Nesër

by

nga Kozi Nasi

Koka e mbështetur mbi rrethin e timonit i rreshqiti në qendër dhe iu lëshua mbi borinë. E lartë siç ishte e trembi dhe e bëri ta ngrinte rrëmbimthi. Çohu – i tha vetes. Pa asnjë pikë dëshire doli nga makina. Për ato dy hapa drejt derës së apartamentit dhimbja e kokës iu dyfishua prej rripave të çantës së rëndë në sup që i shkeli flokët . Hodhi celësat në sqelmen pranë derës, lëshoi cantën prej supit në tokë dhe shfryu duke ngjeshur shpinën në mur. “Edhe një ditë” mendoi. Me hapat zvarritur u ngjit në katin e dytë. Filloi të zbërthente këmishën e zezë që I jepte një hije gri lëkurës së tejdukshme të supeve të lodhur. Duke luftuar me kopsën e fundit të ngecur në fijet e vrimës eci drejt dhomës së gjumit. Dera gjysëm e hapur e banjës i kujtoi vaskën dhe u gëzua. Pa vetëdije u fut në banjë, hapi rubinetin e ujit, ndezi qirinjtë rreth e rrotull, shtypi butonin e muzikës dhe u ndal para pasqyrës. Nën tingujt e butë të pianos e pa veten gjatë aty përpara. Pasqyra ende i kujtonte sytë e tij, ndaj ende preferonte të rrinte aty, siç rrinte dikur para tij. “Më lër të të zhvesh” i thoshte ai me stilin e vet që gjithmonë lutej pa u lutur. Me sytë pohues ajo i avitej dhe në heshtje dihatëse shijonte kënaqësinë e tij tek ia lehtësonte shtresat e rrobëta prej trupit. Në fillim rrëshqiste njërën dorë nën jakën e këmishës së saj dhe e fërkonte lehtë aty ku qafa derdhet në sup, ndërsa koka e saj anohej në drejtim të kundërt për t’i bërë vend dorës së tij ledhatare. Dora tjetër e tij zbërthente kopsat një nga një, pa nxitim. Ndërkohë që e mbante të mbërthyer me sy, ata sy të kastortë të cilëve ajo nuk ju ikte dot. Pastaj lehtë ia rrëzonte këmishën prej supeve duke i fërkuar shpatullat e drejta. Për çudinë e saj, çfarëdo lloj rrobash që ajo vishte i bindeshin duarve të tij dhe në kohëzgjatjen e një pulitjeje sysh ajo e gjente veten lakuriq para shikimit të tij admirues. Qeshi me zë, ashtu siç ishte para pasqyrës dhe e qeshura kumbuese u përzie hareshëm me zhurmën e ujit që mbushte vaskën dhe të tingujve të pianos që tentonin melankolinë. Qeshi sepse iu kujtua bezdia e tij me reçipetat. “Një gjoks si i yti nuk duhet burgosur kështu” i thoshte duke ia zberthyer me përtesë. Por e vërteta ishte që atij i pëlqente mënyra sesi ajo rrinte lirshëm pa reçipeta nëpër shtëpi, në plazh, kur dilnin bashkë. I pëlqente gjoksi i saj edhe pse bënte pjesë tek meshkujt që kishin dobësi absolute vithet e një femre. “Më duhet t’i vesh nganjëherë, i dashur” , i thoshte ajo me buzëqeshje, ndërsa duart e tij përkëdhelnin gjoksin legjendar. Sytë iu mjegulluan para pasqyrës tek rrëshqiti duart në thithat e erektuara. Ah! Ai i mungonte. Kishte kaluar plot një vit që ishin ndarë. Me nervozizëm iku nga pasqyra dhe u kthye drejt vaskës. Pushoi ujin, rrjedha e të cilit e kishte shndërruar shampon e lëngët në flluska shkumë shumëngjyrëshe. Iu kujtua pak verë e kuqe që kish mbetur nga mbrëmja e kaluar dhe shkoi në kuzhinë ta merrte, ashtu lakuriq siç ishte. I pëlqente të rrinte lakuriq kur ishte vetëm, zakon që ia kishte futur ai. Me verën e mbetur u bë plot një gotë dhe e lumtur nga prania e lëngut të kuq nxitoi për në vaskë. Tani po! Rrufiti me ëndje verën dhe duke u gëlltitur u ul në cep të vaskës duke futur vetëm gishtat e këmbëve në ujë si fillim . Iu duk i mirë dhe duke mbështetur gotën në parvaz të vaskës u shtri. La veç kokën jashtë, mbi një peshqir të sajuar si jastëk dhe trupin e zhyti në ujë. Dukej sikur ishte mbuluar me batanije shkume dhe si fëmije filloi të shfrynte flluskat rreth e rrotull. Atmosfera e këndëshme mund të gënjente këdo për qetësinë dhe paqen e saj , por në fakt vetëm ajo e dinte që nuk ishte aspak ashtu. Ishte e trishtuar, e lodhur, e malluar, e përmalluar, e uritur, e etur….e vetme. Vetmia ishte koncept i panjohur për të. “Më kujto të vimë të ulemi tek ky stoli këtu kur të arrijmë 90at, më premto!” i pati kërkuar ai kur sapo kishin lëvizur në qytetin M, për të vetmin stol tek rruga me blirë. “Ta premtoj” i ish përgjigjur pa hezitim ajo, duke mos pasur as konceptin më të vogël për të 90at; ishte vetëm 26 vjeçe atëherë dhe e bindur që do t’i arrinte 90at me të. Njëmbëdhjetë vjet më vonë…gjërat ishin krejt ndryshe, gjërat ishin pa atë. Nuk e dinte pse ishin ndarë. Në fakt e dinte, por nuk donta ta kujtonte. Dinte vetëm që ai kish ikur në kërkim të diçkaje tjetër, që ajo nuk mund t’ia jepte dot. “Nuk mundem dot më” i pat thënë ai mendueshëm dhe qetë. “Një Zot e di sa të dua, por nuk mundem më!” Edhe ajo e kish ndjerë fundin prej ca kohësh tashmë. Jo sepse diçka kishte ndryshur, përkundrazi. Gjërat ishin mirë njësoj, siç kishin qenë prej vitesh mes tyre: ngrohtësia, dëshira, dashuria, të bërit dashuri, të bërit seks pasandaj, bisedat me orë të tëra të shtunave të gjata , përkujdesja, përkëdheljet…të gjitha. Veç koha, ishte ajo qe kish ndryshuar, ishte bërë shumë kohë. Pa dyshim që ajo e donte tani shumë më tepër se sa kur sapo e kish njohur. E donte aq më tepër sa ta kuptonte që ndarja nuk kishte qenë ndarje e dy njerëzve që nuk duheshin më. Ishte vetëm shpërbërje e kohës bashkë. Që të dy kishin nevojë për kohë ndaraz, larg njëri-tjetrit . Pasive , si gjithmonë, ajo i ish bindur në heshtje aprovuese sugjerimit të tij për ta provuar jetën larg njeri –tjetrit për një vit. “Nesër!”-tha me zë tek shfrynte flluskat mbi trup dhe ideja e tmerroi. E nesërmja ishte dita që koha vetëm mbaronte dhe ai do të vinte. E dinte që dukej akoma mirë, edhe pse viti ndaraz ia kish shtuar hijen e rrathëve poshtë syve dhe një vijë e re ndante cepin e djathtë të gojës me mollëzën e faqes, sidomos kur buzëqeshte. Ndoshta edhe ai ka ndonjë rrudhë të re, mendoi, por shpejt psherëtiu e vetëdijshme për paraqitjen e tij ende tepër tërheqëse. “Nesër!”përsëriti me panik dhe rrëshqiti e gjitha nën ujë. Vendosi të rrinte fundosur deri nesër, të mbante frymën ashtu, nën ujin aromatik deri nesër. Filloi të numërojë nën ujë…pa u bërë 13 e nxorri kokën dhe dënesa i doli njëherësh me dioksidin e karbonit të frymënxjerrjes së vonuar! Ajo gjithmonë qante në heshtje. Jo tani, tani po qante me ngashërime zëlarta dhe me supet që i dridheshin po çlironte shpirtin e mbushur prej një viti që nuk dinte të kalonte shpejt. Tashmë ishin lotët e nxehtë që ngacmonin flluskat gjysmake në vaskë, ndërsa diafragma që ulej e ngrihej me vrull i ruante ritmin e dihatjeve gojëhapur . Sytë iu ndalën tek qiriu i gjatë në të majtë dhe duke u përpjekur të çlironte gulcet e fundit të frymës e mori dhe e solli pranë vetes. Flaka dridhëse iu duk e afërt dhe me shikimin ngulur në pikëzën e kuqe hipnotizuese të zemrës së saj, filloi të derdhte dyllin e nxehtë në lëkurën e parakrahut të djathtë. Përcëllimi I pëlqeu dhe dhimbja e ngazëlloi. Dylli i nxehtë kulloi shpejt drejt bërrylit dhe po aq shpejt filloi të mpiksej, tamam për t’i kujtuar se çdo kënaqësi është kohëshkurtër më së miri. Kishin qenë sekonda të cmuara terapeutike ato pika dylli të përdjegur. Ngashërimet ishin vakur dhe trupi i ish qetësuar disi. Ndjehej e lehtësuar dhe ashtu u çua në këmbë. Shpëlau trupin dhe doli duke kulluar. Peshqiri i madh i kujtoi mbështjelljet në përqafimet e tij dhe ideja që do mund t’i provonte edhe një herë ato përqafime në punë orësh e gëzoi pa masë. U tha, kremosi lëkurën cep me cep, veshi veç një kanotirë të tijën me të cilën flinte prej kohësh, fiku dritat, por jo tingujt e “Verës” së Vivaldit dhe u shtri…E uroi veten për gjumë të pa trazuar nga ëndërrat, për gjumë të thellë e të rëndë, për gjumë te vdekurish. Donte vetëm të zgjohej në mëngjes me diellin dhe jo në mesnatë, e në 3, e në 4, e në 5, siç i kishte ndodhur për gati një vit tashmë. Ra të flejë në anën e saj të krevatit këtë rradhë. Atij do t’i duhej e freskët ana e vet.
Brënda qerpikëve të bashkuar, imazhi i fundit ishin sytë e tij të butë …
Ndjesia e fundit, tek i jepej gjumit ishte malli për to…

Tags: , , , ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: