Për Genti dhe Zana!

by

nga Kozi Nasi

Rreth 4 vjet më parë vendosa më në fund të shlyej edhe unë detyrimin tim si qengj i bindur i perëndisë dhe me ndihmën e tij/saj (oh, jo, aspak frymë e shenjtë këtu!) solla në jetë njëri pas tjetrit 2 krijesat më të mrekullueshme që kanë shkelur deri më sot Tokën: dy fëmijët e mi Genti dhe Zana. Pa qenë e ndërgjergjëshme aspak për patriarkalitetin tim (të liundur) primitiv, më kënaqi radhitja e gjinive, duke menduar se e plotësova me sukses trashëgimin e gjakut me djalin të parin dhe u kujdesa për të përjetësisht me vajzën të dytën.
Genti, është i vetmi mashkull që e bën zemrën time të kapercejë 2 të rrahura (i ati e testoi këtë vetëm me 1!) ndërsa Zana , është loçka e zemrës sime! Edhe pse me prindër shqipëtarë, të dy engjëjt e mi, nuk kanë lindur këtu dhe kësisoj për momentin, gëzojnë një qytetari joshqipëtare. Ata kuptojnë dhe flasin shqip relativisht mirë (për moshën e tyre fare të re), megjithatë, ende të paqartë për praninë e dyfishtë të traditave dhe origjinës…
Vendimi im për t’u kthyer në Shqipëri pas 15 vitesh , ishte krejt i kollajtë pasi ishte natyrshëm i mbështjellë me batanijen e ngrohtë të ndjenjës që më në fund qarku i jetës sime do t’i afrohej mbylljes kuptimplotë: prindërit e mi – unë – fëmijët e mi !!!!! Eshtë vetëm kjo pikëmajë e jetës sime me të cilën po arrij më në fund t’i shpërblej prindërit e mi për mundin dhe vështirësitë që kaluan me rritjen time si dhe t’u kthej atë dashuri të pashtershme që derdhën në mua që nga nisja ime! Më vjen ndërmend një thënie e lashtë “nipërit dhe mbesat janë mënyra e Zotit për të na kompensuar për faktin që po plakemi!” –ndaj më vjen mirë që më në fund vërtetë m’u mbush mendja të kontribuoj tek mirëmbajtja e numrit të popullsisë në planet dhe në të njejtën kohë të shoh shpirtin që merr një frymë të re tek sytë e prindërve të mi të lodhur, sa herë që jeta që doli nga unë kthehet tek ta…
Ju siguroj, të dashurit e mi, që nuk kam ndërmend t’ju bezdis me ndjenjat e mia të mëmësisë, sidomos juve që ende nuk e keni provuar as kuriozitetin e orës biologjike që troket. Kjo lloj ndjenje është veçse e pamënjanueshme teksa eci e dehur nga dielli i mëngjesit, vetëm të ndërpritem nga një zë i njomë, por i vrazhdë njëheras tek më tërheq lehtë cepin e pardesysë dhe më thotë: “a më jep nonji gjë o zonjë e mirë?” E ç’orjentuar nga elementi i surprizës, kthej kokën dhe shoh një djalë të vogël, jo më i lartë se 3 këmbë, me fëtyrë esmere të rreshkur nga ndotja dhe të ndotur nga ajri. Shpejt fus dorën në çantë dhe nxjerr monedhën më të madhe që më kap dora dhe ia ofroj duke i thënë ëmbël : ” po, dritë!” Ai më sheh vëngër, a thua e vonova pse i fola duke ia dhënë. Ma heq monedhën nga dora me shpejtësi dhe ikën me vrap akoma më shpejt. Pa arritur as t’i them vetes në heshtje “bëre mirë Koz’!, nga drejtimi që djaloshi i vogël u largua sekonda më parë, me cep të syrit shoh që më afrohet dikush tjetër: një vajzë që me trup të lë përshtypjen e një paraadoleshenteje, por në fëtyrë të një gruaje të vuajtur. Ajo nuk më prek (sic bëri djaloshi), por me të njejtin zë qetësisht të vrazhdë, më kërkon të njëjtën gjë (si djaloshi). I jap edhe asaj ç’të më kapë dora dhe nxitoj hapin për t’u larguar prej aty sa më shpejt, duke fajësuar vendin ku ecja për trazirën që m’u shaktua.Gëlltitem si për të kaluar shijen e keqe në shpirt dhe ndërsa pres dritën time për të kaluar udhëkryqin, shikoj në cepin tjetër të Lanës dy fëmijët me të cilët sapo isha ndarë. Kurioze rri e vëzhgoj për të kuptuar ç’po bëjnë dhe shoh që ka edhe nja 3-4 fëmijë të tjerë si ata që janë mbledhur rreth e rrotull një gruaje të ulur galiç. Nuk arrij të marr vesh tamam ç’po bëjnë, vetëm se shoh që pas 2-3 minutash fëmijët shpërndahen. Ndërkohe, drita ime është bërë e gjelbër dhe unë nxitoj me turmën e pabezdisur të kryqëzoj rrugën për në krahun e kundërt drejt makinës së parkuar jo larg. Terezia që m’u prish ia nxjerr mllefin ecjes dhe shfryj e çliruar më në fund që ulem në makinë! Lëviz ngadalë nga hapësira ku kam parkuar dhe marr rrugën drejt të njejtit semafor që sapo e kasha kaluar në këmbë. Tek shoh dritën të lëvizë nga e portokalltë në të kuqe, për momentin e kuptoj që dritat e trafikut vërtetë rrinë gjatë në të njejtën ngjyrë në Tiranë dhe me vëmendje komplet të çthurur tashmë, e kap trurin të mendojë për absurditetin e sistemit rele të përdorur për funksionimin e tyre. E zhytur në gjepurën e këtij momenti, përmendem vetëm nga një trokitje e papritur në xhamin e derës së makinës. Instiktivisht shoh dritën e sinjalit të trafikut dhe mendoj që jam mirë mbasi ajo është ende e kuqe.Ndjej dhe një trokitje tjetër në xham , kësaj here më me vrull, dhe ndërsa kthej kokën shoh fëtyrën e saponjohur që më bën me shenjë të hap dritaren . Eshtë djaloshi që e kisha takuar vetëm minuta më parë , por kësaj here me një zë të lartë dhe akoma më të vrazhdë më kërkon t’i jap para. Eshtë e qartë që bën se s’më njeh, ndaj e fyer insistoj t’i kujtoj që sapo e pata ndihmuar për të njejtën kërkesë. Ai thjesht përsërit atë ç’ka do, ndërsa unë e pyes pa lidhje pse nuk është në shkollë meqë është ditë jave. Me një vështrim të shokuar, ai më thotë që nuk është puna ime nëse ai është në shkollë apo jo dhe teksa zmbrapset nga makina që unë lehtë e lëshoj të lëvizë për të ndjekur rjedhën e të tjerave që nisen me dritën e gjelbër; më pëshpërit dhe më thotë që është vetëm 6 vjec dhe s’ka qenë kurrë në shkollë…, por në çast më kthehet prap vëngër : “po s’më dhe gjë ti, do më japi një tjetër!” dhe largohet vrapuar! Deshi të më lëndonte zemrën apo si, sepse ndjenja e fajit më shtrëngon fytin tek përpiqem të rri në korsi midis trafikut kuturru. Përpiqem të qetësoj ndërgjegjen duke i kujtuar vetes që i pata dhënë çfarë kishte dashur një herë. Ndërsa kaloj sheshin Skëndërbej, shoh grupe-grupe fëmijë të tjerë që grumbullohen për pak momente si për të diskutuar strategjinë dhe shpërhapen në çast sërish për të ndaluar njerëz të tjerë si unë për t’i kërkuar ndihmë (para). Dhe kjo nuk është aspak dukuri e rrallë në Tiranën time. Lypës të çdo moshe janë pjesë e pejsazheve nga më të bukurat dhe të qetat ,deri tek më të vështirat për syrin e kalimtarit të thjeshtë. Nuk e di pse më mbetet mendja tek fëmijët. Ndoshta ngaqë të rriturit besoj se kanë pasur një mundësi në jetë për të mos përfunduar në lypës; ndërsa fëmijët, nuk më duken se kanë pasur luksin as të zgjedhin. Pikëmbërritja ime është kopështi nga ku do marr Gentin dhe Zanën. Me trurin e njollosur nga shikimi shpues i djaloshit që për pak sekonda besova se ndau me mua një copëz nga shpirti i tij i shkelur, vrapoj nëpër shkallët e kopshtit tek i afrohem krahëhapur dyve prej 3 fëtyrave më të shtrenjta për sytë e mi. Me cicërimat e tyre “mami-mami”, gëlltis imazhin e hidhur të deritanishëm dhe tek i shtrëngoj në krahëror dy zogjte e mi, i them vetes : “falemnderit Zot! Mos më provo të lutem!”…
E ngarkuar me rutinën e pasditës, nata nuk vonon dhe Genti me Zanën shumë shpejt më kërkojnë përrallën e paragjumit. Me sytë kureshtarë më pyesin se çfarë do t’u lexoj. Pa kuptuar, i përgjigjem se këtë herë do të bëjmë diçka tjetër, do t’u tregoj një ngjarje të vërtetë. E dyzuar mes insiktit për t’i mbrojtur të dy në realitetin e tyre pristin dhe intuitës që s’është kurrë herët për t’u treguar për botën e vërtetë që i rrethon; ngadalë nis u tregoj për një djalë të vogël, që ishte i detyruar të punonte për të jetuar, pa kujdesin e fjalës së ëmbël dhe përkëdheljes së dorës së ngrohtë, pa përqafjen në gjoks dhe strehën e sigurisë së dashurisë, pa përrallat me mesazh frymëzues çdo natë para gjumit , pa librat, pa ëndërrat… Ndërsa tregoj me zë të dridhur, njëherësh ndjej të më shpojnë si katër diamantë vezullues sytë e vogëlushëve të mi. Besoj që janë konfuzë për çka po dëgjojnë dhe kjo i bën akoma më kureshtarë. Me dyshim për këtë ide, vazhdoj ngadalë dhe historia vetvetiu shndërrohet në një Oliver Twist me një happy ending të pa planifikuar. Dashtazi kënaqem me veten, se ndërkohë ata i ka marrë gjumi dhe unë i shpëtova edhe një herë tjetër nga e vërteta e hidhur e një jete të pafatë. I puth të dy gjumë të ëmbël dhe tek falënderoj Zotin përsëri që m’i fali; i pëshpëris Gentit të rritet i fortë dhe të bëhet njeri i mirë, ndërsa Zanës, të synojë për yjet dhe të kujdeset për të vëllanë. Nuk më bëhet të dal nga dhoma e tyre. Siç jam ulur në karrige mendoj për djaloshin tek Lana dhe pamundësinë për të bërë diçka për të, dhe pafuqishmërinë për të bërë diçka për të tjerët si ai. Më duket vetja e vogël. Njëherësh më mbysin lotët dhe faji ndërsa shoh enjgjëjt e mi që dremisin qetë, nën mbikqyrjen time prej arushe.
Jam e ndërgjegjëshme që një ditë jo shumë larg do të më duhet t’u shpjegoj Gentit dhe Zanës shumë gjëra për jetën. Do të më duhet t’u tregoj jo vetëm kush jam , por edhe për ndjenjat që më kanë trazuar rritjen; për sukseset, për dështimet, për përpjekjet, për betejat, për luftën, për krejt çka jam unë si njeri dhe çka ofroj unë me librin tim të koleksioneve të ndryshme nga jeta. Por më së rëndësishmi, do t’u tregoj gjerë e gjatë nga vij:
nga Shqipëria e halleve dhe vuajtjeve;
nga Shqipëria e luleve dhe tokave djerrë;
nga Shqipëria e lypsave dhe luksit zemërngushtë;
nga Shqipëria e hidhërimit me ligje dhe argëtimit anarkist;
nga Shqipëria e detit të thellë ngjyre blu dhe lotëve të pashtershëm e të hidhur gri;
nga Shqipëria ime e çudirave dhe paradokseve!!!!

A thua unë jam gjurma e trashëgueshme e jetës së tyre apo janë Genti dhe Zana trashëgimia e lumtur e dhimbjeve të shpirtit tim??

Gjumë të ëmbël të shtrenjtët e mi … gjumë të ëmbël djali i Lanës…

(botuar në ish-revistën MAPO, Tiranë, AL, Shkurt-Mars 2010)

Tags: , , ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: