MENDIME MBI LETËRSINË, SHKRIMTARËT DHE LEXUESIT

by

Libra të ndaluar. – Nuk duhet lexuar kurrë ajo që shkruajnë ata dijetarët arrogantë dhe pështjellues që zotërojnë pahijshmërinë më të tmerrshme, atë të paradoksit logjik. Ata përdorin format logjike pikërisht atje ku gjithçka është në thelb e improvizuar me pafytyrësi dhe në hava (“pra” do të thotë tek ata: “o lexues gomar, kjo “pra” nuk është për ty po për mua”, gjë së cilës i duhet përgjigjur: “o shkrimtar gomar, për kë e ke shkruar pra?”)

Të tregosh shpirt. – Kushdo që kërkon të tregojë shpirtin e tij, le të vihet re se është i pasur me të kundërtën. Kjo mënyrë e shëmtuar e francezëve tepër shakaxhinj, për t’i shtuar gjetjeve të tyre më të mira një copë “dèdain”, e ka origjinën tek qëllimi për t’u dukur më të pasur nga sa janë: sikur duan të japin me neglizhencë, thuajse të lodhur nga harxhimi i vazhdueshëm, atë që heqin nga magazinat e tyre tepër të mbushura.

Letërsia gjermane dhe letërsia franceze. – Fatkeqesia e letërsisë gjermane dhe asaj franceze e njëqind viteve të fundit qëndron këtu, që gjermanët kanë dalë tepër herët nga shkolla e francezëve dhe francezët në vazhdim, kanë shkuar tepër herët tek shkolla e gjermanëve.

Stili i madh. – Stili i madh lind kur e bukura korr fitore mbi sasinë e madhe.

Të shmangësh. – Nuk dihet se ku konsiston tek shpirtërat e shquar ajo që aty është e hollë tek shprehjet e tyre, tek fjalitë e tyre, para se të mund të themi se në çfarë fjalësh do të kishte rënë pashmangshmërisht çdo shkrimtar mediokër për të shprehur të njëjtën gjë. Të gjithë artistët e mëdhenj në drejtimin e karrocës së tyre tregohen të prirur për të shmangur, por jo për të përmbysur karrocën.

Diçka si buka. – Buka neutralizon shijen e të gjitha ushqimeve, e fshin atë, prandaj bën pjesë në çdo të ngrënë disi të gjatë. Në të gjitha veprat e artit duhet të ketë diçka si buka, me qëllim që të mund të ketë tek ato efekte të ndryshme. Këto vepra, nëse vazhdojnë menjëherë e papushim apo një ndalesë të këtij lloji, shterren shpejt dhe shkaktojnë neveri, aq sa do të ishte e pamundur një kullotje e gjatë me artin.

Lexues jo të dëshirueshëm. – Sa e torturojnë autorin ata lexues të zotë e me shpirt të trashë e pa mend në kokë që gjithnjë, kur përplasen në ndonjë pikë, rrëzohen e çdo herë vriten!

Mendime poetësh. – Mendimet e vërteta të poetëve të vërtetë janë gjithnjë të mbuluara me vello, si gratë egjyptiane. Vetëm syri i thellë i mendimit shikon lirisht përtej vellos. Mendimet e poetëve nuk kanë zakonisht aq tepër vlerë sa iu vishet atyre, por paguhet edhe për vellon edhe për kuriozitetin tënd.

Festa të rralla. – Ngjeshje plot lëng, qetësi e pjekuri – kur gjen këto cilësi në një autor, ndalo dhe bëj një festë të gjatë në mes të shkretëtirës, pasi për një kohë të gjatë nuk do të kesh më një fat të tillë.

Kujdes në të cituar. – Autorët e rinj nuk e dinë se shprehja e mirë, mendimi i mirë paraqiten mire vetëm mes të barabartëve me ta, se një citim i shkëlqyer mund të asgjësojë faqe të tëra, madje të gjithë librin, ngaqë e paralajmëron lexuesin: “Ki kujdes, unë jam guri i çmuar dhe përreth meje ka plumb, një plumb të zbehtë e të mjerë!” Çdo fjalë, çdo mendim kërkon të jetojë vetëm në shoqërinë e vet – ky është morali i stilit të zgjedhur.

Sensi dramatik. – Kush nuk i ka të katërta senset më delikate të artit, kërkon të kuptojë gjithçka me të pestin, që është më i trashi: pra me sensin dramatik.

Aroma e fjalëve. – Çdo fjalë ka aromën e saj. Ashtu siç ka një harmoni dhe një disharmoni të aromave, ka edhe të fjalëve.

Stili i kërkuar. – Stili i gjetur është një fyerje për mikun e stilit të kërkuar.

Dëshirë. – Unë nuk dua të lexoj më autorë tek të cilët vihet re se kanë dashur të bëjnë një libër por vetëm ata autorë mendimet e të cilëve u bënë, pa e vënë re, një libër.

Vendim. – Nuk do të lexoj më kurrë një libër që lindi dhe u pagëzua (me bojë) në të njëjtën kohë.

Të përmirësosh mendimin. – Të përmirësosh stilin do të thotë të përmirësosh mendimin, e asgjë tjetër! Kush nuk e pranon menjëherë këtë, nuk do të bindet kurrë më pas.

Libra klasikë. – Ana më e dobët e çdo libri klasik është kjo, që është shkruar tepër në gjuhën e nënës së autorit të tij.

Libra të këqinj. – Libri duhet të kërkojë një penë, një kallamar e një tryezë shkrimi. Por zakonisht janë pena, kallamari e tryeza e shkrimit që kërkojnë një libër. Prandaj sot librat vlejnë kaq pak.

Plotësi e autorit. – Gjëja e fundit që i vjen një autori të mirë është plotësia, kush e mban me vete nuk bëhet kurrë një autor i mirë. Kuajt më fisnikë të luftës janë të dobët, derisa të mund të çlodhen mbi fitoret e tyre.

Mendja kolektive. – Një shkrimtar i mirë nuk ka vetëm mendjen e vet, por edhe mendjen e miqve të vet.

Dy lloje ngatërrimesh. – Fatkeqësia e shkrimtarëve mendjemprehtë dhe të qartë është kjo, që merren si sipërfaqësorë dhe kështu nuk u kushtohet asnjë përpjekje atyre: ndërsa fati i të paqartëve është që lexuesi lodhet duke i lexuar dhe i mbush me lëvdata ata për shkak të gëzimit që i shkakton vetë zelli i tij.

Humor. – Autorët me më shumë humor shkaktojnë një buzëqeshje që mezi duket.

Mendimtarët si stilistë. – Pjesa më e madhe e mendimtarëve shkruajnë keq, sepse ata komunikojnë jo vetëm mendimet e tyre por edhe të menduarit e mendimeve të tyre.

Ligji drakonian kundër shkrimtarëve. – Një shkrimtar duhet konsideruar si një keqbërës, i cili vetëm në raste shumë të rralla meriton të shfajësohet ose të falet: ky do të ishte një mjet për t’u siguruar që librat nuk do të marrin dhenë.

Gëzimi në pleqëri. – Mendimtari, si dhe artisti, i cili e ka ruajtur më të mirën e tij brenda veprës së vet, provon një gëzim pothuajse të lig kur shikon sesi trupi dhe shpirti i tij thyhen dhe shkatërrohen ngadalë nga koha, njësoj sikur të shikonte nga një qoshe një hajdut që punon mbi kasafortën e tij ndërsa ai e di që ajo është bosh dhe se të gjitha thesaret janë të siguruara.

Pjeloria e qetë. – Aristokratët e lindur të shpirtit nuk janë aq të zellshëm; krijimet e tyre lulëzojnë dhe bien nga pema një mbrëmje të qetë vjeshte, pa u dëshiruar me ngut, pa u kërkuar, pa u shtyrë nga gjërat e reja. Të duash të krijosh pa pushim është një gjë vulgare dhe tregon xhelozi, zili, ambicje. Nëse je diçka, nuk ke realisht nevojë të bësh asnjë gjë – e megjithatë bën shumë. Përmbi llojin e njerëzve “prodhimtarë” ka edhe një tjetër lloj më të lartë.

Gjysmë i verbëri. – Gjysmë i verbëri është armiku për vdekje i të gjithë autorëve që shkruajnë pa kujdes. Këta do të duhej ta njihnin mirë inatin me të cilin ai e mbyll një libër ku ka konstatuar se autori ka nevojë për pesëdhjetë faqe për të shfaqur pesë mendime. Ai inatoset për faktin që vuri në rrezik thuajse pa asnjë fitim atë që i kishte mbetur nga sytë e tij. Një gjysmë i verbër thotë: të gjithë autorët shkruajnë pa kujdes. “Edhe shpirti i shenjtë?” – Po, edhe shpirti i shenjtë. Por ai kishte të drejtë ta bënte sepse shkruante për plotësisht të verbërit.

(Aforizma te shkëputura nga librat “Njerëzor, tepër njerëzor” dhe “Udhëtari dhe hija e tij”, Friedrich Nietzsche.)

Advertisements

4 Responses to “MENDIME MBI LETËRSINË, SHKRIMTARËT DHE LEXUESIT”

  1. Moon Lady Says:

    Me pelqen si permbledhje dhe me pelqen qe eshte vendosur nen “Ata qe na kane shpetuar jeten”. A ka ndokush ndonje koment a shtjellim me te gjate ne lidhje me gjysme te verbrin?!

  2. ehe... Says:

    OK, nuk jam specialist i Niçes, madje mund te kem lexuar pak gjera nga ai. Kam nje si “peshtirosje” nga librat e tipit aforizma, qofshin Niçe apo Shopenhauer. Nejse, problemi im.

    Ne lidhje me Moon Lady (mireserdhe !) qe pyet per piken e fundit, do te mundohem te them dy fjale, siç e kuptoj une.

    Nje gjysme i verber nuk eshte qorr nga njeri sy por gjysme-qorr nga te dy. Te jesh i bezdisur ne dy gjerat e fundit qe te kane mbetur, do te thote qe te mos e kruash me shpinen dhe te besh kujdes qe t’i ruash si… syte e ballit ! Edhe vete urtesia popullore e ka vendosur ruajtjen e syve te ballit ne vendin e pare.

    Nje gjysme i verber, duke e ditur qe i ka syte me “kimet” kur i thone fjales, eshte i detyruar tani te mos i lodhe me gjera boshe apo te kota. Nje autor qe ia fut kodra pas bregut, eshte nje abuzues me kete drite te pakte sysh qe i ka ngelur gjysme-qorrit. Dhe ky i fundit, kur lexon nje liber qe sipas Niçes s’kishte nevoje te tirrej aq gjate per te thene pese gjera, inatoset per mundin dhe lodhjen e ketyre syve qe tashme jane drejt fikjes.

    Por keto fjale te Niçes mund te merren edhe ne nje nivel metaforik. Sepse nje gjysme-qorr mund te shihet gjithashtu dhe si dikush qe ka nevoje per dije, per hapjen e trurit, per t’u bere dikush qe me ne fund sheh qarte. Te gjithe ne lindim te verber, pra me trurin bosh, rrafsh, dhe pastaj fillojme duke mesuar e duke na ardhur syte. Dikush qe eshte ne mesin e udhes se diturise ka interes qe te lexoje gjera per te qene, dhe jo te humbase kohen me budalliqe (50 faqe = 5 mendime, sipas Niçes).

    Kjo permase metaforike del qarte dhe nga futja ne valle e shpirtit te shenjte, qe ne fakt eshte Perendia. Duke qene e ditur ketu se Zoti na sheh si bageti, si tufe, dhe na dergon nje bari te tipit Kristaq apo Muho. Megjithate, ka nje loje fjalesh nga ana e Niçes kur thote se nje autor mund t’ia lejoje vetes te shkruaje pa kujdes, nese perballe ka qorra. Kjo ketu, mund te kuptohet me mire ne gjuhen popullore si “futja gamorit se aq merr vesh ai”. Me shkoqur : Shpirti i shenjte (Perendia) ia ka mbeshtjelle kot me kot, sipas Niçes, per arsyen e thjeshte se qorrat mund te perpinin gjithçka qe t’iu jepej. Nje qorri mund t’i thuash se tani po kalon nje avion i madh, nderkohe qe aty prane eshte duke u shfaqur nje film me Brus Uillisin. Kristaqi dhe Muhua, sipas Niçes, kane qene dy perrallaxhi te tipit Vasillaq Vangjeli qe kur kishin nevoje te kthenin nga nje gote raki, tregonin pese gallata ne dy-tre tavolina dhe pastaj e skuqnin hunden per nja 7 ore rresht. Pse ? Sepse ne keto dy-tre tavolina kishte tipa qe te gjitha diturite e tyre permblidheshin ne pese histori te tipit katallani dhe xhuxhi pinxhivul, ose ne pese gallata alidemcash (ho me ç’kina ? çere bo ti ?) – lagje kjo e famshme ne tere hemisferen veriore te globit tokesor.

    Keshtu e shoh une kete punen e qorrave dhe gjysme-qorrave. Me tej, vetem baba allah i bie ne te.

  3. desaparacidos Says:

    Jam dakord me shokun Ehe mbi borgjezin e vogel Niçe.

    E megjithate nuk arrij ta kuptoj akoma se si shume njerez – qe respektoj, qe kane nje inteligjence te jashtezakonshme – kapen kaq fort pas Niçes, aq saqe ky behet si nje rere e levizshme nga e cila nuk del dot me!

  4. Alket Bushi Says:

    Arsyeja kryesore pse ndodh kjo desaparacidos mendoj se ka te beje me njerin nga mekanizmat mbrojtes te egos te zbuluar prej Frojdit, lexo “Identifikimi me agresorin” (ose ndryshe “Sindromi i Stokholmit), ehe-ja mund te na shtjelloje ndonje shpjegim per kete pikepamje. Platoni ka nenshtruar botekuptimisht rreth dymije vjet njerezimin, pavararesisht ca “rebeleve” aty-ketu, tani e ka rradhen ky “vrasesi” i tij, e keshtu ka per te ndodhur derisa te dale dikush e ta “vrase”. Te mos harrojme se mitologjia greke fillon me nje atvrasje: Zeusi vret te atin, Kronosin (Kohen!), dhe merr pushtetin. Sa per arsyet e tjera perse disa kapen kaq fort pas tij nuk po flas se do me duhej te shkruaja nje liber te tere, dhe ndoshta do e bej dikur, kur kjo çeshtje te mos jete per mua kaq aktive sa ç’eshte sot.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: