalim në konkluzionin që dhuna është vetëm aty, aty, yhy… në maj’t’malit! E vetmja formë Mesjetare e papërdorur për të vrarë gra: gra-shtatzana, gra-përdala, gra-thjesht-gra, është Virgjëresha e Hekurt: metodë kjo shumë e virgjër për tu përdorur ndaj të paudhave nga burrat e tyre-rrufe Zeusi! Brenda Unazës së Tiranës s’ka fare kësisoj gjërash! Larg, larg! Femrat e brenda-Tiranës s’janë budallaçka: s’janë Ana Karenina e Ema Bovari, por dinë shumë mirë të jenë pjesë e haremit të ndonjë sulltani. Ky është emancipim dhe një rrugë e mirë drejt barazisë gjinore: Femrat duhet të bëhen po aq të dhunshme sa meshkujt dhe të bëjnë aheng si burrat por me kushtin e veshjes se streçeve-leopard (ose ndonjë alternative po aq epshndjellëse)! Femrat Felidae! Lolitat e gjimnazeve!  Ndërsa meshkujt kanë sot lirinë e fjalës më shumë se kurrë: Ç’kënaqësi më të madhe mund të gjesh sesa të shndërrosh në sharje aktin më sublim-dashurinë? Kjo nuk është fare dhunë! Adoleshentët e sotëm nuk dhunohen fare sepse dhuna është vetëm thika ose grusht! Jetojmë në epokën e komunikimit dhe Facebooku ja ka lehtësuar të gjithëve këtë gjë, jo vetëm adoleshentëve! Të gjithë kanë të drejtë të flasin, po a kanë ç’të thonë? Receta gatimesh, shtatëqind foto të ‘darkës super gallatë’ të një nate më parë, zemra dhe dashuri që vënë tërë dynjanë në dijeni për to. Fjala para turmës është përgjegjësi, por mqs kontakti viziv shmanget, ti mund të kokorrasësh çdo gjë para njerëzisë dhe të krekosësh si gjel! Kjo s’është dhunë, as dukje e dhunshme, kjo është e mira e madhe e modernitetit: A s’e ndjen dashurinë që buçet në çdo website, ose më mirë, në çdo anë?

Unë s’e shoh, s’e shoh gjëkund. Mendimi im mund të duket i zymtë, por Guernika e Pikasos është gri-e zymtë, kurse Nata me yje e Van Goghut është e magjishme: Guernika ka njerëz e njerëzillëqe, kurse Nata me yje ka yje! Njerëzit janë ashtu siç ecin, ashtu siç duken, siç duken kur ecin, edhe kur ecin për tu dukur. Njerëzit janë viktima të njerëzillëqeve që s’i vënë dot ose mendojnë që s’duhen vënë nën fre. Njerëz të dhunuar janë të gjithë: jo vetëm ato që i fluturon koka në gijotina familjare/dashurore, jo vetëm të papunët, të pangrënët. Këta janë ata që shquhen, ata që nxijnë foton e shoqërisë e që fotoshopi i sistemit s’i fshin dot. Dhunues të vetes janë edhe ato gra që jetojnë parazite-burrash, edhe vetë burrat, sulltanët që aneksojnë gra, edhe rrogëtarët edhe pronarët, edhe të depresuarit, edhe delirantët e madhështisë. Dhuna është ajo çka ndal njerëzit të jenë të lumtur, është shtypja që ushtrohet tërë kohës mbi kokat tona, shtypje që kërkon të na lakojë shfrytëzueshëm, dhe ne ç’bëjmë? Adhurojmë të mesmen? Njeriu më i dhunuar është njeriu që zgjedh të bëjë jetë të mesme, jetë kompromisi me çdo gjë, edhe me kokën e vet! Pak dhunë e pak lumturi, pak guxim e pak dashuri, pak hasëm e pak art-bukuri! Pak nga gjithçka, edhe pak të jetuar të ekzistencës së vet qenies: jetë e programuar në detaj: shkollë, punë, martesë, fëmijë, kaq. Jetë mekanike! Njeriu që t’i shpëtojë dhunës, pra të ndihet i lumtur, duhet t’i shkëputet mesit, duhet të kultivojë shpirtin nëpërmjet artit dhe mendjen nëpërmjet dijes, që të arrijë vetëplotësi. Si mund të jetë e Mesmja e Artë, kur vetë e Arta s’është e Mesme?

Tags: , , ,

2 Responses to “Shije dhune (Palumturi)”

  1. Eneida Says:

    Tea, je nje mendim i kulluar, nje fjale e forte dhe nje energji qe s`degjon te shtere

  2. Eneida Says:

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: