Një djalë dhe një vajzë

by


Njohja e saj me Mirin nuk ishte e rastësishme. Për të. Së pari sepse ajo nuk besonte tek rastësia dhe, së dyti (këtë do ta merrte vesh vetëm mbasi të lidhte shoqëri me të), ashtu si babai i saj, edhe babai i Mirit e kishte gjetur atë kabinë pikërisht në momentet e fundit dhe as Miri – njësoj si ajo – nuk kishte qenë aspak entuziast për atë vend. Divjaka ishte e famshme për luftën me mushkonjat, që çdo pushues ishte i detyruar të bënte. Por ja që në plazhin e Divjakës, përveç mushkonjave, ata gjetën edhe njëri – tjetrin.

Jo menjëherë. Ditën e parë, asgjë speciale. Paradite, në rërë, thjesht shkëmbyen nga një vështrim të shpejtë, pa asnjë lloj nënkuptimi tjetër, përveç se asaj që dikton instinkti njerëzor, që pështyn të shikosh gjithçka që lëviz dhe të kalon pranë. E për më tepër, Elona, nuk ishte ndier aspak e tërhequr. Miri tregonte të njëjtën moshë me të, por ishte trupmadh dhe shpatullgjerë, kokën e kishte të madhe e të rrumbullakët (si ata kungujt që përdoren për Halloween, kishte komentuar me vete) dhe flokët e shkurtër ia vinin akoma edhe më në pah këtë detaj. Sa për sytë… epo mirë, sytë i kishte të bukur, në ngjyrën e një qielli të pastër vere. Por vetëm kaq, ndaj dhe Elona hodhi vëmendjen tek çadrat e tjera, në kërkim të diçkaje tjetër më interesante, të cilën nuk e gjeti. Kur, pasdreke, familja e saj ngriti çadrën, Elona mendoi se do ta gjente të nesërmen, gjënë e veçantë.

Por në fakt e gjeti po atë mbrëmje dhe pikërisht kur Miri mori një libër dhe u ul të lexojë poshtë një pishe, që, praktikisht, bënte ndarjen e kabinave të tyre.

Kështu, edhe Elona mori librin e saj, nxori prej repertorit buzëqeshjen më të bukur dhe iu afrua.

– Ah! – ishte gjithçka që mundi të thoshte Miri, kur pa librin që mbante në dorë Elona.

Elona vazhdoi me buzëqeshjen që kryesonte listën e saj të buzëqeshjeve. – Deri ku ke arritur? – pyeti.

– Ëhm… ja… pothuajse në fund.

– Vërtet?! Edhe unë. Isha gati të filloja kapitullin e parafundit, kur… kur të pashë që lexoje dhe… khë

– Kurse unë porsa e fillova kapitullin e parafundit.

– E ke idenë se si do të përfundojë?

– Ah, me Stephen King nuk e ke kurrë idenë se si do të përfundojë.

– Plotësisht dakord. E ke lexuar “It”?

– Kë? Biblën e horrorit do të thuash? Është libri im i preferuar.

– Edhe imi. Sa keq që s’e kanë përkthyer dot deri më sot. Mua ma ka sjellë vëllai. Nga Çikago.

– Mua babi. Nga Roma.

E mes tyre ra heshtja. Vetëm për disa çaste, por aq mjaftoi që Elona të dëgjonte se, në një radio aty pranë, Elton Deda këndonte se s’do të ikte nga kjo botë.

Pastaj:

– Oh, mua më quajnë Elona.

– Mua më quajnë Ermir. Miri shkurt.

Ja, kështu dhe miqësia hapi themelet.

Edhe Miri i kishte lexuar “Krahët e lirisë”. Fundi i “Milja e gjelbër” nuk ishte ashtu siç do të kishte dëshiruar Elona. Mirit i pëlqente më shumë fundi i “Dritarja e fshehtë”.

Hej, po Edgar Allan Poe? Ky sikur është përkthyer pak.

Po, ky po. Shumë i zymtë. Por gjenial, ama.

Shumë dakord. Për të mos folur pastaj për H.P.Lovecraft. Por Matherson është shumë herë më i bukur.

Fantastik fare! “I am legend”? “The Box”?

Librat? Të mrekullueshëm. Filmat? Çka.

Atë natë, që të dy mbaruan “Celulari” dhe të parat fjalë, që shkëmbyen të nesërmen, qenë: – Nuk krahasohet me “The Shinning”, megjithëkëtë interesant.

Një gjë ishte e sigurt: tani, kishin një arsye më shumë për të mos qenë dhe aq miq me celularët.

E pastaj, Elona dhe Miri bënë ç’ishte e mundur që pjesën më të madhe të pushimeve të ishin bashkë. Letërsia fantastike ishte argumenti që i njohu, por jo i vetmi që kishin të përbashkët. Gjithsesi, kryesori. Doli që edhe Mirit i vinte keq që në Shqipëri nuk ekzistonte ajo tradita e famshme amerikane për festën në fund të tetorit: Halloween.

Domethënë diçka ekzistonte, por jo ashtu siç duhej.

S’ka lidhje fare. Asaj feste, këtu, i mungon kryesorja. I mungon shpirti.

Elona do të ishte veshur si një prej nuseve të Drakulës tek “Van Helsing”.

Miri do të vdiste për kostumin e klounit Pennywise nga filmi “It”. Por, ama, për atë, që në maskën e kokës, tregon dhëmbët e përbindëshit.

E pastaj:

Çfarë do të bënte Miri kur të mbaronte gjimnazin? Elona kishte ndër mend të vazhdonte për letërsi, por vetëm tani që do fillonte vitin e katërt do të fillonte të përgatitej për konkursin.

Edhe Mirit i pëlqente letërsia, por objektivi i tij ishte gazetaria. Edhe ai ashtu si ajo, tani në vitin e fundit do fillonte të merrej me të.

Dhe kaloi një javë. Kaluan edhe dy ditët e para të javës së dytë. Edhe katër ditë dhe pastaj secili prej tyre do të kthehej në shkollën e tij. Asnjë problem: “Petro Nini” dhe “Eqerem Çabej” mund të ishin ca larg, por jo për dy shokë të atillë dhe numrat e telefonit i kishin shkëmbyer me kohë… Ah, sikur të kishte qëlluar pesëmbëdhjetëditëshi i dytë! Më 26 ishte ditëlindja e Elonës. Oh, vërtet! Po, s’ishte dhe aq problem, jo: kur të shkonin në Tiranë, do të kishin kohë për të festuar… Miri, gjithsesi, mund t’i bënte një dhuratë. Mund të takoheshin dhe… pse jo?… të shkonin në një restorant, të hanin diçka të shpejtë, pastaj të shkonin në kinema, a në ndonjë diskotekë. Po, në një diskotekë nuk do të ishte aspak keq. Do të kërcenin deri në vdekje.

Dhe qeshën. Me gjithë shpirt qeshën. Elona u ndie e lumturuar. Atë natë, në fletët e librit të saj të preferuar me histori të frikshme, ajo vizatoi një zemër.

Ditën e fundit, Elona doli më herët në det. Në fillim u kënaq, që (më në fund një herë) kishte arritur të dilte përpara Mirit, por kur kaluan pesë minuta, kënaqësia filloi të zbehej. Kaloi edhe një pesëminutësh tjetër dhe ajo ndjenjë u tret tërësisht. Gjysmë ore më vonë nuk e zinte më vendi. U ngrit dhe shkoi tek kabinat. Tani, edhe prindërit e saj ishin ngritur dhe po përgatiteshin për të dalë në breg.

Hë ç’kishte ndodhur që Elona ishte kthyer? Muhabetet e tmerrit ishin shteruar? Elona nuk u përgjigj. Kabina e Mirit ishte e mbyllur. Nga jashtë. Me kyç.

Atë ditë Elona e jetoi si të mos jetonte. Qëndroi aty, në hijen e çadrës së diellit, por mendja e saj u end në botën e Pyetjeve dhe Përgjigjeve të Mundshme. Në realitet, pyetjet ishin shumë të reduktuara, kurse përgjigjet ishin me qindra dhe asnjë prej tyre nuk ishte lehtësuese. E kanë fajin librat që lexon, u mundua disa herë të qetësonte veten. Por mendja e saj nuk donte t’ia dinte: ishte sëmurur keq… është çuar natën për të pirë ujë dhe është mbytur… ka rënë nga shkallët… mund t’i ketë ndodhur diçka në Tiranë dhe familjes së tij i është dashur të largohet…

Dhe kështu kaloi dita. Kështu kaloi edhe nata. Ëndrra? Një. Ajo zgjohej në mes të natës nga një ulërimë. Zbriste shkallët me vrap dhe në fund të tyre rrëzohej. Përplasej me çimenton e ftohtë dhe hundët fillonin t’i kullonin gjak. Tek këmbët e saj, Miri. Qeshte. Me të madhe. Prej gojës i binte dhè i shkrifët. Terr i zi. Dhe ajo hapte duart dhe e mblidhte. Pastaj ngjyroste gishtat me dhè në gjakun e saj të trashë. Mendonte: ëndrra prishet kur shikon gjak.

Të nesërmen në Tiranë, gjëja e parë që bëri ishte mbushja e kartës së telefonit. Pastaj telefonata. Pastaj humbja e ndjenjave.

Kaloi një ditë dhe Elona nuk doli nga shtëpia. Kaloi dita tjetër. Pastaj tjetra. Dhe tjetra. Erdhi ditëlindja e saj. Miri kishte dashur t’i bënte një dhuratë. Tani nuk kishte mundësi t’ia bënte dot. Ah, vetëm të kishte një farë realiteti në gjithë ato tregime që kishte lexuar ku të vdekurit ngriheshin prej varrit e takoheshin me njerëzit e tyre të dashur! Si Brandon Lee tek “Korbi”. Si Konstandini i Doruntinës. Por Miri, natyrisht, nuk doli prej varrit. Doli Elona. Prej shtëpisë. Doli sa për t’u ulur në një prej stolave të rinj në Sheshin “Wilson” për të parë ecejakun e makinave të panumërta. Më shumë se një herë pyeti veten nëse ajo që e kishte ndarë përfundimisht prej Mirit ishte duke kaluar aty, ato momente, por natyrisht nuk kishte se si ta dinte. Babai i saj i kishte treguar se asnjë nuk e dinte. Por të paktën diçka dinte, Elona: dinte se përse Mirit i ishte dashur të ikte që me natë prej plazhit. Të paktën këtë e kishte pas imagjinuar saktë, natën e fundit në plazh. Gjyshi i tij kishte qenë me të vërtetë duke vdekur.

Por ja që ai nuk vdiq. Vdekja, thjesht e kishte përdorur si karrem për nipin e tij.

Elona përqafoi veten. Prej dyqanit të disqeve mbrapa shpinës së saj – sikur dikush ta bënte me qëllim – Eltoni filloi të këndojë se si, mbrëmë, pa fjalë hëna shkoi, dhe një mëngjes i zymte agoi dhe Elona filloi të qajë. Dëgjoi këngën deri në fund, pastaj u kthye në shtëpi.

Kaluan edhe ditët e fundit të pushimeve. Filloi shkolla. Ashtu siç e kishte programuar, Elona filloi të mendojë për provimet. Filloi të lexojë më pak se më parë. Letërsi fantastike, domethënë. Por fletët e kujtimeve me Mirin nuk reshti kurrë së lexuari, madje shpesh i qëllonte edhe t’u shtonte fletë të imagjinuara atyre kujtimeve. Ndonjëherë, në heshtje, pyeste veten se çfarë do të kishte bërë atë ditë që binte shi, sikur të ishte takuar me Mirin. Po atë ditën tjetër, që bënë orë të shkurtra për të shkuar në miting? Oh, po me siguri do ta kishte takuar, do të kishin ikur prej rrëmujës dhe do të kishin pirë diçka në ndonjë lokal, ose do të kishin shkuar nga liqeni, secili me librin e tij me vete. Pak lexim, një koment dhe pastaj mirupafshim nesër!

Por ishte e pamundur.

Shtatori kaloi në majë të gishtave. Erdhi tetori. Edhe ai me të njëjtin ritëm zuri të rrëshqasë. Andej nga mesi i tij, vëllai i Elonës telefonoi dhe kërkoi listën e zakonshme të librave të. Dhe ishte pikërisht atë të shtunë që Elonës i lindi ideja. Jo libra, kësaj here. Vetëm një kostum. Për një festë të veçantë.

Tre ditë përpara fundit të muajit, Dashi erdhi prej Çikagos dhe motra e falënderoi me gjithë shpirt që kishte mundur t’i plotësonte kërkesën aq të veçantë të saj. Oh, asnjë problem nuk kishte pasur për ta gjetur, Dashi, vetëm se… ah, brenda në përbërje, kostumi kishte dy maska për kokën. Nuk e dinte pse, por ashtu shitej. Asnjë problem për Elonën, përkundrazi, më mirë: kështu edhe ajo mund të ruante një kujtim të vogël.

Që atë natë e zgjodhi maskën e të kokës. Me të mbetur vetëm në dhomën e saj, nxori kostumin dhe e provoi. Ishte fantastik. Ah, sikur Miri të ishte aty e ta shikonte me sytë e tij! Ishte kaq i vërtetë! Kaq origjinal! Ngjyrat. Pantallonat e gjëra. Po koka? Flokët kaçurrela. Veshët. Hunda e kuqe. Goja, pastaj! Goja ishte me të vërtetë gjëja më e bukur. Elona pa se tek njëra prej maskave të kokës, Pennywise thjesht buzëqeshte, me dhëmbët e fshehur mbas buzëve të kuqe dhe sytë e tij ishin të zinj porsi katran i shkrirë, kurse tek tjetra, goja e tij ishte e hapur dhe nxirrte në pah dhëmbë të zverdhur, të mëdhenj sa një pykë druri dhe sytë tij ishin të kuq porsi gjaku. Ah, sikur Miri të ishte aty me të tani!

Gjithsesi. Elona priti. Të nesërmen. Të pasnesërmen. Priti edhe gjithë ditën e të nesërmes pas të nesërmes. Në shkollë ishte gjithnjë e hutuar dhe shpesh herë iu desh të shpjegojë se ndoshta kishte ngrënë ndonjë hamburger të prishur, a kushedi, ndonjë virozë e stinës. Në shtëpi ishte më e thjeshtë. Në shtëpi mbyllej në dhomë dhe nuk kishte nevojë të gënjente.

Ditën e fundit të muajit… natën e fundit të tij, Elona mori çantën e shkollës, futi brenda kostumin e klounit dhe doli. Ishte ora shtatë pa pesë. Për prindërit e saj, Elona ishte duke shkuar në një mbrëmje, që do miq të saj organizonin në një disko.

Mori urbanin. Energjitë e këmbëve do t’i përdorte për tu kthyer, duke qenë se, në atë orë, që mendonte të kthehej, nuk do kishte urbanë. Por urbani e çoi deri në kombinat. Më tutje, Elonës iu desh të vazhdonte në këmbë.

Mundi të arrinte përpara mesnatës.

Përpara se të kapërcente kangjellat e larta, pikërisht në një pikë ku atyre u mungonin plot tre shufra të njëpasnjëshme, Elona veshi kostumin e klounit dhe në të njëjtin moment që bënte atë gjë, u bë e vetëdijshme se ajo ishte hera e parë që i bënte vizitë Mirit në banesën e tij të fundit. Ishte e çuditshme, sepse, deri kur i kishte kërkuar të vëllait atë kostum, nuk i kishte shkuar aspak në mendje. Mos ndoshta ishte sepse, thellë – thellë në qenien e saj, e dinte se do të shkonte vetëm atë natë? Se ajo ishte e vetmja natë që mund të zgjidhte si herë të parë? Ndoshta. Tek e fundit edhe atij i vinte keq që në Shqipëri, ajo natë, nuk festohej ashtu siç duhej.

– Por unë po e festoj, – i tha Elona pllakës së mermertë. – Dhe po e festoj për ty. – Dhe u mundua të transmetonte buzëqeshjen e saj përmes buzëqeshjes së klounit. Pastaj ra në gjunjë. Lart, hëna ndriçonte me një dritë të zbehtë. Elona fshehu fytyrën me duar dhe derdhi lot. E të mendosh se e kishte njohur për vetëm pak ditë! Por ato pak ditë kishin mjaftuar që ai të zinte një vend në piedestalin e qenies së saj.

– Më duket se të dua, – mërmëriti Elona mes ngashërimeve. Pastaj hoqi kostumin, e palosi dhe e vendosi me kujdes poshtë fotografisë së tij. Maskën e kokës me buzët e kuqe që buzëqeshnin e vuri përmbi.

U kthye në shtëpi diku rreth orës tre. Për fatin e saj të mirë, me të dalë në rrugë, një kamionist i rastit u ofrua ta shoqëronte deri në qytet dhe vetëm muaj më vonë, Elona do të mendonte, se sa me fat kishte qenë që ai kamionist kishte qëlluar me të vërtetë një njeri i mirë në vend të qëllonte ndonjë halabak, apo maniak, që kush e di se ç’mund t’i kishte bërë.

Dhe ishte normale që do të mendonte rreth kësaj gjëje vetëm mbas disa muajsh. Sepse, gjatë gjithë asaj kohe, do të mendonte për tjetër gjë. Gjatë gjithë asaj kohe Elona do të mendonte për mëngjesin e të nesërmes së vizitës së saj në banesën e fundit të Mirit. Do të mendonte për dritaren e hapur të dhomës së saj, për gjurmët e njoma mbi dysheme dhe për aromën e dhèut të freskët që i shpoi hundët. Për derën e hapur të dollapit dhe për maskën e klounit që i buzëqeshte mbi komedinë. Për buzëqeshjen e saj që i mbiu në buzë dhe për lotët që filluan t’i rridhnin faqeve.

Sepse kishte harruar fare që Mirit i pëlqente kostumi, që në maskën e kokës, tregonte dhëmbët e përbindëshit.

# # #

Për më shumë: enkelejdlamaj.com

Tags: , , , , ,

One Response to “Një djalë dhe një vajzë”

  1. alfred.b Says:

    tregim shume i bukur dhe elektrizues.
    me duket se nje feste katolike e perafert eshte me 2 Nentor, dita e te shumteve.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: