Një akt pa fjalë

by

nga Lediana Stillo Paja

Në skenë mbizotëron një gjysëm errësire. Një tog librash janë të hedhura sa andej këndej. Në kuzhinë gjënden dollape të përmbysura dhe cifla pjatash e gotash. Një currilë dheu rrjedh nga lart. Muret janë të plasaritura, pa tavan, më shumë rrënoja ku nuk mund të shkelet. Një gur i madh ndodhet mbi sallonin e pritjes dhe nuk merret vesh nëse është brenda apo jashtë. Pas mureve shihet e njëjta gjë. Gërmadhë kudo.

Njeriu në skenë ka rroba të shkalafitura e të grisura, mezi mbahet në këmbë. Ecën duke iu marrë mentë. Bie. Qëndron ashtu disa sekonda. Hiqet zvarrë deri tek gurri në sallon. Ulet me vështirësi. Sheh përreth. Fiksohet në zbrazëti.

Çohet. Mezi mbahet në këmbë. Sheh këmbët. Lëviz gishtat e këmbëve. Trishtohet. Mbledh duart pas kraharorit. Gishtat e këmbës vazhdojnë të lëvizin. Heq duart nga kraharori dhe sheh këmbët. Këtë rradhë i sheh më pak dhe më indiferent. Mbledh duart kryq. Gishtat e këmbës vazhdojnë të lëvizin. Heq duart nga gjoksi. I sheh me kërcënim. Ato vazhdojnë të luajnë. Ai ulet tek guri. Gishtat vazhdojnë të luajnë. Ai fiksohet pas tyre. I kërcënon me gisht. Ato vazhdojnë të luajnë. Ai sheh gishtin. Vëren duart. Ato dridhen. I bashkon gishtërinjtë. Ato fillojnë të luajnë si dhe këmbët. I ndan me inat. Gishtat e këmbës vazhdojnë të luajnë. Duart kërkojnë të bashkohen. Ai lufton të mos i bashkojë më.

Çohet në këmbë. Fillon të ecë me ngadalë. Gishtat e këmbës nuk lëvizin. Ai kënaqet. Ndalon. Ul kokën poshtë. Gishtat fillojnë të lëvizin. Nevrikoset. Vazhdon të ecë. Sheh rreth e rrotull. Ndalon. Gishtat vazhdojnë të lëvizin. Duart kërkojnë të takohen. Ai është indiferent. Sheh nga kuzhina. Sheh nga salloni. Sheh gurin ku ishte ulur. Gishtat lëvizin. Duart puthiten. Ai i ndan me zor. I mbështjell pas vehtes. Sheh nga jashtë mureve. E pushton më fort veten.

Sheh me trishtim përreth. Duart i qarkon më shumë pas vehtes. Gishtërinjtë e duarve kërkojnë të takohen. Ato lëvizin me ngadalë. Gishtërinjtë e këmbeve lëvizin. Ai sheh poshtë. Kërkon ti ndajë duart me nervozizëm. Ato vazhdojnë të lëvizi në përpjekje për tu takuar. I shkul me zor nga vetja. Gishtërinjtë e këmbës vazhdojnë të lëvizin. Ai fillon të vrapojë në skenë. Ndalet. Mezi merr frymë. Sheh poshtë këmbët. Gishtat nuk lëvizin. I kërcënon me gisht. Ato nuk lëvizin. Përkulet mbi to. Ato vazhdojnë të mos lëvizin. I sheh me trishtim. Ato s’lëvizin. Fillon të qajë. Ato s’lëvizin. Ai ngre trupin dhe shkon të ulet tek guri. Sheh i përhumbur përreth. Ul kokën poshtë. Gishtat qëndrojne palëvizur. Nxjerr gishtin ti kërcënojë dhe fokusohet mbi të. Gishti qëndron në ajër. Ai ul kokën si fajtor. Gishti fillon të ulet. Dora prek barkun. E perkëdhel. Sheh përreth. Shikimi i tij takon një top të kuq mbi pirgun me dhe. Çohet me hap të shpejtë dhe drejtohet ta marrë. E sheh me nostalgji. Ia fshin dheun me mëngë. E kundron. Ngre syte lart i perhumbur. Sheh sërisht topin. E vërtit nga njëra dorë në tjetrën dhe fokuson shikimin në ajër. Fillon ta përplasë topin në tokë. Më pas e lë të lirë. Topi rrokulliset drejt currilës së dheut. Kthehet ta shohë. Një zhurmë dëgjohet nga jashtë. Mban vesh. Ulet në tokë ta dëgjojë. Asnjë zhurmë nuk ndihet më. Ngrihet në këmbë. Sheh hijen e tij. Trëmbet. Vazhdon ta shohë. Lëviz këmbën. Hija bën të njëjtën gjë. Lëviz dorën. Hija bën po ashtu. Kthehet në ije. Bën sikur ha. Hieja përtypet. Vë dorën në bark. Hieja po ashtu. Ai nënqesh me ironi. Hieja hesht. Ai e fton hijen në vallzim. Hieja e shoqëron. Mërzitet. Ia heq dorën hijes. Hieja po ashtu. Matet ta gjuajë hijen. Dora e hijes fshihet. Bën sikur e gjuan. Hieja mbetet aty. Bën sikur gjuan veten dhe bie përtokë. Hieja fshihet pas tij. Ai çon kokën ta shohë. Qëndron në gjunjë. Kërkon me sy hijen. Nuk e gjen. Hieja është pas tij. Çohet i mërzitur.

Shkon tek guri. Ulet. Mendohet. Fokusohet në ajër. Çohet dhe shkon në kuzhinë. Fillon të rrëmojë në sirtare. Gjen një thikë. E merr dhe e lë mënjanë. Shkon tek sirtari tjetër. Gjen një pirun dhe një lugë. E merr dhe e lë mënjanë. Shkon tek një sirtar tjetër dhe merr një konservë. Gjen një picetë dhe pasi fshin lugën dhe thikën e vendos në fyt. Hap konservën. Fillon ta presë me delikatesë. Sheh rreth e rrotull dhe vazhdon të përtypet. Aty-këtu përshëndet me kokë në shenjë aprovimi. Pret një copë tjetër dhe e fut në gojë. Vazhdon ta përtypë me delikatesë. Duke parë rreth e rrotull shpreh një pakënaqësi me kokë. Lëshon mbi konservë thikën dhe pirunin. Vë duart në fut. Përpiqet ta godasë shpinën me njerën dorë. Me tjetrën mban me dorë fytin. Çohet. Kërkon sërisht në kabinetet e shkatërruara. Sheh një shishe verë të thyer. Mallënjgjehet dhe dëshpërohet njëkohësisht. E merr në dorë. E sheh me vëmendje. Përqëndrohet në vëndet e thyera. Afron fytyrën dhe sheh brenda saj. Njërin sy e mbyll. E heq shikimin prej saj. E përmbys. Asgjë nuk bie. Sheh me dyshim. E përmbys sërisht. Asgjë nuk bie. E shkund fort me inat. Asgjë nuk bie. E hedh poshtë me inat. Gjysëm shishja thyhet. Reagon menjëherë. Shkon pranë saj. Merr një copë të vogël dhe e përkund. E lë në tokë me ngadalë dhe shkon të ulet sërisht mbi gur. Merr thikën dhe pirunin në dorë. Perkulet mbi kutinë e konservës. Pret një copë tjetër. E fut në gojë. Sheh këmbët. Gishtat fillojnë të lëvizin me ngadalë. Përtypet dhe vazhdon t’i shohë. Gishtat lëvizin pak më shpejt. Kënaqet dhe pret dhe një kafshatë tjetër. Sheh këmbët.

Gishtat vazhdojnë të lëvizin më shpejt. Pret një copë tjetër. E përtyp. Sheh këmbët me kënaqësi. Gishtat fillojnë të lëvizin më shpejt. Sheh nga konserva. Lë pirunin dhe thikën poshtë. Merr kokën e peshkut dhe e shikon. Fokuson shikimin në sytë e tij. Futet brenda në sytë e tij. Tund kokën pa lëvizur sytë nga peshku. Me një gisht lëmon kokën e peshkut. Me dorën tjeter e mban për gryke. Tund kokën në shenjë aprovimi. Buzëqesh. E afron peshkun afër fytyrës. Bën sikur e kafshon në ajër. Zgërdhihet. E sheh kokën e peshkut me dhimbshuri. E afron. Fokuson shikimin e tij në sytë e peshkut. Duart lëvizin në shenjë proteste me peshkun në majë të gishtërinjve. Ai heq kokën dhe e fsheh sa në një anë shpatulle në tjetrën. Duart qetësohen. Peshku mban qëndrim. Me një gisht heq pak lëkurë nga koka e peshkut. Dora me peshkun s’lëviz. Vazhdon të heqë dhe pak lëkurë. Dora me peshkun s’lëviz. Sa bëhet të heqë dhe pak lëkurë dora lëshon kokën e peshkut poshtë. Ai mërzitet dhe kërcënon me gishtin e dorës tjetër. Gishti i kundërvihet atij. Dora tjetër bëhet gati të mbajë fytin e tij. Gishti i dorës tjetër e perkëdhel në faqe. Ai tmerrohet dhe lëviz me vrap nëpër sallë. Duart qetsohen. Ulen poshtë. Ai ndalon. Sheh duart. Ato rrinë palëvizur. Sheh këmbët. Gishtat nuk lëvizin. Ul kokën i mërzitur. E ngre prapë.

Shkon dhe ec drejt pirgut me dhe. Me një dorë sheshon dheun me gishtin e dorës tjetër pikturon një shtëpizë, një mashkull, një femër dhe një fëmijë. Ai pikturon si fëmijë në rërë. E sheh. Sytë i mbushen me lot. Merr picetën nga gryka dhe fshin lotët. Sheh rretherrotull. Çohet. Fillon të mbledhë gurët shpërndarë përdhe dhe i vendos në bluzë. I lë afër njërit mur të shtëpisë. Çohet mer dy gurë të tjerë. I lë prapë afër murit. Çohet. Sa bën të marrë dy gurë të tjerë sheh pikturën në dhe. I lë gurët dhe shkon tek piktura. Përqëndohet. I përvidhet. Sheh në ajër. Sheh nga piktura. Sheh përreth. Fshin gruan dhe fëmijën. Sheh përreth. Fshin gjysmën e shtëpisë. Sheh përreth. Fshin mashkullin nga piktura. Ul kokën. Bien perdet.

# # #

Shënim: Pjesa publikohet me lejen e vetë autores.

Advertisements

Tags: , , ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: