Contratiempo

by

Nga Flurans Ilia

CONTRATIEMPO

“You are jung and life is long, and there is time to kill today. And then one day you find, Ten years have got behind you. No one told you when to run, You missed the starting gun.”  Pink Floyd

“I ulur në bythë”… Më kujtohet shpesh kjo shprehje e pleqve të vendit tim. Kjo frazë më grishte kureshtjen kur isha i vogël. Mendoja se, qysh kur thua “i ulur”, nënkuptohet që do ishnje “në bythë”, sepse me vertikale nuk do qëndroje ulur[i]! E pra, ndodhem në një kafé montréaleze, i ulur në bythë në një orar të pazakontë, përball grykës së metrosë që vjell grumbullin e njerëzve nga brendia e saj nën dhé, drejt damarëve të qytetit, bllokuar aty-për-aty mu në kryqëzimet e semaforëve ku, drita e kuqe, si me qenë vet sëmundja e kolesterolit brenda trupit të metro dhe polit[ii], ka përqendruar për disa çaste qarkullimin e lëvizjes së trupave që vrapojnë si rruaza gjaku. Vrapohet me forma nga më të ndryshmet. Vrapohet nëpër qytetet e mëdha të botës. Ato pak çaste në pritje, shfrytëzon kohën e duhur të mendosh se njerëzit në një qytet metropolitan përngjajnë ekzaktësisht me turmën e milingonave që sodisje kureshtar dikur në fëmijëri. Në kafenetë e ditëve tona, pothuajse të gjithë njerëzit janë të pajisur me hi pod, hi phone, BlackBerry smartphones, e kryesisht me laptops. Që të gjithë marrin dhe japin me hi speed! Të gjitha “sporte të ulura në bythë”! Sporte, sepse aktivizojnë trurin, sikurse shahu, tavlla, loja me letra, dominoja, dhe natyrisht gazeta me lajmet e ditës. Këtu, koncepti i të vrarit të kohës nëpër kafene nuk ekziston. Për më tepër koncepti “i ulur në bythë”. Sepse kafeja e javës kryesisht serviret në dorë, shpejt e shpejt, me vrap, drejt e në rrugë ku të ndal për fare pak çaste veç semafori. Kohë në të cilën vëzhguesi ndal së jetuari. Fillon dhe vëzhgon nëpërmjet një këndvështrimi vertikal një botë tërësisht horizontale. A thua se je duke jetuar një tjetër jetë? Do me thënë: A je duke jetuar një tjetër kohë? Kjo dalje, nga koha dhe bota, përbën si ajo pika e shtrydhur fortë në kafenë e mëngjesit, çastin gjithmonë e më të rrallë të meditimit. Pothuaj se imobile. Në një kombinim të rastësishëm lëvizjesh mendore, konstaton se termi muzikor contratiempo (nga spanjishtja) që është një “kundrakohë muzikore”, në vallëzimin e njohur spanjoll të flamengos vjen si pasojë e përplasjes së takave të valltarit! Nëpërmjet përplasjes së thembrave, ai, valltari, protagonisti i kësaj jete në këtë çast, vjen dhe krijon përmes ritmit, një kundrakohë magjike, kohën e vlerësimit të kohës, kohës reale të rivlerësimit të lëvizjes pasuese në vazhdim.

Në kohën e sotme duhet të kesh tre sy. Ose një lloj shqise të allasojë që të përmbledhë gjithë çfarë vjen rreth-e rrotull. Aq i dendur është informacioni. Kësaj i bie për hak bash kjo frazë që, lexoj ndërkohë në internet: “Zoti jeton në fshat!”. Kjo frazë, përthyhet brenda meje ndryshe, nëpërmjet zërit unik të Giuseppe Ungaretti, “M’illumino d’immenso”…

Me mënyrën se si bota e sotme lëviz, contratiempo është gjithmonë e më tepër një veprim në zhdukje e sipër, në ditët që jetojmë. Njeriu modern sa vjen dhe i largohet pejsazhit të natyrës së vet, duke marrë gjithmonë e më tepër hi speed.

Life’s a bitch and then you die, So fuck the world and let’s get high …

Çfarë i bën të rinjtë e sotëm të jenë kaq eksesiv? Përgjigja ndodhet tek pyetja. Jo se nuk ka përgjigje, nuk ka kohë.  Sepse koha e të menduarit po vjen drejt një skadence në kontratën që individi sapo ka firmosur me shoqërinë. Ka dy zgjidhje. Ose “t’i bësh naftën” të gjithave.

–         Po ç’naftë o mik, mos na kujto naftën aman, nuk i shikon çmimet e naftës si kanë vajtur?

Ose, ose (po qesh me zë, me zë sikur Gustave Flaubert, kur shqyente me zë të lartë timpanet e veshëve të shekullit XIX me shprehjen “Madame Bovary, c’est moi!”) të ngrihesh dhe, vrapo or mik, vrapo, metro, boulot, dodo! …

[i] Një ndër ushtrimet joga përfshin të medituarin kokëposhtë.

[ii] Është klasik tashmë refreni i përditshmërisë të këtij qyteti Amerikano Verior, “metro, boulot, dodo” (tren, punë, gjumë).

Advertisements

Tags: , , ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: