Si nuk dola në televizor

by

nga Darien LEVANI

Si nuk dola në televizor te Zonë-e-Lirë: shkarko e lexo në PDF

Ishte dita ime e tretë në Tiranë e kisha filluar të mërzitesha. Doja të filloja të pija përsëri cigare e paketat e kuqe në rrugën e Durrësit më flisnin. Vetëm një, thoshin, vetëm një dreqi ta hajë, s’më duket shumë e rëndë. Pastaj do shkosh e do bësh punët që ke me bë e fakti që ke pirë apo jo një cigare në atë vend të caktuar në atë moment nuk do të këtë më asnjë kuptim. Ej, Darien, si thotë Tom Waits, e mban mend apo jo? Thotë që kur nuk pi cigare mund ta pish një, tamam sepse nuk pi cigare. Hajde tani, pije një për këtë qytet. Nuk e meriton vallë ky qytet një cigare? Ke rezistuar 11 muaj, e meriton një cigare.

Por unë s’doja një, doja 10 pastaj 1000, doja 10.000 cigare të vëna rresht nga rruga e Durrësit deri në spital. Mendoja që nëse rezistoja pak minuta dëshira do largohej e do kthehej vetëm pas shumë javësh:  ashtu ndodhte. Nuk ishte aspak e lehtë sepse ditë për ditë takoja njerëz që më ofronin helm e më tregonin për dështimin e jetës së tyre. Të gjithë miqtë e mi që ishin kthyer me diploma evropiane në valixhe po mundoheshin akoma të kuptonin rregullat për t’i njohur në Shqipëri. Ata përdornin fjalën “konvertim”. Disa  po kërkonin punë. Disa kishin kuptuar që pa mastër nuk je asgjë, e nuk arrinin ta kuptonin se si ishte e mundur. Unë mendoja që kishte të bënte me mënyrën se si tingëllon fjala. M-a-s-t-ë-r. Kur e thua ndjen diçka dominuese në këtë fjalë, diçka shumë të zgjuar. Ndoshta ishte prej kësaj, nuk e di e sidoqoftë nuk e thoja se çfarë mendoja. Kishin kaluar aq shumë muaj saqë drita që kishin patur në sy tashmë ishte fikur. Unë e dija që kishte fjalë që mund ta ndiznin përsëri atë zjarr, por nuk e njihja rendin në të cilin duheshin vënë ato dreq fjalësh.

<< Si quhet libri? >> pyet Arbri për të treten herë që kur jemi ulur.

<< Poetet bëjnë dashurin ndryshe. >>

<< Ndryshe si? >>

<< Ndryshe. Po për këtë duhet të lexosh librin. >> i përgjigjem. Ishte hera e katërmbëdhjetë që i përgjigjesha të njëjtës pyetje me të njëjtën përgjigje.

<< Për çfarë flet? >

<< Flet për Martìn që dëshiron të ndryshojë të ardhmen e tij e të atdheut, e derisa të vijë ai momenti shfryn ditët në një rock band në Tiranë e do dy vajza, e mundohet të jetojë para se ta shtypin përgjithmonë. Për qytetin, flet për qytetin, për…brezi im e brezi jot nuk është përfaqësuar as në kinema e as në letërsi, e unë nuk e kuptoj se pse. Ideja ime baze është romani i një brezi zënë në gracke. Një brez që duhet të luftoje kundër prindërve e që ka dalë nga iluzioni, por s’është akoma gati për tu futur ne realitet, e atëherë qëndron aty, në prag të së ardhmes. Ky është personazhi e grupi rok është mburoja e tij. Pastaj është edhe romani i një grupi, i një dashurie, i ca këngë e mbrëmjesh me kitarë, i tregut të Medresesë e pak a shumë i një milion gjërave të tjera. >>

<< Duhet të shkosh të Çani, patjetër. >> thotë duke trazuar më nge një kafe të shkurtër. Jemi ulur në një nga baret e panumërt, pa emër e pa faturë, ku kafja kushton vetëm 500 lek. Unë mendoj që 74%  e historive shqiptare fillojnë nëpër bare. << Për të promovuar një libër, film, këngë, dreq, shejtan shkojnë të tërë atje. >>

<< Kam përshtypjen se njerëzit që do blinin librin tim nuk shikojnë emisionin…>> them më ndrojtje duke lënë fjalinë në mes.  E vërteta është që nuk e di se si quhet emisioni, por s’e them sepse nuk dëshiroj që Arbri të mendojë që e di po bëj gjoja sa për tu hequr si një person tjetër.

<< E këtu gabon. Këtu të gjithë e shikojnë, po pastaj në mëngjes u vjen turp edhe s’ta thonë. Por Çani, Çani ka lindur për të bërë televizor. Ama do rrish deri në ora një të natës. E bën kështu, zakonisht. E në atë ore njerëzit flenë gjumë. Ndoshta edhe ti do jesh gati duke fjetur. >>

<< Unë s’dua të rri zgjuar deri në ora një të natës. >>

<< Nëse do unë e kam numrin. >> thotë duke kapur celularin e duke ma drejtuar. << Mund t’a marr, ta jap, t’i flasesh, apo merre edhe vete, prezantohesh, i thua “Jam shoku i Arbrit Kalçeto”, pastaj  i thua “E kam hallin kshu kshu kshu”. >>

<< Hallin? >>

<< Po. >>

Celulari qëndron pezull si një arme hipotetike.

<< Ti je Arbri Kalçeto? >> them i habitur. Nuk e dija që Arbri luante futboll.

<< Po. E do apo jo?>>

<< S’e di. >> them duke lëvizur kokën për të parë numrin. Është regjistruar si Arjani Zoneelir. Pastaj, pasi e kam parë << Emision quhet Zonë e Lirë. >>

<< Shiko tani, Çani i sfidon të ftuarit e tij në një duel skandalesh. >> vazhdon. << Në të cilin çdo gjë që thuhet duhet të jete më më…si ta them?>>

Arbri kur nuk arrin të gjejë një fjalë vuan më të vërtetë e nuk dua ta shoh duke vuajtur. Mbledh buzët, fillon mbyll e hap sytë me inat pastaj kthen kokën majtas sikur fjala që kërkon është gdhendur diku në mur, ku ama ka vetëm një faqe muri mbuluar me dru deri në gjysëm. Një pasqyre reflekton banakun e një kamerier të lodhur që plotëson fjalëkryqe. Abri nxjerr ajrin me zhurmë e lë celularin në tavolinë.

<< Sensacionale?>> sugjeroj. << Skandaloze. >>

<< Tamam, tamam. >> shpërthen duke plasur pëllëmbën mbi tavoline e uji fillon valëvitet në gotë si të ishte flamur.  << Çdo gjë duhet të jete më sensacionale se ajo e mëparshmja. Publiku e di këtë, ndaj edhe qëndron gjithmonë në pritje, e biles as nuk guxon të ndërroje kanal kur ka reklama nga frika se mos ndodh ndërsa ata janë në një kanal tjetër. Është një pritje e vazhdueshme >>

<< Ëhë, e marr vesh. >> them, pa qenë shumë i sigurt. Më duket sikur kam përfunduar në një tregim të Wallace. Pastaj Arbri shtrin duart mbi tavoline e lëviz qafën deri në fund sa majtas djathtas, dhe unë e kuptoj që për momentin s’di çfarë të thotë më.

<< Kështu pra. >> pëshpërit sa për të dalë nga një situatë e heshtur.

<< Dua vetem…do të doja vetëm të prezantoja një libër, të flisja pak për letërsi, për histori, për menyrën se si mendoj që arti duhet t’i afrohet realitetit . Pse duhet të jetë kaq e ndërlikuar? Nuk duhet të jetë kaq e ndërlikuar Arbër. Nuk dua të them gjëra sensacionale apo të rri zgjuar deri në ora 1 të natës. >>

<< Ti nuk mund të bësh garë se kush thotë më shumë budallallëqe të Zonë e Lirë, nuk je i aftë.>>

<< Edhe unë mund të them një thes më budallallëqe Arbër. >> përgjigjem i prekur në sedër. Unë s’thakam dot budallallëqe? Pa he ta provojmë njëherë.

<< Mund të jetë lekplepi. Mund të gjendesh ulur afër më lekplepin, kupton për çfarë po flasim apo jo? E ti do duash të flasësh për, ku e di unë,  për romanin tënd, për atë që ndjen personazhi e miqtë e tij, për betejat e tija, pastaj për letërsinë shqiptare a per një histori sentimentale a ku e di unë për ça. >>

<< Nëse është Lek Plepi mund të them që më pëlqente shumë ajo kënga në të cilën bënte një due* më të atin e tij e krahasonin të kaluarën e tij më të tanishmen e Lekës, këndonte Babë e bir po bëjnë kuvend/nuk janë kohët siç kane qëne…>>

<< Duet?>>

<< Duet, po. >>

<< The duel. >>

<< Nuk thashë duel. >>

<< The duel Darieno, the që bënte duel më të atin >>

<< S’thashë duel Arbro.  Doja të thoja që, edhe pse mua s’më pëlqen as si këngë e as si muzikë, në atë këngë për shembull hallall, është munduar të thojë diçka të vërtetë, ka treguar hendekun mes dy brezave. Miqtë e mi rocker këtë s’e kanë bërë kurrë. Kurse muzika e rrugës, rapi apo tallava e bën këtë, edhe ndonjëherë e bën shumë mirë. Kanë treguar emigracionin, për shembull. Keq, po e kanë treguar. Muzika rock, që dikur ishte jo vetëm mënyrë vështrimi  po edhe mënyrë shpjegimi për realitetin shqiptar, sot është ndryshkur e rolin e saj e kanë marre këta njerëz, ky brez këngëtaresh. Që, përsëris, muzikisht nuk vlejnë dy lek, por kanë meritë se flasin për jetën, flasin për gjëra konkrete. E ke dëgjuar një këngë quajtur Karramboli? Kjo fatkeqsi që ndodhi/na shkatërroi/shokët tanë na i morri/ i largoi. Këngë pa linjë muzikore, pa asnjë ide mbi ndërtim, më një tekst shumë banal po në fund të fundit flet për diçka konkrete, flet për një problem. Po ashtu rapi, megjithëse duhet thënë që rapi ka ato elementet e tjera tip dhuna, luksi i tepruar, denigrimi e femrave. Por prapë, është tentative për të shpjeguar shoqërinë, e kupton? Rocku se bën më këtë, e kupton? E bënte në vitet 90 kur këndonte e duam jetën ndaj na lini të jetoje, asgjë nuk ndryshon në të njëjtat rruge në të njëjtin qytet apo kur të pyesin se nga je do thuash që je i rrugës Bardhyl. Ata nuk këndonin histori, ata ishin historia vete. Këtë gjë, sot për sot, e bën vetëm rapi e tallava. >>

<< Domethënë ty te pëlqen lekplepi? >>

<< Çfarë? >>

<< Te pëlqen lekplepi, kjo është ideja. >>

<< Ore, e dëgjove ça thashë deri tani apo jo? >>

<< Të dëgjova, po e vetmja gjë që dëgjova,e dhe e vetmja gjë që do dëgjojnë spektatoret është Me pëlqen lekplepi, e kupton? Këtu ta kam llafin: shko te petronini jep leksione sociologjie po deshe, po nuk mund të flasësh kështu të Zonë e Lirë, merr vesh apo jo? Është kot që të shkosh? >>

<< Nuk dua që njerëzit të më pyesin “Për çfarë flet ky libër?” apo “Si ke filluar të shkruash?”>>

<< Si ke filluar të shkruash? >> thotë duke më drejtuar një mikrofon të padukshëm. Imiton shprehjen që mendon se duhet të kenë intervistuesit, një shprehje midis sfidës e mërzisë.

<< Më dorën e djathtë? Darien një, serioziteti zero. Une s’them dot budallallëqe e? Ho pra. >>

<< Përse do të dukesh cinik? Ti nuk je cinik? Atëherë, ça është për ty arti? >>

<< Shkurtimi i emrit Eduart? Darien dy, serioziteti zero. E shikon, mund të them budallaqe si gjithë të tjerët?>>

<< Çfarë të pëlqen më shumë të kopertina e librit Poetet bëjnë dashuri ndryshe? >>

<< Fakti që ka emrin tim të shkruajtur mbi të. Darien 3 – Sociologjia 0. Ke me pyetje, doktor? Pyte doktor pyte! >>

Imiton një duartrokitje ironike.

<< Bravo, fitove. >>

<< Nuk është çështja te serioziteti a budallallëku Arber. E di çfarë nuk duroj dot unë tamam po tamam fare? Fakti që në televizor njësojnë masën më personin. Fjale si shkrimtari, shqiptari, lexuesi…>>

<< Futi në një fjali. >>

<< Lexuesit i pëlqen. Shqiptari ka besë. Shkrimtari ka fantazi. Çfarë mendon amerikani për ty? >>

<< Ah, televizori është kështu. Ndoshta duhet të dalësh në radio. >>

Buzëqesh duke menduar për ftesën e Gerit që më pati kërkuar të flisja për librin ndërsa vija muzikë shqiptare më shpjegime të shkurtra mbi këngët. Isha zbavitur, ideja e radios nuk ishte aspak e keqe e një pjesë e trurit tim fillon bën një listë këngësh që do vija nëse do më ftonin.

<< Ja për shembull është i muhabeti i dorës, se tani mu kujtua. Kur do të ndërpresi diçka e di si ja bën Çani? E ke parë? Do e kesh parë patjetër. >>

<< S’e kam parasysh tani…>> them pa shumë bindje.

<<  Mu përballë kameras bën më dorë një gjysëm rrethi të madh nga lart poshtë. >>

<< Ehe. >>

<< Është, si ta them, kaq e dukshme edhe kaq…se di si ta them. >>

<< Çfarë nuk di si të thuash? >>

<< Atë që s’di ta them, e atë që po ta dija do ta thoja. >>

<< Mirë. >>

<< E ndaj thashë që s’di si ta them. >>

<< Dakord Arbri Kalçeto. >>

<< Shiko, të them këtë. Që shoumenët e tjerë kanë frikë të bëjnë shenja se mos publiku i sheh, më kupton? Filani sheh orën tinëz kur kujton se s’po e kap kamera. Fisteku ngre vetullat, më sa duket për të pyetur ndonjërin që rri pas kamerave. Mashtrimi te ta është kaq i dukshëm saqë spektatori sheh këto sinjale dhe e ndjen që nuk duhet t’i kishte parë. E ndjen që ka diçka të gabuar, e atëherë i lindin dyshime, fillon humbet besimin. >>

<< Kurse të Çani kjo nuk ndodh? >>

<< Po nuk ndodh sepse ai e bën në mënyre kaq të dukshme saqë publiku i shikon të gjitha, edhe prezantimin, edhe gabimin, edhe prerjet, edhe gjysëm rrethin,  pastaj e dëgjon tek flet më kameramanin, i thotë O Ledio kshu e ashu? E gjithë kjo tani, më kupton, e bën të duket sikur ai ka eliminuar kameran, televizorin, të gjitha filtrat që janë mes tij edhe publikut.>>

<< Domethënë, fakti që ai i flet kameras duke e bërë të dukshme, sikur e eleminon prezencën e kamerës midis tij e shikuesit? >>

<< Tamam, tamam. Ndaj të them që është gjeni, që krijon iluzion e të them edhe këtë: që njerëzit shkojnë të flenë gjumë të kënaqur pasi kanë parë Çanin, më ndjenjën që edhe ajo dite s’u ka ikur kot. Çani i ndryshon njerëzit, e kupton? Po qe se artisti është ai rob që krijon një botë e pastaj u thotë Hajt, futuni te bota ima, atëherë ai është artist se njerëzit kur e shikojnë i harrojnë hallet, e kupton? Ai e ndërton emisionin si një diskutim mes miqsh, ku mund të thuash edhe karlliqe, ku s’ke pse të kesh turp për asgjë e ku, në një fare pike, dikush edhe mund të thotë “Çuna, unë po iki t’ja fus gjumit tani”. Emisionet e tjera u thonë njerëzve “Ja si duhet të jeni: të qetë, të edukuar e të veshur mirë, s’duhet të ngrini zërin apo të vini pa kollare”. Çani u thotë “Ja si jeni, me ngut, me nerva e shumë zbavitës. Duajeni veten për këtë që jeni”.Emisioni, në vetvete, është riprodhim i mbrëmjeve kur rrinim të shkallet e pallatit e lunim peskatsh. Çdo gjë është reale, nuk ka asnjë magji, asnjë hile, më kupton? Tani, pyetja ime për ty është kjo: a mund të promovosh një libër te shkallët a pallatit ndërsa lu letra? >>

______________________

Si nuk dola në televizor te Zonë-e-Lirë: shkarko e lexo në PDF

Tags: , , , , , ,

Leave a comment