Perimetri kulturor i rrethit vicioz

by

nga Agron TUFA

shfaqur te gazeta Start, senjaluar nga Xhibi
Qeveria e së djathtës në pushtet dhe veçanërisht PD-ja nuk kanë bërë deri më tash ndonjë përpjekje të dukshme, që të tregonte qartazi vullnetin për t’u integruar në strukturat kulturore europiane. Ajo mungesë vizioni për të cilën qe kritikuar pushteti i mëparshëm socialist (mungesa e platformave, masterplaneve, mungesa e prezencës së kulturës shqiptare në aktivitetet më të rëndësishme europiane, buxheti i vogël, qasja e mirëmenduar për të shpëtuar aspekte të rrezikuara të kulturës etj), duket se është bërë pengesa e vetme për vendosjen e një rezonance me strukturat kulturore në rajon dhe BE.
Nëse në rastin e parë, mungesa e vizionit vinte nga mefshtësia dhe inkompetenca e drejtuesve socialistë të institucioneve kulturore, mungesa e një platforme të detajuar të politikave kulturore, hermetizimi, ose më mirë, hermetizimi i informacionit si transparencë e veprimtarive – tanimë nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për drejtuesit e institucioneve dhe departamenteve kulturore të qeverisë së PD-së. Atëherë ku qëndron puna, pse vazhdon ende të mos jetë e pranishme kultura shqiptare me shumëllojshmërinë e zhanreve të saj në aktivitetet rajonale ndërkontinentale? Kam qenë që në vitin 2005 një ndër hartuesit dhe koordinatorët kryesorë të Platformës (së paprekur kurrë) mbi çështjet e kulturës në KOOP dhe kam të drejtë të pyes se çfarë është bërë konkretisht me politikat kulturore, reformat, prioritetet e ngutshme që duhet t’i udhëhiqnin këto politika?

E drejta është të theksojmë se reformimi brenda-administrativ, në disa prej sferave më të ndjeshme të kulturës shqiptare ka mbetur ende i paprekur dhe se ende vazhdojnë të qëndrojnë në krye të departamenteve të njëjtët figura të kontenstuara gjerësisht në shtyp, edhe prej vetë autorit të këtyre radhëve. Atëherë si dhe me ç’moral mund ta kundrojmë reformën institucionale në këtë MTKRS?

Ndërkaq, prioritetet kryesore nga ku do të merrnin të përpjetë ambiciet e politikave të djathta kulturore u propaganduan me bujë e finesë të madhe në kongresin e Partisë Demokratike qysh para zgjedhjeve të vitit 2005 si kapitull më vete. Paradoksi është se si në drejtim të bashkëpunimit të ndërsjelltë me pjesët kulturore shqiptare jashtë republikës, si me përpjekjen e rritjes cilësore të prezencës artistike në hapësirën europiane nuk është deklaruar deri më tash asgjë thelbësore.
Natyrisht, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nuk mund të ishte një faktor përcaktues për prezantimin e një imazhi pozitiv të Shqipërisë nëpërmjet strategjive të saj sado qofshin ato elegante e mbresëlënëse. Por nëse vullneti politik serioz do të mëtonte ta merrte në shqyrtim këtë çështje, atëherë do mund të ndërtohej një model efikas bashkëpunimi midis Ministrisë së Turizëm-Kulturës, Ministrisë së Jashtme dhe Ministrisë së Integrimit që kësisoj të kishin diçka shumë të rëndësishme me të cilën të merreshin.

Situata që kalon sot kultura shqiptare të del më e zymtë se në kohën e Mbretit Zog I. Nga njëra anë sundimi dhe deformimi që i kanë bërë politikave kulturore qeveritarët socialistë, të cilët, në mungesë të plotë profesionalizmi veçse kanë trashur e stërfryrë klishetë dhe burokracitë përgjatë tetë vjetëve, ndërkaq, nga ana tjetër, sikur qe bërë modë që sektorë tepër të rëndësishëm të kulturës t’i drejtonin njerëz barbarë në këto fusha. Nuk mendoj se kanë shkuar më larg as drejtuesit e politikave kulturore të PD-së, duke iu përkushtuar kryesisht projekteve të Turizmit dhe duke u mjaftuar me kulturën gjithsej me një grup të standardizuar aktivitetesh – klishe tradicionale. Asgjë e sigurte, asnjë hap për të shpërthyer rrethin vicioz. Në thelb unë mendoj se kemi një zvetënim të subjektit kulturor që e gjeneron atë ndaj praktikave burokratike e pa perspektivë zhvillimi.

Drejtuesit e kulturës në qeverinë e PD-së duhet të kuptojnë gjendjen reale të gjërave: letërsia shqipe, për shembull, nuk merr pjesë në asnjë organizëm ndërkombëtar, në asnjë festival dhe asnjë festival nuk bën (nxit) vetë. Përpos kësaj, gjuha në të cilët shkruajnë shkrimtarët shqiptar është tashmë pa përkthyes, çka do të thotë se shqipja po bëhet e ngjashme me gjuhët e vdekura e ndoshta më keq. Por ka një rëndësi vendimtare gërshetimi i kontributeve që mund të japin në bashkëpunim tre ministritë që përmendëm më lart. Nëse në kulturat kryesore europiane ne arrijmë të hyjmë me modelin e Instituteve të Kulturës shqiptare që të funksionojnë në metropolet përfaqësuese të gjuhëve të mëdha si gjermanishtja, frëngjishtja, italishtja apo anglishtja, atëherë po, kemi bërë një hap për t’i shpëtuar izolacionit kulturor.

Rrugët e integrimit janë të shumta, por asnjëra nuk e ka sugjestionin e paharrueshëm siç e ka kultura. Por nëse këto forma të reklamimit tonë kulturor para botës nuk do të shfrytëzohen, atëherë ia kemi hequr vetes të drejtën për të qenë në rezonancë shpirtërore me rajonin dhe Evropën, anipse mundësitë i kishim të bënim atë që duhej të ishte bërë gjithë këtyre viteve, si minimum, atë që ka bërë me kohë Serbia, Maqedonia apo Kroacia, pra – Institutet e Kulturës shqiptare nëpër kryeqendrat europiane. Kjo është e vetmja mundësi për të shpërthyer rrethin vicioz si kulturë e vogël, e izoluar, por aspak inferiore.

Tags: , ,

6 Responses to “Perimetri kulturor i rrethit vicioz”

  1. Irma ttbmlj Says:

    2 rreshtat e para lexova dhe nuk mu be te vazhdoja me shume, sepse e ke nisur me nje genjeshter! “Liberalizimi i Vizave” Cfare ishte?

  2. Post Spleen Says:

    He, ca ishte liberalizimi i vizave pervec se rastesi kohore e pjekjes se rrethanave te pakushtezuara nga aksh force politike?

  3. ehe... Says:

    @ Irma (mbiemrin e ke qiellor) :

    Fjalia e pare nuk eshte genjeshter. Qe nje fjali te kete vlere vertetesie R, duhet qe kuptimi i saj te bjere ndesh me nje fakt te vrojtuar apo te perfytyruar menderisht.
    Kuptimi, e dashur Irma (kete e thashe thjesht per te flirtuar, sepse Irma me kujton nje shoqe kopshti nga e cila kam nje shenje ne faqe, te bere me ca dhembe te vegjel gjate nje perqafimi te zjarrte dashuror), eshte diçka qe del pas shoshitjes se çdo fjale qe eshte perfshire ne ate fjali.

    C’thote Tufa ?

    Flet per dike (qeveria) qe SKA bere diçka (perpjekje) per t’u perfshire diku.

    Ku ?

    Dhe ketu eshte e tere kleçka. Nese Tufa do te kishte thene : per t’u futur ne arat me grure te Ukraines, apo ne odat e piramidave te Egjiptit (nqs jane ende aty, sepse revolucionaret te rrasin llokumin e dinamitit, s’behet shaka me ta), atehere do te thoshim : po çfare jeni duke thene, Zoti Tufa ?!

    Mirepo ai thote tre fjale :

    Strukturat kulturore europiane.

    – Strukture = lidhje e brendshme qe mban nje ngrehine ne kembe.
    – europiane = qe ka te beje me Europen, kontinent ku sipas Google Earth, thuhet se eshte dhe Shqiperia, bashke me Shqiptaret qe kane ngelur ende aty.
    – kulturore = dhe pikerisht, kjo eshte fjala e cila i jep tere kuptimin fjalise se Tufes. Kulturore eshte nje mbiemer i cili vjen te cilesoje emrin “strukture” per t’i dhene nje pasaporte te veçante dhe dalluar ate nga strukturat e tjera : metalesh, sheqeri, diamanti, paralele, partiake, etj.

    SHKURT : Tufa thote se qeveria ska punuar mire ne perfshirjen e Shqiptareve ne çeshtjet KULTURORE te europianeve.

    Se ç’lidhje ka liberalizimi i vizave me perfshirjen ne strukturat kulturore europiane, kete, vetem ti Irma “la douce” e di. Te dalesh pa vize ne Europe, ska asnje lidhje me te besh kulture ne menyre te organizuar. E shumta, vjen diku ne France dhe takon ehe…-ne, por kesaj s’i thone kulture, i thone “takim qe mund te shpjere deri ne nje çift te lumtur – çift me kulture, sigurisht, por i pastrukturuar).

    ps : me dukesh goce e mire ti Irma, kete pershtypje kam. Te ftoj tani ta lexosh shkrimin nga fjalia e dyte, dhe te pres tek kthesa qe te diskutojme me thelle e te njihemi me mire.

  4. Irma ttbmlj Says:

    Haa sa inat me vjen, me sa vones dhe rastesisht ta lexova komentin “ehe”!!
    Po te citoj disa aktivitete nderkombetare qe jane bere brenda dhe jashte Shqiperis, qe per “habi” jane edhe tek faqja e internetit te Ministris seTurizmit, Kultures, Rinis dhe Sporteve

    http://www.mtkrs.gov.al/web/Projekte_48_1.php

    ..per mos folur pastaj per aktivitet e shumta qe ben psh Asambli Popullor

    ..por nuk jane te vetmet, edhe bashkepunimet qe kemi patur me shtete te tjera si (Italia, Gjermania) per jave te tera me aktivitete te ndryshme keto 2 vitet e fundit, tregojne dicka!

    Lidhja me liberalizimin eshte shume e qarte! Nuk mendon se dyert e Europes jane bere me te lehta per tu hapur nga ky fakt?!!

    Haa sa i gjate do te ishte diskutimi yne, duhet te filloj qe nga gabimet e Google Earth🙂

    Mos dysho asnje sekond.. qe jam nje vajze e keqe i dashur!!

  5. un Says:

    “Bad girls will you make crazy”, thoshte nje kenge qe ma kendonte gjyshi ne djep, dikur, ne nje cep te atdheut. Gjyshin e kam pasur mafioz, tip Frank Sinatra, prandaj.

    Dhe nuk eshte e vertete qe s’e ke pare postimin, por ke pritur 5 muaj qe te informohesh mbi mua dhe pastaj te me japesh nje shenje afrimi. Nuk e fsheh, je goxha e veshtire. 5 muaj xhanem ! Qe prej pese muajsh qe vuaj ketu ne pritje te Irmes sime “la douce”. Nejse, kush duron, fiton.

    Tani te kthehemi tek çeshtja : liberalizimi i vizave, jo vetem qe e ka bere me te lehte levizjen, por eshte nder gjerat me simpatike qe mund t’i kene ndodhur njeriut shqiptar qe prej te pakten 70 vjetesh. Madje, po te hyj e te rreshtoj ketu te mirat e kesaj gjeje, s’do te ndalesha. Sepse eshte vertet nje revolucion mendor, shpirteror, fizik, gjeografik, etj. Shkurt, qe te mos e zgjas me kete, une dhe ti jemi ne te njejten anije.

    Por ne lidhje me dukjen e kultures shqiptare ne Europe, kjo eshte ende per t’u bere. Qe nje tip me origjine shqiptare te shpike pilula “allosoj” ne USA, kjo ska asnje lidhje me kulturen shqiptare, paçka se ai ka nje emer shqiptar. Edhe James Belushi, perveç se na ben reklame nepermjet fames se tij, nuk vjen nga nje kulture shqiptare. Puna eshte qe kultura jone te dale nga Tirana dhe Shqiperia e te njihet ne Europe si diçka e perpunuar dhe perpiluar ne SHQIPERI. Eda Zari dhe Elida Duni, dy kengetare shume te mira qe kendojne jashte, nuk perfaqesojne kulturen shqiptare sepse ato punojne jashte, me vegla te jashtme, me njerez te jashtem, etj. Une do te isha dakort sikur nje grup shqiptar, qe banon ne Shqiperi dhe jep koncert ne France, te quhej kulture shqiptare. Por kjo s’ndodh aq shpesh. Te pakten ne France, jo dhe aq.

    Mund te kete gjera te mira, te bera nga Ministria e Kultures shqiptare, por mbase eshte pak, te pakten jo aq sa per te zene vend ne peizazhet tona europiane. Megjithate, e dashur, mua me duket se ka ikur koha e qendrimeve kategorike, mbase duhet te mesohemi te jemi me te lakueshem, me te epshem, dhe te diskutojme pa e skualifikuar tjetrin. Tufa nuk duhet nxjerre menjane menjehere, por lexuar dhe pastaj debatuar. Ok, se tani harrova ç’desha e ç’arrita te them. E rendesishme eshte se ke emer te bukur : “Irma la douce”. Salut.

  6. alfred b Says:

    Ne kete artikull shprehet me pak fjale nje fatalizem i paqene i gjedjes sone kulturore. Them fatalizem i paqene sepse ne te vertet ska asnje arsye se perse te behemi merak nga kjo mosshprehje e kultures sone kombetare ne arenen kulturore nderkombtare. Kultura jone ka ecur perpara ne kete menyre; here ska ekzistuar, here eshte shtypur e here e kemi shtypur,here skemi dashur, here skemi patur, here kemi pasur ndonje kafshe letrare qe shkruante si mos me keq e here…
    Hyn ne aftesite e nje populli qe ka nje identitet te pacaktuar, te cilit i duhet te perballoje ererat e forta te ndryshimit, mosbindja dhe mosndjekja e asaj cfare ecen me teper ne nje periudhe te caktuar. Tani te perhapin kulturen tone, nje kulture qe s’e di asnjeri se c’eshte ne te vertet, e ta quajme si kulture kombetare, me duket me teper rilindase se sa mashkohore. Cfare te cojme ne europe si shenje e kombetarizmit tone? Vallen e Kukesit qe s’e dine as kuksianet pale nje dibrane ose nje gjirokastrit. Apo poezite e Mjedes qe duken si shkrime kuneiforme ne syte e nje korçari. Apo Naimin qe te them te drejten jane vertet per bageti e bujqesi.
    Pra cfare ti japim europes, cfare te dnajme me ta? Kadareja eshte prej kohesh pjese e letersise europiane. Zhyti s’do te dali nga burgu i Spaçit.Te tjeret sjane ne gjendje ta perballojne lexuesin europian. Apo cfare te perkthejme ne shqip? bestsellerat e shpifur qe bejne amerikanet e italianet apo ku e di une kush tjeter? Me mire keshtu sic jemi, te palexuar sesa te lexuar keq.
    Eshte problem ne fakt gjithe kjo frike e humbjes se kultures sone, te tradites. Eshte problem sepse eshte kthyer ne frike e nga frika lind paniku. Ska gje me te keqe s’e paniku kur te ka zene frika. Une mendoj se duhet lene cdo gje ne rrjedhen e lire te ngjarjeve; le te vendose populli, qeverisesit qe kemi zgjedhur, ambjentet intelektuale pertacpercjellese. Le ti japim fund nje here e mire kesaj frike. S’ka asnje rrezik per kulturen tone. E verteta eshte se kultura jone eshte aq e larmishme sa perbehet prej qindra kulturash te shumllojshme brenda saj. E nuk duhet te merakosemi nese kemi humbur te tonen, sepse eshte kjo frike qe perben rrezikun me te madh. Ndjenja e pasigurise kur humbet nej pike referimi, sepse kultura eshte ajo qe na jep identitet, na jep nje formim te caktuar. Por duhet pasur parasyshe qe ne te vertet nuk ekziston nje identitet fiks ne asnjerin prej nesh; jemi te bere prej shume identitetesh, prej shume kulturash qe na kan influencuar pergjate rruges sone drejte njohjes se realitetit dhe fenomeneve. Ndaj, si perfundim, nuk duhet te behemi kaq fatalista nderkohe qe jemi ne ata qe i kemi krijuar kushtet ketij fatalizmi. Dhe e rendesishme eshte se ky fatalizem ska asnje baze. Ne jemi shume me teper se nje kulture kombetare e paracaktuar dhe e palevizshme. Jemi nje vazhdimesi qe krijohet dale nga dale. Ne dreq te shkojne festivalet dhe ansamblet e valleve. Petem te pandershmit vallezojne thoshte Platoni.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: