KUR SKA ME IDE

by

 

nga Alphonse Allais, përkthyer nga origjinali (frëngjisht)
Urim Nerguti

I

Ai e hasi një ditë në rrugë, dhe e ndoqi deri në shtëpi. Nga larg dhe respektueshëm.

Megjithatë, s’ishte as i ndrojtur e as i ngathtë, por kjo gruaja e re i dukej aq e virtytshme, aq e ndershme, sa do të kishte bërë ndonjë krim që ta shqetësonte, qoftë dhe në sipërfaqe, këtë qetësi kaq të bukur !

Dhe ishte për të ardhur keq në fakt, se atij s’i kujtohej të kishte takuar një vajzë kaq të bukur, ai që kishte parë aq shumë dhe që vdiste për to.

Vajzë e re apo grua e re, askush s’mund ta thoshte, por fundja, një krijesë e adhurueshme.

Një veshje shumë e thjeshtë, prej leshi, i mbështillej ngjitur për beli, një bel i ri dhe i epshëm.

Një vello e lehtë ia mjegullonte fytyrën, që nga poshtë dukej delikate dhe elegante.

Ndërmjet jakës së veshjes dhe vellos shfaqej një copë qafë, një copë fare e vockël.

Dhe kjo copë lëkure e bardhë, e freskët, i jepte djalit të ri një lakmi të tërbuar për të marrë vesh nëse edhe pjesa tjetër ishte në përputhje.

Nuk guxoi.
Ngadalë, dhe jo pa njëfarë madhështie, ajo u fut në shtëpi.
Ai qëndroi në trotuar, më i turbulluar nga ç’donte t’ia pranonte vetes.
– Për besë, thoshte ai, ç’vajzë e bukur !
Dhe lëshoi një psherëtimë :
– Sa keq që qenka një grua e ndershme !

Zemra i lëshoi aq shumë sa ia mbushi mendjen vetes që ta shihte sërish, të nesërmen dhe më tej.
E ndoqi gjatë me një admirim në rritje dhe me një respekt që s’u përgënjeshtrua kurrë.
Dhe sa herë që ajo kthehej në shtëpi, ai rrinte aty në trotuar, i harlisur, dhe mërmëriste :
– Sa keq që qenka një grua e ndershme !

II

Nga mesi i prillit të vitit të kaluar, nuk e hasi më.
– Pa shiko ! tha me vete ai, paska ndërruar shtëpi.
– Aq më mirë, shtoi pastaj, se kisha filluar vërtet të më ikte truri.
– Aq më mirë, ia bëri prapë, për t’ia vënë kapakun.
E megjithatë, imazhi i personit të bukur nuk iu zhduk plotësisht nga zemra.
Sidomos ajo copa e vockël e qafës, pranë veshit, që shquhej mes jakës së veshjes dhe vellos, ajo ia shponte trurin si një turjelë.
Nja njëzet herë, i vajti mendja të merrte vesh për adresën e re.
E nja njëzet herë, me një monedhë në dorë, iu afrua banesës së vjetër, për të pyetur rojen.
Por në çastin e fundit, zmbrapsej dhe largohej, duke e futur në xhep paranë joshëse.
Rasti e solli që kjo roja, u mor me këtë punë për t’i vënë bashkë të dy, këtë djalin e ri kaq të dashuruar dhe atë vajzën e re aq të pastër.
Por mjerisht ! vajza e pastër nuk ishte më e pastër.
Ishte bërë një kuçkë.
Dhe po aq e bukur, prapë !
Madje shumë më e bukur !
Dhe e pacipë !
Kjo ishte në Eden.
Ajo eci gjatë tërë mbrëmjes, pa ia varur fare shfaqjes.
E ai e ndoqi si gjithmonë, admirues dhe i respektueshëm.
Disa herë me radhë, ajo piu shampanjë me ca zotërinj.
E ai e priste në tavolinën ngjitur.
Por ishte shampanjë pa ndonjë pasojë.
Sepse pak para se të mbyllej shfaqja, ajo doli vetëm dhe u kthye në shtëpi, në këmbë, ngadalë, si dikur, dhe jo pa njëfarë madhështie.
Kur u mbyll dera e shtëpisë, ai qëndroi aty krejt i harlisur, në trotuar.
Lëshoi një psherëtimë dhe mërmëriti :
Sa keq që qenka një kuçkë !

 

Tags: , ,

5 Responses to “KUR SKA ME IDE”

  1. xhibi Says:

    Interesant si qasje tregimi, me te qeshur me te ngjeshur.😛

    Gjendet ne anglisht gjekundi, kot per krahasim, meqe nga Peshku u ankuan per perkthimin thjesht si perkthim dhe jo ngaqe e akuzojne autorin si kriptoberishist?😀

  2. ehe... Says:

    Xhib, tungatjeta.

    Nuk di gje a gjendet anglisht, s’kam kerkuar. Ketu, me ç’po shoh, ska asnje ankese. Do t’i isha pergjigjur kujtdo, por askush ska shkruar gje, ketu. Per ne vende te tjera, s’kam deshire te pergjigjem per asgje, kjo i kalon trojet e juridiksionit tim.

    Ne lidhje me “kriptoberishist” : nuk di kush me akuzon keshtu, por mendoj se e ka gabim. Nuk jam kripto por jam haptas-anti-ramist. Arsyet i kam shpjeguar gjere e gjate ne nje teme tjeter, ketu tek TC, duke komentuar nje tekst te Post Spleen mbi “mosvotimin”.
    ___________

    Ne lidhje me pjesen me lart : mik, Allais ishte nje shkrimtar qe vetem keshtu dinte te shkruante : me nje lloj shperfilljeje apo qesendie qe mbase ca Shqiptare s’kane pantallona t’i marrin vesh. Shiko nje rast tjeter, eshte e bukur kjo :

    Eshte njeri qe eshte zemermire sa s’behet me. I ishte mbushur mendja se s’kishte pasur fat ne jete, donte te vriste veten. Dhe iu thoshte te tjereve se çudi si doni te jetoni ju, se kjo jete s’ia vlen. Mendohet si te vrase veten, me plumb a me varje a me plasmas ne koke a zhytje te kokes ne kove uji, eh mire, vendos per varje me litar. Litarin, e zgjedh terkuze nga ata te gomereve.
    Mirepo tipi ishte aq zemermire sa mendon t’i ndihmoje bashkefshataret e vet. Dhe ç’ben ? Merr nje cope terkuze te gjate, dhe shkon ne nje fushe ku ka ca plepa te gjate, shume te gjate. Hip ne degen me te larte. Lidh terkuzen, e hedh ne qafe, dhe leshohet si cung teposhte. Terkuzen e kishte llogaritur sa per nja 10 cm siper dheut. Mjeshter, s’ke ç’i thua !
    Te nesermen, fshataret shkojne ta shohin. Dhe ç’bejne ? Kete terkuzen qe ky e kishte marre kastile te gjate per t’ua lene fshatareve qe ta ndanin mes veti (shpirtmire pra !) per te varur veten dhe keta, fshataret e marrin dhe e ndajne copa-copa, secili me nga nje pjese, dhe e perdorin per te lidhur gomeret ne leme. Perfytyro sa i pakuptuar shkoi ky hallkeqi.

    Do thote ndonjeri, po kete “hallkeq” nga na e nxore, s’e permban fjalori i shqipes… Eh mire, aq na ben, pergjigjemi na.
    _________

    Ku mund te te shkruaj ne “privat” ?
    Kalofsh bukur.

  3. Alket Bushi Says:

    Pjese mjaft e gjetur. Disa verejtje gjuhesore per perkthimin:

    “…një bel i ri dhe i epshëm.” – Kjo “epshem” nuk eshte gjuhesisht mire, duhej te ishte “i epshshem”, por nuk e di me siguri a lejohen dy “sh” rradhazi ne shqip. Mund te ishte ndoshta “beli epshor”, por me duket sikur merr sens tjeter. “I hajthshem” mendoj se do ishte zgjidhja per t’i shpetuar dy “sh”-ve.

    Nuk me duket e shijshme te thuhet “cope qafe”, mendoj se duhet gjetur diçka tjeter, ose te pakten te ishte “copez” apo “pjesez”. Dhe gjithashtu “qendronte krejt i harlisur” perseritet ne te dyja pjeset dhe, them, per larmi, heren e dyte duhej shprehur me nje tjeter fjale (por ketu ndoshta vete autori eshte shprehur me te njejtin figuracion).

    “Zemra i lëshoi aq shumë sa ia mbushi mendjen vetes që ta shihte sërish, të nesërmen dhe më tej.” Kete “i leshoi” nuk e kuptoj ne lidhje me logjiken e fjalise. Mos eshte “iu leshua”? Prape nuk me del me sens, per arsyen se pse leshimi i zemres do ta bente ta shihte serish? Apo eshte ne kuptimin qe pasioni i tij fitoi mbi te dhe e beri nje “skllav” te asaj femre?

    Shkruhet “smbrapsej” dhe jo “zmbrapsej”, “ky roja” dhe jo “kjo roja”, por keto jane me siguri gabime shpejtesie ti cilat Darieni mund t’i rregulloje.

    “Hallkeqi” nje togfjalesh i gjetur, s’e kisha lexuar me pare. Tana t’mirat!

  4. ehe... Says:

    Tungatjeta, Alket.

    – Kjo puna e “kur ska me ide”, eshte, po ta perkthejme ne shqip shqipçe, “te ngelesh me gisht ne goje”. Ne fakt, “kur ska me ide”, pillen lloj-lloj gjerash pastaj, psh Grisi fryhet dhe shfryhet brenda nates, dhe pastaj Eduarta, shoqja e dhomes, shkon e mbledh shoqet e konviktit dhe ben proteste para kujdestarit, ngaqe fryrja dhe shfryrja eshte diçka e pazakonshme qe kujdestari duhet ta kishte vene re dhe te mos e linte gjendjen te katandisej keshtu. “Kur ska me ide”, eshte edhe kjo : Eduarta, qe po mendon te zgjidhet kryetare e shoqates konviktore, thote se po me zgjodhet mua, i keni numeruar votat mire, e po s’me zgjodhet mua, e ka fajin kujdestari. “Kur ska me ide”, eshte e tmerrshme, ja si puna ime tani qe m’u thane idete.

    – Kjo puna e leshimit te zemres, kjo eshte nje shprehje qe e perdorim ne katundin tim, ne kete menyre : I them une nje shoqes sime : Te lutem, te pergjerohem, ma rregullo nje takim me “mollen”, se me ka leshuar keq zemra ne te. “Te te leshoje zemra pas diçkaje”, eshte qe te te behet fiksim ne tru. Psh, kohet e fundit, me ka leshuar zemra te blej nje vile ne breg te detit, diku nga Franca. Me ka leshuar keq fare, s’po fle dot. Se çfare do te bej per kete pune, kjo eshte diçka tjeter, por e rendesishme eshte qe te te leshoje zemra njehere, e pastaj shohim e bejme. Se ka edhe njerez qe s’iu leshon zemra per asgje, edhe pastaj hop more ku je, ku rafsha mos u vrafsha.

    – Beli i epshem, or lum miku, eshte nje bel qe psh eshte shume i pershtatshem per t’u rrokur keshtu si vetetimthi, kupton ti, alla Xhejms Bond me ndonje Ursula qe ia beh nga deti si bishe. Ajo qe thua ti, eshte tjeter, epshshem, nga fjala “epsh”. Kurse fjala qe kam perdorur vjen nga “ep”, nje modifikim i “jep”, nje diçka qe ofrohet lehte, qe epet, qe dorezohet, etj etj.

    – Per “copen” e qafes, aty eshte e tere bukuria. Allaisi eshte gangster, ka deshire ta habise lexuesin, krijon ca fjali ku ka nje ironi goxha te madhe. Si shkrim, e ka shume te mire, por kam vene re se mbylljet çalojne pak. Dmth, nganjehere ka nje ide fare te vockel, por thjesht di ta mbushe mire. Po na ra rasti, do te sjell dhe ca fjali te tjera, te shkeputura, thjesht per te vene ne dukje se qesendia ishte qejfi i tij.

    – Kurse ajo “qendronte i harlisur”, ajo duhet se s’ben qe te ruhet ne te njejten forme, per arsyen e vetme se pjesa I dhe II jane si kopje te njera-tjetres dhe thjesht eshte permbysur perspektiva : nga goce e mire e me te gjitha, ne goce e keqe dhe pa te gjitha. Fjalia e fundit e dy pjeseve, ti e sheh qe eshte identike, kjo behet per te mos e hallakatur mendjen ne fjale te reja, por per t’u rikthyer ne baze, aty ku ishe. Kur ti lexon ate “qendronte i harlisur” te dyten, ti kthehesh me mendje tek fundi i pjeses se pare dhe pret tani renien : po he more Allais, ç’do te na thuash tani ? Dhe ai thote ate qe i do qejfi.

    – Roja eshte roje dhe roiu. Eshte ne femerore, pavaresisht se kush eshte roje : nje burre apo nje grua. Si perfundim, kur shkruajme roja, duhet thene gjithmone : “roja ishte e gjate, e mbushur ne trup, etj”, dhe, nqs kercen nga “roja” tek Aristidhi, siç i quajne rendom rojet, atehere shkruhet : Aristidhi ishte i gjate, i mbushur ne trup, etj.
    Nganjehere, ka fjali ku permenden te dy ne nje vend : edhe “roja” si emer femeror, edhe Aristidhi si emer mashkullor. Ketu, e njejta gje, duhet bere kujdes qe perputhjet e mbaresave te behen sipas personit per te cilin flasim.

    Ka dhe nje fjale aty, ne tekst, “ne perputhje”. Ajo eshte e bukur shume, tipike allaisiane. Sepse ai deshiron te thote se ky tipi qe ska ide, ka nje deshire te zjarrte qe t’ia shohe tere trupin kesaj gruas, qe te bindet se edhe lekura tjeter eshte NE PERPUTHJE me ate ç’ka pare ne copen e qafes. Shkurt fjala, ai do te bindet a eshte aq e bukur ajo sa kjo copa e qafes qe siç duket ia luan trurin nga vendi ?

    Por kete ne s’mund ta dime sepse ajo vajza nuk u zhvesh fare, ne perputhje apo jo ne perputhje, kjo do te mbetet nje enigme tiranokollingce.

  5. Alket Bushi Says:

    Kuptova. Ate punen e leshimit te zemres nuk e dija, megjithese, per mendimin tim, dialektalizmat, qofte edhe ne kuptim, jane pak te rrezikuara nga moskuptimi, siç ndodhi ne rastin tim. Sa per ate “i epshem” me shkoi mendja se kishte lidhje me fjalen “ep”, por pastaj u terhoqa nga kjo sepse vajza pershkruhej si mjaft e perkore, pra si mjaft e permbajtur per te qene e epshme, nejse, tek kjo u kuptuam. Edhe per copen e qafes ne rregull, ndoshta per shkrime te tilla “pahijshmeria” e te shprehurit eshte e qellimshme. Po te ishte ne nje roman serioz, nuk do e pelqeja. Po, per harlisjen me bere ta kuptoj arsyen, dakord. Nuk jam dakord me gjinine e fjales roje. Pavaresisht gjinise se fjales si fjale, perparesi ka gjinia se ciles i mvishet kjo fjale. Patjeter qe jo te gjithe rojet jane meshkuj, por kjo duhet sqaruar, po the “roje”, te gjithe mendojne se eshte mashkull. Po marr nje shembull tjeter: “Besa” si shkurtim i “Besnik”. “Besa” eshte gjini femerore si fjale, por nese po flet per Besnikun, nuk mund te thuash “kjo Besa”. Ose “Ingriti”, si emer femre, nuk mund te thuash “ky Ingriti”. Pra, edhe nje here, per emrat cilesore qe u mvishen njerezve, nuk ka rendesi gjina e fjales, por gjina e personit se ciles i eshte mveshur ky cilesim. Edhe po te ishte femer roja, nuk mund te thuhej “kjo roja”, por “kjo rojtarja”. Do ishte ndryshe vetem nese me fjalen “roja” nenkupton te ruajturin ne vetvete, pra aksionin, jo personin qe kryen aksionin, ne sensin “ai bente roje”. Ne kete rast gjinia eshte femerore dhe mund te thuhej pa teklif pershembull “kjo roja qe bente ai, ishte gjume, gjume dhe vetem gjume”.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: