Njeriu mesatar

by

Nga Renato Kalemi

Që një shoqëri të dalë nga e zakonshmja, duhet të bëjë diçka të jashtëzakonshme. Kjo e jona e ka pasur rastin dhe nuk ka bërë asgjë të tillë. Sepse për gjëra të jashtëzakonshme duhen njerëz të jashtëzakonshëm. Por, një shoqëri mesatare s’mund të prodhojë gjë tjetër veçse njerëz mesatarë.

Orson Uells, në rolin e një regjisori në filmin “La Ricotta” (1963) me regji të Pier Paolo Pasolinit, i reciton gazetarit që po e intervistonte një poezi, të cilën ky i fundit as e kupton e as i jep dum se për ç’dreqin bën fjalë. Regjisori e nuhat përhumbjen e pashmangshme të tjetrit dhe me cinizmin e paskrupullt të një intelektuali antikonformist, i rrethuar nga njerëz të paaftë, ia thotë copë: Ti nuk ke kuptuar kurrgjë sepse je një njeri mesatar! “Por, ju nuk e dini se çfarë është një njeri mesatar”, vijon Uells, “ai është një përbindësh! Një maskara i rrezikshëm, konformist, kolonizues, racist, robërues, qualunquista” (it. një njeri që shfaq aspak interes dhe mosbesim ndaj institucioneve publike dhe partive politike). Mandej, zë e tallet me këtë “njeri mesatar”, i cili mund t’i hynte në punë për fillimin e filmit vetëm nëse do t’i binte infarkt m’u aty në këmbët e tij. Në këtë segment kult, Pasolini qëllon ashpër, deri në përçmim, shoqërinë italiane të viteve ’60, duke e etiketuar atë si shoqërinë më analfabete dhe injorante të Europës, të cilës s’ke ç’i bën: kaq e ka kufirin e inteligjencës.

Ajo që unë dua të pyes është: A jemi edhe ne shqiptarët një shoqëri e tillë, e mbushur me njerëz mesatarë? Me keqardhje, po. Një shoqëri, e cila nuk arrin të prodhojë elitë, është e destinuar të udhëhiqet nga “njeriu mesatar”. Kurrë më qartë se sa sot shoqëria shqiptare ka shërbyer si një etalon i denjë për atë çka Pasolini thoshte pesëdhjetë vjet më parë për shoqërinë italiane. Nuk e kam të vështirë të sjell shembuj të ndryshëm për të argumentuar pse shoqëria jonë prodhon prej vitesh vetëm “gjëra” mesatare, të nivelit sipërfaqësor, por të pranueshme për inteligjencën kolektive, të cilat nga ana tjetër krahasohen me prodhime të tjera të të njëjtit nivel, e kështu me radhë, duke na futur në qerthullin pakthim e mizor të të qenit “të zakonshëm”. Të qenit “i zakonshëm” është ajo çka duhet ta trembë më shumë se gjithçka tjetër një shoqëri, vetë ekzistencën e njeriut.

Kur them “prodhime”, nënkuptoj gjithçka që ka të bëjë me vlerat morale e kulturore të një shoqërie: pra, flas për gjuhën, artin, politikën, arsimin, sportin, edukatën, shoqërinë civile, etj., nocione të cilat “njeriu mesatar”, duke qenë konformist e kualunkuist, nuk di t’i çmojë sepse s’mundet t’ua kuptojë rëndësinë. Ose aq inteligjencë ka. Shoqëria shqiptare nuk ka ende karakteristikat e një shoqërie inteligjente, europiane e perëndimore. Anon nga të qënit prapanike. Arsyet e kësaj mund të jenë të ndryshme, që lidhen qoftë me historinë e lashtë të kombit tonë, qoftë me pesëdhjetë vitet vrastare të komunizmit. Edhe ata pak njerëz inteligjentë që gjallojnë në këtë mishmash njerëzish mesatarë, janë aq të papërfillshëm në numër dhe masën e prodhimit të ideve, saqë treten si sheqeri në ujë.

Në politikë nuk e kemi pasur kurrë një Bill Klinton apo Toni Bler shqiptar, dy politikanë vizionarë dhe reformatorë të pashmangshëm. Nuk kemi as Konicë dhe as Noli. E keni pyetur ndonjëherë veten se cili mund të ishte sot një Ismail Qemali, në rast se fatet e Shqipërisë do të viheshin në pikëpyetje nga një pushtim i huaj ose vendim i Fuqive të Mëdha? Fatmirësisht, kjo është një pyetje retorike dhe situata është pjellë e mendjes time. Në vend të këtyre emrave të mëdhenj kemi një klasë politike të përhumbur, pa ide e vizion, konformiste, patetike, që sheh interesat e saj të ngushta, e mbi të gjitha të korruptuar. Këto elementë e bëjnë atë konfliktuale, meskine, joproduktive, të dështuar. Një shoqëri e përbërë nga njerëz mesatarë nuk mund të pjellë tjetër veçse një klasë politike po kaq mesatare. Shprehja “populli meriton atë qeveri që ka”, është e vërtetë.

Fatkeqësisht, Shqipëria është një komb pa elitë. Njëqind vjet më parë ata mund t’i numëronim me gishtat e njërës dorë, sot nuk më vjen ndërmend askush. Na mungojnë njerëzit e drejtë, të urtët, kritikët, ata të vërtetët, të pavarurit, që i thonë troç dhe me kurajo morale të vërtetat dhe atë çka mendojnë njerëzit e thjeshtë. Në vend të tyre kemi ca qenie të çuditshme, budallaqe, të cilët vetëquhen elitë, por që në fakt s’kanë bërë gjë tjetër për ta fituar këtë titull përveçse t’i lëpihen pushtetit për një rrogë më të mirë, një kolltuk të rehatshëm, a një makinë të shtrenjtë. Kritika dhe vetëm kritika e vazhdueshme është ajo që çon përpara. Lajkat dhe servilizmi, për shkak të njohjeve personale ose mosprishjes së qejfit, nuk të çojnë asgjëkundi.

Njeriun mesatar e shoh gjithandej! Sot letërsia shqiptare s’ka identitet. Shterpësia e post pluralizmit e ka vrarë. Nuk arrij të gjej dot një emër shkrimtari që të jetë formuar ose të paktën të identifikohet me kohën tonë. Kemi vetëm shkrimtarë të formuar dhe që e kanë krijuar emrin e tyre në komunizëm. Dikur kishim një poet si Migjeni, sot poetët nuk shkruajnë më. Dikur kishim një romancier të shkëlqyer si Petro Marko, sot nuk e di. Krenohemi me Ismail Kadarenë, por ai ka vendosur të mos shkruajë më, përveç publicistikës. Dëgjojmë muzikë tallava, turbofolk e gjithfarësoj qelbësirllëqesh, ndërsa në Teatrin e Operas dhe Baletit spektatorët numërohen me gishta. Këtu ju jap të drejtë të më thoni se “muzika është me shije”. Po, pikërisht, prandaj ka edhe shije mesatare. Në Teatrin Kombëtar rrallë se sheh ndonjë pjesë të vënë mirë në skenë, aktorët bëjnë “pllaq-plluq” në fjalët e mira boshe që i thonë njëri-tjetrit kur në fakt duhet t’ia thonë copë shokut se kësaj here “ja fute kot”, kurse prodhimet kinematografike shqiptare janë amatoriale dhe mesatare.

Jemi njerëz mesatarë edhe në dhënien e dijeve. Kemi dhjetëra universitete private dhe asnjëri prej tyre nuk i përmbush standardet. Universitetet publike zbatojnë një sistem të dështuar arsimor, i cili nuk të garanton asgjë, madje as diplomë. Duhet të bësh atë “plus dyshin”, përndryshe je i fikur. Jemi kaq joproduktivë saqë kopjojmë idetë e vjedhura të njeri-tjetrit deri në mani, sapo ajo ide ka sukses. Mjafton të shihni emisionet në televizor: Të njëjtat tema, diskutime, debate, që trajtohen nga të njëjtat fytyra shëtitëse. Më bën përshtypje madje, se sa mediokre janë edhe idetë e reklamave: të thata, pa ngjyrë e mesazh. Në sport jemi po kaq mesatarë, saqë kënaqemi kur dështojmë me sukses.

Njerëzit mesatarë kanë një karakteristikë të përbashkët: Ata gjithmonë i përsërisin vetes me një vetëkënaqësi budallaqe: “Kaq mund të bëj”. Nuk kanë ambicie, janë përtacë, nuk duan të lodhen, janë një lloj virusi i rrezikshëm që infektojnë një shoqëri të tërë. Që një shoqëri të dalë nga e zakonshmja, duhet të bëjë diçka të jashtëzakonshme. E pra, kjo e jona nuk ka bërë asgjë të tillë, edhe pse e ka pasur rastin. Ama, për të bërë gjëra të jashtëzakonshme duhen njerëz të jashtëzakonshëm. Por, një shoqëri mesatare nuk ka sesi të prodhojë një tjetër “produkt” veç njeriut mesatar.

Tags: , ,

One Response to “Njeriu mesatar”

  1. Joni Says:

    E vertete e dhimbshme. Njerezit jane te pergjumur…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: