Sot nuk do të vdesë askush!

by

nga Dorian ISAI

Mami po bëhet gati të dalë nga makina.Mua më vjen të qaj,dua që mos ta bëj por nuk përmbahem dot.Ajo është kthyer nga unë,më thotë”lepurush,mos qaj,mami kthehet shpejt” dhe unë mezi mbaj lotët.E di,mund të jetë e vërtetë që kthehet shpejt dhe do të doja mos të qaja,kështuqë edhe ajo nuk mërzitej e i tregoja që i besoj por nuk kam çtë bëj,lotët dalin vetë.Ata që rrjedhin të parët,i fshij shpejt e shpejt se mbase mami dhe babi nuk i shohin por më pas dalin të tjerë,bëhen shumë dhe nuk i fshij dot.Mami më thotë se do shkojë deri këtu përballë,tek dyqani i bukës.Më thotë se kam edhe babin aty.Kur thotë se kam babin ,nuk duroj dot më,se edhe atëherë kur babi iku, më tha:”Ke mamin” dhe që prej asaj dite, kur më thonë kështu,qaj papritur.Edhe vetë habitem sa shumë dhe sa shpejt qaj.Ajo zgjatet të më puthë,hap derën e makinës me ndroje me dorën që bën sikur e harron pas vehtes, më puth me mall edhe pse ne kemi gjithë ditën që jemi bashkë dhe do largohet vetëm pak metra më tutje e do vijë shpejt.Del dhe unë filloj të qaj.Dera mbyllet dhe mua më rrjedhin lotët por nuk  bëj zë.Kam mësuar të qaj pa zë qëkur babai iku.Kuptova se të bëja zhurmë nuk vlente për asgjë. Nga xhamat shoh atë që vrapon për nga dyqani i bukës pastaj shoh menjëherë babin.Ai është ulur tek vëndi i shoferit.Nga pasqyra që ka mbi kokë ,paksa djathtas,më sheh,duket sikur më kontrollon,i leviz një muskul në mes të ballit,ka shumë dëshirë të më thotë”mos qaj” por nuk ma thotë,asnjëherë nuk ma ka thënë.Provon të më buzëqeshë por përsëri nuk më thotë asgjë.Nuk më thotë”lepurush, mami kthehet shpejt” sepse po të ma thotë unë qaj më shumë.E shoh vetëm pak sekonda babin e pastaj kërkoj mamin me sy në trotuar.Sa mirë që nuk ka shumë njerëz.Njoh të gjitha veshjet e saj,ngjyrat e veshjeve të saj dhe e gjej kollaj edhe në trotuare me shumë njerëz por më pëlqen më shumë kur e njoh edhe nga trupi,ecja ose vrapimi që bën kur shkon diku e nuk më merr me vehte.Ajo vrapon sepse e di që  qaj edhe pa dashjen time.Ia kam thënë që nuk dua të qaj por nuk mbahem dot dhe ajo më beson.Prandaj vrapon.Mami sapo ka arritur tek dyqani i bukës, e shoh të hyjë brënda dhe nuk ia ndaj sytë derës.Më kanë thënë që të gjitha dyqanet ose shtëpitë kanë nga një derë.U mërzita shumë kur mësova se kopshti i fëmijeve ku unë shkoj kishte dy dyer.Një xhaxhi i madh erdhi nga një derë që nuk e dija  se ishte aty dhe solli ca kuti të mëdha.Unë qava.Edukatorja nuk kuptonte dhe më dha të gjitha lodrat e shokëve të mi por unë qaja përsëri.Mami më tha se vetëm kopshti i fëmijëve kishte shumë dyer ndërsa dyqanet kanë vetëm një derë,unë i besoj dhe tani shoh derën e dyqanit të bukës.Ajo do të dalë prej aty.Jam ulur në sediljen e pasme të makinës dhe quhem “lepurush” në pjesën më të madhe të rasteve,ndonjëherë Arbi dhe jam katër vjeç e gjysëm.Ka ca kohë që kam filluar të qaj sapo njëri nga prindërit largohet.Nuk kam qënë gjithmonë kështu.Më parë, kur isha pak më shumë se tre vjeç qaja shumë pak dhe të gjithë më thonin se po rritesha,kurse tani,edhe pse jam më i madh,askush nuk më thotë se po rritem.Sipas meje ka të bëjë me të qarën.Përpiqem që mos të sillem si i vogël por eshtë e vështirë.Që prej natës kur babi iku dhe nuk u kthye më për një kohë të gjatë,ndjej lotët që më bien sikur të ishin aty, në cep të syrit, e nuk i ndaloj dot.Kur mami mërzitej shumë nga lotet e mi, doja ti pengoja  që të mos dilnin nga sytë por ishte e pamundur.Atëherë fillova ti fshija por ajo i shikonte përsëri.Pastaj mësova të qaj pa zë por ajo e kuptonte përsëri ,derisa u lodha dhe nuk bëja më asgjë tjetër që mami mos të kuptonte ose shikonte të qarat e mia.E di se kështu rrezikoj të më thonë se s’kam për tu rritur kurrë por nuk varet nga unë,s’kam çtë bëj.Më vjen të mendoj se fëmijët rriten kur mësojnë të qajnë pa zë por nuk ia kam thënë mamit.Do të mërzitej ose do më qortonte.

Mbrëmjen kur babi iku e mbaj mënd shumë mirë.Ishte vonë,kishim ngrënë darkë dhe unë po luaja me lodrat e mia mbi dysheme.Babi po luante me mua.Luante dhe fliste me nënën.Flisnin shpejt dhe nuk i kuptoja.Pastaj filluan të flisnin me zë të lartë.Babai nuk po luante më.Fliste me nënën.Unë vazhdoja të luaja vetëm dhe përplasja tek dora e babit kamionin tim me tre rota.Ai u kthye nga  unë e më tha diçka me zë të lartë por unë vazhdoja të përplasja kamionin tim me tre rota tek dora e tij e madhe dhe atëherë ai më qëlloi me një shuplakë në faqe.Ishte e para herë që më qëllonte dhe u tremba shumë.Menjëherë më pas fillova të qaj.Nëna bërtiti.Edhe ai bërtiti, u ngrit, mori xhaketën dhe erdhi përsëri tek unë.Më  mori në krahë, më shtrëngoi fort e më puthi gjatë.I ndjeja buzët e tij që më shtypnin faqen,nuk kuptoja asgjë dhe kështuqë nisa të qaj edhe më shumë.Doli.Nënës i tha se do të shkonte të blinte një paketë cigare, e tha kalimthi,pa kujdes.Ajo nuk i ktheu përgjigje,shikonte televizor dhe rrotullonte në dorë telekomandën.

Babai nuk u kthye atë natë.As të nesërmen.Mua më kishte marrë malli.Natën e parë,kur ai nuk erdhi deri vonë dhe unë e prisja dhe e prisja, i thashë nënës:”Dua babin,ku është babi im?!”.Ajo nuk  përgjigjej,përtypte me buzë fjalë që nuk mi thoshte dhe merrte vazhdimisht në telefon.Mendoj se merrte babain por askush nuk i përgjigjej.Nisi të qante edhe ajo dhe unë kur shikoja mamin të qante, qaja edhe më shumë.Shumë mbrëmje me rradhë pyesja për babin dhe mami qante,unë qaja.Ndonjëherë më tregonte perralla  por në mes, papritur ajo nuk lexonte më dhe niste të qante.Një nga ato netë të gjata e të tmerrshme mami më tha se babi nuk do të ishte më me ne.Kjo gjë më frikësoi shumë.”Do të thoshte se kishte vdekur?!”Një shokut tim të kopshtit i kishte vdekur gjyshja dhe kur ne e pyetem se çfarë do të thoshte ai na tha se nuk do të ishte me me ata.Nuk do ti tregonte më përralla,nuk do ta merrte më në prehër,nuk do të loznin më bashkë dhe nuk do ta priste më kur të dilte nga kopshti.Kjo ishte e vërtetë.Nuk e pashë më gjyshen e tij të vinte e ta merrte.Për këtë arsye qava edhe më shumë kur mami më tha se babi nuk do të ishte më me ne.Do të thoshte se do të zhdukej.Më dukej si diçka e tmerrshme.Qava me frikë të madhe dhe zë të çjerrë.Mami u mërzit shumë,më bërtiti dhe më qëlloi me një shuplakë jo edhe aq të fortë.Unë u trëmba sepse nuk e prisja,kështuqë qava akoma më shumë,i frikësuar po aq sa më parë.Duhet të ketë qënë një moment tepër i vështirë dhe i keq,unë mbase dukesha  ndryshe,me fytyrë të prishur dhe mami më përqafoi menjëherë dhe më puthi.I ngjeshi buzët në faqet e mia ashtusikurse i kishte ngjeshur edhe babai,me ngulm.Për një moment mu krijua ideja se edhe ajo po largohej e po më linte vetëm.Frika mu shtua akoma më shumë dhe kam qarë vërtetë me shumë zë të lartë.Doja ti lutesha që të mos ikte dhe mos të më linte vetëm se nuk dija se çfarë të bëja më pas,krejt i vetëm por nuk kisha forcë të mblidhja mendimet e të shprehesha.Lotët nuk më linin.Edhe ajo qau bashkë me mua.Më mori në krahë e më puthe e qante.Prej asaj nate,fillova të shikoja shumë ëndërra.Në të gjitha ishte babi.Unë vrapoja drejt tij,ai hapte krahët,unë i afrohesha afër fare sa edhe një kërcim mjaftonte ta përqafoja dhe…zgjohesha me jastikun në qafë.Edhe në këto raste qaja..por pa zë.Kisha mësuar të qaja pa zë tanime.Nëna vinte herë pas here të më kontrollonte,kur më shihte ashtu, me lotët që rridhnin heshtur faqeve sikur të isha burrë i madh, më qetësonte dhe sa më shumë më qetësonte mua, aq me shumë shqetësohej vetë.E ndjeja nga frymëmarrja e saj.Qaja përseri pa zë sapo mami largohej dhe shtrëngoja më shumë jastikun sikur të ishte vërtetë babi im…derisa një ditë….kur po dilja nga kopshti,pashë babin tim të vërtetë që më priste.Ai ishte aty,ishte akoma me ne…ufff çfarë gëzimi dhe çlirimi.Vrapova menjëherë drejt tij, e pashë vetëm një moment se pastaj e mbaja kokën poshtë nga frika se mos më ndodhte si në ëndërr e zhdukej në momentin e fundit.Për pak desh rashë por u mbajta mirë,çfarë do të mendonte babi sikur të bija,u afrova shumë..aq shumë sa e kisha një kërcim larg, tamam si në ëndërr,sytë i mbajta mbyllur.Kisha frikë ti hapja,kisha frikë se ai mund të zhdukej në momentin e fundit kur hapja qepallat dhe kështu, me sytë mbyllur kërceva tek ai.Po të zhdukej menjëherë mund  bija poshtë e të vritesha se asfalti aty ishte i keq.Edukatoret asnjëherë nuk na linin të luanim aty por unë kerceva fort edhe pse e dija që mund të rrëzohesha e të dëmtohesha shumë.Për fatin tim të mirë,portreti i babait nuk u zhduk.Ngeli aty derisa unë e përqafova,shtrëngova dhe kur ndjeva aromën e nojhur të trupit të  tij,hapa sytë.Ai nuk u zhduk si  në ëndërr dhe  e putha akoma më shumë .Ai po qante.Unë për fat të mirë nuk qava.çfarë do të mendonte babi im sikur të qaja?!Atë pasdite e kaluam bashkë, më pas më çoi tek gjyshja e gjyshja më çoi tek mami.Mamit i thashë se babi ishte akoma,më kishte marrë nga kopshti, e kisha parë,e kisha përqafuar,e kisha puthur,kishim lozur bashkë.Nëna qau përsëri,ndërsa unë jo.E shikoja i habitur dhe e përkëdhala tek flokët.E takova babin gjithë ditët e mëpasshme.Ndonjëherë vinte e më priste kur dilja nga kopshti e ndonjëherë vinte e më merte në shtëpi.Nuk hynte brënda dhe unë isha gjithmonë gati kur vinte ai.Me kalimin e ditëve,nuk isha gati, si herët e para dhe ai detyrohej e hynte brënda e më priste i ulur në divan duke rrotulluar telekomandën në dorë.Ndërkohë nëna më vishte duke më ngjeshur këmbët brënda këpucëve po unë nuk qahesha.E duroja dhimbjen e gishtave sepse nuk duhet të qaja,të gjithë duhet ta kuptonin se po rritesha edhe babi im që rrinte ulur aty.Me kalimin e kohës pritjet e tij u bënë më të gjata,nëna nuk mi ngjeshte këmbët brënda këpucëve,ata flisnin dhe mbaj mend se një herë qeshën mes tyre.Unë u gëzova shumë edhe pse atë ditë dolëm të tre.Sa kam vrapuar?!?!?!Ishim përsëri bashkë edhe pse për një mbasdite.Ata më kapnin përdore dhe unë varesha tek krahet e tyre duke ngritur gjunjet përpjetë sa më shumë të ishte e mundur.U kthyem në shtëpi dhe hëngrëm darkë të tre bashkë.Para darke unë hipa mbi tavolinë e bëja si indian,mami vuri një buqetë me lule aty dhe nuk më qortoi e nuk më porositi të bëja kujdes se mos e thyeja.Hëngra edhe petalet e një luleje edhe pse nuk e dija me siguri se indianet i hanin apo jo petalet e luleve.Babi qeshte.Atë mbrëmje fjeti përsëri në shtëpi.Une shkova vetë në dhomën time për të fjetur,nuk e lashë mamin të më tregonte përralla.I putha të dy dhe ika.Ishte hera e parë që  shkoja vetëm për të fjetur dhe ishte hera e parë që unë i puthja i pari.Gjithmonë më ndiqnin ata me buzët e bëra si tryelë që ndonjëherë kërkoja tu shpëtoja me naze.Atë natë pashë një ëndërr të bukur.Pashë vehten time që kërceja mbi tavolinë,nënën që gatuante  e gëzuar,tenxheren që zjente mbi stufë dhe fytytën e çelur të babit.Pashë në ëndërr gjithë sa kishim jetuar atë darkë dhe më pëlqeu shumë.Që atëherë babai nuk ka ikur më.Qëllon  të dalë për të blerë cigare.Unë qaj sapo ai del.Ai më puth e më thotë se kthehet shpejt por unë kam frikë.Shpeshherë më merr me vehte.Ikim bashkë dhe kthehemi bashkë dhe kur kthehemi mamin e gjejmë në shtëpi.Edhe ajo ndodh të dalë nga shtëpia kur unë jam aty me babin.Qaj edhe në keto raste,sikurse tani kur ajo doli nga makina për të blerë bukë.Qaj pa zë.Qaj vetem edhe pse babi është aty.Nëna del nga dyqani, në dorë ka një qese.Eshtë e vërtetë që ka blerë bukë.I afrohet makinës dhe sapo hap derën thotë:”lepurush,mami u kthye”.Unë buzëqesh dhe e lë të më puthë.Para se të më puthë,ajo heq xhupin,rregullon flokët sikur e puthura të jetë një gjë shumë serioze dhe kërkon përkushtim.Më në fund,çlirohem por babi akoma nuk e ndez makinën.Thotë se ka ngelur pa cigare.Ata flasin shpejt por unë i kuptoj.Duhet të dalë për të blerë cigare.E di që s’duhet ta bëj po nuk mundem të përmbahem.Nis të qaj përsëri,ndonjë tingull më del nga gryka se me duhen ca minuta që ti mbys e të qaj pa zë.”Babi,mos ik”.Flet me nënën dhe ndez makinën.Muskuli në mes të ballit i leviz përsëri.Më në fund makina niset.Jemi të tre.Sa gjë e keqe është të mos jesh kështu si jemi ose të mos jesh më,sikurse nuk është gjyshja e shokut tim të kopshtit ose sikurse nuk ishte babi për ca kohë.Eshtë vërtetë gjë e keqe kjo vdekja.Unë s’dua që të vdesë asnjë;as mami,as babi as gjyshja,…asnjëri.Sot eshte ditë e bukur,në makinë është ngrohtë,rrezet e diellit më gudulisin sytë dhe mendoj se sot nuk do të vdesë askush.

Tags: ,

3 Responses to “Sot nuk do të vdesë askush!”

  1. loer Kume Says:

    femije i traumatizuar ky, te fut ne siklet🙂
    por te pergezoj per zbritjen e shkalleve qe ke bere per te hedh nje sy aty poshte moshes o Mik. per sa kohe qe me sikletosi, me pelqeu…

  2. sergioysilvia Says:

    ”lepurush,mos qaj,mami kthehet shpejt

  3. doriani Says:

    persh.Loer.
    duke patur parasysh se ky eshte nje krijim i thjeshte, arma e tij e vetme eshte pikerisht kjo “sikletosje” qe ti permend, duke patur kujdes te mos bie ne sentimentalizma.Edhe pse tingellon paksa keq;sikletosje te tilla te uroj sa me shume kur te me lexosh:)),flm per komentin dhe klm.
    x Sergioysilva:
    flm per citimin.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: