Gloris Lilellari: Vajza që këndon serenata

by

nga Dhorjela Demkollari

Serenatat, elementi identifikues i qytetit juglindor, përveçse një traditë e bukur, tashmë duket se po shndërrohen në një dashuri të madhe edhe për të rinjtë. Gloris Lilellari, një vajzë 17-vjeçare, duket se ka vendosur ta përmbysë traditën mashkullore të këndimit me kitarë poshtë dritareve të vajzave. Traditën që e ka të trashëguar në familjen e saj nga gjyshi, Glorisi ka marrë vendimin ta ruajë edhe pse është femër. E re, adhuruese e serenatës, por edhe e apasionuar pas muzikës, 17-vjeçarja ka nisur prej disa vitesh t’i bjerë kitarës dhe të këndojë këngët e bukura të dashurisë. Ajo e ka nisur me pianon, por ka preferuar që edhe kitarën ta ketë instrumentin e saj, pasi është rritur me tingujt melodiozë dhe këngët e bukura. Mes mësimeve, pianos dhe kitarës, Glorisi pohon se i duhet shumë mund për të organizuar kohën, në mënyrë që të mos anashkalojë asnjërën. Ajo jep maksimumin e saj dhe talentit të padiskutueshëm i shton dhe shumë dashuri. Një gjë e ka të sigurt, që pavarësisht se është ende shumë e re, nga kitara dhe serenatat nuk do të heqë dorë asnjëherë.

Gloris prej sa kohësh i bie kitarës dhe këndon serenata?

Jam rritur nën tingujt e kitarës, e kam në gjak serenatën dhe për mua është një dashuri e madhe. Prej vogëlisë i kam kënduar të gjitha serenatat korçare, të cilat m’i ka mësuar gjyshi im dhe duke u rritur, vendosa të mësoj t’i bie kitarës. Fillimisht kam mësuar nga gjyshi dhe prej 2 vitesh kam nisur të marr edhe mësime që të përmirësoja veten, sepse është një instrument që e dua shumë.

Je vajza e vetme që i bie kitarës në grupin e serenatistëve të rinj “Ëndërr Serenate”. Si ndjehesh?

E bëj me shumë pasion, nuk ndihem fare në siklet, edhe pse serenatat këndohen nga meshkujt dhe u dedikohen vajzave. Mes serenatistëve të rinj jam ndier shumë mirë. Megjithëse jam një vajzë mes djemve, nuk shqetësohem fare. Nuk e mohoj që fillimisht jam ndier pak në siklet, por dashuria dhe dëshira për serenatën i rrëzuan barrierat e paragjykimeve apo gjithçka që mund të lindë, duke qenë vajza e vetme mes serenatistëve djem. Për fatin tim të mirë, unë studioj në një shkollë muzike dhe një pjesë e atyre djemve janë shokët e mi të shkollës, ndaj kjo ma ka lehtësuar disi punën.

Përmende gjyshin tënd, ai ka qenë serenatist apo si çdo korçar i ka kënduar serenatat dhe t’i mësoi edhe ty?

Jo, gjyshi im, Pandi Tasellari, është një prej themeluesve të korit “Lira”. Edhe pse tani është 80 vjeç, ai vijon ende të jetë pjesë aktive e serenatistëve. I bie kitarës dhe këndon prej vitesh, nuk e ndan në asnjë moment dhe kështu ma injektoi edhe mua këtë dashuri. Mbaj mend që në vogëli që, ashtu si çdo gjysh, më merrte me vete në shumë aktivitete dhe në momente të tjera si organizimet familjare ai merrte kitarën dhe këndonte, ndërsa unë e ndiqja me shumë ëndje.

Mendon ta vazhdosh këtë traditë të familjes?

Po, jam e lumtur që ruaj jo vetëm traditën e familjes, por edhe traditën e qytetit tim. Është ajo lloj muzike që të gjithë i bën të këndojnë njëzëri. Nuk ka korçar që nuk i di fjalët e çdo serenate dhe kjo është e bukur. Në aktivitetet ku kam marrë pjesë, kam ndier kënaqësinë më të madhe teksa qytetarët ndalnin hapin dhe na dëgjonin, këndonin pavarësisht të ftohtit apo të nxehtit. Në prag të festive të fundvitit kam qenë në disa aktivitete dhe ishte bukur të ndieje atmosferën që krijohej nga telat e kitarës dhe zërat tanë, por edhe të qytetarëve.

A e mendon se fakti që ti je vajza e vetme në grup tërheq më tepër vëmendjen?

Po, në disa raste. Ka pasur edhe persona që pa më njohur janë afruar për të më pyetur se pse unë isha pjesë e këtij grupi. Jam përgjigjur thjesht, “I dua shumë serenatat”.

Po familja jote sa të ka mbështetur?

Shumë, përveçse, siç e thashë, ma kanë kultivuar këtë dashuri që e vogël edhe më kanë përkrahur. Unë i bie pianos, por në momentin që vendosa t’i përkushtohem edhe dashurisë tjetër, kitarës, ata e kanë mirëpritur këtë vendim timin dhe janë përpjekur që të më lehtësojnë punën, por edhe janë interesuar që unë të mësoj sa më mirë. Ndërsa pika ime e referencës mbetet gjyshi im, i cili gjen gjithmonë kohën për të më treguar rreth serenatave apo edhe për të më mësuar diçka të re.

– Botuar tek gazeta “Panorama”

Advertisements

Tags: ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: