Tregomë Tiranën.

by

Eja miku im, ulu para kësaj gotë birre që kam porositur për ty. I kam folur kamerierit në një gjuhë të huaj miku im vetëm për të vënë këtë birrë para teje. Është një drogë që të bën të dëshirosh të flasësh, ndaj fol.

Më trego si është Tirana miku im, sepse unë po e humbas. E di, s’ta kam rrëfyer ndonjëherë, por ditë pas dite në mendjen time fshihen imazhet e qytetit që njihja. Dje u zhduk një rrugë, rruga që bënim për të shkuar nga Shkolla e Bashkuar te Bajram Curri. Mbaj mend akoma mirë dishezën ku unë e ti pinim cigare fshehurazi, por s’mbaj mend rrugicat e vogla ku fshiheshim. Sot ikën sytë e fëmijëve të Kombinatit miku im, u zhduken.

Ulu, pi një birre, pi një tjetër, kërko dëshirën për të më treguar. Tregomë se çfarë po ndodh te Zogu i Zi? Shatërvani është akoma i tharë miku im? E kam humbur, mbaj mend vetëm furgonat e zbehtë që shkonin në Fushë Kruje, Krujë e Laç. Po malësoret a kanë akoma të njëjtin dinjitet që mbaja mend? Po vajzat a ecin lozonjare te Myslym Shyri? Po punëtorët a rrëzohen më nga skelat e larta miku im, fol. Mbaj mend akoma Rinasin që ngjante si një gërmadhe, pa xhame e pa shkëlqim. Si është aeroporti i ri? A jetojnë akoma taksistet e uritur e lypësit e kërrusur apo i kemi shporrur përgjithmonë? A vjen më era byrek tek rruga e Durrësit, a shkëlqejnë varëset floriri përtej xhamave? I kam humbur, po i kam humbur të gjitha këto gjëra. Në kokën time janë imazhe që zbehen orë pas ore. Në një moment humbas kapelet e forcave të rendit, në një moment tjetër humbas Ver Llapen që rri te njëzet e njishi e josh shoferët. Sa kushton një qofte miku im? A shkëlqen vaji mbi salcën e kosit si një damar floriri? A ngrenë sytë nënat që shesin manaferra e fiq? A puthen çiftet akoma te liqeni, a dalin gjimnazistët e djersitur me vrull nga Rifleksioni? Po, s’mbaj mend asnjë nga këto gjëra, janë të mbështjellë me një mjegull të trashë që më thotë që herët a vonë do fitojë. Tregomë për fëmijët e braktisur që shesin cigare e kanë veshur bluzen e Ronaldo-s kur ky luante akoma te Interi. Tregomë për fatorinot e lodhur që pyesin “ Ktu?” e për fshatarët që hipin soba e antena në autobuz.

I kam zëvendësuar me gjëra të tjera. Di se ku pihet kafja më e mirë në Vjenë, ku gjendet gulashi më i mirë në Prage,  ku dëgjohen koncertet më të bukura në Paris apo si të gjej kokainë  të mirë në Milano. Për të mësuar këto gjera kam fshirë momentin kur ime më pyet mysafirin në e do kafen të hidhur apo të mesme, atë moment me buzët akoma në dhomë pritje e duart tashmë në guzhinë, aromën e tregut të çamit, çmimin e një slimsi të hapur  e pyetjet e kambistëve që presin te Posta.

Eja, ulu, tregomë Tiranën.

Tags: , , ,

14 Responses to “Tregomë Tiranën.”

  1. Aira Says:

    Miku do te heshte si nostalgjia…

  2. Rielna Paja Says:

    E ripashe, e shijova dhe te falenderova qe na solle Tiranen.

  3. green Says:

    ahhhh tirane,tirane 😦 !!!!

  4. Maura Says:

    Urime!

  5. yummania Says:

    bukur

  6. Adrian Cela Says:

    Miku im.te pergezoj ne rradhe te pare vetem per mendimin qe more te shkruash per krenarine tone Tiranen.Ndofta sot me ndryshimet e shumta,mund te dish vertet se ku pihet kafeja me e mire ne Milano spo ku eshte koncerti me i bukur nr Vjene.Ate omos qe ta them me mburrje se nuk do ta gjesh ne sanje vend te botes,eshte ” KENDI I SENDEVE TE GJETURA ” ne Tiranen time te dikurshme.

  7. Valmira Llallo Says:

    Darien, shkruan ne menyre te shkelqyeshme si gjithmone…!!

  8. xender.k Says:

    Me teper sesa ‘tregome tiranen’: tregome shqiperine!
    sepse (per mua) eshte me i perhapur fenomeni qe po ndodh. ndryshime frenetike qe nuk te falin aspak, nuk te japin as kohe per t’i vene re. Kjo derisa dikush i thote, i shkruan apo i filmon…
    ndryshime te cilat nuk te lene vend per gjendje (mentale, shpirterore, dinamike) te shkuara, ‘te se djeshmes’.
    Dhe e bukura eshte se per ne te gjithe, keto ishin fare normale, perbenin larmine origjinale.
    Prandaj ajo qe me frikeson me shume eshte jo-dokumentimi i gjithe kesaj. Kjo ngjan si nje shkelje e kujtimeve sociale qe anullon edhe ato dukuri qe ushqeheshim dite per dite.
    ‘Shpetimi’ eshte te ruash ate qe na ka mbetur (qe na kane lene!), te regjistrosh ate qe na ka mbetur.
    Brenda ketij rrethi debatesh artikulli yt eshte i madh!

    xender.k

  9. lishendri Says:

    shum shum e bukur,

    w shqiptaret, w arbereshte

  10. mars Says:

    U preka shume. E ke shkruar mahnitshem.

  11. loer Kume Says:

    ku krokodili? ku bari i parkut rinia? ai qe pihej jo ai qe shkelej😛
    merre dhe kete kenge se te takon o shkrim!

  12. Alket Bushi Says:

    Pashe si asnjehere nje Darien melankolik qe nuk ishte gjithsesi veles. E shijova shkrimin.

  13. Romelda Gjini Says:

    Emocionuese!

  14. Daniela Says:

    Bravo!!! Ishte e thene qe mbasditja e sotme do ishte malinkolike…. dhe ky artikull e shtoi dhe me shume dozen. Nje dite i kerkova tim vellai te me tregonte kinostudion, ku jemi rritur. Me tha me mire jo. Mbaje ne kujtesen tende ashtu si e ke, se kinostudio e sotme, me mire 3700, nuk ka te beje mé me lagjen ku jemi rritur… Faleminderit, per emocionet e percjellura!🙂.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: