Qeni që leh nuk do kallauz ndërsa Stambolli digjet

by

mbi shkrimtarë, lexues, debate sterile, sisteme  

Polemika letrare e radhës kalon pak a shumë nën indiferencën e zbavitur të publikut.  Në mos gaboj për këtë vit është polemika e gjashtë kombëtare. Them se 2011 do mbahet mend si vit steril mbi letërsinë, por si vit shumë i mbare për zënka me lagje. E veçanta e këtij viti është se polemikat kanë qenë të gjithanshme e të gjera. Shkojnë nga juritë e shitura e të shtirura, kalojnë te rrëfimet komuniste e përfundojnë me akuza qesharake mbi vjedhje librash edhe idesh. E të gjithë jemi të kënaqur sepse edhe për këtë vit e bëmë vrimën në ujë. Për dreq, se di se si, u mbyll pastaj po nejse.
Nuk kam as kohën e as dëshirën t’i kap e ti analizoj një për një delirët e intelektualëve tanë. Por ka disa gjëra që më bëjnë gjithmonë përshtypje e që po mundohem të shtjelloj

Publiku? Kush e ka parë?

Si të gjitha debatet kombëtare në Shqipëri, edhe këto polemika kanë një karakteristike shumë të veçantë : mungon publiku. Domethënë, ka dy skuadra, ca janë këtej e ca andej. Stadiumi ama është bosh, askush nuk ka blerë biletën për ti parë, askush nuk do t’ia dijë sa doli ndeshja. Pak a shumë të gjithë identifikohen në një skuadër. Çirren, çahen, botojnë, ri-botojnë, dërgojnë letra gazetave, pastaj u përgjigjen. Të kuptohemi, s’ka asgjë të keqe te kjo, përveç faktit që, duke qenë se mungon kritika, vetëm tregu e vendos se sa vlen lëkura e secilit. Tek ne kjo nuk është e mundur për një arsye shumë të thjeshtë : ka treg por nuk ka lexues. E ky është problem. Problem që, shumica e shpjegon kështu “ Ne jemi shumë shkrimtarë të mire e të zotë, por shqiptarët janë idiotë e nuk na lexojnë! Është vetëm faji i tyre!

Një vizion i tillë, në radhe të parë është shumë i thjeshtë e, në radhe të dytë, është shumë i gabuar. Paçka se analfabetët lulëzojnë në atdhe, kush do ta kuptojë e kupton që në Shqipëri nuk është shkruar e nuk është lexuar kurrë kaq shumë.  Meritën ( a fajin? ) e ka më së shumti interneti. Njerëz që s’do kishin kapur kurrë një libër me dorë lexojnë në internet romane, poezi, ese, krijojnë një ide. Nuk ka dyshim që ka më shumë lexues, por këta, siç thotë dikush, lexojnë autorët e gabuar e nuk lexojnë kryeveprat botërore që botohen ditë për ditë në Shqipëri.

E vërteta është që ne kemi krijuar një sistem letrar në të cilën lexuesi jo vetëm nuk është i nevojshëm, por është edhe i dëmshëm. Shkrimtarët nuk shkruajnë më për lexuesit sepse s’e kanë idenë se çfarë e ku janë. Shkruajnë për kryeredaktoret, politikanët, juritë, kolegët, gazetat, televizionet. E në sytë e lexuesve klasa intelektuale e këtij vendi perceptohet ( me të drejtë ) njësoj si klasa politike : ca njerëz të dyshimtë që bëjnë një betejë të dyshimtë për interesa të dyshimta
.

Kush do rrijë në portë?

Sikur të mos mjaftonte ajo më sipër për të larguar publikun, për këtë mundohen edhe vetë shkrimtarët. Pa u futur në detaje, duke lexuar kritikat e intervistat e ndryshme, kam krijuar përshtypjen që shkrimtarët shqiptarë janë të gjithë gjenial, të gjithë meritojnë sukses botëror. Intervistat e tyre janë vetë fletë lavdërimi, të gjithë marrin 10 me yll. E mund ta bëjnë sepse nuk kanë publik, sepse shumë pak i lexojnë, kështu që shumë pak e dinë nëse ajo që thonë është e vërtetë apo jo. Nuk e di pse e bëjnë, ndoshta mendojnë që kështu do gënjejnë lexuesit  e do shesin 10 kopje më shumë. Lexuesi edhe mund të gënjehet një herë e të blejë një libër, por pastaj nuk të blen kurrë më. Kupton atë që është shumë e qartë tashmë : shumica e librave që botohen nuk vlejnë as letrën që kemi harxhuar.

Kur unë isha pak më i vogël e luaja futboll në lagje, kishim një problem të madh : askush nuk donte të rrinte në portë. E ishte vërtet problem serioz, mund të pyesni miqtë e bashkëshortët tuaj mbi rëndësinë e këtij problemi të madh që shqetëson meshkujt prej shumë brezash tashmë. Letërsia shqiptare për momentin është në të njëjtët situatë : askush nuk do të rrije në portë e as në mbrojtje, të gjithë duan të rrinë në sulm edhe pse nuk dinë as të ndalin topin, as të gënjejnë ( shënim : të gënjejnë  në kuptimin të driblojnë ) e as të gjuajnë në portë. Pak rëndësi ka, të gjithë janë sulmuesit më të mirë botëror për momentin, e nëse nuk bëjnë gol është faji i jurisë, i topit, i arbitrit, i portës, i kolegut, i shiut, i diellit.

U ulëm nga ana e fajit sepse të gjithë vendet e tjera ishin të zënë

Tek ne komunizmi s’ka kaluar e as do kalojë kurrë. Ne kemi nevojë për komunizmin e përditshëm. Një vend pa kulturë si ky i joni – një vend që ka shkrimtarë të kulturuar, ka institucione kulture, ka çmime kulture e juri kulture, por nuk ka kulturë – ka nevojë për mekanizma të tjerë për të mbushur këtë boshllëk, e komunizmi është perfekt. Sepse është shumë zbavitës, është shumë argument i mirë bisedimi, është gjithmonë armë e mahnitshme kundër armikut, e më mirë ta kesh gjithmonë në brez se sa ta lësh në shtëpi. Mund të duhet ta përdoresh nga çasti në çast. E shkrimtarët nuk bëjnë përjashtim.

Pasi kam lexuar  e ri-lexuar intervista, debate, mund të them me një farë sigurie që pjesës më të madhe të tyre aq u bën për komunizmin e për viktimat. Mirëpo ja që publikut evropian i pëlqejnë këto gjëra. Mënyra më e mire për tu futur në sallonet elegante letrare është pasaporta me të shkruar Disident. E kanë filluar ta përdorin të gjithë, sidomos xhelatët. Të vetmit që s’e përdorin janë ata që janë persekutuar vërtet sepse u vjen turp të futen në të njëjtën kategori me këta të tjerët. Tani, dy pika

1-    nëse flasin për komunizmin, nuk flasin për të qartësuar, përkundrazi, për të ngatërruar gjerat akoma më shumë
2-    unë komunist, ti komunist =  të gjithë ishim komunist nuk funksionon. Nuk funksionon sepse xhelati nuk është i njëjti me viktimën, ujku nuk është i njëjtë me qengjin. As sot, as pas 100 vitesh.

Përtej kësaj ama, ka një problem tjetër.

Unë personalisht jam lindur në vitin 1982, ashtu si një pjesë e mirë e lexuesve të këtij vendi. Për shumë prej nesh komunizmi është ca kujtime të vagëta e imazhe bardhë e zi në televizor. Si shumë të tjerë lindur pas meje ( konsideroni që kush ka lindur në rënien e komunizmit, në 1991, sot është plot 20 vjeç ( e jeta s’e thërret, po hiç fare ama)) e as e ka idenë se për ça po flitet.  I gjithë diskutimi mbi komunizmi i dedikohet atyre që janë të 40 vjeç, e me të drejtë perceptohet si një larje hesapesh mes ujqërish.

Nëse komunizmi i shqetëson kaq shumë,  nuk flitet për të  në gazeta e as në tv, por shkruhen libra. Merret dhimbja që kanë dhënë apo kanë marrë, përtypet e shprehet në formë libri. Shkrimtaret këtë bëjnë, këtë duhet të bëjnë.

Tags: , ,

3 Responses to “Qeni që leh nuk do kallauz ndërsa Stambolli digjet”

  1. ehe... Says:

    Mire. Gjithmone kam menduar, dhe e kam shprehur, dhe jam share e fyer per keto, se nqs do ta harronim fare letersine e realizmit socialist (te kuptohet drejt : jo letersine e shkruar nen komunizem, por vetem ate te realizmit socialist), ne s’do te humbisnim asgje, perkundrazi, do te fitonim shume.

    Ne kete lloj letersie nuk gjen asgje, absolutisht asgje te hajrit. Gjithçka eshte false ne te. Kjo letersi, ne te gjitha vendet komuniste, ka bere qe ta thaje fare token apo burimin nga ku do te merrte lindje letersia. Nje letersi qe iu bindet ca parimeve qe gjenden jashte saj, s’e ka emrin letersi. Sidoqofte, keto i dini me mire se une, s’po e zgjas me.

    Nuk mendoj se Shqiptaret jane nostalgjike te komunizmit. Edhe vete Ramiz Alia, besoj se nuk enderron me per komunizem. Ai kerkon thjesht te kete vazhdimesi te pushtetit te vet, por jo se i keput brezi shume per komunizmin. Mund te jetoje fare mire ne nje diktature fashiste, me kusht qe ta drejtoje ai. Mund te jetoje shume ne nje monarki, me kusht qe te jete ai mbreti. Keto mendime, komunistet nuk i kane pasur gjithmone por iu kane ardhur tani se fundi, pasi sistemi komunist dha shpirt. Sepse, komunistet e kane kuptuar fort mire se nuk eshte me ideologjia qe do t’i drejtoje, por jane ata qe do ta drejtojne ideologjine. Dhe ketu kemi perqafimin nga ana e komunisteve te kapitalizmit me te eger. Sepse e kane kuptuar se pa nje kapital te forte, ideologjia s’ben asgje.

    Qe pjesa derrmuese e shkrimtareve shqiptare shkruajne per njeri-tjetrin dhe per emer, kete e ka marre vesh dhe bufi ne dege. Qe realizmi socialist ka infektuar pakthyeshmerisht nje pjese te madhe truresh shkrimtaresh, edhe kete e di shoqja e bufit ne krah. Problemi i zhgenjimeve te lexuesve eshte se shkrimtaret tane, ne pjesen me te madhe, nuk kane as formimin me te vogel te nevojshem per kete pune. Per te shkruar, pyesni cilindo shkrimtar te madh qe te deshironi, duhet lexuar. Mirepo, leximi eshte nje zanat nga me te veshtiret dhe ende sot nuk ka nje lexues absolut. Sa here qe nje lexues i zellshem merr ne dore nje liber te madh, ai zbulon se nuk di asgje. Eshte nje zanat qe duhet ushtruar papushim. Perndryshe, shkeputesh dhe nuk e kap me fillin.

    Fill te cilin, me keqardhje por e vertete, Shqiptaret e kane humbur qe prej shume dekadash. Ne kemi prodhuar, komunizmi pra, thjesht nje ushtri te alfabetizuarish por kurrsesi lexuesish. Qe kjo ushtri qe di alfabetin te kthehet ne ushtri lexuesish, duhet me se paku nja 100 vjet, dmth nje shkeputje e mire kohore nga koha kur ke qene gdhe. Perndryshe, mbeturinat e kohes se arte do te ngelen si lende radioktive ne truret tona.

    Si mund te kerkojme ne lexues kur s’kemi ende biblioteka ? Kur ato pak biblioteka qe na lane eterit tane, jane per t’u hedhur ne kosh te plehrave ne masen 90%. Po si mund t’i krijojme bibliotekat kur s’kemi lexues ? Ky eshte perkufizimi i krizes. Ne jemi ne krize. Ne nje shkrim qe solla ca kohe me pare, Mendelsohn thoshte se “krize” do te thoshte se ke mberritur diku ku te duhet te vendosesh : nga do t’ia mbash ? Si dilet nga kriza ? Praktika ka treguar se kriza kerkon nje nderhyrje te forte, qofte natyrore apo njerezore : nje termet, nje lufte, nje shtet qe hedh miliona ne ekonomi, etj.

    Dhe pikerisht, ketu eshte i gjithe problemi yne : ne as qe e shohim nevojen e kesaj nderhyrjeje. Dmth, ne nuk e shohim se jemi ne krize. Te jesh ne krize, dhe te mos jesh i vetedijshem per te, kjo eshte nje shenje e sigurte se tuneli eshte i pashpur fare. As drite, as fare. Qe nga çasti qe ne do te verejme krizen, qe aty lindin menyrat e zgjidhjes se saj. Siç thoshte Holderlini, “aty ku ka rrezik, rritet dhe ajo qe sjell shpetim”.

    Ketu mund te flasesh gjate, qofte dhe per grindjet normale mes “kolegesh”. Por keto jane jashte vemendjes sime dhe ajo qe me intereson eshte thjesht kjo : te dilet nga sistemi dhe te notohet kunder rrjedhes. Shkrimtaret e rinj, sa me shpejt ta kuptojne kete, aq me mire do t’ia dalin.

    Per veten time, s’kam kurrfare iluzioni : nuk pres asgje. Shenjat e para te nje rilindjeje te mirefillte, une i shoh diku pas 10-20, mbase dhe me teper, kur “peshat e renda” te pseudo-elites te kene “gremirsu syte” si Celo Mezani tek pusi. Eshte e trishte ta pohosh kete, por ja qe ne kete ngerthim socio-kulturor shqiptar, e vetmja shprese eshte zhdukja fizike (natyre, kuptohet, asnje gisht nuk duhet ngritur ndaj askujt, secili duhet te vdese kur ta kete diten e fletethirrjes) e dinosaureve dhe çlirimi i frymes.

    Ne kete fryme te trasheguar qe kemi sot, eshte nje idiotesi qe te shpresosh diçka dhe mjere ai qe varet pas kesaj. Po qe se kam nje keshille per shkrimtaret e rinj apo per ata qe duan t’i futen kesaj pune, eshte : shkruni, por mos u ndjeni. Prisni te vije dita juaj, atehere nxirrini shkrimet nga sirtaret, dhe atehere do te ndahet i miri nga i keqi, i zoti nga i ngathti. Deri atehere, kokat ulur ne ndonje skute shtepie, studim, lexim, meditim, shkrim dhe… JO-BOTIM.

    Tungatjeta.

  2. ah..cfar Says:

    Nji shkrim mjaft i goditur qe shpreh nji shqetesim aktual ,por ne kushte pothuaj te pamundura ,referuar Realitetit .
    Nji ender qe jo vetem nuk shkon aspak per kte Realitet ,por dhe nji Mision i pamundur sipas meje, te arrihet dicka ne ket drejtim mendoj.Pa u zgjat .
    Letersia e kritika ne Shqiperi vuan nen presionin e atij kastrimi total e atij tradicioni qe sundon ne ate shoqeri .pra vetem mendimi mbi Letersin dot’ishte mjaft i guximshem .
    Mjerimi ekonomiko shoqeror/kulturor reflekton dukshem si ne cdo aspekt te jetes Shqiptare sigurisht edhe ne Letersi .
    Sidoqoft eshte per tu pershendetur e vleresuar maximalisht ky shkrim . “Qent e Stambollit duhet treguar Kallauzi” pra trokitur ne kafk e treguar se ku ,shkon rruga drejt nji Letersie te vertet,sidoqe Qent jan thjesht Qen,pra si te tille kritika per ta eshte “e pavend” sepse dhe nji her Kritika eshte nji Kultur e nji qenie te ndergjegjeshme .
    Mesa un kam dijeni Kritika eshte nji Form e Gazetarise e duhet patjeter te kooperoj me Median( per nji shoqeri normale sigurisht).
    Letersise ne Shqiperi ju hodh flaka mbi bunkier dal nga goja e Goxilles .Nga ku shpoetuan vetem ata qe ndodheshin te shtrehuar ne shpella,e sot drejtojne de-jure letersine ne ate vend.
    Nji Elit Letersie nuk exziston ,e cila do duhej te merrte nji Rrole te tille te selektimeve,kritikes ,vleres e absurditetit .
    Sot i ashtuquajturi shkrimtar me nji Make-Up politik/partiak/klasor ,si Autori shkrimit super qarte e ka klasifikuar ne shkrim ,bie / zhvishet nga profesioni Shkrimtar ne prapaskene ,si pasoje konvertohet ne militant apo perfaqsues i nji klase te caktuar e kjo eshte padyshim PAAFTESI asgje tjeter .

    Fjalite e fudnit te autorit te ketij shkrimi ,definojne qarte se si duhet te ballafaqohet nji shkrimtar me te kaluaren komuniste ,e cila mendoj un nuk duhet te jet sot aspak nji aktualitet ,apo nji debat per shoqerine e sotme .

    Pergezime autorit .

    (Be blessed and have a party!)

  3. lulzim gerveshi Says:

    Pershendetje Dario!
    Shkrimi eshte i goditur dhe pasqyron perditesine shqiptare. Eshte e vertete qe sot lexohet pak letersia e mirefillte ne Shqiperi, por kjo nuk eshte nje e mete qe i takon vetem letersise, por te gjithe artit. Mendesia eshte ajo qe eshte, por ka shenja rizgjimi dhe sidomos shenja perditesimi, kam pershtypjen qe nje pjese e mire e atyre qe shkruajne as nuk e dine perse shkruajne, por ka shkrimtare e poete qe jane me te lidhur me te perditshmen shqiptare dhe i drejtohen lexuesve ne nje gjuhe te kuptueshme per ta, edhe pse disa here jo e depertueshme per te tere. Ne keto vite ka humbur ajo lidhje qe ishte krijuar mes autoreve te realizmit socialist dhe lexuesve dhe ky boshllek nuk u mbush nga askush ne menyre te qenesishme. Megjithate ne mes te ketij rremeti, diçka po formesohet dhe ka per te sjelle frytet e saj shume shpejt, e ndoshta dhe me kenaqesi te medhaja per lexuesit.
    Per portierin qe nuk do ta beje askush, me pelqen qe ne ate rol te ve kritkun. Nje detyre e veshtire per kedo, te besh nje kritike nuk eshte e lehte sidomos ne zallamahine shqiptare. Sot per sot kritika e mirefillte mungon, behen disa shkrime qe vetem lavderojne autoret dhe nuk vene ne pah asnje te mete, duket sikur po flitet per shkrimtare te nivelit boteror, e zhgenjimi eshte i plote kur e lexon vepren e tyre. Keta kritike qe drejtojne shijet e publikut, qe jane te pavarur e qe vleresojne veprat ne menyre te ndershme, ne Shqiperi mungojne. Kuptohet qe dhe per ke ka njohuri e kulture te gjere, ne gjendje per t’a bere kete pune, nuk eshte e lehte, pasi kushdo mund te botoje nje liber, mjafton qe te paguaje. Vete shtepite botuese nuk kane nje staf kritikesh qe te perzgjedhin veprat e mirefillta nga ato te kota, per kete duhet kohe dhe edukim, nuk e di nese do ja dalim ndonjehere. Shpresoj qe nje dite te dalim nga ky ngerç qe na ka kapur e po na mban te mberthyer ne vend.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: