Letra e një të dënuari me vdekje…

by

nga Albi Dardan Xhunga

Gjatë asaj kohe më mungonin shumë librat. Mund të paguaje një polic për të të sjellë fshehurazi një radio të vockël dore me të cilën mund ta shtyje deri në kontrollin e radhës, po për libra s’bëhej fjalë. Rregull absurd i burgut 313, që me sa kam mësuar tani ka ndryshuar. Të burgosurit e sotëm janë më fatlumë. Që në paraburgim kanë radio, tv, madje edhe dixhitalë. Ata që janë të interesuar kanë edhe libra. U mungon vetëm një gjë e vogël, liria.

Atëherë të vetmit që lejoheshin ishin librat, revistat e fletëpalosjet me përrallat e providencës. Mqs ishin e vetmja gjë e shkruar që lejohej i lexova deri sa gati i mësova përmendësh, po për fatin tim të keq s’më bindën. Kështu që s’mund të gushëllohesha se për padrejtësitë që të bëhen në këtë botë do shpërblehesh në tjetrën.

Nejse, le të kthehemi te ajo që dua të tregoj. Shefi i izolimit, ngaqë më kishte shumë “qejf” më la të rrija vetëm fare në një birrucë pak më të mjerë se të tjerat. Në burgun 313 njihen si ”anekset”, ku dikur (para se ligji të ndryshohej) rrinin të dënuarit me vdekje në pritje të ekzekutimit. Sapo hyra, pa e ndierë ende shulin e rëndë të mbyllej pas meje, më ra në sy dicka. Njëra faqe e murit ishte e shkruar nga fillimi deri në fund me stilolaps me shkrim dore. Dua të them se shkronjat nuk ishin më të mëdha se zakonisht kur shkruhet në fletore. U çudita. E para arësye për çudinë time ishte se si kishte mundur autori i panjohur të shkruante gjithë faqen e murit që nga tavani e deri në dysheme? Unë jam goxha i gjatë, po sërish mendoj se s’do ia kisha dalë. Çudia e dytë ishte se si kishte mundur të shkruante aq shumë në një suva muri të shtrembër e të lyer me gëlqere? Kush ka provuar të shkruajë në një mur me stilolaps më kupton se çfarë dua të them. Duhet t’i biesh një shkronje përsipër disa herë që të arrish ta bësh të lexueshme. Nejse, një gjë ishte e sigurt, autori ka pasur kohë në dispozicion. Pas shumë përpjekjeve kuptova se tregimi (autori kishte shkruar historinë e shkatërrimit të jetës së tij) fillonte në të djathtë të murit ngjitur me tavanin dhe mbaronte në të majtë ngjitur me dyshemenë. Pra muri ishte përdorur si një fletë format A 4, ku një rresht fillonte në fillim të murit dhe vazhdonte deri në fund. Kur kujtoj se ç’hoqa për ta lexuar imagjinoj c’ka hequr ai i gjori për ta shkruar. Pra ishte lexim i vështirë, por edhe unë kisha kohë…

Tregimi s’kishte titull, ndaj edhe unë e quajta ashtu. S’kishte emër konkret të autorit e as të ndonjë personazhi. Mendoj se duke marrë me mend lexuesit e mundshëm ka dashur të thotë: ”Të duket vetja fatkeq? Lexo dhe mëso se ka edhe më fatkeqë se ty.”

Ishte i shkruar në gegërisht dhe une mendoj se s’jam i aftë ta riprodhoj në origjial, ndaj do përdor gjuhën letrare. Nuk kisha me çfarë të mbaja shënime, por historia më kujtohet goxha mirë. Natyrisht që s’mund ta sjell fjalë për fjalë, pasi ishte shumë i gjatë, por e kam shumë të qartë në kujtesë dhe mendoj se do ta sjell pa i hequr ndonjë detaj të rëndësishëm. Fillonte me një histori dashurie, siç fillojnë shumë histori tragjike njerëzore.

Pra tregimi ishte ky:

Për gjithë sa më ndodhi fajësoj dashurinë time të njëanshme. Dashuri e cila nuk m’u kthye kurrë, por edhe unë s’mësova kurrë se për të krijuar një familje të bukur nga një ndienje e bukur duhen dy. Mendova se me kalimin e kohës do mësohej të më donte dhe gjerat do ecnin ashtu siç dëshiroja. E njoha nga një shoqe e përbashkët. Unë jam nga veriu, por gjatë viteve të mia në emigrim familja me ndihmën time ishte transferuar në Tiranë dhe unë kur vija për pushime ditët i kaloja atje. Për qytetin tim më merrte malli, por kur shkoja atje trishtohesha. S’kishte njerëz, sidomos rini. Ishte një varfëri e paparë. Djemtë merrnin rrugët e kurbetit sapo arrinin moshën madhore dhe vajzat në shumë raste lidheshin pa u menduar shumë me të parin që mund t’i largonte që aty. Ngado ndihej dëshpërim…

Pra pasi një shoqe e përbashkët më prezantoi fillova të dilja me vajzën me sy të bardhë. Ishte djallëzisht e bukur, dhe zgjuar gjithashtu. Ishte e shkolluar dhe kishte klas. U dashurova shumë shpejt. Kjo dashuri s’mu kthye kurrë, po mua aq më bënte. Isha i verbuar, i magjepsur prej saj. Mendoja gjithë kohës për të. Vija shumë më shpesh se zakonisht dhe e shtyja ikjen deri sa mundja, shumë herë duke ia komplikuar punët vehtes.

Mendoja edhe për t’u kthyer sa më shpejt për të jetuar në Tiranë. Një miku im i huaj më kishte hedhur idenë e një biznesi, risi për tregun shqiptar. Këtë e realizuam dhe më në fund unë isha afër të dashurës sime. Kisha një biznes me të cilin mund të ndërtoja një jetë të mirë. Bleva një apartament, e kompletova sipas shijeve të saj dhe i kërkova të martoheshim.

Gjithçka ndodhi shumë shpejt…

Kishte ndenjur me mua natë e ditë. Kishte arreduar apartamentin si kishte dashur. Në çdo sjellje të saj ne dukeshim çift. Por….. me tha “Jo”. U trondita. Nuk e prisja si përgjigje të mundshme. S’kisha asnjë arësye që të më bënte ta paramendoja. U meka, s’munda të thoja më asnjë fjalë. Ika i hutuar dhe rrugës mendoja arësyet e mundshme që e kishin bërë të më rrefuzonte. Që s’ishte e dashuruar me mua e dija, por të donte dikë tjetër ishte vërtet e tmerrshme. Këtë nuk do e përballoja dot. Thua të ishte e vërtetë??? Dhe lulet më kishin ngelur në dorë… Ia dhurova një plake të panjohur, të veshur me të zeza.

Në një moment të tillë e kuptova tamam sa e huaj ishte Tirana për mua. Kisha nevojë të flisja me dikë, të këshillohesha, të zbrazesha, por në Tirane s’kisha asnjë mik. Në të tilla raste vetëm një gjë mund të bësh, të pish. Dhe unë piva pafund. I vetëm nga njeri lokal në tjetrin me gotën përpara dhe me mendimet e zymta në kokë.

Kthehem në shtëpi gati në mëngjes, por c’të shikoj? Ajo ishte aty, shtrirë mbi divan duke fjetur qetësisht. M’u desh të pickoja vehten e ta prekja atë që të bindesha se s’isha në ëndërr. E mbulova me një batanije dhe e lashë te flinte aty, pa e zgjuar.

Zgjohem të nesermen rreth orës 11.00 dhe ajo s’ishte më aty. As batanija s’ishte më aty. Thua të kisha parë ëndërr? Dreq o punë, një zot e di sa kisha pirë…

Dola për një kafe e një shëtitje dhe kur u ktheva në shtëpi e gjej duke gatuar. Ishte shumë e paparashikueshme ajo femër. Gjithsesi u lumturova kur e pashë. I kërkova të flasim. Më tha se nuk donte të martohej me mua, se unë isha shumë i mirë për të. Sikur ta dija sa shumë të drejtë kishte… Kur e pyeta përse mendonte ashtu, më tha se ishte shumë kapriçoze dhe shumë e përkëdhelur. I thashë se të gjitha këto ishin gjepura, se unë e doja pafund dhe se dëshira më e madhe që kisha në këtë bote ishtë të martohesha me të. I thashë edhe se e dija që nuk ishte e dashuruar me mua, por do më donte me kalimin e kohës, pasi unë do sillesha gjithmonë shume mire me të dhe se do përpiqesha sa të mundja ta bëja të lumtur. Qeshi në mënyre ironike dhe më tha se donte kohë.

U martova i verbuar. Ndihesha mirë, i lumtur, i plotësuar dhe s’më interesonte asgjë tjetër. Është e vërtetë kur thuhet se për të njohur dikë ndonjëherë s’të mjafton as e gjithë jeta, por unë as që u përpoqa. Isha vërtet shumë i padjallëzuar.

Biznesi im ndërkohë kishte ecur mirë. Mgjs bleva një apartament tjetër, një makinë fare të re  dhe bënim një jetë plot shpenzime, llogaria ime në bankë shtohej ndjeshëm çdo muaj. Pas pak kohësh kisha 9 persona të punësuar. Jeta që bënim ishte vërtet për t’u pasur zili.

Një ditë të bukur, pasi kishim gati 6 vjet që jetonim si bashkëshortë më teket ta pyes nëse ishte e lumtur, nëse kishte diçka që i mungonte? Përgjigjia ishte tronditëse: “Jam e lumtur po aq sa është një kanarinë në një kafaz prej ari. Kam të mira materiale, kam një makinë të bukur, jetoj në një shtëpi të bukur, kam rroba e bizhu të shtrenjta, por të gjitha këto janë gjëra që mund t’i blesh. Lumturia nuk blihet i dashur. Unë kam shitur lirinë time për t’u martuar me ty dhe ende sot e kesaj dite s’e di dhe as e kuptoj përse e bëra. Ndihem e burgosur, ndihem fatkeqe dhe pikërisht kjo jetë e shtrenjtë që bëj e bën edhe më ironike fatkeqesinë time.“

E pyeta pse ndihej e burgosur, mos vallë unë e kisha ndaluar të bënte jetën që donte?

Më tha se nuk ishte e burgosur në mënyrën klasike të kësaj fjale. Ishte e burgosur me dëshirë, mund të ikte kur të donte, por sërish ishte e burgosur. Dhe kjo sipas saj ishte nje burgosje më e tmerrshme se klasikja.

Pasi foli shumë më tha se gjithcka tha ishin gjepura, më dha një përqafim dhe tha që të mos merrja seriozisht asgjë nga ato që tha.

Një natë ndieva zhurmë në ballkon. Ishte pothuaj mesnatë. Ne ishim shtrirë, por s’po flinim. Ishim kthyer nga nje darkë jashtë, vetëm ne. Dhuratë e saj. Më tha se ndihej çuditshëm atë natë. Se kishte një frikë, por ishte e pashpjegueshme, s’kishte ndonje shkak të dukshëm. Bëmë një sex të çmendur dhe vazhduam  të pinim me të njëjtin ritëm si në lokal. Ajo ma mbushte gotën shumë shpesh dhe me thoshte se i pihej shumë dhe se s’donte që ta lija vetëm.

Pasi dëgjoj zhurmën ajo filloi të dridhej. U struk pas meje dhe me tha se na rrezikohej jeta.

I thashë të mos thoshte gjepura, s’kishte asgjë, ne s’kishim armiq. Por ajo më vuri dorën te buzët dhe nisi të më flasë shpejt. Më tha se kishte një adhurues fare të çmendur. Ky ishte një ish i dashuri i saj që ishte ende i çmendur për të. Më tha se ishte njei shumë i dhunshëm dhe se ajo e kishte lënë pikërisht për këtë arësye. Këto ditë ai sapo kishte dalë nga burgu dhe i kishte thënë se po të mos rikthehej me të do e vriste. Pastaj i kishte thëne se do më vriste mua. Do ngjitej ndonjë natë në shtëpinë tonë nga ballkoni dhe do më vriste. Më tha se ai tipi në ballkon është i armatosur dhe se të thënën me të bërën nuk e ka shumë larg. Pastaj u ngrit, hapi çanten, nxorri një pistoletë dhe ma dha. Më tha se kishte bërë plan ta vriste vetë, pasi ishte problem i saj, jo i imi. Më tha se ky tipi ishte kapo i një bande të rrezikshme dhe nuk ishte një problem qe mund të zgjidhej në polici. Ata gjithsesi të vrisnin. Vrite më tha dhe pastaj ikim në SHBA. Nëse e do jetën më tha, nëse më do mua, vrite. Ai ka për të na vrarë të dyve.  Pistoletën e ke të mbushur.

Isha i trubulluar nga pija, i trembur nga sa dëgjova, dhe i fyer në krenarinë time. Dikush guxonte të vinte e të më vriste brenda në shtëpinë time, vetëm e vetëm sepse dashuronte gruan time. Ajo mori celularin dhe tha se do merrte policinë. Por e la telefonatën përgjysëm dhe më tha sërish se ta vrisja ishte e vetmja zgjidhje. Ndërkohë që ajo kishte tel në dorë në ballkon u dëgjua një zile, por nuk i dhashë rëndësi.

Po në këtë kohë dikush hapi derën e ballkonit dhe hyri brenda. E ndalova me 6 të shtëna pistolete. Ai ra duke përmendur emrin e saj dhe në fytyrë përzier me dhimbjen i lexohej zhgënjim. Ajo ulëriti fort dhe iku me vrap nga dhoma. Unë për momentin u hutova. Nuk është e lehtë të vrasësh një njeri, qoftë edhe për vetmbrojtje. Nuk e di sa minuta kaluan, por kur u përmenda, dmth kur e mora disi vehten dëgjova sirena policie. Do e kisha lajmëruar vetë policinë, pasi isha i bindur se isha i pafajshëm, po me sa dukej, dikush e kishte bërë përpara meje. Krismat duhet të ishin dëgjuar, pasi ishte natë dhe  shumë qetësi.

Ai ishte aty, i shtrirë. Po shpresoja të kishte shpëtuar. Iu afrova, doja t’i vija dorën te pulsi për të parë në ishte ende gjallë, por s’munda. Por… cfarë çudie. Ai s’kishte asgjë që mund t’i ngjante një arme. Kontrollova edhe brezin e tij, por asgjë. Ai njeri mund të kishte dashur të më vriste, por të paktën jo atë natë. Që atë moment e kuptova belanë që më zuri, por gjithsesi mendova se do justifikohesha me atë që ai kishte deklaruar se donte të më vriste dhe se hyri si hajdut në shtëpinë time. Mgjs motivi i vetëmbrojtjes nuk mund të përdorej më, kisha goxha justifikime për atë që bëra. Tek e fundit unë s’mund ta dija në kishte armë me vehte, apo jo.  Më hyri nga ballkoni në shtëpi dikush që kishte deklaruar se do më vriste dhe kaq duhet të mjaftonte. Mendimet e mia i ndërpreu një zë që vinte nga dera e jashtme. “Të bëjmë thirrje të dorëzohësh. Çdo rezistencë do jetë e kotë. Policia”. Çfarë absurditeti… Natyrisht që do dorëzohesha. Nuk isha kriminel i rëndomtë. Pasi folën me mua, hynë brenda dhe më vunë prangat. Mendova se ishte çështje proçedure. I thashë njërit prej tyre të kujdeseshin për time shoqe, por ai qeshi me ironi dhe më tha se ishte e sigurt.

Më çuan në stacionin e policisë dhe më lanë në një birrucë. Erdhi mëngjesi, po kalonte dita dhe askush nuk erdhi tek unë të më pyeste. I thashë një polici se doja të flisja me dikë nga shefat. Por mora një përgjigje arrogante. Më tha se nuk kisha shkuar me pushime aty. Isha një kriminel dhe do të trajtohesha si një kriminel. Mendova se ai i gjori ishte thjesht roje dhe nuk mund ta dinte se çfarë kishte ndodhur.

Në mbrëmje më thanë se do më çonin tek hetuesi. I shoqëruar me dy policë dhe me një palë pranga shkuam deri në një zyrë në katin e dytë. Aty, sapo hymë m’i hoqën prangat, përshëndetën zotërinë që ishte ulur në një kolltuk dhe i thanë se ishin pas derës për çdo nevojë, apo problem që mund të kishte.

Zotëria më tha se ishte hetuesi. Jo hetuesi i çështjes, pasi ai vendosej më vonë, por hetuesi i gatshëm për ngjarjet ë 24 orëshit dhe se punonte së bashku më një prokuror, i cili do merrte pjesë në seancën e gjyqit për masën time të arrestit që do të zhvollohej të nesërmen. Më tha edhe se ishte një gjyq formal, pasi për një çështje te tille vendimi ishte i sigurt, arrest me burg. Kur e pyeta pse mendonte ashtu m’u përgjigj se i vinte keq që ma thoshte, por nëse shpëtoja nga dënimi me vdekje duhet ta konsideroja vehten njeri me fat. Më këshilloi gjithashtu të merrja sa më shpejt një avokat. Kur i thashë se s’kishte gjasa të ndodhnin këto që thoshte ai, pasi unë kisha bërë një vrasje për vetëmbrojtje, uli syzet, më pa në sy dhe më tha se më kishte folur si njeri, por mqs doja të bëja “të zgjuarin” ok, ishte puna ime. Pastaj më tha se kishte ardhur që, sipas ligjit, të më njihte me akuzën. Akuza ishte: “Vrasje me paramendim. Heqje e lirisë së tjetrit dhe armëmbajtje pa leje.”

Kur e pyeta se kujt i kisha hequr lirinë, më tha se s’kishte nerva të merrej me një vrasës ordiner që donte të bënte “të zgjuarin” si unë, por do me jepte denoncimin e sime shoqeje dhe me hodhi në tavolinë një fletë formati. E mora ta lexoj, por m’u errën sytë. Nuk mund të ishte e vërtetë.

Aty shkruhej:

“Dje në drekë im shoq e mori vesh se unë kisha një të dashur. Pas kërcënimeve me një pistoletë të mbushur në kokë ia tregova kush ishte. Më tha ta merrja në telefon dhe t’i thoja se im shoq kishte ikur jashte dhe se mund të vinte tek unë nga mesnata, por të ngjitej nga ballkoni, që të mos e shihnin komshinjtë. Mqs e njihja tim shoq, i cili më kishte detyruar të martohesha nga frika me të dhe e dija që mund ta shkrepte fare lehtë atë pistoletë që mbante në kokën time, e bëra. E mora ta dashurin në telefon dhe i thashë siç më tha ai. Pastaj më tha se do e vriste, por do e bënte të dukej si një vrasje hajduti dhe se do merrte një dënim të ulët, të cilin me ca para do e kthente në dënim me gjobë. U tmerrova. S’kisha ç’bëja. Ai ishte aty, s’më linte të ikja. Kur erdhi mesnata dhe i dashuri im erdhi nga ballkoni, më detyroi t’i bëja një zile në telefon që ta merrte vesh tamam ku ishte dhe kur atij i ra telefoni në kohën që po hynte në dhomën tonë të gjumit që është ngjitur me ballkonin, im shoq e qëlloi disa herë me pistoletë. Unë u tremba dhe vrapova jashtë shtëpisë. Nuk e di në më ndoqi, apo jo, por vrapova si e çmendur deri në stacionin e policisë dhe denoncova ngjarjen.”

Në fund të letrës ishte emri dhe nënshkrimi i saj.

Nuk kam fjalë të përshkruaj se ç’ndjeva në ato moment. Gjithçka po merrte formë. Pak orë më parë isha një njeri me një jetë për t’u pasur zili, ndërsa tani një i burgosur ordiner, një vrasës, rrëmbyes dhe kërcënues,  cili rrezikonte të pushkatohej.  Po llogarisja shanset e mia. Isha i pafajshëm. Më kishin futur djallëzisht, pabesisht dhe në mënyrë të pashpirt në një kurth të tmerrshëm. Por sa më shumë mendoja, aq më shumë kuptoja se sa të pakta i kisha mundësitë të argumentoja të vërtetën. Ajo djallushkë i kishte menduar mirë gjërat dhe s’më kishte lënë asnjë shans.

Që s’më donte edhe mund ta kuptoja, por që të më shkatërronte në këtë mënyrë???!!!

. Tek e fundit i kisha bërë vetëm të mira. Kishte gjithçka si dhe kur e donte. Nëse e kishte pasur seriozisht “kafazin e artë” ishte e lirë të ikte. Pse duhet të ma bënte këtë?

Marrëdhënien e saj me personin që vrava nuk e mësova kurrë. Por është e sigurt se dhe ai ishte një viktimë e zgjedhur.

Nuk ia vlen të përshkruaj seancat e gjyqit dhe as 4 avokatët që ndërrova. Nuk ia vlen as të komentoj ligjet shqiptare, sipas të cilave nëse dy vetë kalojnë më shumë se 5 vite martesë ç’do pronë, para, apo e ardhur ndahet përgjysëm në rast ndarje, pasi konsiderohet si pasuri e vënë me kontribut të përbashkët.

Natyrisht që ajo nuk erdhi as në senacat e gjyqit tim dhe as në ato të divorcit. Ishte deklarata e saj në polici dhe një avokat i pajtuar prej saj që e përfaqësonte. Dëgjova se kishte ikur në SHBA. Po ç’rëndësi ka tek e fundit. Tashmë për mua SHBA është ç’do vend jashtë këtyre mureve.

U dënova me pushkatim në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Ndërsa tani po pres fundin. Privilegji që munda të fitoj duke paguar shumë para është se nuk më vënë kokore në kokë dhe pranga siç është rregulli dhe munda të siguroj këtë stilolaps me të cilin po shkruaj. Kam dëgjuar se zakonisht vijnë natën, ndaj sa herë që dëgjoj zhurmë natën më zënë të dridhurat. Nuk kam bërë asgjë që të meritoj një vdekje kaq të tmerrshme dhe nëse vërtet ka zot duhet të ndodhë ndonjë mrekulli. Ndoshta Presidenti i Republikës dëgjon diçka për çështjen time dhe vendos të mos e firmosë ekzekutimin. Kam dëgjuar edhe se nëse të falet jeta, kur vijnë të ta thonë marrin edhe një doktor, pasi ka ndodhur që i dënuari ka vdekur nga tronditja.

Ëndërroj gjithmonë se dikush do më vijë dhe do më thotë se e gjitha kjo është një shaka, si ajo në filmin me Majkëll Dagllas. E di që s’mund të ndodhë, por veç ëndrrave dhe shpresës s’më ka mbetur asgjë. Vazhdoj të shpresoj se dikush do të shkojë te presidenti dhe do i thotë se jam i pafajshëm. Vazhdoj të shpresoj se letrat që u kam dërguar autoriteteve do të lexohen dhe diçka do të merret parasysh. Kam dëgjuar se në SHBA të dënuarit me vdekje i ekzekutojnë shumë vite pasi është marrë vendimi, pasi ka ndodhur që më vonë kanë dalë fakte të reja që kanë rrëzuar akuzat. Por këtu është Shqipëri dhe jeta e njeriut s’ka aq vlerë. Gjithsesi nëse do të kisha mundësi që historinë timë, të cilën e shkrova në mur, ta shkruaja në një bllok dhe më pas ta dërg.

Kjo ishte hisotria e shkruar në atë mur. Nuk e di nëse i ka mbaruar boja e stilolapsit, apo shkrimin ia ka ndërprerë skuadra e ekzekutimit. Por një gjë është e sigurt, atë djalosh e kanë pushkatuar. Këtë ma tha një polic shërbimi, i cili kishte qenë aty kur e kishin marrë. U kishte kërkuar si dëshirë të fundit të shihte diellin dhe të ndiente erën t’i përkëdhelte fytyrën… Por të dënuarit me vdekje në Shqipëri nuk e kishin privilegjin e një dëshire të fundit, e cila plotësohet për të respektuar një jetë njerëzore…

Advertisements

One Response to “Letra e një të dënuari me vdekje…”

  1. Irma ttbmlj Says:

    wow

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: