Sadopak për t’u dashur… (Pjesë nga një poemë e gjatë…)

by

 

 

Nga  Erina Pavle Çoku

… Lajmëtarët janë mbledhur në një kënd
Ata janë netë të pagjuma
Me petka mendimesh të vjetra
E udhët e shpëtimit
Janë një zhveshje lakmitare
Për te fituar liri të përveçme
E për të mos u kthyer në ngrehinat e ftohta
Që kohë pas kohe
Po i bëjnë qelat e grrucjes edhe më të lëmuara

Lajmësat në  një kënd rrinë
E mbledhin lajmësa të tjerë
E të tjerë
E të tjerë,
E duart i kanë bosh
Se lajmi nuk bëhet dashuri
Që t’i shpëtojë
Ose dhe dashuria
Nuk bëhet lajm
Që t’i plasë muret.

Ani çka…
Do vijë e do fryjë një erë e çmendur
E do pështjellë gjithsej prej zgripit të qenies
E ka për t’u dëgjuar
Veç ulërima e thatë dhe e gjatë
E gruas që e zbraz shpirtin
Me shpinë në mur
E duar në faqe.

Lutu sa të duash
në stol të përjashtimores,
rrëfeji me mërmërimë
dëshirat e tua të athëta
të bëra thana mendimesh në ngjërimin tim
të kuqe, të kuqe përndezëse
rrokull vetes…

E ka frymuar kush këtë mëngjes?
Pse vallë e rijetoj çdo të diel
Si të qe një gjallesë duarlidhur
E me sy lutës për t’u hedhur tejanë pragut…

Kujdes derën
Ajo është çelë sapak
Që të mbërrish më tej
në një deriçkë të vërtetash
ku thellësia e ninëzës
ka një lakuriqësi ndjenje në fund
e veç buza jote mund ta lexojë
si një shqisë e pangjashme
që udhëtuar më ka
nëpër shpirt…
e ndër duar më ka lënë
sapak relativitetin
e kohës e të botës
po mshelur ma mban
gjithsej tjetër,
Pse m’i mban mshelur?
Dorështrënguari im
Me rrathë uji
Në fytyrën e shkruar
me vështrime të kithta dëshirimi të bjerrë
në çka unë mund të jem
Bëhem, jam…

Fjalët, fjalët na kanë vrarë
Ka shekuj që hidhen mbi ne
Mbi mua e ty
si një ushtri heshtarësh
me mburojë letre…
Fjalët na kanë ndërsyer
ndaj njëri-tjetrit
të varfrat fjalë
të këqijat mercenare
që nuk dinë të mbrojnë
bukuritë tona të amshuara me shpirtlëkundje
prelud të një tërmeti qeniebërës…

Fshihi, fshihi…
Mbaji, mbaji  drynat e qiellit tënd të mshelë
E mos m’u kënaq duke më kundruar teksa vërtitem
Të dal,
Të rrëmbej veten tënde…

Qenie lodërtare
Që më zhbiron me sytë e tu lojcakë
Unë kam dritaret e mia që
S’i mbyll dot kush
E kam krahë përfytyrimi
Që mbërrijnë
Edhe vetë renë
kur i kalon bri kullës tënde me frëngji gjahtarësh
e nënqeshje çarku në prag…

Të krahasueshëm ose jo
I shkërmoqim mendimet njëri-tjetrit
Si misër për urinë e ndjenjave
E ca i ruajmë si gurë të fituar shahu
Sadopak për t’u përballë,
Sadopak për t’u dashur

Advertisements

Tags: ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: