Kisha e të çmëndurit (vazhdim)

by

nga I Humburi Në Kohë


Mirëse u gjej të dashtunat e mia. Jam i dehun sonte më shumë se netët e tjera, prandaj dua veç të flas, të flas deri sa gjuha të bahet hi. Ju më pëlqeni, se s’doni t’ia dini në prekin apo jo ato fjalë, në lëndojnë ndonjë shtresë, në janë të gjetura, në i kuptoni apo jo. Për ju s’ka rëndësi. Mjaft të argëtoheni e të pini; ja pra pse më pëlqen të vi këtu, pranë jush, me dëshirë, si i dehun, tu argëtoj ju, krijesa fatlume të çastit fatkeq. Unë ndihem, kur jam mes jush, pranë zjarrit, mes talljeve tuaja të zhveshura nga keqkuptimet, keqinterpretimet dhe klishetë tabu të shtirjes. Ju jeni shumë hokatare; dhe seksi s’më kënaq aq sa mirëpritja juaj. Ju betohem. Për dehjen e bekuar ju betohem nëse s’më besoni.

Mbushmani një gotë. Dua të pi, të pi deri sa dehja vetë të dehet e të zhgerryhet pa shpëtim. Ma jepni ta pi atë gotë të distiluar prej ironisë së kotë. Vështrimi juaj âsht vetë pija, të deh ai gji gjysëm i zhveshur që përvëlohet prej afshit. Ma jepni pra ta pi atë gotë mrekullibâse, atë gotë harrese e të humbim pa gjurmë kësaj nate pushtetmadhe dhe flirtet të më marrin në krahë e të shëtisim duke përqeshur këtë botë që s’lind asgjâ veç shtirjen, krimin që rrit n’terr ky njerëzim, inçestin Edipian të trashëguem gjenetikisht nga shekujt, e sigurisht ti mbysim në moskoçarjen tonë të dehun. Të shohim tek përpëlitet e zvarret ky fundshekull banal në thonjtë e qelbun të zhgenjimit, në pulset e atij embrioni të dështuem të shtirjes që shkelmon e shkelmon këtë rretherrotull të ndytë me gjak, vllavrasje e predikime perëndish të rreme, në emën të nje zoti, në emën të rrenes së majmun që po vuan e çnderueme, e perdhunueme prej vetvetes.

E pra, a nuk âsht mirë të dehesh? Të zhgërryhesh nëpër orgjina si nëpër mesha kremtimesh? Sigurisht. Si fillim po pi nji gllënkë…hkk…hkk… kjo lemze e shkretë që s’te len kurrë vetëm.

Të filozofosh, të filozofosh e të fluturosh, kjo âsht jetë dhe e vetmja gje që nevojitet âshte të dehesh. Aty ku unë jam gjithcka, vetdija që më dikton lirinë të bëj çfarë të dua e të mundem. Të mendoj, të veproj, të jetoj. Të bëj gjithçka që kur je i papirë nuk i bën dot. Në të vërtetë unë i bëj dhe dua ti bëj përsëri me të njetën radhë, ngaqë ajo âsht liria që unë aderoj. Më pëlqen dhe i pëlqej, përderisa mirëkuptohemi dhe arrijmë të gjejmë njâni-tjetrin tek njâni-tjetri.

Ju te dashtunat e mia nuk doni tja dini për filozofi. Për ju filozofi do të thote seks dhe vetëm seks. Kurrë nuk keni lexue filozofi, kurrë nuk e keni ndjerë peshën e gurit te sizifit mbi ju. Nje natë pa seks u duket ferr, si mali ku duhet të ngjitet guri dhe ai gur iu ngjan. Madje jam i bindun se po të pyes kush âsht ky Kamyja, ju do më përgjigjeni me tallje kush âsht ky pallosh groshe, lene pastaj të përpiqeni ti jepni zgjidhje filozofise së tij, të gjeni çelësin magjiik të portës ku janë mbyllur rrugzgjidhje të pafundme pikëpyetjesh brenda një pse-je mikluese, shpotitëse, ironizuese, sarkastike, 100 fish përbindëse, por ju as nëpër mend nuk e keni provue të gjeni fillin e vetvrasjes absurde.

Të tilla ide u duken aq banale sa edhe predimi i priftit për mëkatin, konferencat publike rreth reklamimit të nje pilule që lufton shtatzaninë, referendumet, testimet publike kundër abortit, prostitucionit, kundër legalizimit të shtëpive publike dhe klubeve të natës, sepse bie në kundërshtim me normat morale të shoqërise.

Kështu pra të dashurat e mia,harrimi ku unë ndihem, marrshimet nuk bahen që të ndalohet ky apo ai ves i keq, por që të shtiremi si të ndershem. Por pse mua më duket sikur kemi ngritur vetë duart të nxjerrim sytë tanë???

Eh, ju s’doni ta kuptoni filozofinë, se po të qe kështu do të tërboheshit për të gjetur nje libër në të cilin dikush i detyruar nga perënditë, pse i ka mohue,duhet të ngrejë majë malit një gur, që sipas tyne qenkesh dënimi me poshtërues; nga ku do të rrokulliset sërish. Ju s’doni ta kuptoni që gjithësecili prej nesh âsht ai, Sizifi i dënuar rraze një mali ku gatitet të ngjisë edhe një herë gurin majë malit-të mohoje serish perendite. E di, e di, thellë thellë u pëlqen të mohoni tabutë, paganizmat fetare, normat etiko-morale të degjenerimit, por përsëri e lini në terr atë dëshirë sepse ju jeni të pavendosuna në vendosmënine tuej, e unë po ashtu përderisa vi pranë jush e prrallis e nuk dal majë nje mali të therras. Rroftë seksi, rroftë dehja, rroftë poezia, rroftë…Ne jemi të paaftë dhe tepër të lumtur në paaftësine tonë, këmbëngulim të jemi të paafte duke mohue se në nji çast të vetëm mund të mundim të thyejme ata kufinjte e padukshëm të frikes tonë, të ç’njollosim botën nga korrupsioni, ndarja etnike, vllavrasja, gjakmarrja.Eh jemi të vegjël, jemi plazmimi i njeriut të lire por që asht kudo nga pak e askund i plotë, tek asnjeri.

Ghhh…ghhhhhhhh të dashurat e mia, të filozofosh âsht një lojë. Marramëndje. Përhumbje. Asht një ruletë që të thith në vorbullën e saj, një ndjesi që nuk mundesh kurrë ta zotërosh. Ajo âsht si lepuri që kthehet ti bëjë ballë ujkut. Urinohet nga ai zgjim i beftë i guximit e pastaj të dashtunat e mia, ia shkel vrapit dy herë më tepër. Të përpiqesh të kuptosh, të perpiqesh të interpretosh âsht një ndërthurje, âsht shartim, mjafton të krahasosh gjânat dhe shkaqet, ti bashkangjitësh me njâna-tjetrën, të dish ti kuptosh. Filozofia âsht kështu, kjo loje e marrë, e ardhun prej epokash dhe mijevjecaresh, me trajtën e saj të thjeshtë por që ne i jemi futun së prapthi, atij shpati.

Ma mbushni gotën. Çdo fyt që pi âsht një ndërgjegjsim e unë sonte kam nevojë të pi. Zjarri, muzika dhe ju, harrimi im ku unë ndihem i lumtur.

Pastaj, siç po thoja, duke mos qene largpamës në këtë ruletën labirinth , humbesh. Kur je i qytyn përpiqesh te barazpeshosh veprimet e tua, në të kundërt i ngatërron me tepër.

Dhe në filozofi kështu ndodh, duke dashur që të shtjellosh me një shembull, e ngatërron ma shumë dhe e bën të pakuptueshme duke perdorë nje krahasim tjetër, pastaj sa më teper ta shtjellosh, aq më tepër ia humb kuptimin e vërtetë. Si po bëj unë, sonte mes jush, pranë këtij zjarri, nën tingujt e muzikës.

Cila prej jush e njeh dallimin mes se prekshmes dhe asaj të paprekshmes? Ndërsa ju gjasme mendoni unë po e kthej një gotë.

E mirë, mirë, po ua them unë. Ju këtë prisni, e di. Mgjtht nëqoftëse ua kam kthye përmbys natën sonte më keq se netët e tjera, kjo ndodhi sepse vetëm une fola. Asnjâna prej jush nuk ma preu fjalën. E ndjej, jam i bindun që mes jush ka nga ato që më mendojnë si rob që nuk i ndalet goja kurrë, i padurueshëm, rob që i ka humb bleta e ka marr malet pa kthim. Por jo, une jam ma tepër se aq, një njeri që ndihet mirë mes jush, jo për seksin ma tepër se për mundësine që më jepni te flas. Ju doni të argëtoheni, të harroni, të ânderroni edhe pse kështu me këto fjale kaq të pathelb që them unë. Sidoqoftë poeti i dehun ju do fort dhe e kupton këtë dyzueshmeninë tuej të pranueshme. A nuk jam dhe une një rrughumbun si ju në këtë natë?

Le të argëtohemi gërshetzat e mia. Do gdhijë dita e re e do na duhet të veshim rrobat e pastra të shtirjes ti shkojmë gjithësesi deri në fund asaj rrugës tonë të përditshme. Të paguajme taksat, të marrim mungesat nëpër uzinat dhe ndërmarrjet, të bëhemi nje lajm bujë për gazetat, të tregojme se si rritet femija i shëndetshëm, të vrasim, të vjedhim, ta mbushim ditën gjithkund me veten, deri sa të erret natë e të ritakohemi këtu,për të shërue plagët që morëm. Të argëtohemi pra, si për herën e fundit.

U jep mësuesja nxënësve një detyrë. Të shpjegojnë ndyshimin mes të prekshmes dhe të paprekshmes. Kthehet nipi në shtëpi dhe pyet gjyshin se si mund ta shpjegoje nje fenomen të tille. Krejt e lehtë thote ai. Pyete gjyshen, mamin dhe motren në do pranonin të benin dashuri për 1000 euro. Nuk vonon nipi e kthehet me një PO të plote si nga gjyshja, po ashtu dhe nga mami dhe motra. E shikon pra, të pastë gjyshi. Kemi 1000 euro që nuk i kemi,nuk i prekim, dhe në anën tjetër kemi 3 kurva. Ky âsht dallimi. Kjo preket, kjo tjetra nuk preket. Shko tani e më le rehat.

Pra të dashurat e mia âsht e qartë ajo ç ‘ka dua të them. Edhe ju mund të quheni të perdala, por në të vërtetë nuk jeni asgjâ mâ shume se vajza të mjera dhe fatkeqe që s’dihet çfarë shkaku u ka shtyre të merreni me këtë pune. Megjithatë ju jeni të lira, moskokçarëse dhe të lumtura. E gjithë shoqëria përpiqet të jene te lumtun, të përqafojne sa më shumë të mundshmen, por janë si brënda muresh të padukshem që nuk i lejojnë të shkojnë më larg se sa normat e përditshme. A ka ndryshim më të madh se ky te dashurat e mia? Ju tregoheni me gisht si të perdala, e në të kundërt eshte e gjithë njerezia e degjeneruar, përvec jush. Përsa u përket ju, këtë desha të theksoj e tu jap të kuptoni, nuk eshte e përdale kush kurvëron për të mbijetuar, por ajo që nuk mund të jetë ndryshe.

Para se të vija këtu tek ju, të pija, të lodroja me ju, u ndala në lokalin e zakonshëm dhe u deha si përherë; dhe pasi piva mirë e mirë, u fola për mëkatin, për priftin. U thashë nëse robi nuk e pranon brënda vetes, nëse nuk ia dikton vetja mëkatin, nuk ia ndjen kurrë peshën, ai kurrë nuk do reshtë se mëkatuemi. Ai kurrë nuk e kupton së cfare mbruen me veprimet e tij dhe ashtu,ne gjëndje gjysëmgjumë ecën, vepron, arsyeton në përgjumje, gjëndje që nuk ia dikton si gabime. Por për gjera të domosdoshme. Kur rizgjohet,përsëri bie në gjumë sepse një ditë në meshë nuk mjafton ti rifreskoje sytë e lodhun të të parit gjerat drejt, aty në meshë ku fjalët e priftit dhe frika ngjallin të vërtetën për të cilën eshte me mirë dhe me e lehtë të flenë dhe të veprojne në gjumë, se sa të mbajnë peshën e mëkatit.

A s’âsht qesharake veshja e priftit? A s’âsht një klloun i mbretërive të hershme, i cili përpiqet të zgjojë humorin e vdekun të njerëzve?

Vetëm këtu ai humor nuk vdes kurrë. Ju jeni aq të mrekullueshme sa netët e mia do të dukeshin si netë përshpirtjesh pa ju. Sonte fola shumë, sa them se u kam mërzitur dhe ndonjena me të drejtë mund të ketë pyetë veten se si kam qân fëmijë. Mund të them vetëm kaq, po të krahasoni këtë njeriun që jam sot, me atë ândërrimtarin e vogël ndryshimi âsht i madh.

Sot, prrallis shumë. Kam dëshirë vetem të flas, të flas, pa papushim. Ja,ka kohë që dërdëllis e ju me ndiqni krejt te heshtuna. Pak rëndësi ka, ju nuk doni të ia dini, por unë desha të them dicka për veten, sepse kemi kaq kohë bashkë, e nuk njihemi thuajse fare. Tani, njihemi, unë si thes i shpuem fjalësh dhe ju si të dashtunat e mia. Besoj se kjo nuk mjafton megjithatë nuk mund të rrah gjoksin kurrsesi se me kaq sa thashë, ia dola mbanë të përvijëzoj veten dhe ju.

Gjithësesi flas në ajër. Bëj një vrimë në ujë dhe kjo âsht e lehtë të kuptohet pse. Të përpiqesh âsht e lehtë. Thashë pak më parë duhet vetëm mëndje e kthjellët, asgjë më shumë. Të dish të barazpeshosh. Sidoqoftë këtu flasim krejt kot, për të bërë diçka, pa një qëllim, si të na vijë në tru atë çast, pa skena e skema, thjeshtë diçka te atypëratyshme. Diçka që të jetë rrjedhoje e fjalës parardhëse, që ngjajnë e lidhen më njera-tjetren, pa harruar të jetojmë veç

natën dhe kjo që bëjmë të jetë e pranueshme,e pëlqyeshme dhe të mos cenoje askënd. Ne jemi këtu si rob të thjeshtë, rob të natës që lodrojmë, flasim e qeshim. Vetëm ky âsht qëllimi ynë, të tjerat janë gjâna pa rândësi që ne i shkelim dhe u thyejmë kokën. Të dehun, ju nga moskokçarja, unë nga ju dhe pija, filozofojmë…veçse të dehun.

Tags: , , , ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: