Një fjalë të fundit

by

nga Raymond Carver

përkthyer nga Urim Nerguti

 

Atë mbrëmje, duke u kthyer nga puna, Maksina, gruaja e L.D., i kërkoi burrit të vet që të shporrej nga shtëpia ; ai ishte dehur sërish dhe tani shante Raen, bijën e tyre pesëmbëdhjetë vjeçe. Të ulur në tavolinën e kuzhinës, L.D. dhe Rae grindeshin. Maksina s’pati më kohë as të lëshonte çantën dhe të hiqte pallton, kur tashmë Rae po e thërriste :

– Thuaji atij, Mami, thuaji për çfarë kemi folur.

L.D. rrotullonte një gotë në tavolinë por nuk e kthente. Ndjente mbi vete vështrimin e pamëshirshëm të Maksinës.
– Mos i fut hundët në gjëra që s’i merr vesh, gjëmoi ai. Nuk dua të flas seriozisht me dikë që rri tërë ditën e ditës duke lexuar revista astrologjie.
– Ska lidhje me astrologjinë këtu, kundërshtoi ajo. Dhe ti s’je i detyruar të më fyesh.
Rae s’kishte qenë në shkollë që prej disa javësh. Thoshte se askush s’mund ta detyronte. Maksina thoshte se kjo ishte ende një tragjedi më tepër në një seri të gjatë tragjedish të lodhshme.
– Do e mbyllni ju apo si e keni hallin ! bërtiti Maksina. Oh Zot, ma nisi koka prapë !
– Thuaji, Mami, ngulmoi Rae. Thuaji se gjithçka ndodh në kokë. Kushdo që merr vesh pak nga këto punë e di se në kokë ndodh gjithçka.
– Po diabeti ? u hodh L.D. Po epilepsia ? Mos edhe këto i kontrolloka truri ?

Ai ngriti gotën (duke e sfiduar Maksinën me sy) dhe e ktheu me fund.

– Edhe diabetin, u përgjigj Rae. Edhe epilepsinë. Gjithçka, plotësisht gjithçka ! Truri është organi ynë më i fuqishëm, merre vesh !
Ajo mori një paketë cigaresh dhe ndezi një.
– Po kancerin ? pyeti L.D. Hë ? Po kancerin, ku e fut ti ?
Atij i dukej se këtu kishte shënuar një pikë. Vështroi Maksinën dhe tha :
– S’e di, vërtet s’e di si kemi mbërritur të flasim edhe për këtë.
– Edhe kancerin, tha Rae duke tundur kokën, si e lodhur nga padituria e tjetrit përballë. Kanceri niset nga truri.
– Po kjo është një marrëzi ! shpërtheu L.D., duke goditur tavolinën me pëllëmbë, duke e bërë tavllën të kërcejë dhe përmbysur gotën e cila u rrokullis mbi dysheme. Ti je e çmendur, Rae ! Nuk e kupton këtë ?
– Oh ! qepe ! urdhëroi Maksina.

Ajo zbërtheu pallton dhe e uli çantën mbi bufe. Duke lëshuar një vështrim përçmues ndaj L.D., i tha :
– L.D., mjaft më. Edhe ti Rae gjithashtu, dhe të gjithë njerëzit që të njohin… Jam menduar.
– Dua të ikësh nga këtu. Sonte. Në këtë minutë. Tani. Shpejt, ik.
L.D. as s’e kishte ndërmend të shkonte gjëkundi. Duke i shmangur sytë nga Maksina, ai i uli mbi një kavanoz kastravecësh, i cili kishte mbetur mbi tavolinë që nga mesdita. E mbërtheu dhe e flaku nga dritarja e kuzhinës.
Rae kërceu nga karrikja.
– Qyqja, ka dalë mendsh ! thirri ajo.
U struk pranë së ëmës. Merrte frymë shpejt, nga goja.
– Thirr policinë, i tha Maksina. Eshtë i dhunshëm. Dil nga kuzhina para se të të plagosë dhe lajmëro policinë.
Që të dyja u drejtuan nga dera e kuzhinës.
– Po iki, iu tha L.D. Dakort, po iki që tani. Dhe aq më mirë për mua. Ju jeni të çmendura, të dyja. Këtu është kthyer në një azil të çmendurish. Ka një jetë tjetër, përjashta. Aq më bën për këtë shtëpi të çmendurish.
Ai ndjente mbi fytyrë ajrin e freskët që frynte nga vrima e dritares.
– Atje do të shkoj, shtoi ai, duke bërë me gisht nga dritarja. Jashtë.
– Shumë mirë, tha Maksina.
– Po, shumë mirë. Larg që këtu.

Ai e lëshoi dorën mbi tavolinë, shtyu prapa karriken dhe u ngrit në këmbë.

– Nuk do të më shihni më kurrë, deklaroi ai.
– Më ke lënë boll kujtime, s’kam nevojë më, ia ktheu Maksina.
– Dakort.
– Ec, lëviz, e cyti Maksina. Unë jam ajo që e paguan qiranë këtu, dhe po të them të ikësh. Tani.
– Po iki pra. Mos më shtyj. Po largohem.
– Po hë, pra.
– Po, po iki nga kjo shtëpi të krisurish, tha L.D.

Ai u kthye në dhomën e fjetjes dhe nxori nga rafti një prej valixheve të Maksinës. Ishte një valixhe e vjetër plastike e bardhë, ku njëra nga sustat ishte thyer. Maksina e përdorte për të palosur pulovrat dhe fanellat që dikur i merrte me vete në kolegj. Edhe ai, L.D., kishte qenë në kolegj. E hodhi valixhen mbi shtrat dhe filloi ta mbushë me mbathje, pantallona, këmisha, pulovra, rripin e vjetër me katramzë bakri, çorapet dhe gjithçka tjetër. Kapi dhe ca revista mbi tavolinën e natës, për të pasur diçka ç’të lexonte. Mori gjithashtu dhe taketuken e duhanit. Futi në valixhe gjithçka që i zinte dora, derisa u mbush plot. Uli sustën e vetme që punonte dhe shtrëngoi rripin. Atëherë, u kujtua për gjërat e tualetit, në sallën e banjos. E pikasi çantëzën e vogël të rrojes në raftin e fundit, prapa kapeleve të Maksinës. Futi në të briskun, shkumën, talkun, parfumin dhe furçën e dhëmbëve. Shtoi dhe pastën e dhëmbëve dhe perin për hapësirat mes dhëmbëve.
Ai mund t’i dëgjonte të dyja tek flisnin në sallon me zë të ulët. Lau fytyrën. Rrasi sapunin dhe leckën e fërkimit në çantëz. Pastaj ngjeshi dhe mbajtësen e sapunit, kutinë e furçës së dhëmbëve, presjen e thonjve dhe një pajisje të Maksinës që e përdorte për të harkuar qerpikët.
Nuk arrinte më ta mbyllte çantëzën, por ç’rëndësi kishte ? Veshi pallton, mori valixhen dhe u fut në sallon.
Kur e pa, Maksina mbështolli me një krah mbrojtës supet e Raes.

– Eh mirë, jam gati, tha L.D. Po të le lamtumirën. Nuk di ç’të them tjetër, përveç që mos ta pafsha më bojën. As ty, as ty tjetrës. (Ai u drejtua nga Rae.) Ty dhe idetë e tua të çmendura.
– Ik, iu përgjigj Maksina duke marrë dorën e Raes në të sajën. Mos nuk ke bërë kështu mjaft dëme në këtë shtëpi ? Shko, L.D. Dil që këtu dhe na lë rehat.
– Kujtohu vetëm për një gjë, ndërhyri Rae. Gjithçka ndodh në kokë.
– Mirë, po iki, s’kam ç’them tjetër, tha L.D. Gjithkund tjetër është më mirë se në këtë shtëpi të çmendurish. Kjo ka rëndësi.
E shëtiti një vështrim të fundit mbi sallon, pastaj ndërroi dorën e valixhes dhe e rrëshqiti çantëzën e tualetit nën krah.
– Do të mbajmë lidhje, Rae, vazhdoi ai. Kurse ti, Maksinë, do të bëje mirë që ta lije këtë shtëpi të çmendurish.

– Je ti ai që e ke shndërruar në shtëpi të çmendurish, pohoi Maksina. Nëse kjo shtëpi është kthyer në azil, për fajin tënd është kthyer !
Ai e uli valixhen dhe e vuri çantëzën përsipër. Pastaj drejtoi trupin përpara dy femrave.
Ato u zmbrapsën.

– Kujdes, Mami, mërmëriti Rae.
– Nuk ta kam frikën, tha Maksina.
L.D. rimori çantëzën e tualetit nën krah dhe ngriti valixhen.
– Ka dhe diçka që dua të them.
Por nuk arrinte të kujtohej se çfarë donte të thoshte.

© Urim Nerguti, 2011, për këtë përkthim.

Tags: , ,

One Response to “Një fjalë të fundit”

  1. A.B. Says:

    Gjithmone kenaqesi te lexosh R.C. Faleminderit per perkthimin.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: