Më trego kodrën gjysh!

by

nga Dorian Isai

Kodrina stërzgjatej përbri përroit me shtëpitë e fshatit  ngjitur pas terrenit të pakët si kërmij që kishn mbirë nga kërpudhat.Ajo,më shumë i ngjante një mase të stërmadhe dheu ngjeshur aty nga tekat e zanave ,ishte paradhoma e fshatit ndaj  maleve që e rrethonin me hijet e  fuqishme dhe e mbronte nga erërat e ftohta që vinin prej tyre.Që nga fëmijëria e hershme, kur kisha filluar të shquaja detajet e ambjentit që më rrethonte kisha hulumtuar pa dashur gjithë kodrën, deri në hollësi.

Ishte një “objekt” që gjëndej përherë aty dhe edhe pa dashjen time depërtoja brënda saj,herë i shtyrë nga kuiroziteti e herë nga një dëshirë e brëndshme dhe e pakuptueshme,ndoshta diçka e ngjashme me dëshirën që kanë qentë për të nuhatur çfarë kanë rreth tyre.Kisha parë pemët e djegura në të,kisha vërejtur sesi rrufetë i kishin rrjepur ato nga gjethet dhe lëkura me një goditje të thatë e të vetme prej kasapi të zhurmshëm e kishin bërë që të dukeshin si pula të rrjepura,çuditërisht akoma në këmbë.I kisha numëruar këto pemë të djegura si akt përfundimtar i njohjes sime ndaj tyre dhe i shihja ndërsa me kokëfortësi vazhdonin të gjallonin mes gjelbërimit që i rrethonte.Banoja ngjitur me kodrinën dhe pas një farë kohe e shihja si  pjesë të vehtes, më pëqente ta hulumtoja por nuk doja ta eksploroja deri në thellësi,nuk kisha menduar se duhej të ngjitesha në  të edhe pse duke qënë se ishim aty, të përditshëm, e dija se një ditë do të ndodhte.Më pëlqente që ishte gjithmonë e gjelbër, me pisha të dëndura që fshinin truallin poshtë tyre me fanatizëm.Më pëlqente ky mister i sipërfaqshëm që më kishte shoqëruar deri në moshèn 16 vjeçare,mister që lunte me vetëdijen time prej adoleshenti që ka ngut të njohë botën.Qëllonte që të isha shtrirë në krevat dhe numëroja gjithçka të numërueshme rreth meje,pllakat e dyshemesë, llampat e abazhurit,spiralet me hekur të nikeluar në krah të llampave,katrorët e jorganit tim,katrorët dyngjyrësh dhe njëngjyrësh të jorganit tim,raftet e bufesë(kjo ishte shumë e thjeshtë).Pastaj ngrihesha i pakënaqur nga numërim-endjet e mia dhe mbështesja hundën në dritare me sigurinë që të jep triumfi mbi botën e sendeve.Ishte gjithçka kaq lehtë e numërueshme  dhe e ndarë në grupe,mjaft ti kushtoje vëmëndjen e duhur.Dëgjoja gurgullimën e përroit dhe shihja kodrën me gjelbërimin e saj.

Kisha numëruar pemët e djegura por nuk kisha numëruar majat e bredhave që çponin mantelin e pishnajës.Më dukej sikur do dhunoja jetën e saj private.Ideja se një ditë mund të ngjitesha në të më dukej një lloj herezie e  shoqëruar me ankth të ëmbël.Do dukej kaq bukur kodra e parë nga maja e saj?!,do me lejonte ta njihja më lirshëm po të isha mes pemëve?! Kur  kishim qënë fëmijë qëllonte të luanim afër rrugës dhe topi binte në pemët e para të kodrës.Njëri nga ne nisej,ndalonte para se të ngjiste hapat e parë,ne e ndiqnim me vështrime të çuditshme prej fëmijësh që nuk dëshmonin asgjë, na kujtoheshin fjalët e prindërve”mos e ngjisni asnjëherë kodrën” dhe ishim të kënaqur që nuk ishim pikërisht ne ata që duhej të thyenim porosinë por shoku ynë.Vetëm tani vonë isha bërë më i ndërgjegjshëm për këtë vello mistike që kodrina kishte me praninë e saj prej objekti të heshtur e akoma të pa eksploruar.Shpeshherë e kisha të vështirë ta imagjinoja të eksploruar edhe prej kafshëve ose shpendëve.Shikoja të ngrihej prej saj ndonjë zog vetmitar,ose tufa harabelash,por asgjë më shumë.Kur gjyshi ishte aty me mua, në oborr i thoja:”gjysh, një tufë harabelash u ngrit nga kodra”,-sikur të ishte diçka që ia vlente të shënohej edhe pse ndodhte shpesh që tufat e harabelave të qëndronin aty. Gjyshi ishte thuajse i verbër,dilte në oborrin e shtëpisë,ulej në karrigen që ia sillnim pa u vonuar,mbështeste duart mbi shkop  e lëkundte lehtë trupin para-mbrapa.Zakonisht,kur ndodhte kështu,ishte kohë e bukur, dëgjoheshin cicërimat e zogjve dhe dukej se gjyshi shijonte ditën e bukur edhe pse shikimi i mungonte.Qëllonte në mbasdite të tilla,të harrohesha në biseda me komshijen time të bukur shoqëruar nga fëshfërima që bastuni i  gjyshit lëshonte nga fërkimi mbi dysheme,ndërkohë që përkundte trupin.Ajo ishte vetëm një vit më e vogël se unë dhe ishte shndërruar me shpejtësi të pakapshme për syrin nga një shoqe lojrash në një vajzë të bukur.Gjyshi shoqëronte qëshjet,kuturisjet, nënqeshjet- deri edhe hapësirat e mbushura me përskuqje faqesh-,me lëkundjen e tij të zakonshme,të ngeshme e të qetë,sikur donte tè shtrydhte minutat.Ndonjëherë më ndërpriste e më thoshte me ton që s’mund ta quaja urdhëror por që s’mund ta refuzoja gjithsesi:
-Nipçe, hajde këtu te gjyshi kur të kesh kohë e më trego kodrën.
Ishte kjo kërkesa e tij e preferuar.Për herë të parë ma kërkoi dy-tre muaj pasi gjyshja kishte munguar.Fillmisht i thosha se kodra ishte ajo e përhershmja,asgjë nuk kishte ndryshuar që nga koha kur ai e kishte parë me sytë e tij por kaq nuk mjaftonte.
-Ti ma trego sesi është tani, këtë moment, nuk di të tregosh?!
Kështu nisa të mësoj ti “tregoja” kodrën gjyshit.Dukej i pakënaqur  si filim nga rrëfimet e mia.Ndërhynte shpesh me pyetje plot nerv që nënkuptonin se duhej të isha më i vëmëndshëm ndaj ca detajeve.Pas shumë e shumë “tregimesh” arrita në një formulë pak a shumë të pëlqyeshme dhe nuk e bezdiste përsëritja e të njëjtit tregim,përkundrazi çdo herë që ia tregoja e shihja të ngazëllehej gjithmonë e më shumë.Tregimin tim e filloja kështu:
-Sot kodra paska një hije të lehtë(mbasditeve ajo lëshonte një hije të hollë si fjollë oxhaku,mbi rrugën që i përvijonte konturet).Pemët që janë djegur nga rrufetë nuk duken të trishta,përkundrazi duken krenare që kanë arritur të mbijetojnë.Pishat kanë ndërthurur degët sikur ti japin besën njëra-tjetrës dhe duket sikur nuk mund të depërtojë asgjë mes tyre.Edhe rrezet e diellit kanë vështirësi të thyejnë krahëlidhjen e dëndur.

Në këtë pikë gjyshi më ndërpriste nën zë,sikur të ishte i shtrënguar të ndërhynte edhe pse nuk donte në të vërtetë.Dukej sikur  ledhatonte diçka me fjalë ndërsa thoshte:”por ndonjë rreze depërton,gjysmake dhe e copëzuar,aq e copëzuar sa duket si vazhdimësi pikash prej drite.”Lija pak heshtje pas fjalëve të tij dhe kur vëreja se përkundja kishte rimarrë ritmin e  mëparshëm,vazhdoja interpretimin,pa harruar të fusja në “repertor” ndonjë detaj të ri, që nuk dihej sa i rezistonte kohës.Varej nga gjyshi.

-Këtu në rrëzë, janë ca shkëmbij që vetëm  sa kanë nxjerrë kokën nga dheu,duken sikur përgjojnë e do hyjnë përsëri brënda sapo të fashiten zhurmat e pyllit që i mbulon.Shkurret mbulojnë kodrën menjëherë pas shkëmbinjve,janë të dëndura e me aq shumë gjëmba sa me kokëfortësinë që karakterizon sendet e drunjta pengojnë kalimin mes tyre.
Gjyshi përsëri ndërhynte,kisha përshtypjen se sado poetikisht të përshkruaja, ai do të ndërhynte gjithsesi.Në fillim më vinte keq, mendoja se asnjëherë nuk do kënaqja shijet e tij edhe pse bëja më të mirën e mundshme por më vonë kuptova se ndërhyrjet e tij hapnin një pistë të re,në kërkim të një modeli që mbante në kokë.Mësova ti përshtatem,duke shkërrmoqur shumë fraza e duke ndërtuar të reja.

-A dëgjohet një erë e lehtë,diçka që duket si pëshpërimë  e brëndshme,si zëri i gjetheve, sikur të jetë shpirti i kodrës?
Në fillimet tona i isha përgjigjur kësaj pyetje duke thënë se një puhizë e lehtë frynte por nuk arrija të dëgjoja diçka nga ajo që gjyshi më përshkruante.

-Në majë, dëgjohet, në majë dëgjohet,-pëshpëriste ai sikur donte të imitonte zërin e pishave e mos të prishte magjinë e tij njëkohësisht.

Më vonë mësova se ishte më mirë që pas disa pyetjeve të tij të lija më shumë heshtje,nuk duhej t’u pèrgjigesha të gjithave,kuptova se cilat ishin ato pyetje që kërkonin të ndërronin rrjedhën e përshkrimit e cialt ishin pyetje që ai i bënte pa pritur dhe kërkuar përshtypjen time.Vazhdoja sikur këto pyetje mos të kishin egzistuar, duke mbajtur mënd diçka për herën e ardhshme.
Ato kohë po rritesha dhe po frekuentoja më shpesh barin e qëndrës  së fshatit si klient me të drejta të plota.Në një nga keto ditë,kur po rrija atje me një pije freskuese para,rrotullova sytë nëpër mure e pashë një fotografi të vjetër të fshatit,bardhë e zi.Ishte edhe kodra aty,por nuk ngjasonte fare me kodrën “time”.Ishte e zhveshur,me njolla bari përsipër si një rrobë e palarë dhe e hedhur pa kujdes në këmbë të maleve.Pyeta baristin për këtë ndryshim dhe se kur kishte ndodhur.Ai, me një buzëqeshje të kuptimtë, ia kaloi pyetjen njërit prej pleqve që po pinin kafe aty.”Ishin kohë të tjera”,-u përgjigj ai dhe nuk arrita të kap fillin lidhës të përgjigjes së tij me pyetjen time.Ishte moshatar me gjyshin tim, shpeshherë më porosiste ti çoja të fala e megjithatë mu përgjigj ftohtë e prerë sikur të isha një i panjohur i bezdisshëm.Pashë përsëri nga fotografia sikur doja të ma jepte ajo vetë përgjigjen.Me vështirësi arrita të dalloj një tufë delesh në të.Më dukej çudi që ajo foto i përkiste fshatit tim.Ishte një çudi e përbërë nga habia dhe befasia e një “lajmi” të këtij lloji.Kisha lindur në rrëzë të asaj kodre, a nuk duhej të dija që në fillimet e  mija gjithçka reth saj?!Ishte një detaj i thjeshtë pyllëzimi por mua më dukej sikur të gjithë më kishin mbajtur të fshehur një të vërtetë të jashtëzakonshme.Baristi shtoi se ajo kodër dhe pyllëzimi i saj kishin një histori të gjatë por mesa duket akoma nuk kishte ardhur momenti që ta dija.Ky shpjegim i fundit bëri që të gjëndesha i pa-atdhe në mes të fshatit tim.Donte të thoshte se qëllimisht të tjerët kishin bërë të mundur që mos ta dija historinë e kodrinës hija e së cilës më mbulonte çdo ditë kur shkoja dhe kthehesha nga shkolla.Ajo kodrinë që ishte shumë më tepër se një pejsazh për mua,nuk ishte aq e ëmbël-mistershme sa e kisha imagjinuar dhe pyetja tjetër,akoma më e mprehtë që më shqetësonte:Po gjyshi,ai që më kërkonte ti “tregoja” kodrën..pikërisht ai..?!?!

Rrugën drejt shtëpisë e bëra me hapa të rëndë dhe jo të shpejtë.Doja ta takoja gjyshin sa më shpejt por i ndruhesha momentit kur do ta pyesja për historinë e kodrës.Besoja se duhej të ishte ai vetë që duhej të ma kishte treguar.E gjeta të ulur në divan duke dëgjuar për të disatën herë emisionin e lajmeve.Rrugës kisha përgatitur një ose dy mënyra për ta pyetur sa më qetë të ishte e mundur por kur u vura përballë tij,vrulli i mendimeve më shtyu duke harruar strategjitë.
-Gjysh,unë nuk e di historinë e plotë të kodrës,nuk e dija se dikur ka qënë kullotë,pa pisha,pa bredha, pa pemë.
Fjalët e mia tingëlluan si akuzë,në to ndjehej tensioni prej adoleshenti dhe e drejta për të patur shpjegimin që meritoja,sidomos prej gjyshit tim;e meritoja,më detyrohej.Prej sa kohësh ai e shihte kodrën me sytë e mi?!.Qënia ime turfullonte së brëndëshmi dhe kjo energji,bashkë me tensionin e asaj që thashë,bëri që gjyshi me dorën e verbër të ulte volumin e televizorit e të thoshte sa më qetë të ishte e mundur:”Nuk ka ardhur koha”.Drejtoi nga unë sytë e tij pa dritë që çuditërisht më përçuan një shqetësim të sinqertë,përzjerë me lëngun e shndritshëm të paralotit.Dola nga shtëpia me të njëjtin hap të tendosur që nuk më shqitej nga këmbët.Ngado të shkoja e kisha kodrën përballë, anash,mbrapa,më mbulonte me hijen e saj që më vinte e çrregullt në koshiencë.Kisha nevojë të ecja,të largohesha por njëkohësisht isha aty,pranë saj, pa mundur ti shpëtoja.Kujtoja ditën kur kisha parë të vinin në fshat një grup inxhinierësh dhe gjeometrash të ndërrmarrjes së rrugëve.Ata kishin matur(për mua në mënyrë të pashpjegueshme)lartësinë e kodrës dhe e kishin thënë kalimthi mes tyre.Kodra ishte e lartë tridhjetëepesë metra.Kishin matur edhe gjatësinë dhe largësinë e saj.Kisha vrapuar menjëherë në shtëpi.Doja t’ia thoja sa më shpejt këtë “fakt” familjarëve.Më dukej se gjithçka kishte të bënte me kodrën,edhe detajet më të vogla ishin të rëndësishme.Për habinë time të atëhershme, në shtëpi të gjithë e injoruan informacionin tim.Jo vetëm kaq por dukej sikur i shqetësoi.Nuk e kisha kuptuar atëherë, nuk e kuptoja as tani këtë fanatizëm për mos të eksploruar kodrën më tej sesa ajo na linte ta vëzhgonim.
U ktheva vonë në shtëpi.Në anë të oborrit të saj më priste komshija ime e bukur.Nuk kisha dëshirë të flisja me atë për çfarë më kishte shqetësuar gjthë mbasditen por nuk mund të isha indiferent ndaj hireve të saj.Prej ca ditësh kishim filluar të shkëmbenim aty, anës gardhit ndonjë puthje të ndruajtur e të mitur duke iu lutur gjitha perëndive që askush mos të na shihte.Ndalova,hoqa mendimet e lodhura dhe ajo me ëmbëlsinë e saj bëri që edhe atë natë gjumi të më zinte vonë.Nga dritarja shikoja dritën e qartë të hënës që me gurgullimën e përroit krijonin një binom qetësues por që unë nuk arrija ta përthithja.Nuk e di sesa ishte ora kur më zgjuan të shkundurat prej krahu të vëllait tim të vogël.

-Zjarr,zjarr,ngrihu se ka rënë zjarr.

Dukej të ishte më shumë i eksituar nga situata sesa i frikësuar por unë, i kapur në befasi nuk mund ta shquaja këto hollësi në mimikën dhe zërin e tij.Vura re nga dritarja se në lëndinën pas shtëpisë dy togje të stërmëdha zjarri kërcënonin(edhe pse prej sëlargu) dritaren time por edhe atë të komshijes së bukur.Shtëpitë  tona ishin ngjitur me njëra-tjetrën.Pa u menduar as edhe një sekondë më shumë,vrapova drejt saj.Nuk e mbaj mënd se me çfarë mënyre kam kapërcyer gardhin,u përplasa me derèn e shtëpisë së fqinjit që për fat të mirë ishte e hapur,përshkova me të njëjtën shpejtësi korridorin(çuditërish i ndriçuar) që çonte në dhomën e vajzës dhe shtyva derën e dhomës ku ajo flinte,duke bërtitur me vrullin e mushkèrive të mëngjesit:

-Zjarr,zjarr, ka rënë zjarr,ngrihu shpejt!
Ajo po flinte e qetë.Më pas më tha se po shihte një ëndërr të bukur ku isha edhe unë por jo ashtu si në realitet,në dhomën e saj të gjumit, me mbathje,zbathur dhe me gysmën e familjes që më shihte e çuditur që nga fundi i korridorit.Mamaja e saj me zor arrinte të përmblidhte buzëqeshjen kurse babai,kur pa se situata ishte aq e pazakontë,preferoi të shkonte në oborr e të fliste me zjarrfikësit pa thenë e  pa lënë të kuptojè asgjë.Ata vetë kishin thirrur zjarrfikësit.Dy togje kashte kishin marrë flakë dhe sipas këshillës  së zjarrfikësve situata nuk ishte e rëndë,fëmijèt mund të mos zgjoheshin,gjithçka do të zgjidhej shpejt por nëna ime ndërkaq e kishte ngritur nga gjumi vëllain e vogël dhe ai më kishte dashur edhe mua si bashkëspekator.Historia ime rrezikonte të shndërrohej në barsaletën e rradhës në fshat.Kam jetuar me këtë makth për shumë ditë edhe pse në sytë e së dashurës time u shndërrova në një hero,me gjithë lavdinë e merituar.Në një nga këto netë,dera e dhomës time u hap dhe ndjeva hapat e gjyshit përzjerë me tingullin e thatë të bastunit në dyshemenë prej druri. Zhurmat u heshtën tek koka e krevatit tim.Ishte shumë vonë, teorikisht duhej të më kishte zënë gjumi prej kohësh por isha zgjuar dhe nuk e di pse nuk bëra zë,nuk hapa sytë.Bëja sikur flija.Ndjeja frymëmarrjen e pazakontë të gjyshit që nën atë heshtje të gjithësisë përrreth,bëhej më tingëlluese.

-Dikur,një vajzë nga fshati, e bukur sa më s’thuhej, kërkoi të ikte nga shtëpia me të dashurin e saj, pa miratimin e familjes.Ishte natë. Babai me dy vëllezërit i ndjenë zhurmat dhe i ndoqën.Në majë të kodrës,kur panë se nuk mund ti kapnin, u qëlluan prej sëlargu.Ai mundi të shpëtonte,ndërsa ajo vdiq,aty.
Qetësi.Nuk mendova për asnjë çast të hapja sytë ose të flisja.Imagjinoja mënyrën sesi duhej të ishte vendosur gjyshi ndërsa më tregonte përrallën më të vërtetë e të rëndësishme të jetës time.Frymëmarrja e tij vazhdonte të ishte e rëndë gjë që më parathoshte se historia akoma nuk kishte mbaruar.
-Që nga ajo kohë,djem e vajza të dashuruar ngjiteshin në kodër e mbillnin një fidan pishe.Pishë sepse pisha është e gjelbër në çdo stinë.

Përsëri heshtje.Gjyshi ndjeu se e kreu misionin e tij sepse frymëmarrja iu qetësua dhe arrija të dëgjoja fërgëllimën e majës së bastonit në dysheme,ndërsa ai e rrotullonte atë me njërën dorë dhe me tjetrën e ngjeshte nga sipër.Kishte ardhur koha të largohej.Nisi ta bënte me të njëjtin ritëm tre-kohësh me të cilin kishte hyrë;një këmbë,një përçapje bastoni,këmba tjetër.Ishte duke mbyllur derën kur e pyeta me zërin që nuk fshihte mos-fjetjen time:
-Nga e dije se isha zgjuar,gjysh?
-Janë netë të gjata për ty këto biri im…netë të gjata…
Më pas dera u mbyll qëllimshëm pa zhurmë sikur donte të fshinte gjurmët e asaj vizite aq të papritur e të më krijonte idenë se kisha parë një ëndërr.
Në një nga ato ditë,unë dhe bukuroshja ime iu ngjitèm kodrës.Ecëm përgjatë saj derisa arritëm në skajin e poshtëm,ai që të çonte larg qëndrës së fshatit.Ajo kishte veshur këpucë sportive dhe tuta të bardha që i rrinin ngushtë pas këmbëve dhe që e bënin akoma më të dëshirueshme në sytë e mi.Hapat i hidhte në mënyrë të shkujdesshme pa aritur të mbulonte emocionin që e përshkonte.Flisnim pak.Të dy mendonim se çfarë do të ndodhte më pas e si do të ndodhte.Mbaja duart në xhepa dhe herë pas here gjuaja ndonjë guralec që kishte fatin e keq ti kaloja pranë,ajo buzëqeshte,ndiqte me vëmëndje të tepruar turravrapin e guralecit derikur ndalej dhe thoshte duke parë pranë meje e me zë që vinte duke u fikur si në tela violine:”u ndal”.Iu ngjitèm kodrinës nga ana e pasme.Pejsazhi aty dukej aq larg jetës urbane saqë nuk të shkonte në mëndje se pas saj ishte një fshat që gjallonte aty prej(ndoshta) shekujsh.Nga ai krah,kodrina ngrihej butë dhe dukeshin monopatet që e përvijonin si vena të bardha të një trupi të gjelbër.I zgjata dorën të bukurës time kur e pashë se po rrëshqiste dhe që nga ai moment duart tona shtrëngoheshin gjithmonë e më shumë.Pas pak metrash u gjëndëm nën mantelin e pishave të ulëta dhe rrezet e diellit vinin deri tek ne si flokë  të verdhë e të shpupurisur.Frynte erë dhe gjithë kohës dëgjohej fëshfërima e mprehtë e gjetheve si frymë zanash.Mu kujtuan fjalët e gjyshit:”shpirti i kodrës”.Diku afër majës gjetëm një vëndth të sheshtë dhe u ulëm.Mè pas krijuam një shtrat me degè të thata dhe u shtrimë.Ndjeja frymën e saj të më ngjeshte krahërorin e të më mbushte sytë me shkëlqim.Isha aty duke jetuar ato momente që i kisha ëndërruar në pafundësi.Më dukej çudi dhe bukur njëkohësisht që ndërsa  e puthja dhe i përkëdhelja krahët,flokët,barkun,dëgjoja edhe zërat e fëmijëve që luanin në fushën e futbollit,zhurmat e traktorëve të vegjël dhe ndonjë thirrje të largët të ndonjë personi të panjohur por të dashur në ato momente.
Në mbrëmje u kthyem në shtëpi.Netët ishin të gjata siç më kishte thënë edhe gjyshi. Ne vazhdonim të shiheshim buzë gardhit,shkëmbenim ato puthjet e shpejta e të ndrojtura dhe me përkëdhelje vështrimesh hynim në shtëpi.Në një nga këto mbrëmje,gjyshi ishte ulur në hyrje të portës.Kishte marrë atë pozicion që unë e njihja mirë;dy duart e mbështetura mbi bastun,trungu i përkulur para dhe niste përkundjen e sertë para-mbrapa.Këtë rradhë përkundja e tij mu duk vërtetë me nerv.I mbushur edhe nga momentet që sapo kisha kaluar me të dashurën time, u ndjeva plot dhe i thashë  me dashuri:

-Të tregoj kodrën,gjysh?

I ndali bindshëm lëkundjet,ktheu vështrimin nga unë sikur vërtetë të mund të më shihte dhe nga mënyra sesi mu imponua qënia e tij besova se vërtetë mund të më shihte:
-Jo,jo djalo, tani s’mundesh  të ma tregosh më.
Më gjeti të papërgatitur mospranimi i tij.Nuk e kisha menduar se mund të ndodhte një gjë e tillë.Isha bërë gati të ulesha afër tij e të nisja interpretimin dhe si një fëmijë i zënë në faj,pyeta si vehten edhe atë:
-Pse gjysh,pse nuk mund ta tregoj akoma kodrën?!
Më dhuroi një buzëqeshje të vështirë,rifilloi lëkundjet e serta të trupit para-mbrapa dhe më tha:

-Tani ti ia tregon vehtes,djalo..ia tregon vehtes.
Dëgjohej vetëm përpëlitja e këmbëve të karriges ngjeshur në mur,një zhurmë e mbytur,e pazëshme si tingujt më të përshtatshëm për ti dhënë lamtumirën një kohe të shkuar që të dyve do të na mungonte.

Advertisements

Tags: , ,

4 Responses to “Më trego kodrën gjysh!”

  1. tan Says:

    …ne fillimin e tij tregimi te shfaq si nje natyrolog sqimatar…pak me pas na con ne brendine tone…aty ku per secilin fle nje dialog…i munguar ose imagjinar…i vertete ose i larget me gjyshin e vet…me kujtohen disa vargje te koheve te shkuara…kur gjyshi ishte figure epike imja… i fisnikeruar trandshem nga pleqeria dhe lirizmi i shuar…me kujtohet edhe Al Pacino ne nje rol brilant…ku gjyshi vjen si identitet dhe pamundesi e pragut te pakalueshem (ne s’mund t’ ngjajme,apo jo?)…me pas,kur mendoja se imazhet kane bere pune ne kujtese,kur njeriu mund te perjetoje relievin me te gjitha perthyerjet e tij…mberrin dramatika e tekstit qe te shkund per ta pare ate me kapricion mesdhetare(pse jo edhe markeziane)…kur enigma vjen nen magjine e blerte te rrefimit…si pervoje,fantazi apo sprove…gjyshin pra…me shume se sa bartes te nje historie me pelqen ta lexoj si shenjues ose me mire si sfidues i kohes qe meton ta zhyse perfund harreses…a thua se ne nuk gjakojme te kapim urtesine…sepse e kemi njohur prane dhe bastuni i tij ende troket mbi rrugice…perpos ketij pasioni familjar…tregimin e gjej te bukur,ajo cfare perben kodifikim te prozes se sotme pasqyrohet me natyrshmeri edhe ne tregimin tend…pas cdo rreshti bindesha per vleren e te lexuarit edhe kur te ka pushtuar pertesa…(kohe pas kohe i rikthehem ndonje tregimi te Anton Pashkut ose madrigaleve te Camajt,perzierje e tille madheshtie dhe bukurie nuk besoj se mund te geloje me ne gjuhen ame…)por, edhe tregimi yt ne disa momente me imponoi nje gjendje thjeshtesisht te persosur…urime…tungtung

  2. doriani Says:

    Tan,diku Kadareja ka thene:nuk ka mashtrim me te madh se fjala e shkruar.Mbase e kam kuptuar gabim por mendoj se ky “mashtrim” arrihet mire dhe bindshem kur idili poetik krijues dhe fabula pèrputhen mes tyre ne menyre te harmonishme.Per te bere kete, mendoj se duhet nderhyre ne fabul,me mire te them,duhet te manipulohet ajo deri ne piken kur krijon nje realitet paralel(ndonjehere edhe univers paralel) pa prekur idilin tend te brendshem,perkundrazi,duke e ruajtur me xhelozi ate.Me jane dashur vite qe idilin e ketij tregimi ta vesh me nje fabul konkrete e ta bej te dukshem edhe per te tjeret.Me behet qejfi qe ti arrin ta shohesh ne me shume se nje dimension dhe qe te krijon gjendje shpirterore pozitive.klm dhe flm

  3. Post Spleen Says:

    O Dorian, nje pyetje: Sa vite te jane dashur te veshesh idilin e ketij tregimi me nje fabul konkrete e ta besh te dukshme per ne te tjeret? Sepse keshtu mbase na ndihmon dhe ne te tjereve ta kuptojme vepren tende me mire, ashtu si komentuesin me lart.

  4. doriani Says:

    per post spleen:
    pergjigja qe ti kerkon eshte vetem nje numer, pak rendesi ka se me nje apo dy shifra dhe nuk besoj se ky informacion do te te ndihmoje te shijosh ose kuptosh ndryshe ate qe kam shkruar.Mund ta kem “gabim” une qe nuk kam mundur te komunikoj me ty ose anasjelltas por gjithshtu mund te biem dakort qe te dy qe askush nga ne s’ka “faj” dhe vazhdojme te jetojme te lumtur e te qete… si dymije vjet me pare.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: