STAZHISTET PO VDESIN…

by

shkruar dhe përkthyer nga Rasti Njaku

 

Para pak ditësh, në Paris, vdiq në moshën 87 vjeçare, Jorge Semprun. Kush është ky ? pyet Eneadokliu. S’e kam dëgjuar ndonjëherë. Oh, ia pret Skerdilajdi, këtë e mbaj mend unë, ka qenë një futbollist i Brazilit, 1950, kur mori kupën e dytë. Mirë, shumë bukur.
Jorge Semprun ka qenë një tip që ka kryer një stazh 22-mujor në Buchenwald, në punime të ndryshme. Stazhi është kryer në ca vite të stuhishme, të vrullshme, ku puna garantohej për të gjithë : ose falas, ose nën armë. Të parën, në përgjithësi e bënin jo-gjermanët, e të dytën, gjermanët ishin goxha fanatikë dhe s’ia lëshonin kujt. Semprun, komunist i ri por jo aq i devotshëm, s’është se kishte ndonjë dëshirë të madhe për këtë stazh, por disa njerëz, që rëndom quhen « spiun », menduan për të dhe e dërguan në këtë stazhin e famshëm ku kishte dhe nja ca miliona të tjerë. Fati i ra që të shkonte në Buchenwald, i cili ka qenë një ndër kampet më politikë të Rajhut. Aty, Sempruni priste të vdiste. Jo s’e do ta vriste kush, se fundja s’ishte çifut – kjo sëmundja e dytë ishte fatale dhe e pafalshme për Gjermanët – por priste të vdiste nga lodhja, sëmundja dhe ndonjë rrahje tek-tuk. Mirëpo Sempruni gëzonte një fizik prej atleti dhe arriti t’i kalojë këto vite të lodhshme stazhi. Një ditë, në kamp ia mësynë Amerikanët. Ishte diku rreth 11 prill 1945. Stazhi s’kishte ndonjë datë të përcaktuar përfundimi por Amerikanët menduan se stazhistët ishin tashmë gati të hynin në jetën e vërtetë dhe të zinin ndonjë punë. Dhe Gjermanët, ata që kishin ngelur aty, hëngrën nga një shqelm prapanicave, disave iu kalua një lak në qafë, dhe të tjerët vajtën të hanin patatet e zakonshme nëpër fermat e qelbura. Sempruni u kthye në Paris. Edhe jetoi nja 65 vite të tjera, dhe një ditë prej ditësh, vdiq. Duke na lënë ca libra të shkruar në frëngjisht, që siç dihet janë të gjithë të përkthyer në shqip dhe të botuar në shtëpitë botuese më prestigjioze shqiptare. Thuhet se shitjet kanë vajtur diku tek 35 000 kopjet, duke ia kaluar edhe vetë ishullit të Ben Blushit. Një ndër 100 shqiptarë, ka një Semprun në shtëpi, të gjithë e lexojnë nëpër shkolla, nëpër universitete, dhe çdo dy-tre ditë, një emision « opinion » apo « debat » apo « opinion » përsëri, flet gjerësisht mbi të. Intelektualët më të lartë të vendit flasin me një gjuhë të lirshme dhe të thjeshtë, një veçori e tyre kjo, mbi luftën e dytë botërore, aq sa mund të themi se lexuesit dhe dëgjuesit shqiptarë mund të jenë historianët më të mirë të kësaj periudhe.

Kjo është aq e vërtetë sa u lodha duke kërkuar një tekst të Semprunit për ta përkthyer në shqip, por që të gjithë ishin përkthyer tashmë, s’më kishin lënë asgjë. Prandaj dhe po i them këto fjalë, nga zemra e plasur se s’mund të ndriçoj askënd me përkushtimin tim. Por fundja, a nuk ka më shumë rëndësi rezultati ? Nëse të gjithë e njohin këtë tipin, dhe ia kanë lexuar të gjitha veprat, e përse duhet t’i ngelet hatri një përkthyesi ? A nuk dëshiron ai që njerëzit thjesht të lexojnë, paçka se nuk lexojnë asnjë përkthim të tij ? Kjo është me të vërtetë një lloj vetëmohimi, sekretin e të cilit e njohin vetëm disa.

E megjithatë, po i them nja dy fjalë të miat edhe për ca Jorge të tjerë, kësaj radhe shqiptarë. Këta Jorget shqiptarë (të mos ngatërrohen me Jorgot, mundësisht), këta për shembull kanë bërë ca stazhe të tjerë më të gjatë, diku dhjetë herë më të gjatë se ky Jorge spanjollo-francez, domethënë nja ca stazhe prej 22 ose 42 vjetësh. Mirëpo, si kozmopolitë që jemi (përveç kozmonautë dhe kozmodushistë të thekur), ne s’i njohim fare Jorget tanë, dhe në fakt mirë bëjmë. Sepse sipas një pjese të mirë të opinionit shqiptar, këta stazhistët tanë, nuk është e sigurtë se kanë jetuar në ndonjë kamp, por thjesht në një fshat të lumtur socialist, paçka se të rrethuar me ca tela me gjemba, e me ndonjë kullë mitralozi në majë. Domethënë, sipas një fjale të urtë që thotë se përpara se të flasim, të sigurohemi mirë për vërtetësinë e diçkaje, ne kemi parapëlqyer që ta rishikojmë mirë këtë punën e ekzistencës së kampeve shqiptare. Dhe studimet e opinionit thonë se një fakt i tillë është tejet i dyshimtë. Prandaj, përfundojnë raportet e anketimeve, ne s’jemi të sigurtë që të jetë me vend të folurit për këto kampe.

Çfarë mbetet nga e tërë kjo ? Asgjë, në mos që gjithçka ikën, harrohet, fashitet dhe, po të përdor një fjalë të çmuar të fjalorit tim të dashur katundaresk, zhdrodhet. Kështu zhdrodhet historia, kështu ngjarjet s’kanë ndodhur kurrë, viktimat s’kanë ekzistuar kurrë, xhelatët s’kanë pasur asnjëherë dajak në dorë, e shkurt, ska pasur asgjë. Ja për shembull, po jap vetëm një shembull, a kanë ekzistuar ndonjëherë stallat e kooperativave ? As mos e ço ndërmend ! Po të kenë ekzistuar, thotë ndonjëri, ato do të kishin lënë një gjurmë. Eshtë si puna e të vrarëve, shton i dyti, i të vrarëve pa gjyq nëpër ferra, po të kishte të vrarë do të kishte edhe kocka, mirëpo meqë ska kocka, ska as të vrarë. Po burri që s’mu kthye në shtëpi ? pyet një plakë duke fshirë qurret e holla me cepin e shamisë së kokës. Burri yt, thotë ky tipi, burri yt… ehu tani ! kur s’e di ti ku e ke burrin, e nga ta di unë ?!

Mua më kujtohet… në fakt s’më kujtohet asgjë përveç nja dy syve që më shohin ende dhe pas kaq vitesh. Dhe për ta i shkrova këto dy fjalë. Dhe për të i përktheva nja ca rreshta, le të më fali ai përkthyesi tjetër që më siguri do t’i ketë botuar tashmë diku në ndonjë gazetë madhore të vendit.

Tags: ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: