Lidhja e Prizrenit ( Lahuta e Malësisë )

by

Edhe këtë vit, ashtu si vitin e kaluar e ashtu si do ndodhi edhe vitin e ardhshëm, 10 qershori nuk kujtohet. Më kap një farë keqardhje. Jo aq shumë kundrejt shtetit tonë apo shteti kosovar prej të cilëve, hë për hë, s’pres ndonjë gjë, por kundrejt asaj ushtrije opinionistësh, historianësh, hipokritësh, patriotësh, bloguesësh, kundrejt atyrë që u dhemb gjoksi në këtë moment sepse aq shumë e kanë rrahur sa është formuar një gropë. Asnjë fjalë, asnjë indinjim, asnjë përkujtim, asgjë prej gjëje.

Te paktën kemi Fishtën.

Shkrepi dielli buzës s’Cukalit,
Eja e t’kndojm, oj Zana e malit,
Eja e ‘kndojm më Lahutë t’Malcís,
Si atà Krenët e Shqyptarís
Në prizrend na janë bashkue
Per me folë, me bisedue,
Shqyptarín se si m’ e pshtue
Prej çapojve t’ Malit t’ Zí,
Qi ka dýndun top e ushtrí,
Me hi n’ Plavë, me hi n’ Gucí,
Me marrë Shkodren me Malcí,
Dér ku dán vendi me Drí;
Pse, po thonë, Mbreti i Stambollës
Dorë i dhanka Knjaz Nikollë
Me ndezë zjarm aj m’ votra t’ ona,
Me ngá qét aj n’ ara t’ ona
Me ba dru n’ zabele t’ ona,
E me grá e me vasha t’ ona
Me luejtë Shkjau harushë nder né,
Thue se s’ ká Shqyptarë mbí dhé.
Por po kisht’, besa, Shqyptarë,
Kisht’ Shqyptarë zemer bujarë…
Burra t’ urtë, trima luftarë,
Qi s’ po u tutshin kta me dekë
M’ erz a m’ tokë me pasë me i prekë.
Persè, qe, qaj Alí Pasha
Fort ká vra ato vetlla t’ trasha,
Ká vra vetllat edh’ a idhnue,
Burri i botës kur ká ndigue,
Se n’ Berlin asht ba pleqnija
Nen kamë t’ Shkjaut me vue Shqypnija;
Edhè n’ Pejë trimi ká dalë,
T’ tanë Shqypnís ká çue nji fjalë,
Qi shk’ a Krye, shk’ a Bajraktár,
Shk’ a Vojvodë e shpí e parë
Fíll me dalun në Prizrend,
Per me ngrafë atý kuvend,
E, si motit, per, per Atdhé
Me lidhë besë, me lidhun fé:
Besë e fé me lidhë Shqyptare,
Se pá dale Shqypnija fare,
Sa qi n’ fushë as në zabel
Mos të lehë ma qen në stel,
Mos t’ këndojë as pulë as gjel,
Vendin t’ huejve mos m’ u a lshue,
Shkjaut per t’ gjallë mos me ju shtrue,
Mos me vu kapicë mbí krye:
Mbretit fjalen me ja thye.
Edhè n’ lajm qi çpon Alija,
Trup në kamë çohet Shqypnija,
Shk’ a Gegní e shk’ a Toskní:
Çohen Krenë e Bajraktarë,
Agallarë e Pashallarë,
Me Vojvodë e me Begllereë
Trima n’ za, burra me nderë,
Larg t’ permendun per urtí,
Larg te lypun per pleqní:
E kush tok e kush pá shok:
Si atà hyjt qi shkrepin n’ qiell:
Në Prizrend na shkuekan fill,
Prizrenjanët ku mirë po i presin,
Buke e zemer ku po u qesin,
Si zanát qi e ká Shqypnija,
Kur t’ u shkojë miku te shpija.
E si tok na janë bashkue,
Trimat m’ kame atëherë janë çue
E kan dalë në log t’ kuvendit,
M’ ato mojet e Prizrendit,
Ku kan ndejun rend mbas rendit,
Me Ali Pashen n’ krye te vendit.
Vall, ç’ piskati n’ hije t’ blinit,
N’ ato mrize t’ Ljubotinit,
Qi ushtoi vigma ashtu zallís?
Ora e bardhë e Shqyptarís
Paska kenë n’ nji gurrë t’ u lá,
Edhè e Mira paska pá,
Se atjè poshtë – o në Prizrend
Kenkan mbledhë Shqyptarët n’ kuvend;
Paska pá ajo e kenka gzue,
M’ maje t’ bjeshkës paska flutrue,
Edhè n’ giuhë t’ ambel t’ Shqyptarit
Thirrë i paska Zanes s’ Sharit,
Sa qi ushtue ká hapesira:
A po ndien, moj t’ raftë e mira!
Moj shtat – rrituna në mjaltë?
Peja i’ herë m’ ket bjeshkë të naltë,
Peja ‘i herë, per n’ daç me pá,
Shka s’ ké pá as n’ Turk as n’ Shkjá.
Zana mirë ate e ká ndie;
Fluturim asht lshue n’ ajrí,
I a ká behë m’bjeshkë t’ Ljubotinit,
Sa rre’ ‘i herë qepalli i synit,
Ku atý para i ka dalë Ora,
Edhë kapun dora — dora,
Tue kuvendë motra me moter,
Na kan zanun vend m’ nji koder.
Vend m’ at koder, si kan zanë,
Ká qitë Ora edhè i ká thanë:
Se un, qi dijtë e kam ma s’ miri,
Se tý p’ reherë t’ a ka dashtë hiri
Me t’ kuvendun fjalë burrnije,
Me t’permendun punë trimnije
E me njoftë burrat e dheut,
Qi per Fé e lirí t’ Atdheut,
Vringllojn shpatat si vetima,
Trandin boten si bumllima,
Bajn anmikun copa e grima:
Deshta t’ thrras, moj vetull – njalë,
Mbí ket bjeshkë nji herë me m’dalë,
Per me t’ thanë se edhè n’ditë t’ sotit
Po kisht’ burra porsi motit,
Mos me u tremë në flakë t’ barotit,
Mos me u tutë n’ vringllim t’ çelikut,
Ballë per ballë m’ i u turrë anmikut.
A i shef, poshtë, atje n’ Prizrend,
Njatà burra mbledhë n’ kuvend?
A thue i shef ea thue po i njef ?>>
Un po i shof por nuk po i njof
Nuk po i njof, jo, se kush janë,
Po i pergjegjë e bardha Zanë,
Veç, mbas giaset, kish’ me thanë,
Se ata Akejt na kenkan njallun
Qi t’ largë Trojen paten kallun:
Pse edh’ aj trimi n’ krye te vendit,
Qi po dán në log t’ kuvendit
Porsi t’ isht’ nji rod drangonit,
Fort m’ i giaka Agamemnonit;
Si p’r at tjetrin, pak pertej,
Me atà dy mustakë te mdhej,
Krah e m’krah qi i paska lshue,
E qi folka si tu ulrue,
Kish’ me thanë se asht Diomedi.
Fort ká qeshë Ora me vedi,
Fort ká qeshë e kshtu i ká thanë:
Se atà Akej, besa, nuk janë,
S’ janë Akej as s’ janë Dardaj,
As vigaj, as katallaj;
Por janë Krenët e Shqyptarís,
Krent e Gegve e t’ Tosknís,
Qi kan dalun ne kët dhá
Me lidhë besë, me lidhun fé,
Edhè m’ armë kta me u shterngue,
Europës fjalen m’i a poshtue,
Qi me Mbret paska pleqnue
Me dhanë dorë Malit të Zí
T’ a coptojë t’ mjeren Shqypní.
Sá p’ r at trimin n’ krye te vendit,
Qi po t’ dán ne log t’ kuvendit
Porsi t’ isht’ nji rod drangonit
E qi i gjaka Agamemnonit,
Aj nuk asht mori lum vasha,
Tjeterkush veç se Alì Pasha,
Qi per t’ drejta t’ Shqyptarís
Vetë i a nep zjarmin shtëpís,
E s’i dhimen nanë djalë:
Per to jeten vetë e falë.
E nji tjetri, ma pertej,
Me ata dy mustakë te mdhej
Me i prekë m’ shoq qi ka bri vedi,
Aj nuk asht, jo, Dijomedi,
Por asht Bajraktari i Shkrelit:
Si njaj pyrgu m’ ballë t’ kështjelit,
Qi s’e trandë as topi as shpata,
E i thonë emnit Marash Vata.
Jo qi ka atý burra tjerë,
Bajraktarë, Krenë e Beglerë,
Qi per fjalë e per urtí,
Per trimní, e bujarí
Nuk i a lshojn vendin kurrkuej
As n’ Shqypní, as nder të huej.
A e she” ‘i herë njat burrë zeshkan,
Me kollçikë e me fistan,
Qi m’ a ka sýnin si zhgjeta,
Qi m’ i bajn t’ gjith t’u ngiatjeta,
E qi folka ashtu pa u zé,
Herë tue matë, mandej tue pré:
Qi prandej njat fjalë qi e flet,
Mbreti as Krajli nuk i a shklet:
Pse edhè e tij bujare
Larg permendë asht n’ tokë Shqyptare
Per kah pupla e per kah dija,
Pá te cillat s’ rron Shqypnija?
Aj asht trimi Frasher Begu,
Qi gjithkund, k e qiti shtegu,
I la naam aj Toskënís
Faqe t’ bardhë i la Shqypnís.
Mandej vjen nji Qafelí,
Prenk Bibë Doda, djale zotní:
Per kah mosha, mjaft i rí,
Por i vjeter per pleqní,
Kur të dojë me folë urtí:
Aj asht, Zanë njaj Kapitani,
Kapitani prej Mirditet,
Per të cillin larg perflitet,
Larg perflitet, larg kallzohet,
Zí edhè bardh per te shartohet.
Atëherë vjen në rend toptani,
Qi edhe ktiji vojt zani,
Per shka mirë e zí qi bani:
Persè i forti, si e din vetë,
Mirë e zí punon n’ ket jetë,
Kur t’i marrë mandja perpjetë.
Per bri tij vjen prap Zogolli,
Gjetë Gegë Shllaku edhe Begolli;
Vjen Çun Mula e vjen Mar Lula,
Njani Hot e tjetri Shalë,
T’ fortë per pushkë e t’ urtë per fjalë;
Si aj Dodë Prëçi prej Kastratit,
Me at Vrijonin e Beratit,
Edhè trimi n’ za Deralla,
Qi po i kishin fjalët e rralla,
Por s’ po çajshin shum kopalla
Ku po, isht’ puna me qindrue,
Me qindrue p’r Atdhé t’ bekue.
Por pertej, m’ at tjetren anë,
Aj asht, Zanë, nji burrë shkodranë:
Asht Shan Deda i Dedë Jakupit,
Qi, si Ltinit, si Halldupit
Rrumullak fjalen u a flet;
Pse asht derë pushka gjet me gjet
E s’ merr vesht per Krajl as Mbret.
Se ti, besa, mirë po thue,
Mori Zana me ligjrue,
Se edhè n’ sý jam tue e dallitun,
Qi kudo puna me e qitun,
Per pá e shkrepë ky s’kisht me u pritun.
Veç un deshta ktu t’ a die,
Se kush asht njaj kime – zi
N’ dý kubure e n’ nji harbí,
Qi e ká vu ksulen m’ nja’n sý
E i ká lshue tirqit nen í.
Sikur lshue s’ i ká kurrnjeni?
Aj asht, Zanë, Abdullah Dreni:
Njaj, pa t’ cillin s’ hecë kuvendi
E i a dro t’ keqen Prizrendi.
Dro Prizrendi e dro Gjakova
Rreth e çark i a dro Kosova;
Pse fjalë peng aj kurr s’ ká lanun;
pse per mik e bese te dhanun
Vetë i a nep zjarmin shtëpís:
Sh1i me Mbret pushken e nisë,
E as s’ len marre Shqypnís.
Dersá m’ bjeshkë te Ljubotinit
Per nen hije t’ mrazitë të blinit
Po ligjrojshin Zana e Ora,
Krye më krye e dora — dora,
Atje poshtë në Prizrënd
Abdull Frasheri, i Toskë me mend,
Kshtu ká nisë të çilë kuvend:
Enè breshtet t’ Kapitolit
Dalë nuk kisht’e murrtë ulkoja,
Per me i dhanun sisë Romólit,
Mbasi shamë kje per dhé Troja:
E atjè larg, po, kah Urali,
Nper atò breshta te larta,
Sillej Shkjau, si shkerbé mali,
Tue kerkue per molla t’ tharta,
Kur m’ kto vise te Ballkanit
Të Parët t’ onë, Pelazgt e motit
Gjan e gjallë kullotshin planit,
Qét i ngitshin m’ fushë të Zotit.
Kishin frone e ligjë të mara,
E giatë shtegut t’gjytetnimit
Ishin shtý atà larg perpara
Q’ me prendverë te rruzullimit.
Prej kah fill zen rriba e Verit
E m’ Vezuv t’ veshun n’gjineshtra:
Prej kaukazit m’ Shkam t’ Doverit,
Ku rri Albjona e pjekë gjenjeshtra,
Fis ma t’ vjeter kund nuk ká
Se asht ky fisi n’ za i Shqyptarit,
Ne mes t’cillit punët e mdhá
Per Europë z^në t’enden s’parit.
Po, m’ kto male e karpa t’ ona
S’ parit Zeusi njerzit i rysi,
E me augure te Dodona
Egersín aj u a permysi;
Ktú edhè s’ parit Orë e Zana
Nisen valle me vallzue,
E nper vrrije e fusha t’ gjana
Zu Pegazi me lodrue.
Këtu, Leka mati hapin
Me i dalë botes n’ fund e n’ krye,
Edhe n’ Hind e çpori vrapin
Rrufén n’ dorë, vetimen n’ sý:
Si edhè Pirri, qi, mbrefë pallen
E dalë detin si duhí,
Shi nen Rromë e shtroi hamballen
Të tanë n’ krena Rromakësh t’ rí.
Kudo rrani turr Shqyptari,
Mirë aj lidhë me besë e fé,
Atje lufta mori zhari,
Atje gjaku rrmej nper dhé;
E as s’u gjet kund mal a rrmore
Qi atij hovin me i a ndalun;
I rá zhyt aj valës mizore,
Me armë n’ dorë nper flkë ká dalun.
Gal, Rromakë, po dikur motit
Kjenë pershkue nper tokë Shqyptare,
Si edhè fiset e Ostrogotit
Me ata slavt,kta dalshin fare!
Por Shqyptari s’ e perkuli
I gjallë qafen nen zgiedhë t’ huej:
E lshoi token, ne mal dueli,
Por të dheta s’ i lau kuej.
Porsi njaj tallazi i detit,
Qi dyndë mal e bardh prej shkume,
Dekë e mnderë tue lanë mbas vetit,
Vjen e thehet m’kep t’ndo i gume:
Njekshtu forca e cilldo anmiku,
‘Qi desht dam t’ na i sjellë lirís,
Erdh e u thye m’ parsme çeliku
T’ bijve t’ maleve t’ Shqypnís.
Pat kujtue Sulltan Murati
Se Shqyptarët i ká lshue zemra,
Se prandej po u rrin aj gati
E rob t’ zanë po i shtron nen themra;
Edhè dyndë nji ushtrí kreshnike,
Të tanë djelm t’regjun nder gjaqe:
Bota marë eshtet prej frike;
Kján Europa, lott per faqe.
Por n’ ket punë u gjet gabue;
Skanderbegu ‘i rrfé prej qiellit
Pallen zier atjè në Krue:
Se ç’ vetun ká n’ rreze t’ diellit!
E si ula tue buluritun,
Shqyptarís i a lshon kushtrimin,
Qi, shk’ a burrë, ne luftë me zbritun,
Turkut m’ armë m’i a shtypë guzimin.
Trup në kamë i a ban shqypnija,
Mirë nder armë edhe shterngohet,
E si breshni e si duhija
Fulikare mbi Turk lshohet.
N’ at turr t’ tyne trendet toka,
Tymi çohet dér mbí re,
Bumbullojn male edhè boka,
Rrëmen gjaku shtoj kurrne.
Shtri m’ fushë t’ Dibers Janiçeri
E, si kau nen thikë të kandarit,
T’ u perpjekë per tokë i mjeri,
Ka’ e ndrydhë m’fyt kama e Shqyptarit,
Aj e shef, sado qi vonë,
Se me dhunë Shqypnija s’ shkilet,
E se rrejn atà qi thonë,
Se p’r Atdhé Shqyptari s’ vritet.
Jo prá, vritet, pasha Zotin!
Nisë Shan Deda, n’ fjalë t’ u zé,
Porsi vrám asht aj gjithmotin,
Kur kje puna per Atdhé.
Edhè Mbreti të Stambollit
Shqyptarët pushken i a kan vu,
Sa herë Turqit e Anadollit
Paten dashë me u shkelë, m’ kanu.
Kú t’ a lypë e mira e Atdheut
E t’ a hjekë lirija e vendit,
Kush a nipash t’ Skanderbeut,
I ç’ do fés e i ç’ do kuvendit,
Per t’ a msý aj ká anmikun,
Si petriti zogjt trumcakë,
E kudo t’ vringllojn çelikun
Nuk len token pa e pergjakë.
Mocë Shqyptarët me stalagtita,
Lirë gjithmonë kta e kan shkue jeten;
E se enden nata e dita.
Se zen vjeta ne rend vjeten,
Kta, posë Zotit t’ naltë t’ Empirit,
Qi ushqen krijen e veshë lulen,
Kryet dér sod perpara nirit
Enè kurr nuk e perkulen.
M’ kamë, atëherë,burra të dheut,
Mbasi t’ zott jemi me dekë
Per lirí e nderë t’ Atdheut,
Prap zen Duli fjalët me i thekë:
Perse sod a kurr Shqyptari
Gjan e vehten do t’ bajë flí
Per Atdhé, qi atí i la i Pari,
E per nderë e per lirí.
Sod t’shtatët Krajlat edhè mbreti,
N’ at Berlin n’ kuvend bashkue,
E kan ba pleqnín n’ mjet veti
Malcín Knjazit me i a lshue;
Me i a lshue Knjazit Malcín,
Me na dá né vllá me vllá,
Me na hupun Shqyptarín,
Me na lanun rob nen Shkjá.
Kush a nipash t’ Kastrijotit,
Qi ká nderë e nuk bán kore:
Burrë, si burrat qi kjenë motit:
Aj sod armët të rrokë mizore
E të dalë në breg të Cemit,
Prej kah Shkjau rri e na kercnohet,
M’ i a diftue botës e polemit,
Se pá gjak Shqypnija s’ shtrohet.
Ktu s’ do t’ shklasë, jo kama e huej;
Kush, posë nesh, s’ zen qé m’ket tokë;
Se na rob s’ i shtrohna kuej,
Dér sa t’ jemi gjallë me kokë,
Me eshtna t’ onë, po, na Shqypnís
Nji murojë kem’per t’ i a vu,
Qi edhe topat e Rusís
S’kan per t’mujtë, jo m’e dermue.
Abdyl Frasheri kshtu foli;
Kur Mar Lula, i pari i Shalës
Nji sý zjarm, nji zog sokoli,
Burrë i zoti i pushkës e i fjalës:
I a pret fjalen n’ log t’ kuvendit:
Se ti, pasha at Sh’ Marrabé!
Sá per t’ dalun zot un vendit,
Me m’ qortue nevojë nuk ké.
Pse, se a zanun kjo Shqypní,
Un kam ndejë me pushkë per faqe,
E per vend e per lirí
Kam rá pré, kam bamun gjaqe.
Kam shkue jeten si bishë malit,
Zdathë e zdeshë edhë pá ngranë;
Por as Mbretit, por as Krajlit
Tungiatjeta s’ i kam thanë.
Un kam ruejtë gjuhen shqyptare;
Un kam mbajtë doke e kanu,
E as per pare e as per timare,
Gjak e t’ Parë s’ i kam mohue.
Prandej, Shkjau me pasë per t’msý
E me dalë kndej kah Shqypnija,
( Si po thonë se ká vu sý )
Ká me u ndeshë, po m’ armë të mija,
M’ armë të Lekve e t’Dukagjinit,
Qi, me ndihmë të Perendís,
Kan m’i a thye pleqnín Berlinit,
Kan m’i a pshtue lirín Shqypnís.
Por pse m’thue me u vrá me Shkjá;
Tue pasë mrendë na Anadollakun,
Qi kurr t’keqen s’m’ a ká dá,
Qi kurr qafet s’ m’ a hoq lakun:
Qi edhè zèmren m” a ká thá
E m’ ká mytë aj tatë e nanë,
E shnjerzue m’ ká grue e moter,
E s’ m’ ká lanë me u rritë djalë n’ voter?
M’ ká korrë aren e punueme
M’ ká marrë token e trashgueme,
E tue m’ ba kanun paçaver,
M’ ká marrë qét po per nen laver,
M’ ká marrë lopet me gjith viça,
M’ ká marrë delet me gji’ ogiça,
M’ ká marrë dhen e m’ ká marrë dhiz,
M’ ká thá vathë e m’ ká thá mriz:
Edhè sod m’ ka vu leçí,
Mos me folë n’giuhe t’ t’ Parve t’ mí;
E m’ a man giunin mbí bark,
E m’ a repë shpirtin me çark
Si mo’ Zot, ma keq per mue,
Nder thoj t’tij qi kam qillue?…
Po a pse Turqit e Anadollit
Duan të tallen këtij trollit,
Na m’i a vu pushken Nikollit?
Jo, per Zotin! – kjoftë levdue!
Se un Manov nuk kam qillue,
Qi me dalë e me luftue,
Perse Krajli a perse Mbreti
Duen të m’majn mue rob nen veti;
Un luftoj veç per lirí,
Per erz t’ em e per Shqypní:
Se un t’huej’n zot s’e due në shpí,
S’ due te njof as Krajl as Mbret:
Mbret Shqyptari asht n’ vend te vet.–
Të lumtë goja, bajraktár,
Ali Pasha, ‘i trim bujár,
Merr e i thotë t’ parit te Shalës,
Se ti lak s’ i bake fjalës.
Se ti folke n’ log t’ kuvendit,
Si po e lypte e mira e vendit.
Per Shqyptarë, si jemi na,
Turk a Shkjá te dy jane nja;
Pse të dy, si Turk si Shkjá,
Né me sý s’ duem me na pá,
Edhè jane per né të huejë:
Gjind, qi as vedit as tjerkujë
Nuk janë të zott nji t’mirë m’a s sjellë,
As per dije e mende të kthellë,
As per punë, as per tregtí,
As per t’ marë në gjytetní.
Por, pse na të vogjel jemi,
Pse kend fis as vllá nuk kemi,
Na sod Shkjaut s’mund t’ i bajm ballë,
Qi po do t’na perpijë gjallë;
Prandej, thom, se e lypë e mara,
Qi edhè sod na si perpara,
Të rrijm njitë me Mbret t’Stambollit,
Per me i bamun ballë Nikollit.
Dikur dita ká me ague,
Qi edhè Turku do t’ marre m’ thue:
E m’ atëherë, shka a Toskë e Gegë,
T’ mlidhen tok, si kokrrat n’ shegë,
E t’ i a napin Turkut t’ shtýmen:
Qi s’ndrron vesin, veç se qýmen:
E t’ a lshojn krye – picingul,
T’ i a thejn zverkun në Mosul.
Prá, ju burra, un kish’ me thanë;
Ktu fjalë tjeter mos me zanë;
Veç me hi me shkrue nji leter,
Me shkrue ‘i leter m’ kanu t’ vjeter
Per t’ shtatët Krajlat mledhë n’Berlin:
Qi, pa u shterrun Dri e Shkumin,
Edhè Buena per pa u thá,
Na per t’ gjallë nuk rrím nen Shkjá.–
Kshtu ká folë pasha i Gucís.
Edhè Krenët e Shqyptarís
Kan marrë letren per m’ e shkrue,
Fjalë per fjalë kshtu tue e peshue:
Ju qi jeni të shtatët Krajlat,
Edhè Mbreti i Stambollës,
Falmeshndet Krenët e Shqypnís.
Per njat gjýgj, qi e kini bamun,
Qi nen Shkjá me vue Shqypnija,
Pa shikjoni, se, per Zotin,
Mund t’na bijë ndo’i punë e keqe;
Pse na rob s’i bahna kuej,
Pagë e t’ dheta s’ lájm kuej.
Njiket tokë të shqyptarís
Zoti vetë Aj na e ká falun
E as Taljanit marrë s’ i a kemi,
As rrëmye s’ i a kem’ Francezit.
As Inglizit, as Teutonit,
Se ma slavit jo se jo,
Qi veç dje ká rá n’ Balkan
E kush di se ku e kputë zverkun:
Si ajo vrula e kacalecit:
Sod këtu, neser s’ diej ku.
Sá per Mbretin e Stambollit,
Qi po thotë, se Knjaz Nikollit
Do t’ i falë Shkodrë e Malcí,
Mund t’ i thoni se Shqypnija
Nji shportë fiqsh nuk ká qillue,
Per m’ u a ná miqve peshqesh;
Por asht toka e t’ Parvet t’ onë,
Asht Atdheu, po, i Skanderbeut,
Asht Atdheu, po i Mojs Golemit
E i atij Lekë Dukagjinit,
Edhè i Kukës edhè i Muzakut
Edhè i Strezës e i Aranitit
Qi e kan lá t’ tanë me gjak t’ Turkut.
Prandaj s’ ká as krajl as Mberet,
Qi ket tokë e falë a e shet,
Dér sá t’ két nji zog Shqyptari,
Qi t’ bajë hije permbi dhé.
Kështu letren e kan shkrue,
Edhe mirë e kan palue,
Mandej shtek ata i kan dhanë
Per Berlin, ku kishin zanë
Mbereti e krajlat, gjýgj me i dá
Shekllit t’ngratë, në gjak krejt lá.

Advertisements

Tags:

5 Responses to “Lidhja e Prizrenit ( Lahuta e Malësisë )”

  1. O_Monstro Says:

    Ke shume te drejte…

    ———————————————————————————————————–
    133 vjet më parë, u mblodh në Prizren një kuvend mbarëshqiptar, i cili vendosi për themelimin e një organizate me karakter politik e ushtarak, të një Lidhjeje (Ittifaku), me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë të saj në të gjitha krahinat e vendit, e cila do të merrte përsipër detyrën që të mbronte me çdo mjet interesat e vendit. Po atë ditë Kuvendi Kombëtar miratoi tekstin e një proteste, drejtuar Kongresit të Berlinit, me anën e së cilës ngrihej zëri kundër shkëputjes së krahinave shqiptare në favor të shteteve fqinje. Sipas traditës, së bashku me formimin e Lidhjes, u shpall edhe një besë e përgjithshme, në bazë të së cilës duhej të pushonin menjëherë të gjitha veprimet e gjakmarrjes ndërmjet banorëve të krahinave që ishin përfaqësuar në Kuvendin e Prizrenit.

    Vendimi i Kuvendit të Prizrenit për themelimin e Lidhjes ishte një fitore e madhe e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, pasi me anën e tij iu dha goditja e parë dhe e fuqishme përpjekjeve të Stambollit për ta veshur Lidhjen me karakter islamik dhe u hodhën themelet e një organizate kombëtare shqiptare, e cila, qysh në ditën e parë të saj, pati një karakter atdhetar. Menjëherë pas themelimit të Lidhjes u formuan organet e saj të larta. Në krye të Lidhjes qëndronte Këshilli i Përgjithshëm me funksione legjislative dhe me seli në Prizren, nga i cili do të vareshin degët krahinore. Kryetar i tij u zgjodh Iljaz pashë Dibra. Për të ushtruar funksionet ekzekutive u formua Komiteti Qendror i Lidhjes Shqiptare, i përbërë nga tri komisione, secili me një përgjegjës të veçantë: komisioni i punëve të jashtme (Abdyl Frashëri), komisioni i punëve të brendshme (Haxhi Shabani) dhe komisioni i të ardhurave financiare (Sulejman Vokshi).

    Krijimi i organeve të larta të Lidhjes së Prizrenit dhe pajisja e tyre me funksione pushtetore ishin një fitore tjetër që korrën forcat atdhetare, pasi me anën e tyre u hodhën themelet për krijimin në Shqipëri të një pushteti të veçuar nga ai i Portës së Lartë. Kjo fitore u përforcua me caktimin në krye të organeve të larta të personaliteteve që militonin në Komitetin e Stambollit (Abdyl Frashëri e Sulejman Vokshi), ose që u takonin qarqeve të moderuara (Iljaz pashë Dibra e Haxhi Shaban Prizreni). Për fitoren e plotë të krahut patriotik nuk mbetej tjetër hap, veçse paisja e besëlidhjes me një statut ose kanun, siç quhej në atë kohë, të ndërtuar mbi platformën rilindase.

    Kanuni dhe Urdhëresa (17 qershor 1878) Aktet e para të Kuvendit të Përgjithshëm ishin: një peticion për çështjen shqiptare, dërguar Kongresit të Berlinit, një peticion, dërguar Portës së Lartë, Kararnameja (Akti i Vendimeve-Kanuni) dhe Talimati (Urdhëresa). Të dyja peticionet u miratuan më 15 qershor 1878. Ato u pajisën me nënshkrimet e disa mijëra përfaqësuesve të popullsisë shqiptare në të gjitha krahinat e Shqipërisë. Me anën e tyre kërkohej nga Kongresi i Berlinit dhe nga qeveria turke që të mos i jepnin shteteve të huaja asnjë pëllëmbë tokë nga atdheu i tyre. Edhe në këto dokumente të Kuvendit të Lidhjes shprehej vendosmëria e përfaqësuesve shqiptarë për të luftuar deri te njeriu i fundit për të kundërshtuar çdo vendim që do të cenonte tërësinë territoriale të atdheut. Veç kësaj, në peticionin që iu dërgua Portës së Lartë, parashtrohej edhe kërkesa për të bashkuar të gjitha trojet shqiptare në një vilajet të vetëm shqiptar ose, siç thuhet në peticion, në një “vilajet të bashkuar” (Tevhidi vilajet) me një “kuvend të bashkuar” në krye dhe me administratë, buxhet e ushtri të veçantë, pra të pajisur me autonomi administrative e kulturore.

    Por ky program i autonomisë (krijimi i vilajetit të bashkuar me autonomi administrative) nuk u përfshi në të dy dokumentet e tjera që u miratuan nga Kuvendi, më 17 qershor 1878, në Kararnamenë dhe në Talimatin. Kjo shpjegohet me ndikimin e qarqeve konservatore në punimet e vendimet e Kuvendit, të cilat nuk ishin të interesuara për ndryshime të raporteve të Shqipërisë me Perandorinë Osmane. Ndikimi i këtyre qarqeve, me të cilat qenë bashkuar edhe delegatët boshnjakë, u forcua, përkohësisht, në krahasim me atë të grupimit të delegatëve autonomistë kosovarë, edhe për shkak se në Kuvendin e Përgjithshëm nuk kishin arritur ende delegatët e krahinave të tjera të Shqipërisë, sidomos ata të vilajeteve të Shkodrës e të Janinës, të cilët ishin të gjithë përkrahës të autonomisë. Por, veç këtij faktori, në mungesën e kërkesës në Kararname të një vilajeti të bashkuar shqiptar, me autonomi administrative, ndikoi edhe rreziku i jashtëm, ai i copëtimit të Shqipërisë, që nxirrte në plan të parë dhe si detyrë më të ngutshme mbrojtjen e tërësisë së trojeve shqiptare.

    Në këto rrethana, qarqet konservatore, të nxitura edhe nga qeveritarët osmanë, u përpoqën t’i impononin Kuvendit të Përgjithshëm një platformë me ndikime sulltaniste dhe islamike. Por këto orvatje dështuan, sepse ndeshën në kundërshtimin e rreptë të përfaqësuesve të vijës patriotike të Kuvendit. Kanuni i Lidhjes, me emrin Kararname (Akti i Vendimeve) sanksionoi formimin e Lidhjes si organizatë politike shqiptare dhe përcaktoi detyrat e saj më të ngutshme. Megjithëse ky dokument nuk iu shmang dot disa formulimeve kontradiktore, me këmbënguljen e delegatëve atdhetarë aty u përfshinë dispozita të tëra, që i shërbenin Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe që binin ndesh me interesat e Portës së Lartë. Kështu, në nenin 1 thuhej se qëllimi i Lidhjes së Prizrenit ishte të mbronte tërësinë tokësore të Perandorisë Osmane, me të cilën Lidhja nënkuptonte edhe mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë, kurse në nenin 6 shpallej në formë edhe më të qartë e më të prerë, se Lidhja do të kundërshtonte vetëm lëshimet tokësore në favor të Bullgarisë, të Serbisë dhe të Malit të Zi (pra, jo kundër tokave që do të merrte Rusia dhe Austro-Hungaria), që do të thoshte se ajo do të luftonte vetëm për mbrojtjen e tërësisë së trojeve shqiptare.

    E vështruar nga kjo pikëpamje, Kararnameja i përgjigjej detyrës së parë e kryesore që qëndronte para Lidhjes dhe Lëvizjes Kombëtare Shqiptare: lufta për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut, të Shqipërisë. Po ashtu, ajo shprehte synimet vetëqeverisëse të shqiptarëve. Nga njëra anë thuhej se Lidhja e Prizrenit do ta shihte si armik çdo njeri që do të përpiqej të dobësonte autoritetin e qeverisë osmane (neni 2), ndërsa nga ana tjetër, ajo e vishte veten dhe komitetet e saj me funksione pushtetore të veçuara nga ato të Stambollit (neni 14), të cilat e dobësonin autoritetin e Portës së Lartë në Shqipëri. Lidhja trajtohej në Kararname si një institucion politik, me një personalitet juridik të pavarur nga Porta e Lartë. Qeveria e Stambollit, thuhej në nenin 14 të saj, “nuk do të përzihet në asnjë mënyrë në çështjet e Lidhjes”. Por ajo që e theksonte më shumë karakterin e saj të pavarur ishte e drejta që fitoi Lidhja me anën e Kararnamesë për të ngritur në këmbë forca të armatosura, të veçuara nga ushtria perandorake osmane, dhe për të hyrë në luftë kundër fuqive të huaja, pavarësisht nga qëndrimi i Portës së Lartë.

    Lidhja merrte përsipër edhe disa prerogativa në fushën administrative e gjyqësore. Të gjitha këto dëshmojnë se referimi në ndonjë rast te feja islame ose përfshirja në të e shprehjes së besnikërisë ndaj Perandorisë Osmane, nuk përcaktonin karakterin e vërtetë të Kararnamesë, nuk cenonin përmbajtjen e saj themelore, që i përgjigjej synimeve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në atë periudhë. Veç kësaj, ky nuk ishte programi përfundimtar i Lidhjes, i cili do të miratohej në një mbledhje më të përgjithshme të Kuvendit, ku të merrnin pjesë përfaqësuesit e të gjitha krahinave të Shqipërisë. Në dokumentin tjetër, që Kuvendi i Përgjithshëm miratoi po atë ditë (më 17 qershor 1878), i cili u quajt Talimat (Urdhëresë), trajtoheshin aspektet organizative, politike e ushtarake të Lidhjes. Urdhëresa, ndryshe nga Akti i Vendimeve, ishte e zhveshur nga çdo referim te feja islame, si dhe nga deklarata e besnikërisë ndaj Perandorisë Osmane. Veç kësaj, funksionet pushtetore të Lidhjes këtu ishin më të theksuara. Në Urdhëresë flitej haptas se Lidhja do të formonte një administratë qendrore me seli në Prizren, të përbërë nga përfaqësues të çdo sanxhaku, nga e cila do të vareshin administratat lokale të kazave. Krahas kësaj administrate të veçuar do të krijohej edhe një ushtri e shkëputur nga ajo e Portës së Lartë, e cila do të varej drejtpërdrejt nga Lidhja.

    Nëpërmjet Kararnamesë, delegatët e Kuvendit të Përgjithshëm shpallën Prizrenin si kryeqytetin e Lidhjes. Lidhja vendosi të ngrinte një ushtri të rregullt, të disiplinuar dhe të ndërgjegjshme, të aftë për të mbrojtur atdheun. Në Talimat përfshihej edhe një shtojcë që përmbante një varg masash konkrete për dislokimin e menjëhershëm të forcave të armatosura të Lidhjes së Prizrenit në pikat kryesore strategjike, si në Guci, në Rugovë, në Kolashin, në Prepol, në Senicë, në Tashllixhe, në Mitrovicë, në Gjilan, në Palankë, në Shkodër e gjetkë. Prej këtej ato do të mbronin viset shqiptare, nëse Kongresi i Berlinit do t’ua jepte Serbisë, Bullgarisë e Malit të Zi. Sipas Talimatit, Kuvendi Kombëtar parashihte të ngrinte, në rast nevoje, një ushtri kombëtare prej 190 mijë vetash.

    Lajmi i formimit të Lidhjes në Prizren u përhap menjëherë në Shqipëri dhe pati jehonë në të katër anët e vendit. Kudo filloi një diskutim i zjarrtë rreth vendimeve të Kuvendit të Prizrenit. Me këtë rast atdhetarët përparimtarë kërkuan që të mblidhej përsëri Kuvendi i Përgjithshëm, në të cilin të merrnin pjesë përfaqësuesit e krahinave shqiptare të të katër vilajeteve. Në protestat, që popullsia e krahinave të ndryshme i drejtoi gjatë atyre ditëve Kongresit të Berlinit, mbahej një qëndrim krejt i ndryshëm ndaj Stambollit, nga ai i krahut sulltanist. “Ashtu sikurse nuk jemi dhe nuk duam të jemi turq, po ashtu do të luftojmë me të gjitha forcat tona kundër cilitdo që do të kërkonte të na bënte sllavë, austriakë ose grekë”, thuhej ndër të tjera në një memorandum drejtuar, më 13 qershor 1878, kryeministrit britanik, lordit Bikonsfild (Beaconsfield), nënshkruar nga rreth 500 qytetarë shkodranë, të cilët kërkonin respektimin e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe formimin e një shteti shqiptar të pavarur.

    Me telegramet që i drejtonin Kongresit të Berlinit në ditët e mëpasme, përfaqësuesit e kazave shqiptare të vilajeteve të Shkodrës, të Janinës, të Kosovës e të Manastirit kërkonin gjithashtu, si shqiptarë, respektimin e tërësisë tokësore të atdheut të tyre, të Shqipërisë. Të tilla kërkesa iu paraqitën areopagut ndërkombëtar edhe nga shqiptarët e mërguar jashtë Shqipërisë, madje edhe nga grupe shqiptarësh që ndodheshin në Stamboll. Në një memorandum, drejtuar më 20 qershor 1878 ministrave të Jashtëm të Fuqive të Mëdha nga një grup personalitetesh shqiptare që banonin në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, midis të cilëve bënin pjesë edhe disa anëtarë të Komitetit të Stambollit (Pashko Vasa, Sami Frashëri, Ali Danish Prishtina, Sermedi Seid Toptani dhe Abedin bej Dino), pasi protestohej në emër të popullit shqiptar kundër copëtimit territorial të atdheut, shtrohej kërkesa për t’i dhënë Shqipërisë një rregullim të veçantë administrativ, sipas një projekti të hartuar prej një komisioni të përbërë nga shqiptarë dhe të miratuar nga Porta e Lartë.

    Paralelisht me rritjen e lëvizjes masive në të mirë të platformës kombëtare, përfunduan edhe përgatitjet për mbledhjen e Kuvendit të Përgjithshëm. Në fund të qershorit në Prizren arritën delegatët e pothuajse të gjitha krahinave shqiptare. Në të njëjtën kohë u kthye nga Berlini edhe delegacioni shqiptar, i kryesuar nga Abdyl Frashëri, që kishte shkuar atje për t’u paraqitur Fuqive të Mëdha të mbledhura në Kongres, Peticionin me kërkesat e Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit. Shumica dërrmuese e delegatëve ishte edhe më e vendosur për ta mbrojtur deri në fund programin politik kombëtar të Lidhjes. Madje disa delegatë, si për shembull ata të Shkodrës, kishin porosi nga popullsia e tyre që “të mos pranonin asgjë që mund të interpretohej si forcim i frymës islamike” dhe “po të vinin re se Lidhja po i shmangej rrugës kombëtare për të hyrë në rrugën thjesht fetare, të largoheshin prej saj”.

    Kuvendi i Përgjithshëm u mblodh në Prizren më 1 korrik 1878. Nga 300 delegatët që, sipas disa dëshmive, kishin ardhur në Prizren, njihen të paktën 140 emra, nga të cilët 96 nga Kosova, 26 nga Shkodra dhe 20 nga vilajeti i Janinës. Pas dy ditë diskutimesh Kuvendi i Përgjithshëm miratoi, më 2 korrik 1878, një Rezolutë ose Kanun të ri për Lidhjen e Prizrenit, me të cilin u bënë hapa të rëndësishëm në përpunimin e mëtejshëm të programit të Lidhjes. Kanuni i ri e shpalli botërisht organizatën e formuar në Prizren si Lidhje Shqiptare dhe organin e saj qendror e quajti Komitet Kombëtar. Statuti i ri ishte pastruar nga ndonjë formulim me karakter fetar islamik dhe nga ideja e besnikërisë ndaj Perandorisë Osmane, që kishin pasur vend në Kararname. Në tekstin e Kanunit thuhej shprehimisht se Lidhja do të luftonte për të drejtat kombëtare të Shqipërisë dhe se veprimtarinë e saj do ta shtrinte vetëm në trojet shqiptare. Ai i jepte të drejtë Komitetit Kombëtar të formonte nënkomitete të Lidhjes në qendrat e sanxhakëve të Shqipërisë, të organizonte një ushtri të armatosur për të mbrojtur trojet shqiptare, të shpallte mobilizimin ushtarak të të gjithë burrave të aftë për armë, të vilte, për nevojat e veta buxhetore, një sërë taksash të ndryshme dhe të jepte dënime penale kundër dezertorëve nga Lidhja Shqiptare.

    Kuvendi mori edhe masat e nevojshme për anët organizative të Lidhjes. Në një mbledhje të fshehtë, që u zhvillua natën në shtëpinë e atdhetarit prizrenas Shuaip Spahiu, u zgjodhën anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, që vishej me funksione legjislative dhe, të Komitetit Kombëtar, që do të ushtronte funksione ekzekutive. Në Këshillin e Përgjithshëm u zgjodhën 56 anëtarë nga krahinat shqiptare të të katër vilajeteve, të cilët ishin nga të gjitha besimet fetare dhe përfaqësonin forcat atdhetare të vendit. Midis tyre ishin: Iljaz pashë Dibra, Ali pashë Gucia, Sheh Mustafa Tetova, Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka, Ahmet Koronica, Haxhi Shabani, Binak Alia, Ali Ibra, Ali pashë Draga, Ali bej Tirana, Qazim bej Gjirokastra etj. Si kryetar i Këshillit mbeti përsëri Iljaz pashë Dibra. Tri komisionet e Komitetit, të pajisura me funksione dikasteriale, mbetën siç ishin, nën kryesinë e Abdyl Frashërit, të Haxhi Shabanit e të Sulejman Vokshit.

    Kanuni, i miratuar më 2 korrik 1878, shënonte fitoren e plotë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në gjirin e Lidhjes së Prizrenit. Kjo fitore ishte e dyfishtë. Nga njëra anë, detyra për të mbrojtur vetëm trojet shqiptare, me të cilën e ngarkoi ky kanun, e ktheu përfundimisht Lidhjen e Prizrenit në një organizatë politike kombëtare dhe i dha të drejtën për ta përfaqësuar Shqipërinë e robëruar në arenën ndërkombëtare. Nga ana tjetër, të drejtat që i dha po ai kanun për të pasur administratë, ushtri, buxhet dhe gjyqe të veçanta, e pajisën Lidhjen e Prizrenit me funksione pushtetore të veçuara nga ato të shtetit centralist osman. Në të vërtetë, me këto të drejta, që u sanksionuan në kanunin e 2 korrikut 1878, Lidhja e Prizrenit fitoi bazën ligjore për të ngritur shkallë-shkallë një shtet autonom shqiptar brenda shtetit perandorak osman.

    Kuvendi i Gjirokastrës (23 korrik 1880) Sukseset që u arritën gjatë pranverës kundër administratës osmane të vilajeteve, paaftësia e Portës së Lartë për ta ndaluar vrullin e luftës së masave shqiptare dhe jehona që patën këto suksese në arenën ndërkombëtare i dhanë një shtytje të mëtejshme lëvizjes autonomiste në Shqipëri. Por vendimi që morën Fuqitë e Mëdha brenda e jashtë Konferencës së Berlinit, për ta detyruar Portën e Lartë që t’i kënaqte Athinën dhe Cetinën me lëshime territoriale në Çamëri e në Ulqin, krijoi një rrethanë thellësisht të ndërlikuar për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Qarqet atdhetare të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, duke qenë të bindura se Porta e Lartë në gjendje paqeje nuk do t’i jepte asnjë të drejtë kombëtare Shqipërisë dhe se këto mund të siguroheshin vetëm nëse asaj i krijohej një gjendje pa rrugëdalje, këmbëngulën që lufta për autonominë e vendit të vijonte edhe në këto kushte. Sipas pikëpamjes së tyre, ishte e nevojshme që lufta kundër copëtimit të trojeve shqiptare të shkrihej me luftën për të drejtat autonomiste të Shqipërisë. Në një rast të tillë, mendonin ato, Porta e Lartë do të ngurronte të hapte një luftë frontale kundër gjithë Shqipërisë, aq më tepër që fuqitë perëndimore, në radhë të parë Britania e Madhe dhe Austro-Hungaria, do ta detyronin Perandorinë Osmane ta shmangte me çdo kusht këtë konflikt me shqiptarët për të mos përfituar prej tij Rusia cariste. Këto çështje pritej të diskutoheshin në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare që u mbajt në Prizren në dhjetëditëshin e fundit të korrikut të vitit 1880. Këshilli do të vendoste rreth masave që duheshin marrë për të pranuar lëshimin e territoreve që Konferenca e Berlinit ia kishte dhënë Greqisë, si edhe për të kundërshtuar vendimin e Konferencës së Stambollit për Ulqinin. Mbledhja e korrikut e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes kishte një përbërje mjaft të gjerë, megjithatë burimet dokumentare të njohura deri më sot heshtin rreth vendimeve të tij. Në të njëjtën kohë Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes për Shqipërinë e Jugut, sapo mori njoftim për rezolutën e 1 korrikut të Konferencës së Berlinit për ratifikimin në favor të Greqisë të kufirit greko-turk, vendosi të mbledhë në Gjirokastër një kuvend tjetër të Lidhjes Shqiptare. Ndryshe nga sa ishte menduar në fillim, Kuvendi i Gjirokastrës nuk pati karakter ndërkrahinor, por mbarëshqiptar. Sipas njoftimit që jep konsulli rus, Trojanski, Kuvendi u vendos të mblidhej në Gjirokastër për të qenë më afër qendrës së trojeve shqiptare, më larg presionit të qendrës së vilajetit dhe ndërhyrjes së agjentëve të huaj që ndodheshin në Janinë. Kuvendi u mblodh më 23 korrik 1880. Aty morën pjesë kryesisht krerët shqiptarë myslimanë e të krishterë të Beratit, të Përmetit, të Vlorës, të Labërisë dhe të Çamërisë. Por, sipas të dhënave të konsullatës austro-hungareze në Prevezë, në këtë Kuvend kanë marrë pjesë përfaqësues nga e gjithë Shqipëria, jo vetëm nga jugu, por edhe nga Gegëria, ndërsa krahinat që nuk dërguan dot përfaqësuesit e tyre, i miratuan vendimet e tij me shkrim. Punimet e Kuvendit i drejtoi Abdyl Frashëri. Çështja themelore që u trajtua aty ishte: autonomia e Shqipërisë, koha e shpalljes dhe mënyra e realizimit të saj. Kuvendi i Gjirokastrës vendosi që, në rast se qeveria e Stambollit do të shtrëngohej të zbatonte rezolutën e Konferencës së Berlinit ose në rast se Greqia do të orvatej t’i merrte me dhunë tokat shqiptare që asaj i qenë premtuar, Lidhja Shqiptare do të shpallte menjëherë një qeveri të përkohshme kombëtare. Me formimin e saj do të merrte fund sundimi osman në Shqipëri. Sapo të shpallej qeveria e përkohshme shqiptare, do të pushoheshin nëpunësit turq dhe do të zëvendësoheshin nga nëpunës shqiptarë pa dallim feje. Të ardhurat shtetërore do të administroheshin nga qeveria e përkohshme për nevojat e Lidhjes Shqiptare. Menjëherë do të hartohej një kushtetutë, e cila do të garantonte sigurinë e personit, të pasurisë dhe ushtrimin e lirë të fesë. Qeveria e përkohshme do të merrte të gjitha masat për të vendosur rendin dhe qetësinë shembullore në mbarë vendin. Për këtë qëllim do të dënoheshin me rreptësi jo vetëm autorët e krimeve, por edhe tradhtarët e vendit. Në të njëjtën kohë do t’i kushtohej një kujdes i veçantë ushtrisë kombëtare, në radhët e së cilës do të inkuadroheshin të gjithë nizamët, rezervistët dhe oficerët shqiptarë që shërbenin në ushtrinë osmane. Kuvendi i Gjirokastrës vendosi që Shqipëria të mos kalonte përtej caqeve të një shteti autonom nën sovranitetin e sulltanit. Megjithatë, marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë autonome dhe Perandorisë Osmane do të kufizoheshin në minimum. Sulltani do të kishte vetëm një të drejtë: të emëronte guvernatorin e përgjithshëm të Shqipërisë, kurse Shqipëria detyrohej t’i paguante Portës së Lartë një tribut vjetor në të holla dhe të ndihmonte me një kontigjent të caktuar ushtarësh shqiptarë në rast lufte me shtetet e huaja. Për kompensim Perandoria Osmane do të detyrohej ta mbronte ushtarakisht Shqipërinë nga çdo agresion i jashtëm. Lidhur me rezolutën e Konferencës së Berlinit të 1 korrikut 1880 Kuvendi i Gjirokastrës mbajti të njëjtin qëndrim që kishte përcaktuar më parë Lidhja. Shpalli se shqiptarët nuk kishin punë me Thesalinë, por ishin të vendosur të kundërshtonin me çdo kusht një copëtim të Shqipërisë së Jugut (të Epirit). Kuvendi shprehu gatishmërinë e shqiptarëve për t’u hedhur menjëherë në front, në qoftë se ushtritë greke do të shkelnin kufirin. Kuvendi vendosi të merrte edhe masa konkrete ushtarake për mbrojtjen e tërësisë së Shqipërisë, duke ngritur për këtë qëllim ushtrinë kombëtare. Për ta detyruar Perandorinë Osmane që ta njihte de jure autonominë e Shqipërisë, udhëheqësit mendonin të tërhiqnin në veprime luftarake shtresat e gjera popullore dhe ta vinin Portën e Lartë para faktit të kryer. Sipas tyre, fakti i kryer do të siguronte në të njëjtën kohë edhe mbështetjen e atyre Fuqive të Mëdha, të cilat nuk dëshironin trazira të brendshme, që do ta dobësonin më shumë Perandorinë Osmane. Ata mendonin të siguronin mbështetjen e tyre duke tërhequr simpatinë e opinionit botëror në favor të kryengritjes çlirimtare dhe duke dhënë prova se shqiptarët ishin të përgatitur për të organizuar shtetin e tyre kombëtar. Kuvendi zë një vend të rëndësishëm në historinë e Lidhjes Shqiptare. Ai shënoi një shkallëzim të mëtejshëm të luftës për autonominë e Shqipërisë dhe shtroi për herë të parë, në shkallë kombëtare, krijimin e një qeverie të përkohshme shqiptare. Me vendimet e tij Kuvendi i Gjirokastrës ua parashtroi edhe njëherë Fuqive të Mëdha përgjigjen kategorike se shqiptarët nuk do të lejonin në asnjë mënyrë copëtimin e territoreve të atdheut të tyre. Fill pas mbylljes së Kuvendit të Gjirokastrës pjesëmarrësit u shpërndanë përsëri në viset e tyre, me qëllim që të mobilizonin forcat ushtarake për të mbrojtur tërësinë e trojeve shqiptare dhe për të siguruar të drejtat kombëtare. Tërheqja e shtresave të gjera të popullsisë në platformën atdhetare të krahut radikal të Lidhjes i dha shtytje lëvizjes autonomiste. Fill pas mbylljes së Kuvendit të Gjirokastrës në mjaft krahina të Jugut u rritën veprimet e popullsisë për dëbimin e nëpunësve turq nga administrata lokale dhe për kthimin e saj në administratë shqiptare. Një muaj më vonë, në gusht 1880, konsulli rus në Janinë, Trojanski, raportonte në lidhje me gjendjen në Çamëri: “Qeverisja e vilajetit tani po kalon dalëngadalë në duart e shqiptarëve, të cilët përpiqen të largojnë që këtej të gjithë nëpunësit me origjinë joshqiptare dhe kanë pasur aq sukses në këtë punë, saqë në rrethet e Epirit Veriperëndimor Lidhja Shqiptare vepron pothuajse në mënyrë të pavarur”.

  2. Alket Bushi Says:

  3. Jeronim Cetta Says:

    lidhja e prizrenit-dhe lahuta e malsise e gjrgj fishtes e recituar nga artisti i madh Reshat Arbana…

  4. Besarta Dema Says:

    A keni diqka per : “un luftoj veq per liri “

  5. verona Says:

    Komentimin

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: