HA DHÉ TANI, QEN RRENACAK !

by

Përkthyer nga Urim Nerguti

Për një lexim më të rehatshëm, mund ta shkarkoni në format pdf : C.BUKOWSKI – Ha dhé tani, qen rrenacak
Ishte e mërkurë mbrëma. Programi i televizionit s’kishte qenë kushedi çfarë. Teodori ishte 56 vjeç. Margareta, e shoqja, 50. Ishin martuar që prej 20 vjetësh dhe s’kishin fëmijë. Tedi fiku dritën. Të dy ishin shtrirë në terr.
« Eh mirë, » tha Marga, « s’do të më japësh një puthje për të fjetur ?
Tedi psherëtiu dhe duke u kthyer drejt saj, i bëri një puthje të shpejtë.
« Kësaj i thua puthje ti ? »

Tedi s’u përgjigj.

« Ajo gruaja në televizor, a nuk t’u duk pak si Lili ? »
« Ku di gjë unë. »
« Po, e di ti e di. »
« Dëgjo, mos fillo prapë të flasësh kot. »
« Ti, ty s’të pëlqen kurrë të diskutosh. Më rri gjithmonë aty memec si një krap. Tani më thuaj të vërtetën. Ajo gruaja në televizor, a nuk i ngjante pak Lilit, si thua ? »
« Dakort. Kishte një ngjashmëri.
« Ajo të bëri të mendosh për Lilin, hë ? »
« Oh, Zot… »
« Mos u shmang ! Përgjigju pyetjes ! A të bëri apo jo ? »
« Po, vetëm një minutë… »
« Ishe i kënaqur ? »
« Jo. Dëgjo, Marga, këto gjëra kanë ndodhur para pesë vjetësh ! »
« Ska lidhje koha këtu. »
« E kam shprehur njëherë keqardhjen për këtë punë. »
« Keqardhje ! Po ti, e di ti ç’më ka bërë mua kjo ? Pa mendo pak sikur të kisha qenë unë me një tip tjetër ? Ç’do të thoshe ti ?
« S’e di. Bëje dhe kështu do ta di. »
« Oh, lëre tani, e kënaqe ! Eshtë bërë përrallë ! »
« Marga, e kemi diskutuar këtë histori njëqind herë. »
« Kur bëje dashuri me Lilin, a e puthje siç më puthe mua tani ?
« Jo, nuk mendoj… »
« E si ia bëje ? Si ? »
« Oh Zot, mbylle tani ! »
« Si ? »
« Mirë, ishte ndryshe. »
« Si, ndryshe ? »
« Mhm, diçka e re. Isha i eksituar… »

Marga u ngrit ndenjur në shtrat dhe filloi të ulërasë. Pastaj u ndal menjëherë.

« Dhe kur ti më puth, mua, nuk të eksiton, hë ? »
« Jemi mësuar me njëri-tjetrin. »
« Por dashuria kjo është, të jetosh dhe të mplakesh së bashku. »
« Dakort. »
« “Dakort” ? Ç’do të thotë kjo “dakort” ? »
« E kam fjalën, ke të drejtë. »
« S’po më tregon të vërtetën. S’do të më flasësh. Ke jetuar me mua gjithë këto vite. E di ti pse ? »
« S’jam i sigurtë. Njerëzit ngulen në ca gjëra, si në punë për shembull, e të tjera si këto. Ngulen. Ja që kështu është. »
« Do të thuash se të jetosh me mua është punë ? Në këtë çast, punë është ? »
« Hajt tani, nga fillimi… »
« Ja ! Po ia fillon prapë ! Eshtë një diskutim serioz ky ! »
« Kuptova. »
« Kuptove ? Bythec i poshtër ! Ti je duke fjetur ! »
« Marga, ç’do ti që të bëj unë ? Kanë kaluar shumë vite ! »
« Mirë, po ta them ç’duhet të bësh ! Dua të më puthësh si Lilin ! Dua të më pallosh si Lilin ! »
« S’mund ta bëj këtë… »
« E pse ? Sepse nuk të eksitoj aq sa Lili, hë ? Sepse nuk është diçka e re, hë ? »
« Lili mezi më kujtohet e ti më… »
« Të kujtohet shumë mirë, mos thuaj… Mirë, s’të detyroj të më pallosh ! Vetëm më puth si Lilin ! »
« Oh Zot i madh, Marga, të lutem lëre më, të lutem ! »
« Dua të di përse kemi jetuar bashkë gjithë këto vite ! Mos vallë e kam çuar kot jetën time ? »
« Kjo iu ndodh të gjithëve, pothuaj të gjithëve. »
« Çfarë ? Të çojnë jetën e tyre dëm ? »
« Po, kështu mendoj. »
« Vetëm ta dish sa më je neveritur ! »
« Do të ndahesh ? »
« Nëse dua të ndahem ? Oh Zot, çfarë guximi ! Ti e ke hedhur jetën time në erë dhe tani më pyet nëse dua të ndahem ! Jam 50 vjeçe ! Të kam dhënë jetën time ! Nga do t’ia mbaja tani ? »
« Prapa djallit vafsh ! Ma lodhe shpirtin. S’të duroj dot më, pordhace muti ! »
« Pa ktheje nga vetja, po sikur të isha marrë unë me një tip tjetër ? »
« Ah sa do të kisha dashur ! Do të kisha dashur që të kishe qejf ta bëje ! »

Teodori kishte mbyllur sytë. Margareta qante. Jashtë lehte një qen. Dikush përpiqej të ndizte makinën. Bënte 35°C në këtë qytet të vogël të Illinois. James Carter ishte presidenti i SHBA-ës.
Teodori zuri të gërhasë. Margareta shkoi tek sirtari i fundit i garderobës dhe nxori që andej një revolver. Ishte i mbushur. U kthye në shtrat pranë të shoqit.
Margareta e shkundi. « Ted, i dashur, po gërrhet… »
E tundi dhe një herë.

« Çfarë… ? » mërmëriti qejfprishur Tedi.

Ajo ia hoqi siguresën revolverit, e futi tytën nën brinjët e të shoqit dhe tërhoqi këmbëzën. Shtrati u drodh dhe ajo e tërhoqi revolverin. Tedi bëri me gojë një si zhurmë pordhe. Nuk dukej se vuante. Vrima ishte e vogël dhe s’kishte shumë gjak. Margareta e drejtoi revolverin nga krahu tjetër i gjoksit të Teodorit. E shkrehu dhe një herë. Kësaj radhe, as gëk as mëk. Por ai vazhdonte të merrte frymë. Ajo e vështroi. Gjaku filloi të rridhte. Qelbej erë.
Tani që ai ishte duke vdekur, ajo ndjente pothuaj dashuri për të. Por Lili, kur ajo mendonte për Lilin… gojën e Tedit mbi të sajën, dhe tërë pjesën tjetër, atëherë donte t’ia hiqte dhe një plumb tjetër… Tedi dukej gjithmonë shumë krenar me pulovrën e tij me jakën golf, dhe e jeshilta i shkonte shumë mirë ; edhe kur pordhte në shtrat, kthehej gjithmonë përpara – nuk kishte pordhur kurrë mbi një vend të caktuar të anatomisë së saj. Rrallë mungonte në punë. Nesër, s’do të ishte atje…
Margareta qau një copë herë dhe pastaj e zuri gjumi.

Kur Teodori u zgjua, pati përshtypjen se ishte ngujuar mes dy duajve kashtë dhe kallëzat ia shponin lëkurën. S’ndjente dhimbje. I solli duart mbi gjoks dhe pastaj i ngriti lart nën dritën e hënës. Duart ishin plot gjak. Mbeti i shushatur. Vështroi Margaretën. Po flinte ; në dorë, mbante revolverin. E kishte mësuar ai si të qëllonte, që të ndihej në siguri.

U ngrit ndenjur dhe gjaku filloi të rridhte edhe më shpejt nga dy vrimat në kraharor. Margareta e kishte qëlluar ndërsa ai po flinte. Për shkak të atij pallimit me Lilin. Madje s’kishte arritur as në orgazëm me Lilin.
Mendoi, jam pothuaj i vdekur, por nëse arrij të largohem nga gruaja ime, mbase mund t’ia hedh lumit.
Teodori zgjati dorën ngadalë të hiqte revolverin nga gishtat e mbledhur të Margaretës. Siguresa ishte ende e hequr.
Nuk dua të të vras. Dua thjesht të iki. Them se ka rreth 15 vjet që kam dëshirë t’ia mbath.
E mori revolverin dhe e drejtoi mbi kofshën e Margeretës, në këmbën e majtë. Qëlloi.
Margareta ulëriti dhe ai ia mbylli gojën me dorë. Priti disa çaste dhe pastaj e hoqi dorën.

« Ç’bën kështu, Teodor ? »
Ai e drejtoi tytën nga kofsha e Margaretës, kësaj here në të djathtën. Qëlloi. Ia mbyti përsëri ulërimën duke ia mbyllur gojën me dorë. E la kështu ca çaste, pastaj e tërhoqi. « Ti ke puthur Lilin », tha Margareta.
Mbeteshin ende dy plumba. Tedi drejtoi trupin dhe pa vrimat në gjoks. Ajo e krahut të djathtë nuk nxirrte më gjak. E majta lëshonte herë pas here një curril të hollë gjaku, të hollë sa një gjilpërë.
« Do të të vras ! » tha Marga e shtrirë mbi shtrat.
« Ti do vërtet të më vrasësh, kështu ? »
« Po, po ! Të jesh i sigurtë për këtë ! »
Tedi ndihej i dobët dhe koka i vinte vërdallë. Po ç’dreqin bënin policët ? Me siguri që i kishin dëgjuar të shtënat. Ku mutin ishin ? Mos vallë askush s’i kishte dëgjuar këto krisma ?
Ai pa dritaren. Qëlloi në dritare. Po bëhej gjithnjë e më keq. Ra në gjunjë. U zvarrit ashtu drejt një dritareje tjetër. Qëlloi përsëri. Plumbi bëri një vrimë të rrumbullakët në qelq, që nuk u thye. Një vello e zezë i kaloi para syve dhe pastaj u kthjellua.
Duhet ta flak këtë revolver !
Teodori mblodhi ç’mund të mblidhte nga energjitë e veta dhe e flaku revolverin nga dritarja. Qelqi u thye por arma ra brenda…
Kur erdhi në vete, e shoqja i kishte hipur përsipër. Ajo rrinte vërtet në këmbë mbi dy këmbët e veta që ai ia kishte qëlluar. Dhe po mbushte revolverin.
« Do të të vras », tha ajo.
« Marga, për hir të qiellit, dëgjo ! Të dua ! »
« Ha dhé tani, qen rrenacak ! »
« Marga, të lutem… »
Teodori filloi të zvarritet në drejtim të dhomës tjetër.
Ajo e ndiqte nga pas : « Kështu, hëëë ? të eksitonte të puthje Lilin zotrote, hëëë ? »
« Jo, jo ! Nuk më pëlqente ! Ma shpifte ! »
« Do të ta pastroj turirin e fëlliqur nga ato buzë që puthin !
« Marga, Oh Zot ! »
Ajo e vendosi tytën mbi gojën e Tedit.
« Na, merre dhe një puthje ! »

E tërhoqi këmbëzën. Plumbi ia shkoqi një pjesë të buzës së sipërme dhe një copë kockë të nofullës. Por ai ende s’e kishte humbur vetëdijen. Dalloi njërën prej këpucëve të veta mbi parket. Duke i mbledhur edhe një herë forcat, e flaku këpucën nga dritarja. Qelqi u thye dhe këpuca ra jashtë.
Margareta e drejtoi revolverin nga gjoksi i saj. Qëlloi…
Kur policia erdhi më në fund, Margareta ishte ende në këmbë me revolver në dorë.

« Mbaroi, zonjë, mbaroi, uleni revolverin ! » tha njëri prej policëve.
Teodori kërkonte ende të largohej duke u zvarritur. Ajo e drejtoi revolverin mbi të, qëlloi por doli huq.
Pastaj u shemb përtokë në këmishën e natës, të purpurt.
« Oh Zot, po ç’ka ndodhur këtu, zotëri ? » pyeti një polic.
Teodori ktheu kokën. Goja e tij s’ishte tjetër veçse një njollë e përgjakur.
« Skërr, » tha Teodori, « skërr… »
« Ah këto skena çifti, ma shpifin » i tha një polic shokut të vet në krah, « me të vërtetë, gjë e shpifur… »
« Po », tha tjetri.
« Madje sot në mëngjes, jam grindur pak me gruan. Ç’nuk bën vaki, nuk i dihet kurrë. »
« Skërr… » tha Teodori…

Lili ishte në shtëpi të vet. Po shikonte një film me Marlon Brando në televizion. Ishte vetëm. E kishte dashur gjithmonë Marlonin. Lëshoi një pordhë të vogël. Pastaj ngriti fustanin dhe filloi të prishej.

One Response to “HA DHÉ TANI, QEN RRENACAK !”

  1. Alket Bushi Says:

    (Ndodhet ne bjeshke duke pjekur ne hell Bukovskin, me nje shishe vere prane. Kane mish shume te shijshem ky soj…)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: