Monolog pas mesnate

by

nga Dorina B.

Ora pesë e mëngjesit.

Nuk është mëngjes pranvere. Fundja nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Mëngjeset njëlloj janë. Një marrëdhënie e dështuar, sidomos në dimër. Mire.. e pranoj që në ditë të ngarkuara them pikërisht këtë fjalinë. Mëngjeset janë të bukura në fakt, sidomos në pranverë.

Nuk kam fjetur fare sonte. Ashtu e mendova, do ta gdhij. Pse jo, është gjithë jeta para për të fjetur. Mamaja më thotë që do më shterojnë energjitë nëse unë do të vazhdoj të fle vonë rregullisht. E kam ndjerë, por mendova këtë natë t’ia shteroj energjitë natës duke mos u kujdesur për energjitë e mija.

Pas dy orësh më duhet të iki në punë. Canta është gati? Po. Libri është në çantë gjithashtu..ah dhe kufjet po…bateritë?..S’kam harruar gjë?..Jo.

Nëse nuk ke dëshirë të bësh asgjë në një natë të tillë pa gjumë, pra të shterosh energjitë e natës dhe jo të tuat ( sipas frazës ngushëlluese që i rezervoj vetes), atëherë dëgjo muzikë. Je fatlum nëse arrin të ‘nuhasësh’ muzikën e mirë. Muzika thjesht dëgjohet zakonisht, por për mua ka tjetër kuptim, ka disa etapa dhe e para është ‘nuhatja’.

Më vjen pak gjumë tani, por do pij një nescafe e kalon edhe pse doktori ma ka ndaluar rreptësisht.

Më erdhi në mendje Ana. Ana Është një grua rreth të pesëdhjetave. Jetoj me qera në shtëpinë e saj. Ajo jeton vetëm. Nuk ka fëmijë dhe bashkëshorti i saj është ndarë nga jeta para katër vitesh. Më trajton si të më kishte vajzë. Shqetësohet për mua kur punoj shumë e rri zgjuar. Më pret  kur unë vij vonë te dhoma, sidomos kur organizohem me shoqërinë e universitetit. Një mëngjes  humba trenin e orës gjashtë e tridhjetë. E inatosur më tha që bëj një jetë  jo të rregullt. Nuk e mora vesh mirë ku donte të dilte. Në fund të fundit mesazhi i një stili jetese njeh plotësimin kuptimor kur arrin finalen jeta. I buzëqesha dhe u nisa për punë, pas një ore vinte treni tjetër.

Puna është një orë larg shtëpisë nëse marr trenin. Gjatë këtij intervali kohe lexoj ndonjë libër që marr me vete. Ka raste që nuk jam në humor për asgjë dhe rri shoh përtej dritares së trenit e humb në mendime. Nuk duhet menduar shumë, por mendimet e mia tashmë janë zbrazur, mendoj si të laj sa më mirë pjatat tek restoranti ku punoj, si të respektoj oraret, si të përmbahem kur  jam e stresuar.  Dikur nuk mendoja  kaq ngushtë.  Shkolla po më ecën mirë, por prap nuk e di pse ka netë që ndihem kështu …sikur dua t’i lë të gjitha. Ndihem e lodhur, por njëkohësisht e dua këtë situatë.

Kam edhe tridhjetë minuta për t’u bërë gati. Dua të ndryshoj punë, por aty është një djalë që më pëlqen edhe pse situata është pa drejtim. E kuptoj që është një arsye pak sipërfaqësore duke qënë se nuk ka asgjë konkrete ose mbase po kapem pas kësaj situate. Ndodh që dicka që e do dhe e kërkon shumë  vjen një moment e kupton që mbase nuk ishte ajo që doje. Jemi qënie kaq komplekse.

(Bie zilja e telefonit).

–     Alo?

–     Cpo bën, pse po vonohesh?

–     Erdha më prit, më kish zënë gjumi.

–     Përsëri nuk ke fjetur?

–     Jo fjeta, sot kam fjetur më shumë.

–     Sa ke fjetur?

–     Pse bën kaq shumë pyetje, tani po bëhem gati dhe po vij.

–     Është inatosur Irena, po bën shumë mungesa më tha. I thashë që je sëmurë.

–     Tani e gjete të mi thuash këto gjëra, në pikë të mëngjesit?

–     Pse sillesh kështu njëherë?

–     Më fal, por s’jam mirë.

–     Atë e kam kuptuar me kohë.

–     Si thua, do i futemi bisedimeve tani apo do më lesh të bëhem gati për punë.

–     Më pëlqen të dëgjoj zërin tënd në mëngjes.

–     Cfarë ?

–     Jo hic, po i flisja Irenës.

–     Posi , frikacak.

–     Unë frikacak?

–     Po, ika tani. ( Mbyll telefonin).

Më duhet të nxitoj. Gjithmonë ma bën këtë. Herë më bën të kuptoj që i pëlqej herë më largon nga vetja. Njeri i lodhshëm. Irenës ia kam sjellë në majë të hundës, do më pushojë nga puna ndonjë ditë. Irena është francezja tipike e padurueshme, por  dhe unë nuk jam shumë e rregullt me oraret këto kohë.

Ora shtatë e dhjetë.

Paska dalë dielli. Jam vonë dhe sot, do marr trenin e orës shtatë e tridhjetë. Në fillim më shijonte shumë rruga, madje kam shkruar dicka për pjesën kur udhëtoja me tren.

–     You are late again.

–     Irene, I am sorry.

–     You haven’t slept again, I see.. What is going on with you?

–     I am ok, don’t worry.

–     I am not worried about you. You should come at work in time. Go and work now.

Irenës i pëlqej dhe merakoset për mua, kjo është arsyeja që ajo më mban në punë dhe pse jam bërë e padurueshme këto kohë.

Sot nuk paska shumë njerëz, më pak pjata për të larë. Mund të lexoj pak se kam seminar në orën pesë të mbasdites.

(Bie dera).

–     Erdhe ti?

–     Po.

–     Pse nuk më përgjigjesh në telefon?

–     Po ne folëm bashkë sot në mëngjes.

–     Je mire? Ne folëm dje në telefon.

–     Si , dje?

–     Po pse je kështu, kaq e zbehtë? Ke temperaturë?

–     Jo nuk kam asgjë.

–     Prap nuk arrite të flesh? Duhet ta kalosh këtë situatë.

–     Si ta harroj?

–     Ti mund të gjesh dicka tjetër. Nuk është fundi i botës. Të ndihmoj unë me para derisa të gjesh dicka tjetër. Edhe për studimet mos u shqetëso.

–     Isha sot në punë, Irena më bërtiti përsëri.

–     Po ti ke një javë që nuk del nga shtëpia, c’po thua?

–     Kapa trenin e orës shtatë e tridhjetë.

–     Ti nuk ke shkuar në asnjë vend, është ora tetë e mëngjesit…

Ik më ler vetëm, jam lodhur tërë ditën, do fle..

Tags: , , , ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: