Varrmihësi

by

nga Arlinda Guma

Dita i kishte nisur mbarë. Përveç faktit që nuk ishte aspak ftohtë, atij që në mëngjes, i kishin thënë se duhej të hapte tre gropa. Të tre gropat duhej të përfundoheshin brenda orës dymbëdhjetë.
Ai punonte varrmihës në varrezën e qytetit. Nuk paguhej me rrogë fikse, por vetëm atherë kur kishte punë.
Ndonjëherë i qëllonte të rrinte kot me ditë të tëra, e ndonjëherë të rraskapitej aq shumë, se puna i vinte njëherësh…
Në pranverë, një muaj (majin), nuk kishte marrë rrogë fare. Njerëzit nuk vdisnin në pranverë. Stinë tepër e bukur për të vdekur.
Pranverave ai e harxhonte kohën duke u ngrohur në diell, apo duke iu gëzuar sytheve te një peme bajameje, që s’dihej se si ishte vetëmbjellë në anë të varrezave.
Ndonjëherë luante letra me arkivol – bërësin. Edhe ai e kishte barakën e tij të punës dy hapa larg varrezave. Të dyve, puna u vinte në të njëjtën kohë.
Ndonjëhere kur matanë gardhit të varrezave dy-katëshe ( kur bëhej fjalë për botën e përtejme, banorëve të atij qyteti të vogel, u hipte një dëshirë e shfrenuar për luks ), kalonte ndonjë i njohur i tij dhe e pyeste, nëse kishin patur punë, ai sipas rastit, i përgjigjej me fjalët një – rrokëshe, përkatësisht; “Po… ” ose “Jo…”
Njëlloj si tregëtarët e perimeve apo dyqanet e kinkalerive, edhe ai, punën më të madhe e kishte çdo fundviti.
Dukej se Zoti, nxitonte të mbyllte llogaritë me disa qënie, të cilat i kishte patur me mëdyshje në listën e tij. Dukej gjithashtu, se Ai kishte ngut t’i mbyllte këto llogari, përpara se të vinte Viti i Ri.
Nën diellin e butë të atij fillim-dhjetori, ai kishte punuar me terezi (do të shprehej gjyshja e tij, po të ishte gjallë), derisa i kishte hapur të tre gropat.
Ora ishte njëmbëdhjetë e gjysëm dhe ai kishte përfituar për t’u çlodhur pak mbi dheun e butë, të porsa-nxjerrë nga kraharori i nëntokës. Dheu ishte i shkrifët e i bukur për sytë prej profesionisti të varrmihësit. Por i kishin qëlluar edhe raste kur dheu protestonte heshturazi dhe ashtu kokëfortë, nuk e linte lopatën të futej në brendësi.
Ai nxorri një cigare nga paketa e tij, modeste, dhe e thithi fort.
Papritur dëgjoi një piskamë të forte, zëri femëror, që vinte prej një varri, ngjitur me varrin dy – katësh, të hamallit, të qytetit. Ky i fundit nuk kishte shumë kohë që kishte vizituar botën e përtejme. (Sa kishte qenë gjallë, hamalli kishte jetuar në një birucë të ngushtë, sa një brimë miu ).
Ai u ngrit në këmbë dhe vuri njërën dorë mbi ballë si strehë për të parë më mirë.
Një grua rreth të pesëdhjetave, e cila vetëm disa minuta më parë, kishte qenë duke u bërë gati për të qarë përpara një fotografie, klithte dhe qëllonte me majën e këpucës, mermerin e bardhë.
– Maskara… Don Zhuan, mizerje… – bërtiste gruaja përmes të qarave, duke vazhduar të qëllonte me majën e këpucës.
Varrmihësi iu afrua ngadalë, si te kishte frikë se mos papritur, gruas i shkrepej të qëllonte edhe atë.
Burri, të cilit gruaja i adresonte të sharat, krekosej shpërfillës në fotografi, me një vështrim të largët, pa e çarë kokën për goditjet që vinin prej majës së mprehtë të këpucës së gruas.
– Zonjë… zonjë !…
– Ikni… lërmëni në hallin tim… ikni !… – iu çorr gruaja varrmihësit.
– Zonjë… nuk është mirë të bërtisni këtu… zonjë !…
– E përse, mos vallë u prishet qetësia të vdekurve ?…
– Zonjë !…
– E shikon këtë maskarain… e shikon ?…
Gruaja i drejtoi gishtin fotografisë së burrit të krekosur.
– E shikon… ky maskarai… edhe i vdekur… më tradhëton !…
Varrmihësi murmuriti mbytur ca fjalë pa kuptim: – Kur… kush ?…
– Ç’janë këto, ëëëë… ç’janë këto ?…
Gruaja mori në dorë një tufë me trëndafila të kuq, të freskët, që ishin vendosur kujdesshëm afër fotografisë, i grisi e i bëri copë – copë, pastaj i hodhi te këmbët e varrmihësit.
– Kush ia ka sjellë ëëëë ?…
Varrmihësit iu kujtua menjëherë një femër e hijshme, rreth të tridhjetave, që mbante një shall në kokë dhe syze të errëta në sy.
Ajo e vizitonte shumë shpesh varrin dy – katësh. Sillte gjithmonë trëndafila të kuq. Nuk e hiqte shallin nga koka asnjëherë dhe as syzet nga sytë. Përkëdhelte fotografinë e burrit me gishtat e bukur, lyer me një manikyr me ngjyrë të fortë, pëshpëriste disa lutje nëpër dhëmbë dhe largohej me nxitim.
Varrmihësi u përpoq ta qetësonte gruan, duke i shpjeguar se gjatë karrierës së tij, dinjitoze prej varrmihësi, i kishte qëlluar shpesh herë të shihte vizitorë që ngatëronin varret. Madje ai i tregoi një rast, kur një vejushë kishte qarë me orë të tëra, mbi varrin e gabuar. Kur varrmihësi kishte nxituar t’i shpjegonte vejushës që ai nuk ishte varri i bashkëshortit të saj, asaj, jo vetëm që i kishin shterur lotët, por ia kishte shkrepur edhe gazit. (Nga eksperienca prej varrmihësi, ai kishte nxjerrë përfundimin se njerëzit depresivë, kalonin lehtë nga një gjendje emocionale, ne tjetrën).
Por përpjekjet e varrmihësit dolën pa rezultat. Pesëdhjetëvjeçarja nuk e hante atë kokër ulliri.
– E di unë se ç’mall kam patur për burrë… – turfullonte ajo.
U çorr edhe pak, pastaj e lodhur, u ul mbi një gur.

Mbasi u sigurua se gruaja nuk do të bërtiste më, varrmihësi u kthye te gropat e tij.
– Këtë muaj të paktën, do të kem ç’të firmos në bordero…- mendoi me vete.
Në një bllok të vjetër e të zhubrosur, (edhe pak të bërë pis prej gishtave gjithmonë të baltosur) kishte mbajtur shënim me kujdes, të gjitha gropat që kishte bërë atë muaj. Nuk ishin dhe aq shumë, por deri në fund të muajit, ai e dinte që fleta do të mbushej plot. Padyshim më mirë se në muajin maj, (fleta përkatëse e bllokut të atij muaji, rrinte gjithmonë e bardhë).
Por varrmihësi kishte edhe një bllok tjetër, të cilin e mbante në shtëpi, më me kujdes se të parin. Ai ishte nje bllok i bukur, i pastër me kapakë rozë. Në atë bllok, së bashku me gruan, kishin bërë listën e veshjeve që nuk kishin mundur t’i blenin bebit të tyre, të ardhshëm. Gruaja e tij ishte shtatzënë në muajin e nëntë. Ato veshje ende të pablera, të shënuara me një shkrim të bukur në bllok (ishte shkrimi i gruas së tij), vareshin prej rrogës që do të merrte ai në fund të muajit.
– Eh… botë e çuditshme !… – mendoi ai me vete, ndërsa pati një ndjesi bezdisëse në kraharor, kur i shkoi ndër mend fakti që rrobat e fëmijës së tyre, të ardhshëm, vareshin prej gropave që duhej të hapte…
Ai vështroi jashtë gardhit.
Bajamja anës varrezave i kishte rrëzuar të gjitha fletët… kishte mbetur kërcure.
Tutje në rrugën kryesore, ai pa makinën e errët të shefit.
Ora nuk kishte shkuar akoma dymbëdhjetë. Shënonte njëmbëdhjetë e dyzetë e pesë minuta.
Papritur ndjeu uri.
U ul mbi dheun e shkrifët dhe hapi qesen e bukës që gruaja ia përgatiste çdo mëngjes.U sigurua që shefi nuk mundte ta shikonte në atë pozicion ndenjeje dhe nisi të hante bukën me oreks.
Kur mbaroi së ngrëni, nuk haroi të nxirrte bllokun, e të shënonte në të, tre gropat e ditës.

Advertisements

Tags: , , , ,

One Response to “Varrmihësi”

  1. ah..cfar Says:

    Nqs do lexojme cdo tregim te shkrimtarve shqiptare ktu ,(personalisht nuk njof asnji )menjiher ajo qe te bie ne sy eshte nji fare mendimi te shprehur jo te qarte ,qe do te thote difuze .
    Ne kte tregim sipas meje ,behet perpjekje nepermjet fjaleve ,pershkrimeve ,qe ne nji fare menyre te biet ne Tregim nji fare llogjike e nji konteksti te caktuar ,qellim ky natyrisht i autores ,te cilin un e shof me veshtiresi personalisht si pas nji mjergulle ,pra jo qarte.
    Ja ,ok pershkrimet aty ketu interesante . Stina e Pranveres,Sythet e Bajames hmmmm(un i kam aq qejf ato) edhe ulliri ,por si vaj .
    Fantazia e shkeimtares eshte vertet e admirushme edhe pse kompozimi ka nota te trishtushme ,per mos te thene te zymta .Sidoqofte konteksti eshte marre nga autorja nga jeta e asaj shoqerie ,kjo eshte korrekt mendoj.
    Megjithate shpresoj qe komenti im mos te shifet nga autorja si nji opinion jo i kendshem per te perkundrazi .
    Shpeshhere vet lexusi eshte dhe i ndare sot ne shtresa te ndryshme ,perfaqsuar ne kto shtresa edhe mbas gustos se tij personale .Pra cdo lexues e ankoron Anijen e tij atje ku gjen dhe emocionin e tensionin e duhur ndermjet karaktereve ne nji tregim mendoj un natyrisht ,qe konkretisht kltu ,mbetet nji tregues i manget .
    Nuk e di nese ne shkrimet e shkrimtarve te sotem ne shqiperi kemi te bejme me nji komplexitet mendimi apo te shprehuri te mendimit ne pergjithesi ,gjithsesi mua me duket dicka jo shume e treteshme per lexusin ky art .Sigurisht qe nji rol shfajesues per shkrimtaret shqiptare perben dhe vet niveli i zhvillimit ne ate shoqeri ,gje te cilin un e shof si nji nga pengesat kryesore te shkrimtarve apo poeteve shqiptare ,te cilet per mendimin tim jane shume te talentuar porrrr…..ambjenti qe i rrethon ,atmosfera mbetet nji pengese serioze e kualitetit te tyre .
    Suxsese shkrimtares qe mban nji emer emer kaq te bukur .

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: