China Town në Tiranë

by

https://i1.wp.com/i39.tinypic.com/1z65chv.jpg

Prej afro 20 vitesh tashmë, ata kanë krijuar dalëngadalë habitatin e shtegtimit të tyre edhe në Tiranë. Janë me qindra emigrantët kinezë që kanë zënë vend si tregëtarë e banorë përgjatë Rrugës së Dibrës duke i dhënë kësaj zone fytyrën e një Chinatown-i të ngjashëm me ata të vendeve të tjera të Europës

nga Gladiola Bendaj, botuar tek revista Java

Të qeshur, por jo të afruar, enigmatikë dhe me një vullnet të sëmurë për punën, ata i njohin mirë limitet e tyre, sikurse dhe dinë të të vënë kufij. Nuk bëjnë atë jetën kozmopolite të tregëtarëve të mëndafshit e gurëve të çmuar një herë e një kohë. Kostoja e shtegtimit midis dy çerdheve do të ishte e lartë. Për të shkuar nga Shqipëria në Kinë bileta e avionit kushton minimalisht një mijë euro. Ndaj rrugën për andej e marrin jo më shumë se një herë në vit, në festën e madhe të Vitit të Ri Kinez.
Në prag të Vitit të Dragoit, kemi bërë një shëtitje të ngadaltë në atë që sot në Tiranë mund të quhet lagjja e kinezëve, për të parë më nga afër sesi gëlon jeta dhe shpresat e këtyre njerëzve, ndarë diku aty mes provincës që kanë lënë pas në Kinën e largët dhe Tiranës, diku aty mes traditës dhe modernizimit, mes tingujve të mprehtë të gjuhës mandarine dhe një shqipeje të belbëzuar si ajo bebeve.

Tek Medreseja
“Taksëz njerëz. Më mirë që rrinë larg e shohin hesapin e tyre. S’ke ç’i do. I gjeti si kërpudhat pas shiut, i gjeti!”. Teksa mërmërit pa e ngritur kokën nga pirgu i çorapeve që shet buzë rrugës, Lumja nuk rri pa i ndjekur me bisht të syrit dy kinezka të kolme që kalojnë para saj duke tundur qeskat ku kanë blerë peshk e zarzavate. “Dhe rrojnë mirë! S’kemi, s’bëjmë thonë, po janë bërë zengjina!…”. Në fakt askush nuk po e pyeste, po Lumja bëri ç’bëri e gjeti vend të shfrynte dyfin, duke e servirur si “solidarizim”. Me siguri kish kohë që ndiqte me bisht të syrit edhe përpjekjet tona për të hyrë në muhabet me kinezët e dyqaneve aty rrotull. “Eeee…, gazetare je ti?. Eeeee, nuk të flasin. Rrinë e fshihen, e thonë se nuk kuptojnë gjuhën. Kuptojnë si dreqi kuptojnë, po s’duan të flasin!”.
Lumja, një grua rreth të 50-tave ka vite që shet rroba në qiell të hapur, aty në bisht të një pishe të vjetër buzë Rrugës së Dibrës. Ca vite më parë, kinezët e ardhur nga kushedi se ku s’ishin fare aty përballë duke i bërë karshillëk (kështu i duket asaj) që përtej atyre dyqanve ngjyra ngjyra nga ku vetëm qeshin e shesin si nën gunë seri të tëra çikërrimash.
Përtej mllefit të Lumes, duhet thënë se kjo histori me kinez, aty në të djathtë të Rrugës së Dibrës, nuk nisi dje. Rreth 20 vite më parë, pasardhësit e Dragoit të kuq nisën të vizitonin vendin e vogël të shqiponjave, me të cilin e dinin shumë mirë se dikur kishin pasur një miqësi të fortë politike që qëlloi e tharrtuar. Tanimë, në Rrugën e Dibrës, aty rreth e qark Medresesë, ata kanë kohë që kanë hedhur themelet e një Chinatown-i të ri. Edhe pse nuk e kanë një komunitet të organizuar mirëfilli, me përfaqësi e hierarkira, dyqanet e kinezëve mbijnë e lulëzojnë përditë.
Sapo hyn brenda njërit syresh, – ndryshe nga ç’ndodh rëndom nëpër dyqanet e shqiptarëve -, ca hapa të shpejtë dëgjohen të afrohen dhe ata vihen mënjehërë në gatishmëri, duke të treguar me durim gjithçka që ngarkojnë raftet e mbushur dingas. Praktikisht, kinezët shesin gjithçka. Lirë, fare lirë. Nga lodrat për fëmijë, deri tek kozmetika fluoreshente. Nga këpucët, deri tek veshjet e të linjtat seksi. Nga Dolçe&Gabana, deri tek Chanel. (Nuk duhet harruar se ka ende vërtetë shumë nga ata që besojnë se janë të vërteta. “Në fund të fundit, të gjithë atje në Kinë i prodhojnë, atje i kanë fabrikat. E ç’a kanë ato më shumë që kushtojnë sa qimet e kokës?!!”).
Pjesa më e madhe e kinezëve të rrugës së Dibrës flasin një shqipe bazike, të mësuar ashtu, si në ngut e sipër. Ca tinguj i hanë e shumë të tjerë i përkëdhelin, por që gjithsesi kuptohen mirë.
Kjo, deri në momentin që u tregojmë se kush jemi e për çfarë interesohemi. Pas kësaj, sikur të kishin kafshuar gjuhën të shpërfillin… “Nuku di, nuku di…; nuku kuptoji sqip, nuku kuptoji sqip…”. Duke mbledhur ritmikisht supet e hajthme, të thonë të gjithë të njëjtën gjë, sikur ta kanë bërë me fjalë!
“Po edhe druhen, janë jabanxhinj”. Pasi jemi vërdallisur në katër dyqane jemi gjendur përsëri tek këmbët e Lumes. Kësaj radhe e ka kthyer pllakën. “Nuk janë të gjithë njëlloj, jo. Edhe pse kshu për fytyrë nuk i dallon dot, sikur i ka bërë një nënë (nga ana e tyre, kinezët thonë fiks të njëjtën gjë për ne). Janë njerëz të mirë. Nuk të bien më qafë, po ama as mik s’të bëjnë kollaj. Dhe kur vjen puna te pazari s’të falin, nuk ulen që nuk ulen. Një: po bleve, s’ta kthejnë mallin. Dy: nuk të japin mall pa para. Dhe nuk para bëjnë krushqi kështu, vetëm me njëri tjetrin përzihen…”.
Në fakt sybajamet nuk ngatërrohen asnjëherë në punët e shqiptarëve. Dhe kjo është një sjellje tipike e tyre në të gjitha Chinatown-et e tjerë të Europës. Por megjithatë, është  ky lloj qëndrimi sa enigmatik aq edhe inteligjent që i bën të distancuar në sytë e tregtarëve të tjerë atyrrotull. Në periudhë festash, ku njerëzia vërshojnë drejt dyqaneve të tyre mbushur me dhurata e zbukurime, mund të dallohen edhe më mirë përmasat e shtrirjes kineze në tregjet e varfra shqiptare. Ata kontrollojnë tani numrin më të madh të firmave të lodrave dhe kinkalerive në Tiranë.

Haie Chen
Haie Chen ka ardhur në Tiranë 17 vjet më parë, për t’iu bashkuar të shoqit, i cili kishte një vit që ishte  mbështetur tek xhaxhallarët e tij tëardhur më parë. Nënë e katër fëmijëve, dy prej të cilëve kanë lindur këtu, Haie, bashkëshorti, katër fëmijët dhe dy punëtoret që i kanë marrë nga Kina jetojnë të gjithë së bashku në një apartament dy dhoma e kuzhinë jo shumë larg dyqanit, të cilin e kanë blerë para disa kohësh. “Jemi shumë të kënaqur. Edhe fëmijët janë integruar mirë. Ata frekuentojnë Kolegjin Turk dhe aty mësojnë dhe gjuhët e huaja. Iu pëlqen Tirana dhe kur i pyet tani thonë ‘Jemi tilanc’”, tregon ajo me atë shqipen e saj të përkëdhelur nga “l”-të. Kur e pyet se a kanë ndërmend të kthehen ndonjëherë në atdheun e tyre, tund kokën qetësisht në shenjë mohimi. “Fëmijët janë më mirë këtu, nuk bën t’i largojmë. Në shtëpi flaism më shumë shqip sesa gjuhën tonë. Vitin e Ri e kaluam këtu, madje unë gatova edhe bakllava. Tani kemi shtëpinë tonë dhe do të qëndrojmë këtu deri sa të kemi fuqi të punojmë”. Megjithatë, Kina nuk u është aspak e largët. Kanë lënë andej të afërn e farefis, por ama jetojnë në epokën gjigande të elektronikës dhe internetit. Ngado që hedh sytë i sheh me laptop, I-ped e celularë të fjalës së fundit nëpër duar. Teksa komunikojnë në gjuhën e tyre me të tjerë përtej ekranit, kujdesen që koha të mos u iki kot dhe janë gjithmonë të gatshëm për t’iu përgjigjur me saktësi pyetjeve për çmimet që bëjnë klientët e shumtë që hyjnë e dalin.
Nuk mund të mos të të bëjë përshtypje rrëmuja që mbretëron brenda rafteve të ngarkuar dhe banakëve që nuk mbeten mbrapa. Është e çuditshme të mendosh se si vijnë vërdallë duke shërbyer, disa kinez bashkë, brenda një hapësire aq të ngushtë, e cila edhe për së jashtmi nuk dallohet për ndonjë strukturë të kuruar. Në tabelat modeste të vendosura mbi dyert-qepena nuk ka dallon ndonjë emër të veçantë nga të tjerët. Me gërma të thjeshta e të holla shkruhet “Firmë kineze”, ose “Mallra me shumicë dhe me pakicë”.

Sisi dhe Beike
Pas Haie-s kthehemi edhe njëherë mbrapsh. Rruga kalon përsëri nga Lumja, por kësaj radhe e evitojmë si pa të keq. Ajo na sheh përsëri me bisht të syrit. Fare pak metra larg pirgut të saj të çorapeve, një kinez i ri, që nuk jep më shumë se 18 vjeç, qesh gjithë kohës duke u marrë me laptopin që ka përpara. Puthitur pas tij, një vajzë i mban ison duke i fërkuar shpatullat. Sa hyjmë në derë vëmendja drejtohet për këtej. Sisi është 25 vjeçe dhe ka vetëm një vit që ka ardhur nga Shangai për të jetuar me Beike-n. Diçka më shumë se një vit më parë, kur mamaja e tij kishte qenë në Kinë, e kishte parë Sisin dhe kishte kërkuar miratimin e familjes së saj për ta marrë nuse për të birin. E kështu, me mblesëri, ata ishin njohur e ishin martuar shpejt e shpejt. Kishin bërë andej një dasmë siç e do zakoni i tyre, nga ato ku nusja ecën përpara drejt altarit e nga pas i shkojnë nëntë shoqëruese, që në vend të luleve mbajnë në duar nga një qiri të kuq të stërmadh.Përpara se të vinte këtej Sisi jepte leksione pianoje në Kinë. “Tani jo piano, tani buli dhe duçani”. Qesh ndërsa nuk i rrinë duart rehat e ngacmon Beike-n. Kur e pyesim se ç’bëjnë në kohën e lirë, pasi ulin qepenin e “duçanit”, ajo na shkel syrin, drejtohet, dhe duke bërë me gisht nga ai tregon: “Këtu tlegu, gjithë buli, mbalojnë puna, lestolanti ha buka, pastaj kazinoja, Taivani”. Beike e kap fillin dhe hidhet përpjetë duke mohuar. Por ajo i bije lehtë e si qortueshëm kokës, deri sa fillojnë të dy të qeshin. Sikur të mos ishte për dashurinë, ajo kurrë nuk do të shkelte këtu. Nuk i pëlqen Tirana. Prandaj, siç thotë, nuk u ka dërguar ende ndonjë foto nga vendi ku jeton shoqeve që ka në Shangai. “Këtu pisë shumë, shumë pluhuli. Këtu fshat keç…”.

Tek “1 Maji” me Shu-në
Por nuk e mendon njësoj si Sisi, Shu-ja, kuzhinieri i vjetër i restorantit kinez tek “1 Maji”. Atje, në Lulishten e njohur ku ai kalon më shumë se 12 orë të ditës së tij, ajri i duket i pastër dhe qyteti i bukur e i gjallë. Me Shu-në nuk ishte gjithashtu e lehtë të flisje. Pasi na përcolli herën e parë, i hymë mik herën e dytë. Dukej që ishte me humor të mirë qëkur doli nga kuzhina ku sapo kishte kopsitur një nga ato pjatat tipike kineze që kërcasin në flakët e larta të tiganit. Xu Wen Jun është 42 vjeç e nuk jep më shumë se 32. Si për fillim na qëras me nga një teke saké, të servirur në ca gota të vockla porcelani duke na u mburrur se shishja që sapo provuam kushton 170 euro. Duhet të jesh kinez i regjur për ta bërë dallimin midis saj dhe një rakije të mirë e të fortë. Nejse…
Pasi mbaroi studimet e larta për kuzhinier në vitin 1988, Shu emigroi drejt Stambollit, po nuk qënrdoi gjatë se mori një ofertë më të mirë nga pronari që ka sot, me të cilin u bënë miq për kokë. Për disa vite ai jetoi në Tiranë së bashku me të shoqen dhe djalin, por pastaj ata u larguan përfundimisht drejt Nang Jin, provincës ku jetonin më parë. Kjo gjë duket se e ka mërzitur ca, po s’e jep veten. “Do të vete në Kinë tani, për Vitin e Ri që sivjet vit qëllon më 23 janar. Më ka marrë malli…”. Ditët e tij janë pak a shumë njëlloj. Koha kalon aty midis kuzhinës së madhe dhe restorantit, ku hyn e del shpesh për të takuar klientët e për t’i marrë vetë porositë e veçanta. Mbetet disi pa fjalë kur e pyesim se çfarë bën në kohën e lirë, po pastaj qesh nën hundë. Shu-ja nuk ka kohë të lirë, por ama kur ai apo pjesëtarët e tjerë të stafit të “1 Majit” kanë ditëlindje e festa, shkojnë të gjithë bashkë të luajnë Bowling. Në këtë sport, ai është gjithmonë i pari. Dhe nuk është i vetmi. Po të shkosh te Taivani, në sallat e Bowling-ut gjen gjithmonë tufa të rinjsh kinezë që argëtohen.
Koha e lirë e Shu-së, edhe ajo që na kushtoi neve, kalon shumë shpejt. Por përpara se të shkojë në kuzhinë, kthehet edhe njëherë. “Këto quhen Kuai Zhi. Dhuratë”. Janë shkopinjtë e drunjtë që përdorin për të ngrënë. Nga dikush aty, ca më vonë, marrim vesh se ka vendosur të largohet përfundimisht kësaj radhe, nuk i rrihet më pa familjen.

Pas një qëndrimi të gjatë, dikush nuk i reziston dot mallit dhe vendos të largohet, si Shu-ja. Dikush vendoset përfundimisht aty, si Haine dhe familja e saj. Dikush tjetër qëndron me mendjen ngritur, që në momentin e parë që do të fitojë mjaftueshëm, do të largohet në atdhe, i Beike dhe Sisi. Por duket se mjaftueshëm nuk është asnjëherë. Ndaj ata ndërkohë vazhdojnë të vijnë, për një jetë më të mirë, ose për faj të iluzioneve. Emigrantë ekonomikë në një vend që në listën e zhvillimit është ca shkallë më poshtë se Kina e tyre mëmë. Me ç’thonë vetë, aty në pazarin e tyre tek Rruga e Dibrës bëhen rreth 200 vetë. Ne na u dukën pak. Kaq nuk mjaftojnë për të bërë një Chinatown! Por ata betoheshin se kaq ishin. Të jenë të rezervuar edhe për këtë…?!!

Advertisements

Tags: , ,

3 Responses to “China Town në Tiranë”

  1. un Says:

    Pak a shume, artikull tipik i tradites gazetareske shqiptare : me shume marrim vesh ç’mendon gazetarja se vete kinezet. Ajo qe s’po kuptohet e s’po kuptohet qe prej 20 vjetesh, eshte se lexuesit AQ I BEN kush eshte gazetari e çfare mendon ai e ku e ka shtepine e sa e ka rrogen. AQ NA BEN. Ajo qe kerkon lexuesi, eshte qe te dihet perse flitet, qe çeshtjes ne fjale t’i behet nje qasje 360 gradeshe, pra t’i bihet rreth e perqark.

    Lexuesi do te ishte i interesuar per keto gjera :

    1. A kane nenshtetesi shqiptare keta banore te Tiranes, dhe nese po, si e kane marre, me veshtiresi, pa veshtiresi, dhe nese jo, perse ? Nuk kane bere kerkese, apo ka kleçka ne marrjen e nenshtetesise ?

    2. A e ndjejne racizmin ne jeten e perditshme, si e shohin ata qenien ne nje vend te huaj si Shqiperia, ç’marredhenie kane me fqinjet e tyre ?

    3. A marrin pjese ne jeten shoqerore te Shqiptareve, a dalin ne protesta, dhe per çfare ? A organizohen ne shoqata shqiptaresh (meqe s’paska kineze) ?

    4. Cilat jane marredheniet e femijeve te tyre me mjedisin perreth, dhe a ndjejne ata veten shqiptare, te pakten ata qe jane lindur ne Tirane ?

    5. A kane ata ndonje kerkese ndaj pushtetit lokal, dhe atij qendror ?

    6 A e njohin ata historine e Shqiperise, dhe a marrin pjese ne debatet shqiptare, mbi identitetin, demokracine, BE-ne, etj ?

    Ja, keto mund te ishin ca gjera qe do t’i interesonin lexuesit. Dhe jo ç’mendon gazetari mbi kinezet, e qe me teper ishin klishe te kota te mesuara nder dekada ne mejhane dhe sofra shqiptare. Per pershtypjet e gazetarit, sinqerisht, I don’t give a damn, siç thote ay shoku tek Scarlet O’Hara.

  2. Zherzhi LSN Says:

    Populli popull ngelet ska lidhje me filozoite e medhaja te konfucit me shoke.. thjesht po mundohen te mbijetojne

  3. bumi Says:

    Nuk ka lidhje se si ndjehen femijet kinez,a si shqiptare a si kinez se kinezet jane me bollek.Iniciativa e fundit e Qeverise Shqiptare per thirrjen e investimeve kineze eshte vendim qe duhet te pershendetet.Kinezet nuk duhet te trajtohen keq,sepse shqiptaret duhet ta vendosin doren ne zemer me mergimin e tyre neper europe.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: