TAKIM ME JORGE SEMPRUN, me rastin e botimit të Shkrimi ose jeta (1994)

by

nga Rasti Njaku

Shkrimi ose jeta… Kjo « ose », është përjashtuese ?

Jorge Semprun – Kur jam kthyer nga Buchenwaldi, në fund të prillit 1945, isha pak më i madh se njëzet vjeç. Që prej moshës shtatë vjeç, kisha vendosur të bëhesha shkrimtar. Me t’u rikthyer pra, kam dashur të shkruaj mbi përvojën që sapo kisha jetuar. Ca muaj më pas, pasi kisha shkruar, rishkruar dhe shkatërruar me qindra faqe, kam kuptuar se në dallim me ca përvoja të tjera, veçanërisht me ato të Robert Antelme dhe sidomos të Primo Levit, të cilët janë çliruar nga tmerri i kujtesës nëpërmjet shkrimit, mua më ndodhte e kundërta. Të qëndroja në këtë kujtesë, ishte e sigurtë se nuk do të arrija të shkruaja një libër, dhe mbase do të përfundoja në vetëvrasje. Kam vendosur pra që ta braktis shkrimin për të zgjedhur jetën, nga ku e ka burimin dhe ky titull. Dhe kjo « ose ».
Si është e mundur që dikush të zgjedhë jetën, duke hequr dorë pikërisht nga ajo çka përbën jetën e tij ?

Jorge Semprun – Kjo ishte një zgjedhje e tmerrshme për të vazhduar të ekzistoj, mua më është dashur të mos jem më ai që doja të isha më shumë. Dhe kam ndenjur kështu për shtatëmbëdhjetë vjet. Kam ushtruar njëfarë terapie sistematike, nganjëherë të vrazhdë, të harresës. Dhe kësaj ia kam arritur në atë pikë që kur i dëgjoja ish-të internuarit që flisnin për kampe, s’e kisha vetëdijen se edhe unë isha një nga ata. I dëgjoja rrëfimet e tyre si dëshmi të bëra së jashtmi. Në të njëjtën kohë, edhe gjërat më të vogla mund të m’i ngacmonin kujtimet.

Ç’e ka shkaktuar këtë rikthim tek shkrimi ?

Jorge Semprun – Kur isha drejtues i Partisë komuniste spanjolle, më ka ndodhur më 1961 të gjendesha i bllokuar në një hyrje të fshehtë të Madridit, nga e cila s’kam mundur të dal për një javë të tërë, për shkak të kërcënimeve policore. Gjatë këtyre ditëve, e kam kaluar kohën duke dëgjuar rrëfimet e të zotërve të shtëpisë. Ai kishte qenë i internuar në Mauthausen, por nuk e dinte se edhe unë isha një ish-i internuar. Sa më tepër e dëgjoja, aq më shumë më dukej se tregonte keq, se ishte e pamundur të kuptoje për çfarë fliste. Dhe befas, në krye të javës, kujtesa më është rikthyer dhe kam shkruar, shumë shpejt, Udhëtimi i Madh. Menjëherë pas botimit, raporti im me të shkuarën dhe kujtesën është përmbysur. Është ribërë i dhimbshëm dhe tmerrues. Kam dalë nga harresa për t’u zhytur në angështi.

Po zanafilla e Shkrimi ose jeta ?

Jorge Semprun – Shumë vite më pas, 1987. Po shkruaja Netchaievi është rikthyer, dhe një të shtunë prilli, po tregoja një skenë ku njëri prej personazheve të romanit shkonte në Buchenwald për t’u munduar të shpëtojë një shok rezistence të internuar. E tërë kjo duhet të qëndronte në dy faqe. Atë ditë, shkrimi ka rrëshqitur fare. E kam parë veten duke shkruar, në vetën e parë, një libër tjetër : ishin faqet e para të Shkrimi ose jeta. E pavetëdijshmja, ose nuk e di çfarë, më kishte punuar një rreng : ajo e shtunë 11 prill, ishte përvjetori i çlirimit të Buchenwaldit, dhe lajmi i parë i dëgjuar të nesërmen, qe njoftimi i vetëvrasjes së Primo Levit… Në këto kushte, më duhet ta çoja deri në fund këtë libër. Më ka marrë shumë kohë.

A keni mbërritur kështu në fund të kujtesës ?

Jorge Semprun – Që nga çasti që kryhet puna e parë e memorizimit, gjithçka rikthehet pak nga pak. Por kam vënë re se kisha harruar aq shumë saqë, disa kujtime, që tani i di të pranishme, mbeten për t’u rigjetur. Mund të shkoj ende më larg.

Tags: , , ,

7 Responses to “TAKIM ME JORGE SEMPRUN, me rastin e botimit të Shkrimi ose jeta (1994)”

  1. Guest thjesht Says:

    Interesante shkrimi .Zikzaket e jetes ,kontradiktat e brendeshme ,qe si plage te hapura kushtezojne veprimtarine ne jeten e nji shkrimtari,reaxione qe ndryshojne vet zhvillimet ne nji roman . Jete njerezore ,bukur.

  2. ehe... Says:

    Mbreme kam pare nje enderr te çuditshme, shihja njerez te vdekur, gjithandej. Ishim te gjithe duke pritur te ndodhe diçka, kishim shume frike. Diçkaja filloi te shfaqej, jo nga toka, por nga qielli. Ne fillim, u erresua, jo aq sa nata por njefare erresimi siç kur kalohet nga nje diell i forte ne nje hije reje te dendur, e kur kete e perjetojme nga brendia e nje dhome me dy dritare ne drejtim te diellit. Nje tym i zi filloi te dilte ne horizonte, dhe zhvendosej i rregull, ne katrore gjysme te mbushur, sipas diagonales. Gjysma e katrorit ishte e zeze, gjysme tjeter e kalter. Dhe qielli ngjante me cepa, dmth tymi merrte kthese siç shtrojme nje mushama llastiku ne tavolinen e bukes, ose te pakten siç e benim kete andej nga vitet 80. Kur qielli filloi te mbushej mire, nje qiell laraman ky, diku pas mali filloi te shpertheje diçka, me siguri nje vullkan. Dhe habitesha sepse vendi s’ishte aspak i pershtatshem per vullkane. Kisha shume frike. Te vdekurit qe shihja, gjithashtu kishin shume frike. Fillova te vrapoj, te largohem ne krahun e kundert por me duhet te ecja buze nje humnere te thelle, nje humnere qe sapo ishte çare per shkak te termetit te vullkanit. Nuk di nese e kalova humneren. Nderkohe, pak me tutje pashe nje femije te vogel, mbase 5-6 vjeç, qe rrinte dhe ai buze humneres dhe shikonte. Isha i tmerruar, doja te vrapoja ta kapja per ta shpetuar, por kisha shume frike, thjesht i therrisja, Ik qe andej, ik qe andej ! Femija s’levizte, thjesht shikonte. Pastaj qielli u nxi fare dhe ky ishte fundi. Gjithçka u bashkua, qiell e toke e te vdekur e te gjalle, nuk di me nga vertitesha, por thjesht degjoja ca zera.

    Enderr shume e çuditshme, apokaliptike. Sidoqofte, meqe me doli gjumi, zgjata doren dhe kapa nje liber çfaredo, e hapa kuturu dhe rashe ne kete fjale :

    “C’kemi ndonje te re ?” me ka pyetur nena. “Asgje”, i jam pergjigjur. “He pra, ç’ka ndodhur ? Mund te ma thuash, mos u tremb. He, ç’kemi ndonje te re ?” “Ka ndodhur diçka”, i kam thene me ne fund. “Po pra ! E ndjeja. Sa s’po e thosha. C’ka ndodhur ?” “Ne fakt, asgje.” “Shyqyr Zotit”, e ka mbyllur ajo.

  3. o_Monstro Says:

    ke nevoje per ca pushime plako…

  4. ehe... Says:

    Kjo eshte endrra e Anës, plako. E gjen tek Vassili Grossman :

    “Më zë gjumi dhe shoh ëndrra. Shoh shpesh nënën time, i flas. Atë natë, pashë në ëndërr Aleksandra Shaposhnikovën, atëherë kur jetonim bashkë në Paris. Por ty s’të kam parë asnjëherë në ëndërr, edhe pse të mendoj papushim, edhe në çastet më të vështira. Zgjohem dhe sërish ai tavani, dhe kujtohem se Gjermanët kanë pushtuar tokën tonë, se jam një lebroze dhe më duket se nuk jam zgjuar por përkundrazi, se sapo më ka zënë gjumi dhe po shoh ëndërr.
    Por ca minuta më pas, dëgjoj Alinën dhe Ljubën që grinden se kush duhet të shkojë të mbushë ujë tek pusi, dëgjoj dikë që tregon se Gjermanët ia kanë thyer kafkën një plaku në rrugën ngjitur.”

    Dhe kjo eshte endrra e tmerrshme e Max Aue :

    ” Atë natë, pashë një ëndërr të çuditshme. Po ngrihesha dhe po shkoja drejt derës, por një grua më preu udhën. Kishte flokë të bardhë dhe mbante syze : « Jo, më tha ajo. Nuk mund të dalësh. Ulu aty dhe shkruaj. » U ktheva drejt tavolinës : një burrë më kishte zënë karriken, duke shkruar me forcë në makinën time të shkrimit. « Më falni », nxora një fjalë. Butonat lëshonin një kërcitje shurdhuese, e ai nuk më dëgjonte. E preka me drojë mbi sup. Ai u kthye dhe tundi kokën : « Jo », tha, duke më treguar derën. Shkova në bibliotekën time por edhe aty ishte dikush, duke i shkulur qetësisht fletët e librave të mi, dhe duke ua hedhur lidhjet në një cep. Mirë, thashë me vete, meqë është kështu, po shkoj të fle. Një grua e re më ishte shtrirë në shtrat, lakuriq nën çarçaf. Kur më pa, më tërhoqi drejt vetes, duke ma mbuluar fytyrën me puthje, duke m’i marrë këmbët në të sajat, dhe duke u përpjekur të më zbërthejë rripin. Me vështirësi të madhe, më në fund arrita të çlirohem prej saj ; mundimi i bërë më la të shtangur. Mendova të hidhem nga dritarja ; por ajo rrinte e mbyllur, e kapur në mur. Për fat të mirë, tualetet ishin të lira, dhe vajta të mbyllem menjëherë.”
    ______

    Endrrat jane te çuditshme, plako. Me pushime, pa pushime, endrrat jane ngado. Le qe dja kam pare nje enderr tjeter, shiko si ishte :

    “Po flija gjume. Troket dera, me del gjumi, pyes kush eshte, askush. Megjithate, e hap deren dhe shoh nje burre me floke te gjate e me nje mjeker te holle. I them : Po ? Me thote : Jam Descartes, ai burri qe dyshon ne gjithçka. Po flinit keshtu ? Po, i them, po flija dhe madje po shihja nje enderr. Oh, me tha ai, shpresoj te mos kete qene enderr e trefishte, si puna ime. Nuk e kuptova çfare donte te thoshte por pastaj sikur u zhduk, u ktheva dhe rashe ne gjume. Kesaj radhe pa enderr. Mirepo mungesa e endrres me beri te zgjohem vertet dhe te shfryj i lehtesuar : Uffff… qenkam ne enderr, sepse nuk di si djallin do ta shtyja nje nate pa nje enderr ! Dhe pastaj rashe, dhe pashe nje enderr tjeter, kesaj here me te parendesishme.”

    E habitshme, plako.

  5. o_Monstro Says:

    Urim e kisha fjalen qe tani ne vere endrrat jane me N.Kinski, Maruschka Detmers, Claudia Cardinale, edhe ne vere me Decartes-in :)?! Nejse, respekte se je i pazevendesueshem ketu, (V.Grossman-in mbaroje sa me shpejt qe ta shijojme).

  6. The Kindly Ones Says:

    Per endrrat e “tmerrshme”, mos valle eshte faji i Littell, Max Aue apo X (7)?

  7. ehe... Says:

    Perbindsho, falemnderit per fjalet e mira qe thua, i besoj te sinqerta. Tani, per pushimet me endrra çuperlinash, te them te drejten, s’di ç’te them. Pushimet, te mira jane, s’them jo, por nuk kam perfytyruar kurre nje pushim absolut. Per mua, nje pushim i tille s’ekziston. Shkruaj gjithandej : ne shtepi, jashte, aeroporte, bare e restorante, asgje s’me ndalon. Te rri pa bere asgje, kjo me tmerron. Dhe e keqja eshte se as nuk e ndjej nevojen e pushimit. Dmth, ose kam vertet fuqi te jashtezakonshme fizike dhe mendore, pra jam nje jashtetokesor me bateri AAA, ose nje dite do te bie thes ne toke, papritur e pakujtuar. Kjo e dyta, me jep njefare ngazellimi, por thjesht do te doja te kem edhe ca kohe, nuk eshte vendi tani, me vone, me vone…

    Per “Les Bienveillantes” : faji s’eshte i askujt. Kjo enderr qe solla ketu nuk eshte kushedi sa e tmerrsshme, te miat jane ku e ku me katastrofike, por e bukura eshte se kjo enderr vjen nga nje tip qe ka aq shume material per makthe. Dhe ne fakt, Aue sheh mjaft endrra, njera me e shpartalluar se tjetra, ka dhe haluçinacione, psh kur me nje sepate ne dore vret… apo jo, e mban mend ? Se s’dua ta shpoj fllucken e misterit. Sa per dijeni, mund te jene fare mire edhe endrrat e Littellit, sepse edhe ky ka pare aq shume gjera te tmerrshme, me syte e vet, sa me siguri do t’i kene lene nje gjurme.

    Elie Wiesel, ne nje bisede te 1995, thote se kohet e fundit ka filluar te shohe endrra per çdo nate, ne kamp, ne Auschwitz. Problemi i ketyre gjerave te renda per te cilat flet Sempruni, eshte se ato shkaterrojne jo vetem jeten reale por edhe ate virtuale te endrrave. Te te shkaterrojne trurin deri aty sa te mos shohesh nje enderr te hajrit, kjo eshte te te vrasin per se dyti. Me ka ngelur merak, s’kam lexuar ende gje nga Bruno Bettelheim, nje psikanalist qe analizon qendrimin e vet dhe te te tjereve ne kampe.

    Tungatjeta.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: