Të dallosh veprën, të vërtetën, atë që të rrit vetëdijen

by

Le Monde des Livres, 21 prill 2011

Nga Daniel Mendelsohn

Përkthyer nga origjinali (frëngjisht) : Urim Nerguti

Kur flitet për krizë, në Athinë, kjo nuk bëhet detyrimisht në një kontekst ekonomik. Për një Grek të sotëm, të thuash për dikë se ai “ka krizë”, do të thotë t’i njohësh atij një aftësi të madhe për të shquar. Zgjuarsinë e nevojshme për të kuptuar ç’po (i) ndodh. Për të shquar thelbësoren nga anësorja.

Asgjë për t’u habitur, rikujton Amerikani Daniel Mendelsohn, në Aq e bukur, aq e brishtë. Fjala “krizë” – si “kriter” apo “kritik” – rrjedh nga “krites”, “ai që lëshon një gjykim”. Tek të Lashtët, ky i fundit mund të jetë një arbitër, një historian, një interpretues ëndrrash… shkurt, është dikush që, në lëmin e tij, do ta ndante më mirë se kushdo shapin nga sheqeri.

Daniel Mendelsohn është një “krites” i madh modern. Jo vetëm ngaqë është i mbrujtur me letërsi klasike – tezën e tij, në Princeton, e ka pasur mbi personazhet femërorë tek Euripidi. Por sidomos ngaqë, pikërisht, “ai ka krizë”.

Në Francë, njihet sidomos si autori i Të Zhdukurit, këtij libri-hetim të mrekullueshëm mbi fatin e familjes së tij në Poloni, në fillim të viteve 1940 (Flammarion, çmimi Medicis i huaj 2007). Por në SHBA-ës, ku “gazetarizmi përfaqëson pjesën më të madhe të prodhimit (të tij) letrar që prej njëzet vjetësh“, ai është bërë vërtet i njohur si kritik. Në New York Review of Books, në New Yorker, gjykimet e tij mbahen për orakuj. Mendelsohni mburr shkëlqyeshëm. Vret bukur. Por me një shqetësim të vazhdueshëm : të shquajë të vërtetën nga e rremja. Të veçojë “veprën, të vërtetën, atë që të rrit vetëdijen.

Nga i vjen kjo shoshë leximi ? Nga Lashtësia, pikërisht ! “Kur studiojmë latinishten dhe greqishten, mund të ndodhë që sharmi i thatë i gjuhëve të vjetra – gramatika e tyre e pamëshirshme, shtrëngimet e metrikës… –, të cilat s’pranojnë as mediokritetin as të përafërtën, përfundojnë së farkëtuari një shije për njëfarë tipi rreptësie dhe kjo rreptësi bëhet një model.” Mirëpo, Mendelsohni tregon se ky model është plotësisht i zbatueshëm, më 2011, ndaj pothuaj të gjitha fushave të krijimit.

Nuk jeni të bindur ? Hapni Aq e bukur, aq e brishtë, një vëllim që përmbledh, për herë të parë në Francë, rreth njëzet “kritika” të tij – në fakt, tekste mjaft të gjata, pothuaj mini-ese, për fat të keq një format krejt mungues në shtypin francez. Me lirshmërinë më të madhe, Mendelsohni prek gjithçka, duke kaluar hareshëm nga letërsia në kinema, nga teatri në televizion, duke u interesuar si për Marie-Antoinette të Sofia Coppola ashtu dhe për Dashamirëset e Jonathan Littell, si për Rëndësia e të qenurit i pandryshueshëm të Oscar Wilde, ashtu dhe për Avatar të James Cameron. Por “modeli” i tij mbetet i njëjti. Fundja nuk ka shtatëdhjetë mënyra për të shkruar në një gjini të dhënë.

Ajo ç’na thotë Aristoteli mbi arsyet e funksionimit të një drame vlejnë po aq mirë për Trojanet (tragjedi e Euripidit) si dhe për një péplum si 300 (rrëfimi epik i Zack Snyder mbi betejën e Termopileve) apo për një seri televizive si Sopranot”, shpjegon Daniel Mendelsohn.

Vëth në vesh. Të interesohesh vetëm për “kulturën e lartë”, do të ishte “snobe” dhe “e trashë”. Dhe pikërisht, a nuk qëndron zanati i kritikut në “mbajtjen e syve hapur” ? Po klasikët e sotëm, a nuk kanë dalë shpesh nga “pop-kultura” e dikurshme ?

Përndryshe, Mendelsohni ka qenë gjithmonë kureshtar për gjithçka. “Gjithçka që shndriste më kapte syrin“, kujton ai ndërsa përmend fëmijërinë. I lindur më 1960 në Long Island (New York), ai e sheh veten si shtyllë të bibliotekës lokale. Një djalë i vogël “i përndjekur nga gjithfarëlloj idesh” : “Shkrimi hieroglifik, historia elizabethiane, librat vizatimorë, trilogjia Dune (romani fantastiko-shkencor i Frank Herbert), Vezët e Fabergé, muzika e shenjtë e Rilindjes, Requiem i Fauré, mobiljet franceze të shekullit të XVII-të, përmbytja e Titanikut apo bizhutë Cartier të viteve 1920. Dhe sigurisht, Greqia ! Kam kaluar vite të tëra duke ndërtuar një model të thjeshtuar të Parthénonit mbi një tavolinë të qilarit tonë, kujton ai. Isha si një sfungjer. Thithja pa kurrfarë dallimi. Dhe kjo “gjithçka” ka mbetur për mua potencialisht interesante.” Në këtë tërësi të madhe, gjuha dhe kultura franceze zënë një vend të veçantë. Mendelsohni flet këtu me zell.

Frankofilinë e tij, ia detyron një “profesori të fandaksur“, një profesori të pahararruar liceu që e ka bërë të zbulojë, 13 vjeç, Couperin, Sid dhe Madame de Sévigné ! “Mua, adoleshentit çifut të Lond Island !“, thotë ai njëlloj si të mos i besohej kjo dhuratë. Në artikujt e tij, Franca është e pranishme mjaft shpesh. Por “filli i kuq i vërtetë, është e kaluara. Si e trajtojmë dhe ritrajtojmë papushim… Në artikullin tim mbi Avatarin, unë shpjegoj atë se në çfarë ky film është një ‘remake’ i Magjistarit të Ozit. Kjo më intereson mua. Të jem një arkeolog. Të nxjerr në dritë modelin që fshihet poshtë risisë. Të tregoj sesi e shkuara hap një udhë në prodhimin e sotëm kulturor.

A mund të gabojë arkeologu ? Të marrë për një gjetje madhore një cifël shisheje të rëndomtë apo një copëz amfore ? Apo e kundërta ? Sigurisht, pranon pa ngurim Daniel Mendelsohni. “Kritiku ecën në teh të briskut. Nga njëra anë, janë faktet, njohja, dhe nga ana tjetër, gjykimi që ecën në kohë. Kështu pra, duhet të jesh i kujdesshëm dhe i drejtë në zgjedhjen e fjalëve.” Por kjo s’e pengon që ta djegë të gjallë Quentin Tarantinon, i cili e neverit, apo ta trajtojë Truman Capote si “gënjeshtar të regjur“. Por padyshim, publiku e pret edhe këtë – gërrithjen e kthetrave apo goditjen e lamtumirës…

Pikërisht, këtu mbërrijmë tek pritjet e lexuesve. Tek kriza – tjetër, kësaj here. Ajo e cila prek shtypin e shkruar, dhe mbase autoritetin e kritikëve tradicionalë. A shqetësohet për këtë Mendelsohni ? Ai ngre supet. “Me Internetin, çdokush ka një opinion, gjithkush mund të hiqet si një kritik. E tërë kjo, sigurisht, ka rrjedhoja pozitive. Por ama harrohet se ky zanat nuk është vetëm çështje shijesh apo emocionesh. Dikur, kritikët kishin profilin tim : një formim, një penë, një personalitet. Kjo është ajo që duhet risjellë në shijen e ditës. Mjaft shpesh, gazetat janë të drejtuara nga biznesmenë të cilët bëjnë një llogari të keqe : kufizojnë hapësirën ndërkohë që publiku ka gjithnjë e më shumë etje për analiza të gjata. Puna ime qëndron në shkruarjen për njerëz të zakonshëm, por duke kombinuar pasionin, stilin dhe erudicionin. Këtu dallohem unë. Për këtë arsye vijnë drejt meje. Jo ngaqë di më shumë në nisje. Por ngaqë kam punuar. Dhe lexuesit e ndjejnë këtë. E shohin se i kam “bërë detyrat mirë”, para se t’iu shpjegoj që përse kjo vepër ia vlen dhe ajo tjetra jo.”

 

Si beau, si fragile (How Beautiful It Is and How Easily It Can Be Broken), përkthyer nga anglishtja (SHBA) nga Isabelle D. Tanière, Flammarion, 432 faqe, 22 €.

Florence Noiville

Tags: , , ,

4 Responses to “Të dallosh veprën, të vërtetën, atë që të rrit vetëdijen”

  1. alfred Says:

    Si fillim me duket e dyshimt rrenja e fjales “krize” per te cilen kam lexuar dy shpjegime te tjera. Njera e shpjegonte, ne baze te rrenjs greke te fjales, si “kalim”, nje pjese kohore qe qe eshte ne kalim e siper, nje tranzicion.
    I dyti shpegim ishte fjala “Zgjedhje”.
    NUk e njoh kete Daniel M. Nese ben ate qe thueht ketu, atehere do me pelqente te lexoja ndonje gje.
    I gjithe shpjegimi i fenomenit te “kritikes” eshte e ngjashme me idene hegeliane te vetdijes se klases punetore. Vetem se D.M gabon kur futen fjalen ” te verteten”. E gjithe kjo eshte e lidhur shume me dialektiken e jetes, se artit, te historis, etj. Per mua, dhe per disa te tjere mbase, nuk arrihet kurre e verteta, vepra sic thote d.m, ose dhe kritika, me ane te punes, kerkimit te fakteve, gjykimit qe ecen ne teh te thikes.
    D.M ne nje pjese thote dhe qe kritiku ecen ne teh te briskut, qe do te thote qe e verteta eshte shume larg, gjithnje larg. Nese ai arrin te kap vepren ka arritur qellimin e tij. Por dialektikisht duke folur ne s’e arrijme kurre te vertetn, i afrohemi pafundesisht afer por pa e kapur. Cdo gje rinohet here pas here nepermjet procesit te vazhdueshem dialektik pa u ndalur asnjehere. Ka vetem pika te fundme kulminante qe krijone nje vetdije mbi vendin qe kemi ne bote apo mbi domethenien e fenomeneve. Ajo vetedije qe hegeli ja ngjesh klases punetore ngjan shume me vetdijen e te gjeturit te nje vepre. Lufta e e vazhdueshme mes klasave con ne krijimin e vetdijes se asaj me te dobet, ne krijimin e nje koshience mbi rolin qe ka. Them qe kritiku duhet te bje shume pune, duet te kuptoje mekanizmin e dialektikes se jetes, se prodhimtarise se nje vepre letrare, si qe nje letersi e larte, si qe e ulet. Kete duhet ta bej pamenduar per te verteten, per vepren, per artin si nje koncept i larte.

  2. un Says:

    Alfred,
    Mire bere qe e zbulove kete teme, mendoja se s’ishte postuar fare ngaqe s’e shihja ne qarkullim. Madje edhe tani nuk e di nga e gjete, ku klikove qe ta nxjerresh.

    Tani per “krizen”, dhe “kritiken”. Te mos kesh dyshim qe Mendelsohni ka te drejte. Nuk ka zbuluar ndonje gje te re, ka thene ashtu si eshte e verteta : krisis eshte aftesia per te ndare mes dy gjerash, per te shquar.

    Kur themi se nje vend eshte ne krize, ose ky njeri eshte ne krize, ose shqip “a mos te ka kapur gje kriza ?”, ketu nenkuptojme qe vendi apo personi ka vajtur ne nje pike te luhatur ku i duhet ta ndaje mendjen : keshtu apo ashtu. Pra, te marre nje vendim. Greqia eshte sot ne krize ? Shume bukur ! asaj i duhet te marre nje vendim mes dy gjerash te ndryshme qe i takon asaj t’i dalloje. Perndryshe s’eshte ne krize fare, dmth nuk e sheh qe e ka marre ferra uraten. Ne kete kuptim, ne njerezit duhet te jemi gjithnje ne krize, te kemi ate aftesine e shkoqitjes se gjerave, dhe jo te fleme e hame rehat pa ditur ç’ndodh menjane. OK.

    Tani per Hegelin. Me habite pak me kete vetedijen e klases punetore. Nuk ma merrte mendja qe ky term te ishte lindur ne kohen e Hegelit. Une di se ky term eshte ca me vone, me Marksin, por ç’nuk ben vaki.

    Mendoj se nuk duhet te kapesh pas “karakterit te paqendrueshem” te se vertetes, porse te shohesh me ne thelb se çfare deshiron te thote Mendelsohni. Ne fakt, eshte e thjeshte : ai thote se per te qene kritik, e para e punes duhet te kesh mesuar gjithçka, qe ne femijeri, te kesh grumbulluar gjithfarelloj dijesh apo pervojash, dhe nje dite keto do te dalin ne siperfaqe.

    E dyta, ai thote se veprat tona, qofte dhe ato me bashkekohoret, s’jane gje tjeter veç rezultat referencash, dmth nxjerrin ne pah te shkuaren. Puna eshte sesi e trajtojme ne kete te shkuar. Kritiku ben punen e hundes se derrave qe futen neper kazane : njelloj dhe ky, pas nje vepre te re fringo gjen aromen e diçkaje te vjeter.

    Pastaj flet per tehun e briskut : sepse kritiku eshte mund te gaboje, te quaje te dobet nje veper te mire dhe anasjelltas. Dakort qe jane faktet, por ama gjykimi ndryshon ne kohe, diçka qe pelqehet sot s’pelqehet neser, e keshtu me radhe.

    Me poshte, kush eshte kritik dhe kush jo ? Se jo kushdo qe shkruan ne internet eshte kritik, thote Mendelsohni. Duhet te shkojme tek kritiket e hershem qe kishin shkollen (mesimet), por edhe nje stil, por edhe nje personalitet. Pa keto, ne do te mbetemi gjykues internetrash siç ndodh rendom kur dikush i fut nje “wow ! e mrekullueshme”, ose “kot fare, s’ben dy leke”, pa thene asgje me tej.

    Vijon pastaj thumbi ndaj njerezve te gazetave qe kane dale mendsh fare : vetem llogje pa lidhje, dhe fare pak letersise. Madje, thote ai, dhe me duket se ketu ka bere nje vezhgim te sakte, njerezit kane deshire te lexojne gjera te gjata, por ama te shkruara bukur. Prandaj frika e gazetave per analiza te gjata, eshte e pabazuar. Kriteri eshte cilesia, dhe jo gjatesia.

    Dhe ne fund fare, si ne gjithçka, edhe ne kritike duhet shume pune, djerse, vite te tera perpjekjesh. Perndryshe, s’ben.

  3. OmOnstro Says:

    Mendoj se ne realitetin tone shqipetar ata qe botojne gazetat e dine se cdo publiku i sotem dhe i bejne fund e krye me kronika. Besoj se ka dhe te tjere si puna ime qe kur marrin nje gazete e fillojne nga fundi per te lexuar kulturen, artin (jo fjalekryqin dhe kuriozitetet boshe nga bota). Mirepo, sic thonin Borges dhe Sabato tek dialogu i perkthyer nga Urimi, sipas Emersonit qe nuk i lexonte ato sepse ishin sende nje perdorishme, gazeta ndoshta eshte vete format i tille qe duhet te linde dhe te vdese brenda 24 oreve. Ose nuk kemi pasur fatin te njohim kohen kur gazeta ishte dicka me me vlere se tani (normal, pak a shume si te gjitha gjerat e tjera qe kan marr fund)!

  4. qafoku Says:

    “””Ose nuk kemi pasur fatin te njohim kohen kur gazeta ishte dicka me me vlere se tani”””

    Shume e vertete kjo o monster. Edhe mua me kane thene qe njehere e nje kohe, ne shqiperine e para viteve 90′, gazetat shiheshin si diçka qe e ndihmonin njeriun ne perditshmerine e vet. Luanin nje rol, te themi jetik, sepse kishte te bente me higjenen personale te secilit.

    Ehhh sa gjera kane marre per keq ne keto ditet tona. Me shume te drejte qahen edhe Borgesi me Sabaton. i kuptoj drejt.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: