Pamja integrale e shegës

by

Marco-Amore__Natura-Morta-con-Melograno_g

 

(Letërsia kundra Letërsisë)

nga Flurans Ilia

Në mundsha, një ditë, t’i kthej shpinën Letërsisë, kokulur të vazhdoj rrugën tim si qindra të tjerë që vene vijnë e shuhen në këtë det, do t’i rikthehesha si një “lamtumirë”, e fundit, çështjes nëse Letërsia veçanërisht, dhe Arti më gjerësisht, ka ndonjë farë vlere apo jo në Jetë dhe Përditshmëri. Dhe ka për të qenë as më pakë, e as më shumë, si një “lamtumirë armë” e trishtë, …
***
Ka një gabim që duhet korrigjuar kur flasim mbi artin, njëfarësoj, sikur mos të kishte asnjë lidhje jetësore me çdo gjë tjetër që përbën jetën “reale”. Sepse shumica prej nesh jetojnë për të përligjur ekzistencën me krejt tjetër gjë, dhe e ëndërrojnë jetën si një gjë krejt të ndryshme nga ajo që bëjnë ekzistencialisht për të jetuar. Dhe në këtë atdheun tonë të vogël prej letre, letrat pa adresë, ja vështirësojnë punën letërprurësit të lodhur përmes rrugicave pa fund që, përngjajnë deri diku, me labirintin e Borgesit.
***
Ka një gabim, kur e konsiderojmë letërsinë si mundësinë e një shmangie që mundëson arratinë, teksa përjetojmë raporte tërësisht të drejta me përditshmërinë. Migjeni ynë, spontanisht, do të thoshte midis nesh: “kafshatë që s’kapërdihet është or vëlla përditshmëria!”. Ndërkohë që Floberi do të na shihte me dyshim. Sepse mbi të gjitha diskutimet tona, ajo që mbart vendin kryesor është situata sociale ku jetojmë, kriza e besimit, kjo etapë e vazhdueshme ku jemi të lidhur përgjatë jetëve tona. Dhe jeta është një, tërësisht e vetme, e pa ripërsëritshme.
***
Gjithmonë kam qenë partizan i një ndryshimi, frutë i një durimi të përditshëm kokë-e-këmbë i lidhur me degën e përditshmërisë. Kjo ndoshta është arsyeja e vetme që Floberi “ma mbyll gojën” dhe jam i detyruar, me bindje rishtare, ta ndjek në heshtje gati-gati postulate diskursin e temave të romaneve të tij të pagabueshëm mbi njëzetekatërorëshin tentakular. Marcel Prust ka ndihmesën e vet të pallogaritshme. Një ndihmesë që bazohet A la Recherche du Temps perdu !
***
Gjithmonë kam qenë i zhgënjyer, nga kjo fshikëz e mbushur plot që, fillon të derdhet e shkon dëm, dalëngadalë, automatikisht, pa e kuptuar, përditësisht. Jam i zhgënjyer, fatkeqësisht, nga imazhi ynë në tërësi, dhe i imi në veçanti, si qenie që, përpara se të hedhë hapin e tij të parë drejt ditës së porsa ardhur në jetë, fillimisht rruga i bie nga haleja për të derdhur tundimin e lëngët të ëndrrave torturonjëse të një nate të mëparshme. Ëndrra tërësisht individuale. Ëndrra kolektive. Ëndrra shekullore. Ëndrra ditore. Një grimë më tej, përgjatë zgjimit, rruga të bie doemos nga vetvetja – përballë! – pasqyrës. Imazh mbi të cilin të gjithë e derdhim kohën me pash.
***
Të gjithë shkrimtarët e sotëm nga A në Z … janë të tunduar gjithmonë e më shpesh nga format e gënjeshtërta të pamjes së fort kërkuar. Tepër të fiksuar mbi imazhin e vetvetes. Duke fërkuar lehtë instinktivisht rubinetin e çezmës që i jep udhë ujit, jo pamjes, me duar të lagura, atij tjetrit përtej pasqyrës së mëngjesit nuk reshtem duke i thënë: uji është i dobishëm or mik, po qe se duam të kërkojmë e rigjejmë perspektiva të tjera e të ndryshme nga ajo e një dite dhe nate të mëparshme, perspektiva që na bëjnë me plot gojë të besojmë se jeta me të vërtetë është e bukur. Duhet të kesh sy zemre ta shohësh të bukurën. Duhet të kesh zemër me sy që të kuptosh gabimet dhe ndreqjen e tyre. Pa e tradhtuar kur sesi këtë imazh, relativiteti i fjalëve të mia është tepër i lagësht, duhet me doemos të vendosim një kusht, i vetmi në fakt; Duhet që kjo ndjenjë vetëkënaqësie të mos paguaj haraçin e një biçim verbërie mbi imazhin integral të njerëzve dhe kohës tonë, imazh i zëvendësuar me përdredhje gjestesh, fjalësh, opinionesh, si shkak i kënaqësive tona.
***
Jo pa gjasa përdora fjalën “kënaqësi”. Mundet fare lehtë të kisha përdorur fjalët “tundim” “epsh” “ngrehje” “kompleks” – që derdhen në formën e “hipokrizisë” dhe “mllefit”. Por në një botë si kjo e jona ku specia ushqehet gjithmonë e më tepër me hormone të kësaj natyre, apostrofi i vendosur përballë një katastrofe eventuale (i ka stepur mendjet) si shkak i gabimeve që njeriu doravet ka bërë dhe bën në radhë të parë, në kurriz të planetit, kafshëve dhe bimëve, në kurriz të vet qenies së vet identike në raporte sociale. Po e përdor fjalën “kënaqësi” të mbyllur në thonjëza, thjesht dhe dukshëm si një kafaz të vështruar nga sytë e vizitorëve të këtyre rreshtave, kundrejt shqyerjes totale që njeriu i ashtuquajtur modern ka hapur përdhunshëm midis raporteve ndërnjerëzore, motër e vëlla, burrë e grua, nëna e baballarë, etër e bij, njerëz të të njëjtave preokupime të përditshme, njerëz të të njëjtave ideale të ngjashme, për të mos folur më tej për klanizma të shëmtuara dhe kampe opozitare. Është e vështirë ta kuptosh si totalitet Dashurinë. E më tepër ta pranosh si të tillë. Akoma më tej ta bësh motiv të ditës dhe jetës tënde. Me këtë akt, je i rrezikuar për të qenë një njeri anakronik kundrejt kohës ku jeton dhe modernitetit gati-histerik në kontabilitetin e shifrave eksituese, anipse të gjithë në jetët moderne quraviten për dashuri (në kohën e tyre të lirë) dhe nuk kanë sy ta shikojnë (përgjatë 24 orëve të realitetit).
***
Duke e rigrupuar edhe njëherë të gjithë sa thashë më sipër, togfjalëshit tim shkak i kënaqësive tona i shpëtoi sak kjo fjala e fundit (preferoj ta jap pa thonjëza) për vet karakterin e saj të mbarshtresuar. Kuptimi i thënies së Lasgush Poradecit se poeti është përgjegjës për gjithëshka, është fari që udhëheq rreshtat e këtij shkrimi, sepse e ndiej të nevojshme, ndërsa jemi duke folur mbi imazhin e njeriut dhe botës, për tu ndier përgjegjës, domethënë, ashtu si unë e kuptoj shkoqur, fajtor!
***
Çdo lloj arti ka sytë e tij me të cilat vështron botën dhe jetën, të dukshmet dhe të padukshmet. Çdo etapë kohore apo rigrupim shkrimtarësh tërheq pas vetes një qerre me letra. Çdo lloj autori ka dy sy, si të gjithë të tjerët, dhe një të vetëm këndvështrim krejtësisht të vetin, të lindur së bashku me artin e tij. Letërsia vështron të dukshmet dhe të padukshmet e qenies njerëzore, nëpërmjet qenies njerëzore. Ashtu sikur çdo lloj tjetër arti, tregimtari është baza e kumtit në rastet kur me të vërtetë ka diçka për të kumtuar, nëpërmjet fjalëve, ngjyrave, notave muzikore, daltës, fokusit të aparatit fotografik, lojës së aktorit, këmbëve dhe gjesteve të valltarit, si dhe zërit të këngëtarit. Baza e të gjitha ngrehinave të ndodhive që artisti kumton me të gjitha elementet e mundshme që servir jeta dhe psikja, janë pikërisht këto lloj raportesh subjektive me kujtesën individuale dhe kolektive. Kumti i bën thirrje jetëve tona. Kohës tonë. Relativëve të (ose pa) rëndësishme. Ëndrrave në kthim. Marrëdhënieve tona. Historisë. Kapacitetit absolut të përmasave të trupave, mendimeve dhe kockave tona, e shkuar e tashme e ardhme. Fajtor! – do të thotë të ndiesh pështirosje nga e vërteta dhe pesha e rëndë e përditshmërisë përballë zhveshjes materiale në kohën kur miqtë e zemrës i ka zëvendësuar paraja dhe “rregullat e lojës” që e bën tjetrin të ndihet i pasur pa peshuar, një kallamboq kokëbosh i kënaqur (duke u marrë frymën) dhe ngritur mbi të tjerët, sepse vetëm aty, tjetri gjen shkakun për të përligjur kuptimin e jetës boshe. Është një tmerr gjithëpërfshirës i strategjisë së thirrjeve në turma, jo vetëm për turmat, por veçanërisht për ideologët dhe makinë pastruesit e racionalizmit. Ndaj politika dhe aksioni social janë kategorikisht të papranueshme për letërsinë.
***
Artisti, krah veprës së vet, shpinë përkulur mbart edhe jetën e të tjerëve, duke e parë dhe kuptuar mu në ninëza të syve realitetin, më mirë se kushdo tjetër. E kush tjetër mundet të mbartë dhe zhbirilojë idenë e vetëvrasjes kolektive nga shpëlarjet e truve? Përpos artistit të vet sakrifikuar shumë larg mbërritjes në buzë të katastrofave. Përballë Tartarit të pagojë. Në shërbim. Në faltore. Gjithkund ku e zë terri. E kush tjetër mundet të kuptojë dhe ndijojë pafuqinë kolektive, për të qenë dhe dëshiruar, më pranë njëri tjetrin? Ernesto “black” Sabato me të gjithë artilerinë e rëndë të thirrjeve të veta për më tepër humanizëm, ngelet një nga gjeneralët më të devotshëm të letërsisë, dhe jo vetëm, dhe mbi këtë të fundit, dhe mbi vet letërsinë, të qenit njerëzor, tepër njerëzor, përmes lëndës së shkruar! Letërsia rikthehet kundra vetes. Letërsia i jep kuptim vetes. Letërsia zë vendin e vet në heshtje. Përballë kolektivizimit. Përballë kësaj shkretani të thatë duke ëndërruar oazën e pambërrishëm, mund të shquaj përmes territ vetëm dy tre prej morisë së tyre të panumërt të cilët i dua të gjithë njëtrajtësisht e po njësoj; dy tre tipa të këndshëm që i kanë këndellur netët e mia lunatik, dy tre “rrugaçë” me të cilët kam bredhur netëve dhe barakave që mbartnin erë alkool dhe amoniak shpirtrash të trazuar, dy tre thyerës xhamash e portash, çarës muresh, grushtdhënës e zaptues kështjellash kryeneçe. E për këta tipa nuk mundem dot tu flas. Sepse nuk janë pjesë e letërsisë. Por shpesh imazhi i tyre më ngatërrohet me Shekspirin, Dostojevskin, Floberin, Gogolin, Franc Kafkën dhe Henri Milerin, për të përfunduar në një nga bodrumet dhe katakombet e nëndheshme të Buenos Airesit, duke folur arbërisht me Ernesto Sabaton. E kush mundet t’i kuptojë më mirë terroristët përveçse me terror? Terror që shpesh ndodh mu në mes të ditës, nën sytë e ligjit dhe të drejtave të nëpërkëmbura civile. E kush mundet ta kuptojë më mirë vrasësin përveçse me kundër vrasjen që diktojnë sytë e të vërtetës? Respekti im i vazhdueshëm për Dostojevskin, ka qenë gjithmonë shumë herë më superior, në krahasim me Frojdin. Të shohësh jetën me sytë e më të padurueshmes përditshmëri që ne vet e kemi shkaktuar dhe jemi (duam apo nuk duam) fajtor. Si të kesh kryer një krim ndaj kohës ku jetojmë.
***
Fajtor të asaj çka e konsideroj me bindje si padrejtësi. Padrejtësinë që i veshin padrejtësisht artit dhe letërsisë vet njerëzit duke e konsideruar si të pavlerë. Duke e anashkaluar dhe konsideruar si pa pikë vlere. Në mundsha, një ditë, t’i kthej shpinën Letërsisë, kokulur të vazhdoj rrugën tim si qindra të tjerë që ven e vijnë e shuhen në këtë det, do t’i rikthehesha si një “lamtumirë”, e fundit, çështjes nëse Letërsia veçanërisht, dhe Arti më gjerësisht, ka ndonjë farë vlere apo jo në Jetë dhe Përditshmëri. Dhe ka për të qenë as më pakë, e as më shumë, si një “lamtumirë armë” e trishtë… Por kjo ndodh si reflektim i jashtëm dhe nga jashtë. Nga brenda kalbja tenton kalbëzimin e frytit të bukur. Durimi i të talentuarit krah përditshmërisë, vjen si mirësjellje në art dhe prej artit, me një mëshirim të dielltë, me lëndën e shkruar, e zeza mbi të bardhë, si një verdikti i kohës dhe për kohën tonë. Me pamjen unikale të shegës. Të frytit (hë për hë të anashkaluar) që nuk ka asnjë vetëdije të ndryshme përpos faktit që duhet të mbajë fort pas vetes, pjesën më vitale, kokrrat e saj të kuqe, si rruaza gjaku. Koha e shegës rrjedh me të vërtetë, dhe stinët ndryshojnë në thellësi të gjakut. Koha unikale e shegës nuk mund të ketë mbërritur, mundet të jetë edhe një utopi e imja si njeri ëndërrimtar stinësh me bereqet, ka shumë gjasa të jem i tillë poshtë strehës ku pikon shiu i një dite më se të zakonshme. Por pamja e saj ekziston, e pavarur nga ne. Nga të gjitha jetët tona. Nga jeta e gjithsecilit. Fruti integral i shegës më pozicionon përball fenomenit: Letërsia kundra Letërsisë! Letërsia nën vështrimin e Meduzës. POSHTË LETËRSIA!, apo RROFTË LETËRSIA! Sepse tek e fundit letërsinë e bëjnë njerëzit. Dhe të qenit tërësisht njerëzor, pa kushte, i jep dinjitet Letërsisë. I jep dinjitet shkrimtarit dhe artistit. I jep vlera përpjekjes për të qenë i lirë. Çliron tjetrin (brenda meje) nga vargonjtë e padukshëm që e mbajnë të lidhur pas saj. I jep dinjitetin e duhur këtyre rrëfenjave mbi veten e të tjerë, që rrëshqasin, po po rrëshqasin rrëshqanthi, nëpërmjet tekstit nga fjalët tek njeriu, ndërsa për habinë time cullake, më të papritur, po filloj të ndiej një lloj ndenje zhveshjeje të përlyer me thirje idiote, krenari boshe, urrejtje dhe tmerr, e turp të ëmbël.

Tags: , , ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: