Bonne Anee – Vit të mbarë

by

Avenue des Champs-Élysées

nga Darien Levani

Shok i dashtun, unë përgjithësisht nuk shkruej përshtypje, as për Krishtlindje as për Bajram, as për ditëlindje as për ndoj feste tjetër*. Por ja që këtë vit diçka më ngacmoi.

Në radhë të parë, këtë vit vendosa të mos pranoja ftesa e as të bëja ftesa mes të njohurish. Unë gjithmonë kam preferuar ta kaloj Vitin e Ri mes miqsh sepse është Viti i Ri, e më kanë mësuar gjithmonë që s’është mirë ta kalosh vetëm. Kështu që, kush duke e kuptuar e kush duke e pa kuptuar, të gjithë,  vetëm e vetëm për të mos qënë vetëm, pranojmë ftesa nga njerëz që ndonjëherë s’janë vërtet miq vetëm për të qënë më shumë njerëz. Për të folur, për të ngritur gotat me dikë në ora 00.00. Edhe unë e kam bërë ndonjëherë, për Vit të Ri a për Krisht Lindje, me iluzionin rinor se duke qënë me të tjerë nuk do isha vetëm. Por është hipokrizi, e në një fare moshe dikush duhet të dali kundër hipokrizisë, apo jo?

Kështu që këtë 31 dhjetor refuzova ftesat  (që nuk është se ishin edhe shumë), nga një anë për arsyen e mësipërme, e nga ana tjetër sepse vërtet duhet të punoja, domethënë, të shkruaja. Gjë që bëra. Shkëputur tek tuk nga ndonjë mesazh a telefonate urimesh, arrita të kaloj darken duke punuar.

Një mikeshe e mirë para një jave më kishte dhuruar një verë që hapa sonte. Marka e verës, në mos gaboj, është 1995-2005, Bordo. E hapa për të shoqëruar darkën time dhe nuk ishte aspak keq, besoj se ishte 14 vjeçare.
Mirëpo, nga një anë festimet e shumta që bëhen në këtë qytet, nga ana tjetër dëshira fëmijërore për ti parë këto më bënë që në një farë momenti të çohesha, më shumë për të bërë një xhiro e për tu shplodhur, se sa për Vitin e Ri në vetvete. Kisha marrë vesh që në Trocadéro, përballe kullës Eiffel bëhej një spektakël ngjyrash kështu që vendosa të shkoja atje. Por, siç më ndodh zakonisht dola shumë vonë e pa llogaritur faktin që në orë të tilla metrotë janë më të rralla e që në festa të tilla janë plot. Kështu që lashë të ikte metroja e parë sepse ishte vërtet plot, me aq shumë njerëz saqë s’mbaj mend të kem parë as në linjën Shkolla e Bashkuar – Kombinat, e morra te dytën kur ora tashmë shënonte njëmbëdhjete e gjysëm. Metroja e dytë më shumë se sa një metro ishte një breshkë sepse ndalej rreth 4-5 minuta në çdo stacion, e për më shumë unë duhet të ndërroja linjën 13 për të marre 9 që të çon deri në Trocadéro. Shkurt muhabeti, në ora 23.45 i preva fare shpresat për të arritur përballë kullës. Për të evituar incidente punonjësit e metrosë kishin zënë të gjitha hyrjet e të detyronin të prisje goxha kohë. Unë në fakt kisha vetëm mëshirë për ta, klasa proletare dreqi ta hajë, po kujdeset që unë të mos hipja në një tren plot me njerëz, po punon ndërsa akrepet fluturojne drejt 2010. Ata që bëjnë punën e gjinekologut, ata qe punojnë aty ku gjithë te tjerët zbaviten, ishin përpara meje me thjeshtësinë e tyre e me rreptësinë e uniformës. Doja tu thoja që i admiroja, që ndihesha në faj që ata punonin për mua e unë jo, unë hipja nga një metro në tjetrën pa e vrarë mendjen. Doja tu thoja që shpresoja të përmirësoja jetën e tyre, por s’do ishte e drejtë. Do bëhesha qesharak e ata do reagonin keq, duke e marre këtë timin si fjalimin e një të dehuri, s’do e kuptonin vërtet se për çfarë po flisja a ndoshta do me përgjigjeshin që punonim vetëm për leket, jo për mua.

Kështu që hoqa dore, u urova Vit të Ri e dola aty ku gjëndesha, në një lagje të panjohur pa asnjë objektiv. Qëllimi im ama u bë i qarte kur pashë rreth e rrotull : të ecja andej nga po ecnin të gjithë njerëzit, diku do dilja. Njerëzit nuk më zhgënjyen duke qënë se për nja 10 minuta më nxorën në Champs-Élysées. Habia e mirënjohja ime përveçse njerëzore ishte edhe gjeografike duke qënë se unë nuk e mendoja fare se ndodhej aty, kujtoja se ishte komplet nga ana tjetër e qytetit. Sidoqoftë, isha në Paris, isha në Champs-Élysées, kisha verën time 1995-2005, kisha cigaret e mia Gamel, kisha zippon tim legjendar e ora shënonte rreth 23.57. Bon Anee! Gëzohemi tani?

Xhirova për disa minuta lart e poshtë në Champs-Élysées derisa pashë pa dashje orën. Ishte 2010, gëzuar. Nuk ndjeja ndonjë gëzim të madh. U ndala të flisja me disa çupa irlandeze për përtoja të sqarohesha me to, për më shumë në anglisht, kështu që i lashë.

Nga të gjitha anët më vinin gjuhë të huaja, vetë rruga ishte një hymn globalizimi. Është interesante të kapesh mënyrat e ndryshme të urimit në gjuhët e huaja. Happy New Year. Bonn anne. Auguri cazzo. Aii zvai polizai draj fierr brigadierr.

Por, a mund t’jua them : s’ishte asgjë e madhe. Po, e di, ishte Paris, ishin Avenue des Champs-Élysées ( C. É ) , ishte verë Bordo, ishin vajza irlandeze, ishte 2010, por s’ishte asgjë e madhe. Unë vendosa të bëja C. É nga fillimi deri në fund e vendosa të lija që gëzimi i tyre të më influenconte. Mendova qe duke ecur mes tyre entuziazmi do më binte në trup tamam si shiu, e unë doja të merrja sa më shumë që ishte e mundur. Por s’kishte gëzim tek ta, kishte vetëm gjysëm të dehur si unë apo të dehur komplet. Kishte njerëz që shikonin njëri tjetrin në sy e pyesnin “ Po tani çfarë do bëjmë?” E askush që përgjigjej, kërkonin gëzimin që s’kishin, e pretendonin  me insistencë. Kam menduar gjithmonë që festat janë rast i mire për të qëndruar me njerëzit që do, e pike. Janë të mira nëpër familje sepse askush nëpër festa nuk kujton helmet e varrosura, të gjithë lënë mënjanë ankesat, mundohen të jenë më të mirë sepse data në kalendar thotë që duhet të jenë të tillë. Por jo aty. Aty festonin sepse ishte festë e kështu që ishte festë sepse ata festonin. Kaq. Unë i shikoja edhe mendoja “ Ok, vazhdoni kështu, se herët a vonë do ju rras në një ese, vazhdoni kështu, më jepni histori për të cilat të shkruaj, po, më pëlqeni kështu.”

Një grup djemsh, rreth dy apo treqind, shumica të zinj, bënin me vrap C. É duke bërtitur. Dikush bashkohej me ta, dikush i shante ose u uronte Bon Anee. Këtu të urojnë të gjithë, edhe pse nuk të njohin. Një lypsare uronte Vitin e Ri duke të zgjatur një gotë plastike. E unë gërmova portofolin për ti dhënë ca monedha, pastaj i urova edhe unë një 2010 të mbarë. Më falënderoi.

Nëpër lokalet anash C. É dëgjohej një muzike diskoteke, gjithmonë njësoj, tza tza tza tza tza, gjithmonë njësoj. Në një moment një polic më shtyu sepse po kontrollonte dokumentet e një tipi e s’donte të shqetësohej nga unë. Franca është shtet gati policesk, policet e këtushëm zakonisht janë arrogant e të shpejtë. Unë e pashë në sy për një sekond e mendova që do e fusja edhe atë në këtë histori, si urova asgjë e ndryshova drejtim. Por duhet te jesh vërtet polic të kontrollosh dokumentet në atë ore e në atë vend.

Mesnatë kaluar kthehem. Por, a mund ta them, unë mendoja për Tiranën. C. É është më e madhe e ka më shumë drita se sheshi i Gjergj Kastriotit, por nuk është si ai. Në mendjen time mendoja për turmën para pallatit të Kulturës, për djemtë që nëse i pëlqen ndonjë e panjohur shprehin dashurinë e tyre duke i hedhur kapsolla te këmbët, për tymin e barutit që shoqëron Vitin e Ri të ne, për ndonjë koncert që bashkia me siguri do ketë organizuar, për pubet e ngrohta, për gjuhën tonë, për vendin në të cilin mund të urosh pa u munduar të gjesh fjalët e duhura, për aty ku uron në gjuhën e nënës. E mendoja që nëse do kisha mundësi të kisha para meje të gjithë ata, kryesisht adoleshentë,  që festojnë fundvitin në shtëpinë e tyre shqiptare e ëndërrojnë të jenë në Paris, Romë , Manhattan a Berlin, do u thoja që këtu s’ka asgjë për ta. Viti i Ri ideal është ai që kalon me familjen tënde deri në ora 12.00 e me miqtë e tu mbas orës 12.00, duke bere gjera që me prindërit s’mund të bësh.

Radhe për të hyre në metro ishte e pabesueshme. Një mal me njerëz, si ne dikur para anijeve që niseshin për në Brindisi. Unë u mbështeta në një parmak, bëra një cigare e i shikoja. Anash meje ziheshin dy miq, besoj amerikanë. Njëri, shumë i nxehur, ankohej sepse ishte ulur aty e me sa dukej miqtë e tij s’e kishin parë e kishte kaluar mesnatën duke pritur miqtë. Ishin veshur mirë, me kostum e  kollare. Tjetri kishte një kapele të Yankees edhe i thoshte që nuk e dinte. I am not fuckin blaming you, I am fuckin tellin you – thoshte i nxehur akuzuesi. But i didn’t fuckin see you – përgjigjej Yankee. I dëgjova ca minuta por s’kishin shpresa as për tu pajtuar e as për tu zënë. Ai që kishte kaluar mesnatë i ulur duke pritur, sa herë qe nxehej shumë kërcente të paktën gjysëm metri nga toka e ndërkohë lëshonte tre apo katër “fuck” njëkohësisht. Nuk e di nëse libri Guinness merr në konsiderate fenomenë të tillë, nëse ka një pjesë me rekordin e “ Sa “fuck” mund të thuash ndërsa je duke kërcyer”. Sikur të ekzistonte ai do ishte kampion, j’ua siguroj. Afër tyre një mik i tretë rrinte me telefon në vesh e i shikonte. Sa here afroheshin shumë futej në mes nga frika se mos qëllonin njëri tjetrin. Por nuk fliste në telefon, e mbante në vesh e kaq. Me shumë mundësi kishte celularin hapur sepse dëshironte që njeriu nga ana tjetër e linjës të dëgjonte se çfarë po ndodhte aty.

Nga ana tjetër radha e metrosë ishte trembëse kështu që mendova të ecja akoma pak, të paktën derisa të përfundoja verën që tani anonte më shumë nga fundi. Morra një rrugë që quhet Avenue Montaigne**, thjesht sepse ishte e veshur me bredha mbushur me drita të kuqe e më pëlqente. Aty përfundimisht dha shpirt, në mënyre heroike 1995-2005, rënë në krye te detyrës duke më shërbyer. E hodha në plehra, e në fund te bulevardit morra metronë 9 ku të gjithë më flisnin gjëra pa kuptim. Gjatë gjithë natës e mbaj mend që fola me shumë njerëz në të gjitha gjuhët që di por tani kujtesa më braktis. Ndërrova metronë duke u uruar festat disa djemve arab, për këtë jam i sigurt. Nuk e di se si ndodhi që po flisja me ta. Ishin një grup i madh e si në të gjitha grupet e tilla ekziston dikush që flet me të gjithë ndërsa miqtë e tjerë u shpjegojnë të gjithëve që është djalë i mirë, thjesht ka pirë.Bon Anee, Bon Anee. Stacion ku zbrita është ca larg nga ku banoj, por kisha dëshirë të ecja.

Zbritur në La Fourche bëra një cigare e erdha deri në shtëpi. Vura një album të Dylan që titullohet Highway 61 Revisited, pastaj u ula në komputer e të shkruajta këto rreshta.

________________________________________________________

* Për të gjithë ata që do ngrihen në këmbë e do më drejtojnë gishtin sepse kam vjedhur imzot Millosh Gjergj Nikollen, jo, është thjesht një homazh. Vjedhja është gjë tjetër

** Se di sa ju duhet emri i rrugës. Por nëse ky tregim do ju beje përshtypje ndoshta do e kërkoni, pse jo. Unë ndonjëherë kërkoj rrugët e përshkruara nga Balzac a Leblanc. Rrallëherë i gjej, besoj se shumë emra rrugësh janë ndryshuar mbas luftës së dytë botërore.


 

Tags: , , , , ,

8 Responses to “Bonne Anee – Vit të mbarë”

  1. Altina Says:

    Pershkrim i bukur. Nuk eshte ai pershkrimi tipik “gezim-mbaresi-qef naten e vitit te ri”. Nuk eshte “scontato” (me fal italianizmin!) dua te them, te ben ta lexosh deri ne fund!! Bravo dhe urime nga dikush qe festimet i beri ne Durres, me familjen dhe… me kapsollet, qe per sa mund te perbejne tradite ne vendin tone, jam gjithmone e mendimit se shitjen do kishin bere mire ta ndalojne!:D

  2. Dorina.B Says:

    Me ka pelqyer shume kjo pjese .
    Kur e lexova mbreme po mendoja se me cfare muzike pershtateshin imazhet dhe ndjesite qe krijoi ky lexim …e sot i rashe ne te “Parisienne Walkways”🙂

  3. yummania Says:

    me pelqen ..eshte shume e vertete sa thua.

  4. Miss Germs Says:

    nuk e lexova ….e perpiva!!!!! Buon Anee!!!😀😀😀

  5. xhenius Says:

    me “gezon” fakti qe dikush tjeter ka ndjere te njejtin zhgenjim qe provova para 3 vjetesh ne te njejtin vend,sa i ngjashem me bulevardin tone,aq i ndryshem e i ftohte!

    Vit te mbare!

  6. ehe... Says:

    Gezuar dhe nga une, te gjithe lexuesve te kesaj faqeje, Vitin e Ri 2010. Me sa me shume gjera te bukura.

  7. Alket Bushi Says:

    Kronikë mbresëlënëse! Të përgëzoj Darien!

  8. It was Christmas Eve babe… « Tirana Calling Says:

    […] Krishtlindje, fundviti e punëtorë, dhe Migjeni pastaj, po, babagjyshi… Share this:DiggLike this:LikeBe the first to like this post. […]

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: