BUKOWSKI DHE… POETËT

by

Përkthyer nga Urim Nerguti

Tani e tutje rri mënjanë shkrimtarëve – apo atyre që e mbajnë veten për të tillë. Por nga vitet 1970-1975, domethënë që nga dita kur pata vendosur t’iu kushtohem librave të mi, dhe madje aq fort sa të më dilte shpirti mbi to, kam filluar të shoqërohem me shkrimtarë – shumica poetë. POETE ! Duke ndenjur me ta, kam zbuluar diçka të çuditshme : asnjëri prej tyre s’kishte publik. More po le të nxirrnin broshura të vogla, asnjë nuk iu shitej ! Edhe në lexime publike nëpër salla, asnjë nuk shkonte ! Hiç këtu nja tre, gjashtë, apo nëntë POETE që ishin shokë me ta. Por për çudi, të gjithë banonin në shtëpi të mira dhe kishin kohë të lirë për të shitur, të paktën aq sa për të më zënë divanin dhe më pirë birrën. Dhe s’vonoi shumë, të gjithë më ngjitën një reputacion si i fundit i barbarëve, se gjoja organizoja mbrëmje të ndyra gjatë së cilave ca femra (në ditët e tyre) hargaliseshin dhe thyenin gjithçka, se isha ai që nga fundi i nxirrte të gjithë për bythe përjashta, ai për shkak të të cilit policia rrinte me shkop në dorë, ai që, etj. Por në këto fjalë, s’kishte vetëm rrena. Ama më duhet t’i jepja diçka botuesit tim, apo kryeredaktorëve, diçka me të cilën të paguaja faturat e të mbushja frigoriferin, e që kësaj s’mund t’ia arrija ndryshe veçse të dhisja prozë. Ndërsa këta… poetët… shkruanin vetëm vargje… muti… dhe s’bënin gjë tjetër veçse këtë, gjithnjë të veshur si princa, me një pamje të begatë, dhe asnjëherë me vonesë sa herë që bëhej fjalë të ngjesheshin tek unë për të llomotitur mbi poezinë – dhe mbi egon e tyre. I kam pyetur disa herë : « Hej çuna, po si ia bëni ju për të mbajtur frymën gjallë, a mund ta di ? » Ata s’e jepnin veten dhe vazhdonin të më buzëqeshnin, ta thithnin birrën time dhe të prisnin që të mbërrinin shoqet e mia të hargalisura, duke shpresuar se ata do ta kishin më në fund racionin e tyre – të seksit, nderimit, aventurës apo të ferrit.

Me kalimin e kohës, m’u bë e qartë se duhet t’i hiqja qafe këto zhaba përqyrrshe. Dhe pata hall sa të merrja vesh ku qëndronte sekreti i tyre, dhe pastaj mos më paç më në qafë. Shpesh, e fshehur mirë diku në sfond, qëndronte NËNA. Ishte ajo që kujdesej për të birin gjenial, që i ofronte për të ngrënë, fjetur dhe veshur.
Më kujtohet një nga ato herët e rralla ku jam gjendur i detyruar të pranoj mikpritjen e njërit prej këtyre POETEVE. Ishte një dhomë e mërzitshme për vdekje, asnjëherë diçka për të pirë. Atë ditë, ishte duke më çarë trapin se sa i padrejtë i dukej fakti se nuk ishte bërë ende i njohur. Kur e dëgjoje kështu, të dukej se tërë botuesit, në mos mbarë bota, kishin rënë në ujdi kundër tij. E pastaj e drejtoi gishtin mbi mua dhe më tha : « Edhe ti, edhe ti e ke këshilluar Martinin të mos më botojë. » Pallavra, ia ktheva unë. Dhe këtu, hop ! kaloi në diçka tjetër, pa i lënë vajtimin dhe qyrret. Befas ra telefoni. E ngriti dhe zuri të shprehet me një zë të qetë dhe të urtë. Pastaj, me të mbaruar bisedën, u kthye nga unë :

« Ishte nëna ime. S’vonohet gjatë. Më mirë të ikësh tani.
– Si të duash ti. Por do të kisha dashur ta takoj.
– E ç’mendje më ke dhe ti ! Po ajo është një grua e tmerrshme, ore ! Jo, jo, më mirë mbathja. Hajt ! »

Kam hyrë në ashensor, dyert janë mbyllur. Kur rashë poshtë, e kisha fshirë tashmë prej defterit.

Charles Bukowski, shkëputur nga “Kapiteni ka vajtur të hajë dhe detarët kanë rrëmbyer anijen”.

Advertisements

Tags: ,

3 Responses to “BUKOWSKI DHE… POETËT”

  1. ehe... Says:

    Ec e merre vesh pse e ku…
    _____

    BOB DYLAN

    ata dy çunat
    aty në udhën qorre përballë meje
    e vënë Bob Dylanin
    natë e ditë
    në manjetofon

    ia ngrejnë zërin
    në kupë të qiellit
    dhe është përnjëmend
    një manjetofon i mirë

    tërë fqinjët rreth e rrotull
    dëgjojnë Bob Dylanin
    falas

    dhe jam unë ai që e dëgjon më
    falas nga të gjithë
    sepse banoj në udhën qorre
    mu përballë tyre

    e dëgjoj Dylanin kur dhjes
    e dëgjoj Dylanin kur palloj
    e madje edhe kur përpiqem të fle

    nganjëherë i shoh
    jashtë në trotuar
    çunakë të mbajtur mirë
    kur dalin të blejnë
    ushqim
    dhe letër higjienike

    dhe ata formojnë një nga çiftet
    më tërheqës
    aty rreth e përqark

    Poeme e shfaqur me 1978, ne n° 8 te revistes « The Starscrewer ».

    Perkthyer nga UN (ehe…)

  2. Alket Bushi Says:

    Bukovski eshte derr, teper i perçmueshem. E megjithate ka edhe derra “te medhenj”. Por, larg baltes se tyre!

  3. ehe... Says:

    POEMA IME E PARE INFORMATIKE

    a mos e kam marrë udhën e vdekjes vdekje ?
    mos vallë kjo makinë do të më japë fund
    ndërkohë që as alkooli, gratë dhe skamja
    s’kanë mundur të ma bëjnë ?

    po Whitmani, a mos po qesh me mua
    që andej nga varri i vet ?
    po Creeley, a thua mërzitet gjë ?

    a janë hapësirat mirë ?

    po unë ?

    po Ginsbergu, a do të ulërasë ?

    qetësomi pra frikat !

    më jep pak fat !

    më jep frymëzim !

    më jep forcë të vazhdoj !

    jam sërish i virgjër.

    një i virgjër 70 vjeç.

    mos m’i dhjes numrat, makinë

    ose po.
    se mos i bëhet vonë kujt.

    më fol pak, makinë !

    mund të pijmë bashkë.
    të bëjmë qejf.

    mendo për të gjithë ata që do të më urrejnë përpara këtij
    kompjuteri.

    do t’i shtojmë me të tjerët
    dhe do të vazhdojmë
    pa u lodhur.

    është fillimi pra
    dhe jo
    fundi.
    _________

    Charles Bukowski, Me të mallkuarit (Run with the hunted, 1969-1993)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: