Pasqyrat

by

nga Loer Kume

Ç’po bën ti, në errësirë, me sy hapur. Duke luajtur me perden e lehtë pupël, mbuluar shkujdesshëm me çarçafin e hollë? S’të zë gjumi? Ndihesh melankonike? Jo? Mendon? Je në kujtime? Diçka të bren nga thellësitë të errëta shtatëmbëdhjetëvjeçare të shtratit tënd të natës. Sikur tërë bota nxiton, tërë njerëzit janë qendra aktive dhe ti je jashtë kësaj rrëmuje të bukur e të gjallë, jashtë rrezes së ndonjë qendre e larg të qenit qendër vetë?

Eshtë thjesht ndjesi…ti e di që je një botë më vete. Ja, po komunikojmë bashkë, nuk ndodh me çdokënd. Duhen ca grimca drite që i gjeta në ty.

Ndjeva minus, kërkesë, nevojë, thithje përmes atij kalimit të hollë të dritares aq pak të hapur, dhe ja! Buzëqeshe! Tani, do një përrallë? Do të dish këtë historinë këtu? Eshtë me ngjyra të forta, po. Një histori dashurie shumë domethënëse për të kuptuar një grimë nga NGJARJA E MADHE.  Ku ta zuri syri, kurioze e vogël?! Tërheqje fatale kjo e jetoja. Por, mirë. Do ta rrëfej.

Nga e di unë? Hmm! Ta rrëfej pastaj.

Ata nuk ishin saktësisht të dashur. Po po! Sigurisht, nëse pyet në atë kuptim. Duheshin me një dashuri të humbur tanimë në errësirën e kohëve dhe shpellave primate.

Me një dashuri si qiri i fshehtë, i çimentuar nga flakët në mishin e tyre që ndriçonte nga brendësia e thellë, në momentet më të errëta. Që do të thotë, duheshin kur u binte prapanica ngushtë. Që do të thotë, kur çdonjëri nga ata ndihej keq dhe vuante, menjëherë kërkonte tjetrin, oaz në shkretëtirën e pamat të botës së vetmuar.

Ishull i shkretë sekret, ku fshiheshin nga të tjerët për t’u mbrojtur.

Momentet ku kërkoheshin instiktivisht (ajo këmbëngulte të kishte ndikim telepatik mbi të), ishin të rralla dhe të skajshme. Në thelb të depresionit, e në kulm të euforisë. Pjesa tjetër ishte kontur i lidhjes së tyre të zgjidhur.

Si pse? Po të zgjidhur, se ata nuk ishin bashkë.

Miq të përjetshëm? Jooo! Absolutisht. Ata talleshin keqas me këto përcaktime “njerëzore”siç i quanin. Sepse mënyra si duheshin, dhe silleshin keq ndaj njëri-tjetrit, ishte shumë larg të qenit miq. Si? Lëndoheshin, the? Jo. Ata shkonin tutje, shumë më larg. Në ekstreme.

Torturoheshin në mënyre të vazhdueshme, pa norma dhe kufij.

Gërvishtinin me fjalë, ashtu si dy kafshë maten me njëri-tjetrin duke u parë në sy e nuhatur para se të ndeshen, dhe tutje, lojërat fizike ktheheshin në vuajtje.

Ja, ndodhte që, menjëherë pas një puthjeje të stërgjatë, ajo hapte derën e dilte rrugës si e çmendur. Kthehej pas dy javësh. Ai s’e pyeste. Nuk kishte si, sepse ajo e gjente me një femër në shtrat, skenë që ai kishte kohë që e përgatiste. Sigurisht, ishte e tmerrshme. Por edhe ajo vajzë, ishte një karakter i tmerrshëm, e torturonte djalin egërsisht, dhe kënaqej e qeshte.

Megjithatë, momentet e tyre ishin të ëmbla. Aq të ëmbla…

Ai adhuronte çastin kur arrinte ta bënte të butë dhe të gatshme ndaj puthjeve të tij. Adhuronte fytyrën e saj me të ëmblat e të thartat tipare. Adhuronte t’i prekte ato faqe të zbehta, ato buzë, ata sy të mëdhenj të kaftë, dhe, ndiente zemrën jashtë ritmit, në konvulsione të çekuilibruara rrezikshëm. Dhe ndiente të shuhej krejt qenia e tij në çmendje, kur ndihej i pranuar e i thithur prej saj. Kur ajo bëhej si një lule e gatshme për të ngopur bletën më të dashuruar.

Në ato momente ajo bëhej e bukur.

Eh! Si moj vogëlushe, s’ishte e pamshme?! Ajo ishte femër e hatashme. Por nuk e përdora në atë kuptim fjalën e bukur. E bukur aq sa femra shprehej nëpërmjet saj. Deri në skaje, ajo ishte mishërimi i femrës. Ashtu si bëhej e urtë, e përkëdhelur, e ëmbël, e tulatur, e dashur, me sy të ndritshëm, ashtu si prekte, si hapej, si lagej, si donte të thithte tërë trupin e tij, si donte të ishte e përfshirë, e lëpirë, si donte të ishte e zotëruar nga mashkulli dhe ashtu si sillej pas orgazmës, ëmbël dhe tërë dashuri, ajo ishte FEMRA.

Kështu, duke vëzhguar e përgjuar ata, kuptova shumëçka. Dhe dua tani të të rrëfej si e di unë dashurinë. Kjo ka qenë  shfaqja më e veçantë që kam parë deri më sot. Dhe kush? Unë… mendoje pak! Për të qeshur!

***

U takuan një darkë të bukur blu, tek ecnin rrugëve të çuditshme. Dhe u vështruan me simpati kohësh të lashta. Sepse, në atë moment të caktuar, të dy ata, ashtu si shumë të tjerë të zgjedhur, ashtu si dhe UNË, po admironin me mendje njerëzit që ecnin vetëm. Njerëzit që ecin vetëm në rrugë, janë totalisht të përqendruar te vetja e tyre dhe…

Jo, jo. Le të kenë probleme. Të kujt janë hallet në mos të vetes së tyre? Pikërisht pse mund të jenë duke menduar, qoftë për hallet, UNË dhe shumë të tjerë themi që njerëzit që ecin vetëm janë me veten e tyre. E duke qenë vetëm me veten, njeriu që ecën vetëm, i futur në gjendje të pavetëdijshme nga ritmi i ecjes së vetmuar, bëhet rrezatues i vetvetes, d.m.th., i ofron vetveten botës, pra është origjinal dhe i veçantë. Dhe çdo gjë e veçantë në botë është e bukur, jo?

Mirë, u zgjata shumë. Pikërisht për këto arsye, i kapën valët e tyre në ajër dhe u buzëqeshën. Aq ishte. Atë ditë folën e folën. Kishin shekuj pa hapur vërtet gojën. Nuk e kuptoj qartë nëse bënë dashuri atë natë blu, por ditët më pas, ajo u zhduk. Nuhati rrezik që në orët e para, mund të dashurohej me këtë djalë, e pas do kohe të gllabërohej nga një gjendje e padëshiruar humbjeje, mungese e mëshire. I dërgoi një letër të tipit “ …ika se kam frikë se ndiej për ty, dëgjohemi…ndonjëherë…” dhe u zhduk.

Ai i bëri freeze në trurin e tij, dhe vazhdoi rrëmujën e përditshme. Në një karrierë politike nuk ka vend për gjendje të nxehta të së veçantës.

Ajo ndoqi gjakun e egër ku e shtyu, në një jetë të pavarur, pa familje, pa frerë, bëri tërë qejfin që kishte imagjinuar ndonjëherë, në një liri të pamasë e të shfrenuar, duke jetuar eksperiencat më fantastike, të një femre.

Por, në fund, në momentet e qetësisë, kur mbyllej vetëm në dhomën e saj, në tempullin e paprekshëm ku asnjëri s’kishte shkelur, diçka e guduliste brënda vazhdimisht. Diçka e humbur. E largët.

– Po çfarë është kjo gjë e penguar e harruar, dreqin?

Dhe një ditë, pasi kishte parë një ëndërr, një vegim të dhunshëm me të, i çoi një letër tjetër.

“Dikur të kam njohur. Aty je?”

Dhe u takuan sërisht. Çuditërisht, kishin bërë të njëjtat gjëra.

Hëë? Ç’ke bërë? Ke fituar para? Ke marrë post të rëndësishëm? Kam dëgjuar?… unë drejtoj tani zyrën juridike në kompaninë… po ti me sa ke shkuar? Sa ke shijuar? Me një femër? Sa do doja të isha aty…pervers…shaka…e pse qënka shaka? Ti do të doje të ishe aty…do doja që ç’ke me të…do t’ia bëja asaj shoqes tënde qejfin…aspak, ajo do të më donte mua, dhe ty do të të linte me atë në dorë…e lajthitur…do ikim në Vlorë? Kur? Sonte…Ikim.

Ndërsa po ktheheshin nga plazhet e shkreta magjike të ishullit të Sazanit, ku kishte vetëm gurë, diell dhe kripë të dendur në detin që kishte mbajtur pezull trupat e tyre krejt të zhveshur, aty, në mes të detit, ai fiku motorin e varkës, dhe pinë të dy perëndimin dhe shishet e mbetura.

Në det të hapur, përkundur nga valët e lehta i gjeti nata e pamat e jugut. Ai piu sërish, i dehur, me sy të kuqtë dhe e trembi vajzën keqas.

– Tani do të të hedh në det…gjithmonë e ke ditur që jam i çekuilibruar.

Ajo qau për herë të parë nga një djalë.

-Të urrej, kafshë, unë erdha për ty, ti…, – ulëriu me lot në faqet e skuqura.

Ai piu gotën me fund, shpërtheu në të qeshura, u pushtoi në gjoks me një ndjenjë të thellë prehjeje, dhe rodhi në atë qenie femër pa fund.

Ishte diçka e bukur të shihje dy elementë të dallueshëm, zjarr dhe çelik, të luanin aq natyralë me njëri-tjetrin. Më në fund, në paqe me shoqshoqin, kuptuan, me hir e me pahir.

-Kemi rënë në dashuri, – pëshpëritën pranë buzëve, dhe pyetën njëherazi: – Me kë?

U përgjigjën njëherazi:

-Me ty!

U frikësuan nga koincidenca e fjalëve. Panë se çdo detaj ishte i shkruar aq përpiktë atë sekondë.

-Po harroje se do të ta them prapë, -tha ajo.

-As që dua të ma thuash se ndryshe do më velitesh, -tha djali.

Shëtitën dorë për dore rrugëve të kryeqytetit. Tirana i njohu për të dashur. Dhe dikur bënë dashuri në një dhomë oxhaku, muret veshur me të purpurt, e tapete të plotë, në një shtëpi mesjetare guri në Venezia. Afër zjarrit, të dy të zhveshur, duke ngrënë mbi njëri-tjetrin, duke u lagur me verë të kuqe, duke u lëpirë, kafshuar, pickuar, ndukur, vrarë, gjakosur, puthur.

-Do të të hedh në zjarr, -i tha ai sërish.

Ajo e gërrici me thonj në shpinë, dhe i kafshoi mishin e bardhë të sisës së djathtë.

-Kush është gjëja që do të bënte më keq. Ma thuaj! Ma thuaj pa u menduar! Shpejt!

-Humbja jote do më bënte keq mua. Dhe botës. E vetmja mundësi që gjithësia ka për të më thyer. E vetmja mundësi që të mbetem vetëm. Dhe në botë do ketë një shpirt të vërtetë, të gjallë, më pak. E ana e errët e forcës do marrë një pozicion më shumë.

-Trap! O trap i bukur, me kukulla në tru! Qeshi ajo, me sy të ëmbël.

-Po ti? Ç’mund të të bëjë keq ty?

-S’ka ç’të duhet ty.

-Fol! I kafshoi buzën ai.

-Ooh! Mjaft! Do të them sekreteni tim? Mirë. Babanë.

-Çfarë babanë?

-Ai është dobësia ime e fshehtë, sekrete, pika më e ndjeshme.

-Ti, rrotë edipiane e dreqit!- zhyti kokën në jastëk ai. – Të q…. babanë! Ndodh në jetë, që të vdes babai pikërisht kur rrëfen sekretin tënd të dobësisë!

-Idiot! -qeshi ajo me të madhe duke i kërcyer sipër.

Jashtë binte shi i egër, dhe si gjithmonë në këto skena, ishte e frikshme të shihje degët e pemëve të rralla të zhveshura, si kthetra dreqi.

Por, ishte mirë të mbyllnin perdet e kuqe gjak, të shtriheshin në tapetin e bëshëm, të deheshin sërish, të zbërthenin njëri-tjetrin deri në kopsat më të fshehta të shpirtit dhe…

-Sigurisht, më mirë këtu, se jashtë në shi, në botë. Megjithse, do ngordhja të shihja thithkat e tua si forcohen nën shiun e ftohtë, pasi unë të të kem mbyllur jashtë lakuriq.

– Do të ndieje një dhimbje të madhe në lulet e tua, pasi unë do të të bëja magji, -tha ajo, duke e puthur te shputa e këmbës.

Ai i ndjeu zemrën si i rrihte.

Ajo iku prapë.

Ai e adhuroi jetën e saj. Ikte ku t’i kërciste damari i momentit. Miss aventura Jones do ishte e tmerrshme për ta prezantuar me prindërit, me sjelljen e saj prej vajze të mirë të sajuar, por perfekte për të gjuajtur krokodilë ose majmunë vrasës në amazonë, ose një luan të madh ngrënës njerëzish në savanë.

Po ajo iku larg. Sërish larg njëri-tjetrit.

Nuk ishin ndarë jo, e kur ishin lidhur vallë? Thjesht, ajo ishte larg. Për punë të veçantë. Ishte një punë që fitonte shumë. Që rritej shumë lart. Një punë sekrete. Flisnin shpesh, por ajo kurrë nuk rrëfente adresën, dhe as ç’bënte atje larg në një kontinent tjetër. Ai dinte vetëm që puna kishte të bënte me marrëdhënie diplomatike.

-Ti je Mata Hari. Më duket se je spiune, agjente sekrete.

-Jo, jo. Jam Nikita. Duhet të kesh shumë kujdes nga unë, s’ngatërroj kurrë ndjenjat me punë. Po mora urdhër për ty, i lave duart. Pranon?

Dhe ai pranonte. Gjithmonë.

Flisnin shpesh. Sidomos në fillim të largimit së saj. Në fillim po. Pastaj u harruan në shtjellat e çdo dite. Pas shumë kohësh folën sërish. Pasi gërmuan pak njëri-tjetrin, zbuluan se të dy ishin të lidhur me dikë. Dhe të dy ishin mirë. Ndiheshin të stabilizuar. Kishin të dy në krah njerëz të qetë dhe idealë për të ngritur familje të shëndoshë.

-Sigurisht që ta harrosh se unë do të martohem ndonjëherë me ty, -i tha ajo duke iu hakërryer.

-As që bëhet fjalë. Do martohemi se s’bën. Nuk ia heq dot kënaqësinë vetes të të kërkoj divorcin javën e dytë. Dhe pastaj do të bëjmë një vajzë. Do ia vëmë emrin Era. Sepse të dy jemi si era. Pasi ta bëjmë vajzën, do ta lë ty, e do zhdukem. Do kthehem prapë kur të ketë pushuar së qari. Dhe do ta mbaj në kurriz duke shëtitur bregut të detit ose duke pikturuar kot së koti. Ose do t’i mësoj muzikën. Do ta bë rock star vajzën. Dhe do bëhet qejflie e madhe si e ëma dhe kuçkë e madhe si i ati. Do shkojë me djemtë e pastaj do t’i braktisë.

– Jooo! Do t’i dojë, pastaj do t’i braktisë!

-Sigurisht!

-Dhe, me kë kishe ndër mend ta bëje fëmijën ti? Se unë nuk kam në plan të mbaj fëmijët e tu.

– Vajza jonë do jetë fëmija i shtatë.

-Po gjashtë të parët?

-Nuk e di, po ajo do jetë e veçantë.

Humbën.

Një ditë, pasi folën gjatë në telefon, ajo nxori nga dhoma të dashurin e saj. I dukej sikur po e tradhtonte djalin diku atje larg, në një cep të botës tjetër.

Dhe një ditë tjetër të zezë, ai qau për të, për tmerrin e një jete drejt fundit që ajo përjetonte, për luftën e saj deri në fund të gjakut, dhe pafuqinë e tij.

Ajo vuajti shumë duke rrezikuar të binte në një pus të thellë vdekjeje. Mbase, lotët e tij mbushën pusin e thellë duke bërë që ajo të notonte lehtshëm në të.

Sigurisht, që kjo është figurë letrare e realizmit magjik, po më pëlqeu shumë ndaj e përdora. Kam dhe unë pakëz shpirt artistik. E ke vënë re?

Sidoqoftë, ai në një mënyrë ose një tjetër, duke përqëndruar te ajo tërë shpirtin e tij, i fali një copëz jete nga e tija Kjo është e vërtetë. Pa figura. Se si ndodhi kjo mos më pyet tani, është histori shumë e gjatë që na ha kohë. Vazhdojmë.

Kaluan kohë derisa folën sërish. Ajo nuk dinte për jetën në formë shpirti që ai i fali nga larg, por i tha me një shqetësim makthi:

-Më janë vonuar periodat. Gati një muaj e gjysëm. Ai është i gëzuar po unë as që kam ndër mend ta mbaj – i   tha. – Por, është e tmerrshme ta heq. Më vjen keq! Ti si thua?

-Unë them që më duket se nuk je shtatzënë.

Djali atë çast u ndje i çuditshëm. Mornica i kaluan në shpinë. Po atë natë, ajo e mori në telefon e tmerruar.

-Çfarë dreqin je ti? Ti je shtrigan! U zgjova nga gjumi në mes të natës e mbuluar me gjak! Si ka mundësi? Më erdhe në gjumë…si erdhe? Ç’bëre? Brenda trupit tim? Më erdhën peroidat! Apo ishte një abort spontan? Se di! Ç’më bëre?

-Nuk di gjë…isha në gjumë. Dhe tani po ha ca biskota me qumësht.

Po, e drejtë, bravo vogëlushe, e kape, sërish ndoshi ajo diçka, ai ndikim i largshëm në kilometra, por do ta kuptosh thelbin në fund të historisë.

Kështu, pas kësaj ngjarjeje, u larguan të përçarë nga një ndjenjë e diçkaje midis tyre, diçka e ftohtë.

Ajo në një plazh ëndërronte të ishte me të.

Ai, në një klub xhazi ëndërronte të ishte me vajzën, që do kuptonte situatën e pafund të shpirtit.

Larg, për shumë kohë të tjera. Një vit pa u takuar. Dhe një muaj pa folur. Dhe pas këtij muaji…prapë, u kërkuan pa u ditur, dhe u gjetën pa u kërkuar.

Ulur në një klub të shkretë, një ditë vere, përpara dy shisheve me birrë të ftohtë që djersinte, me grepa e me karrema ndaj njëri-tjetrit, nxorën që ishin të turbulluar emocionalisht.

-E do ti atë?

-Po! Po ti?

-Ndihem shumë i lumtur këtë periudhë të re të jetës time. Sikur kam rilindur. Ajo është e vogël dhe e çmendur. Dhe ka një seks të ngushtë në shtrëngim dhe pushtim, ashtu si më pëlqen mua. Ti e di, gjithmonë kam dashur të jem ngjitur. Kemi vendosur të martohemi.

-Vërtet? Si kështu? Menjëherë? Do më ftosh në dasëm?

-Po unë kam dyshime për dasmën se kam njohur dikë tjetër, kjo vajzë, kam qenë vetëm dy herë me të, është si uji, të pushton, thjesht, kaq. Të mbyt, s’të lë të jesh.

-Vërtet? Si ka mundësi? Prapë të tilla rastësi ne të dy? Dhe mua e njëjta gjë, ka dy muaj që kam njohur një njeri, një burrë, është rreth të gjashtëdhjetave, dhe s’di të më ketë bërë kurrë një i ri atë dashuri aq të ëmbël sa plaku. Nuk jam në rregull. E dua shumë, James ama!

-S’e di…po si gjithmonë, kështu na ndodh ne, njësoj. Mirë që të kam ty, që ndaj këto me ty.

-Vërtet, po të mos kishim njëri-tjetrin?

-Jam i sigurt njësoj si para pesë vjetësh tashmë, që do vdisja.

-Vërtet?

Ajo e pa me sy të thyer. Dhe u pushtuan aq fort sa buzët nuk kishin më shpëtim.

Të dy donin dhe dy njerëz të tjerë. Pra, njëkohësisht të dy ishin të lidhur, të dy ndiheshin të qetë, të dy donin dy njerëz të tjerë, dhe të dy duheshin!

Një lëmsh i vërtetë!

Dhe sërish, pas ca kohe tjetër folën sërish (kishin aq kohë pa u takuar!) dhe zbuluan se të dy ishin të lidhur me të dashur civilë dhe seriozë, dhe aq të mirë, dhe që i donin aq shumë. Të dy ishin të dashuruar me persona të dytë me të cilët bënin seks të çmendur. Të dy i kishin thithur këta të dytët, dhe njëkohësisht, duke qarë hallet me një palë të tretë, kishin parë se ishin dashuruar dhe me të tretët njëkohësisht. Të dy kishin dyshuar se mos kjo ishte iluzion. Të dy kishin kujtuar se po shkisnin, çmendeshin. Dhe, të dy kishin dashur të flisnin me shoqshoqin, në fund të dy kishin dashuruar njëri-tjetrin me mendje, dhe të dy kishin bërë kolaps në njëri-tjetrin pa folur fare.

Kuptuan më në fund, se ky ishte thelbi i lirisë së tyre.

Liri emocionale, fizike, psikike për t’u çmendur sa të ta kishte qejfi, liri për t’u zhdukur e për të mos u kthyer më kurrë, liri për t’u ngjitur te tjetri. E di ç’flisnin?

-Ik se nuk të dua…

-E çë, pastaj? Të dua unë, nuk të shqitem!

-Po ik…mjaft se të vdiqa…

-Nuk iki. Të dua unë të thashë.

-Aajaaa!

-Eja se të dua!

-Jo, nuk vij.

-Po edhe ti më do.

-Po, të dua, po nuk vij.

-Po eja pra.

-Jo nuk dua!

Ai, kokëfortë, theu refuzimin e saj dhe i imponoi të bënin dashuri, sërish në mes të detit, duke dërrmuar kockat në dërrasat e varkës së vjetër me motor të fikur.

Të dy e thërritën veten me emrin e tjetrit, dhe tjetrin me emrin e vetes. Sepse, gjithçka pasqyrohej midis këtyre dy njerëzve. Dhe e di më të bukurën? Ata nuk ishin të ndërgjegjshëm që kërkoheshin, as si e thërrisnin njëri-tjetrin, as si takoheshin. Këto të tëra, thjesht ndodhnin. Kur duhej. Ishin shumë të zënë duke shijuar bashkimet e tyre, ndaj nuk i shihnin këto rastësi të habitshme që UNË i vura re.

Dhe aty kuptova diçka të vërtetë. Atë thelbin e shenjtë mistershëm kuptova UNË, duke i parë të dy, kuptuan dhe ata bashkë, që…ishin…pasqyra, pasqyra të vetvetes…dhe të tjetrit.

Të dy ecnin me të njëjtin hap ritmik, paralel në botët e tyre përkatëse. Të dy ndienin shpesh nevojën për ndryshim. Ndryshonin njëkohësisht, dhe dashuroheshin prapë nga e para me ndjenjë të re, krejt tjetër nga ç’kishin njohur deri atëherë. Ashtu, të ndryshëm, barazisht. Nëse bëheshin të përditshëm, të zakonshëm, pellgaçe, ata humbitnin. Urreheshin. Përbuzeshin me dashje. Tërë qejf. Ia dashuronin përbuzjen dhe urrejtjen njëri-tjetrit, sepse ishte e secilit njëkohësisht. Vibronin të dy në rezonancë. Në pasqyrim.

Si e thoni ju në fizikën heroike të shpjegimit të madh? Dukuria e rezonancës dhe pasqyrimit. Janë e njëjta gjë me tërë këtë histori.

Iknin larg një kohë të gjatë, për t’u kthyer me fytyra të reja, sërisht të dashurueshme. Çuditërisht të pasqyrueshme te njëri-tjetri, si një ekuacion universal ku X rastëson i barabartë me një Y diku. Dhe kjo quhej dashuri e pakufizuar sepse, po ta shihje në pasqyrë, kjo derë hapej pafundësisht në vetvete.

Bukur!

Kjo është historia e dy pasqyrave që të premtova. Eshtë gjëndja më e rrallë që kam parë te ju njerëzit. Më specialja. Më e larta. Diçka matematikisht hyjnore!

Unë? Kush jam unë? Uffff!

Gjithmonë kjo pyetje më ka vënë në vështirësi. Mendoja se ti do mahniteshe nga historia, dhe pa pyetur më tej, do flije gjumë në ëndrra të bukura. Je një çupëz kaq e ëmbël! Unë në përgjithësi rrëfej. Unë jam rrëfyes, ose kartë ku shkruhen gjërat e botës. Ca më thonë re pupëlore, qe sheh gjithçka. Ca më thonë peshk. Disa më njohin për fëmijë. Disa të varfër për mjekrën e profetit. Madje dhe për beretën e EL CHE’së. Madje ca të lashtë guxojnë e më thërrasin z. ZOTI, një emër ky, shumë jashtë mode për rininë e sotme, si ty e vogla ime.

Ja, ti ç’më thua? Për ty jam re pupëlore përderisa dija këtë histori?

Hmm, e drejtë. Mbase e kam gabim, se nuk jam i pagabueshëm, madje disa herë më shpëton regjistrimi se më zë gjumi. Në të tilla raste ndodh ndonjë çudi e pandodhur, sepse unë krijoj një apendiks në formë rrethore që i rri tangjent rrethit të madh e të pafund të kohës, dhe që e quaj këtë rreth të vogël, dita e tetë. Dhe aty fus tërë ngjarjet e pangjara ose më saktë të paregjistruara.

Kështu, s’e kam zakon të zgjatem, por rrallëherë kam biseduar me dikë këto kohë, mendoj (ndoshta e kam gabim, përsëris) se dhe UNË jam pasqyrë. Një pasqyrë ku pasqyrohet gjithçka. Dhe UNË pasqyrohem diku tjetër, ose ndoshta gjithkund, duke dhënë shëmbëlltyra e duke marrë të tilla, në mënyrë të pafundme.

Mbase tani nuk jam real, sepse mund të jem pasqyrim i një pasqyre ose reali diku tjetër. E çuditshme, ë?

Një pasqyrë! Dhe ata mbase janë UNË. Dhe UNË mbase jam ata të dy të kësaj historie. Ose mbase jemi gjithçka reale dhe pasqyrim njëkohësisht…

Fli gjumë tani. E tërë kjo do të mbyllet brenda një dite të tetë. Mësove shumë për trurin tënd prej adoleshenteje, zemër e vogël…mbase dhe ti je unë…e unë jam ti…

tregim shkëputur nga LUX

Tags: , , , , , ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: