Unë, babai dhe dashuria jonë e fundme

by

apo Etër dhe bij (pjesa II)

nga Dorian ISAI

Nuk e di se çfarë mund të ketë menduar babai im kur më ka marrë për herë të parë ne krahë. Patjetër që duhet të ketë qënë i gëzuar,mbase edhe i ngazëllyer por ai ka patur një teori me prejardhje nga një  besim fetar që thoshte:”Mos u gëzo o i gëzuar e mos u hidhëro o i hidhëruar”.Mendoj se me këtë teori në mëndje dhe me mua të porsalindur në krahë,ai ka qënë i aftë të më përkundë nja dy-tre herë e të vështronte nënën me sy që pikonin falenderim në sasine e duhur që asnjë pikë të mos shkonte kot.Mbase po gjykoj me njëanshmëri dhe me thënë të drejtën, nuk kam asnjë dëshmi të nënës në lidhje me këtë takimin tim të parë me babanë.Kur bie fjala për lindjen time ajo më thotë gjithmonë me të njëjtën habi se unë kisha lindur ngjyrë vjollcë dhe me të njëjtën habi shton se ky detaj babait i ishte dukur i parëndësishëm.Përfundimisht, mendoj se babai ka dalë nga takimi i parë me mua relativisht i gëzuar, e imagjinoj të ketë hipur në makinë dhe ndërsa ndërronte marshat ka menduar:”Ja, u bë edhe kjo punë” ,edhe pse në të vërtetë ai kishte bërë pak gjë. Takimin e dytë e të tretë nuk i mbaj mënd por besoj se nuk kanë ndryshim të madh me të parin.Kujtimet e mia vijojnë më vonë në kohën kur kisha filluar  të ngisja biçikletën.Ky ishte pasioni që babai ma kishte përcjellë natyrshëm.Në fillim shëtisja në park, hipur mbi biçikletën e tij .Më vonë më bleu një biçikletë të vogël me tre rrota, me të cilën arrija ta ndiqja pas me vështirësi nëpër rruginat e parkut.Sipas teorisë darviniane, biçikleta e vogël me tre rrota evoloi në një të tillë me dy rrota por me disqe thuajse të së njëjtës madhësi.Kohë më vonë,gjithmonë sipas teorisë darviniane, rrotat e biçikletës time u zmadhuan ndjeshëm.Për mua nuk ishte problem të ndiqja babain në rruginat e parkut dhe tashmë shëtitjet tona nuk ishin aq të qeta sa në fillimet e tyre,ku babai limitohej të më këshillonte për mënyrën e mbajtjes së trupit dhe të teknikave të pedalimit.Unë isha i aftë të humbisja në rruginat e parkut, të merrja kthesa të papritura dhe ndonjeherë kishim prekur edhe cakun e ndjekjeve policore.Të tilla lojra zgjasinin pak sepse biçikleta ime ishte e zhdervjellët në manovra por jo e shpejtë sa e tij.Shpreha dëshirën të kisha një më të madhe,ndjehesha gati ta bëja këtë hap por sipas teorisë së babit tim(që pa asnjë shkak të dukshëm braktisi teorine darviniane),unë nuk duhej të rrezikoja aq shpejt.Kisha kohe.Kështu, shëtitjet tona vazhduan në rrjedhën e tyre të njëtrajtshme me gjithë rreziqet që mbart njëtrajtshmëria në të tilla raste. Babai më thoshte se shëtitjet tona ishin;zbavitëse, të shëndetshme dhe edukuese. Zbavitëse-sepse ne qeshnim.Të shëndetshme-sepse vinim muskujt në punë dhe edukuese, sepse në park kishte shumë pemë dhe aty për herë të parë kam dëgjuar të flitet për proçesin e fotosintezës.Termin e saktë arrita ta mbaj mënd  vetëm  më vonë por kuptova se kishte të bënte me frymëmarrjen e pemëve.

Babai gjithashtu kishte dashur të theksonte se renditja e cilësive të dobishme të shëtitjeve tona për momentin ishte kjo,pra;zbavitëse,të shëndetshme dhe edukuese por  në një të ardhme të afërt ky rend mund të ndryshonte dhe mund të ishte:të shëndetshme,edukuese dhe në fund,zbavitëse.Më duhet ta pranoj se kjo ri-renditje e mundshme ishte më e veshtirë sesa proçesi i fotosintezës për tu kuptuar.Atë kohë nuk arrija të shikoja sesi një shëtitje me biçikletë mund të behej pa qeshur,pra rrjedhimisht, pa u defryer.Isha rreth 7 vjeç dhe akoma kridhesha  në krevatin e prindërve të djelave në mëngjes, pasi kisha përdorur barkun e babit si trapolinë.Ishte kjo periudha ku sipas dëshmive të nënës, kisha filluar të jepja problemet e para dhe sipas saj keto ishin edhe shpjegimet e para të ngjyrës time të porsalindjes(gjithmone vjollce habitore). Gaboja shpesh e më shpesh.Kuptova se “gabim” ishte pothuajse gjithçka që unë beja sipas dëshirës time dhe për të mos vepruar “gabim”, duhet të pyesja më parë mamanë, e cila me përpikmëri matematikore, më këshillonte të bëja të kundërtën.Vështirë për tu pranuar dhe mbi të gjitha, vështirë për tu praktikuar.Këto mos-përputhje dëshirash po bëheshin shqetësuese derisa një ditë, nëna ime ,përdori formën e parë të presionit psikollogjik:”Do ti tregoj babait”.Unë pranova sfidën.Ky ishte vërtetë gabim.Forma e parë e edukimit qe u përdor mbi mua ishte mospërdorimi i barkut të babait si trapolinë për tu kredhur në krevatin e tyre të djelave në  mëngjes.Kisha leje-kalimi nga krahu i nënës, e kapërceja me kujdesin që mbarte falenderim nga ana ime për bujarinë e saj dhe futesha mes tyre duke bërë kujdes që kontakti i parë me trupin e babait të ishte i pranueshëm për atë.Që pas kësaj periudhe shëtitjet tona mee biçiklete  nisën të bëheshin më të rralla.Nuk e dija nëse kjo  gjë bënte pjesë tek forma e edukimit dhe nuk e di as sot.Asaj kohe babai kishte filluar të merrte më shumë kohë per vehte,vonohej mbrëmjeve dhe sipas meje, rrallimi i shëtitjeve,edhe nqs bënte pjesë në programin e edukimit,ishte më së shumti i kushtëzuar nga rrethanat.Veç kësaj, shëtitjet tona me biçikletë nuk kishin rendin e mëparshëm.Për babain ishin thjesht “shoqëruese” dhe për mua “shume djersitëse”.Besoj se e kemi jetuar këtë etapë të zhvillimit të marrdhënieve tona për rreth pese-gjashtë vjet,kuptohet me evolimet e duhura, ndonjëherë edhe të nevojshme.Githmonë e më rrallë shkoja të djelave në mëngjes tek dhoma e prindërve edhe sepse kisha filluar ta gjeja derën mbyllur.Sipas mamasë, me kalimin e kohës ata ndjenin më shumë lodhjen e javës dhe vetëm të djelën në mëngjes kishin pak kohë për vehten.Kishte ndryshuar edhe raporti im me “gabimet”.I kishim ndarë në dy grupe.Grupi i parë:Gabime të miat që  i vuanin ata dhe grupi i dytë;gabime të miat që i vuaja vetëm unë.Tek grupi i parë kishte një shumllojshmëri elementësh.Mund të ndodhte që të më porosisnin të blija bukë, unë harroja,ky pajetër ishte gabim dhe pasojat i vunin ata,sepse atë darkë detyroheshin të hanin makarona.Tek ky grup bënte pjesë edhe gabimi i lojës së futbollit.Unë luaja futboll, për shkak të talentit tim me topin më ndërhynin rëndë dhe vritesha.Me gjunjët e bëra copë shkoja në shtëpi dhe prindërit shqetësoheshin,pra ishte një veprim i imi që e vuanin ata.Me fjalë të tjera,”gabim”.Gabime të llojit të dytë, nga ato që i bëja unë dhe i vuaja vetëm unë, akoma nuk kishim gjetur,por sipas një teorie jo-darviniane,kjo s’do të thoshte se ato nuk egzistonin.Pra, teorikisht isha i lirë të gaboja brënda grupit të dytë.
Këtë periudhë vendosën që unë mund dhe duhet të bëhesha muzikant.Sapo kisha hyrë në moshën e pubertetit dhe më kishin qepur një pallto të madhe me porosi.Kisha shkuar aq shpesh tek rrobaqepsi për të më marrë masat sa ishte e pashmangshme që ta merrja inat.Sipas babait tim, ai model palltoje shkonte shumë me  nje violinë.Unë, me violinë në dorë,ecja me hap muzikanti ndërsa herë njëri e herë tjetri cep i palltos përthyhej bindshëm dhe me elegancë nga lëvizja e gjurit tim.Nuk habitem se pse nuk më mendonte në salla të mëdha koncertesh, mbushur me njerëz që më duartrokitnin.Ai vetë asnjëherë nuk kishte dashur të behej muzikant,kështuqë nuk mendoj se me mua donte të realizonte një endërr të tij të hershme por ishte i bindur se muzikantët bënin një jetë të qete.Kjo ishte diçka ” e mirë” dhe ai donte më të mirën e mundshme për mua.Problemi i vetëm ishte se nuk kisha vesh muzike dhe mungesa e këtij talenti po shndërrohej ne gabim,sepse ata po shqetësoheshin. Për fat të mirë u gjet një kurs firzamonike për ahengxhinj dhe përkundrejt një pagese jo shumë modeste,mësuesi pranoi të bëja pjese tek studentët e tij.Babait nuk i pëlqeu shumë kjo gjë-“firzamonika nuk më duket instrument fisnik”- dhe më këshilloi që mos ta vishja pallton e madhe kur të shkoja atje.Sipas meje akoma nuk i kishte humbur të gjitha shpresat.Mbase mund të bëhesha pak kompozitor ose një copë drejtuesi orkestre.Në kursin e firzamonikës u njoha nga afër dhe pa ndërprerje me mediokritetin.Gjatë dy vjetëve nuk kam munguar asnjëherë pa arsye.Që atëherë mendoj se të qënit ” i rregullt” dhe “mediokërr”, janë shumë pranë.Ndërsa khehesha në shtëpi prej kursit, një mbasdite kujtoja se gjatë gjithë kësaj kohe, asnjë prej anëtarëve të kursit nuk më kishte ofruar miqësinë e tij,më vinin në mënd fytyrat e tyre kur unë beja në menyrë të vazhdueshme të njëjtin gabim në ushtrime pa e kuptuar as vetë.Kishte nga ata që qeshnin nën buzë, të tjerë fshihnin kuturru’ vështrimet mëshiruesë në cilindo cep të dhomës.Nëse unë një ditë do të largohesha prej aty, askush nuk do ta vinte re mungesën time.Mendova se një gjë e tillë ishte gabim.Kur u ktheva në shtëpi deklarova se nuk do te shkoja më në kursin e firzamonikës.Nuk ndjehesha i aftë.Nuk isha ndjerë asnjëherë i aftë por tani e kisha kuptuar më së miri këtë gjë.Patëm debate të ashpra.Ata nuk kuptonin kokëfortësinë time ndërsa unë habitesha sesi ata nuk kuptonin pozicionin tim.Të gjithë shokët e mi kishin përfunduar librin e dytë me ushtrime ndërsa unë isha akoma tek gjysma e të parit.Në fund të një debati të gjatë, ku mamaja ndër të tjera i kujtoi babait se une kisa lindur ngjyrë vjollcë(ai replikoi ndër dhëmbë”nuk e mbaj mënd”), unë u gjenda përballë një pyetje të vështirë e të madhe:”Kujt i ka ngjarë?!”.Problemi nuk ishte pyetja në vetvehte,problemi ishte se ata donin një përgjigje dhe edhe pse pyetnin duke parë njëri-tjetrin ndër sy,diçka më thoshte se përgjigjen e kërkonin nga une.Kur isha i vogël më pyetnin shpesh:”Kujt i ke ngjarë ti të keqen teta që je kaq i mirë?!”.Mamaja përdridhej në prezencën e pyetjeve të tilla,ndërsa babai qeshte me vetëbesim të plotë sikur donte të thoshte:”çfarë pyetje..kujt i ka ngjarë?!’!,pse, nuk duket  që e kam nxjerrë unë nga hundët?!”Tani situata ishte paksa më e vështirë.Asnjëri prej tyre nuk më dukej se donte të merrte mbi supe këtë përgjegjësinë e “të ngjarit”.U shqetësuan për shkakun tim dhe kjo gjë ishte gabim.Pikërisht në ketë periudhë hyri në jetën tonë mësuesi i letërsisë.Ai kishte vendosur qe hartimet, pasi ti kishte korrigjuar dhe vlerësuar, t’ia tregonim prindërve.Ishte i interesuar të dinte mendimin e tyre rreth asaj që ne kishim shkruar

Hartimi im ishte vlerësuar me notën maksimale dhe me një kompliment të madh nga ana e mësuesit  në formën e një shënimi.Kishte aty edhe disa gabime ortografike që profesori i kishte nënvizuar me laps të kuq por që gjihsesi nuk kishin lëkundur opinionin e tij në notën që më kishte vënë.Sipas babait tim kjo ishte një formë e gabuar edukimi,ku mua me jepej liri për të qënë i padisiplinuar.Babai, thellësisht i revoltuar i tha mësuesit se do fliste me drejtorin derisa unë të kisha vlerësim më të drejtë.Ishim në salën e takimit me prindërit, unë, nëna, babai dhe profesori.Babai kishte vënë njërën dorë mbi supin tim si për të thënë se isha diçka që i përkisja atij, sikur donte të bënte më të dukshme lidhjen që na bashkonte.Nëna rrinte paksa e terhequr dhe sa herë që ishte e nevojshme lëshonte ndonje gjysëm buzëqeshje,herë drejtuar babait e herë drejtuar profesorit, në varësi të shikimeve që merrte.Ajo kishte veshur nje fustan blu që e bënte të dukej shumë mirë dhe për herë të pare aty kam menduar se nëna ime bënte seks me babain.Në koshiencën time ajo ishte akoma e virgjër dhe ky mendim i befasishëm më turbulloi jo pak.Prej rreth 2 vjetësh kisha filluar të masturbohesha.Një here ishim grumbulluar në banjon e shkollës tre- kater shokë dhe shikonim fshehurazi revista pornografike e pinim cigare.Pasi kishim shkrehur epshet e po pinim cigare, një nga shokët tha:”E dini, unë them se babai im  ka  bërë 4 herë seks me mamanë”.E tha ketë me ton keqardhjeje duke thithur fort cigaren.Më vonë shpjegoi se  shifra katër ka të bëjë me faktin se ai kishte tre motra dhe vëllezër.Atë moment,ndëra babai diskutonte me profesorin, unë kuptova keqardhjen e tij.Nuk kisha motra ose vëllezer por e dija se babai mund të bënte seks apo dashuri me mamanë sa herë të donte.Kujtoja ato thirrjet e tij, drejtuar mamasë, pas darke, kur shkonte të shtrihej me shpejt se zakonisht:”Do vish të flesh gjumë ti?”.U desh që mamaja të vishte atë fustan blu e të bëhej(mbase) e dëshirueshme në sytë e profesorit, u desh që babai të kishte atë debat që unë të kuptoja këtë prapaskenë kaq “seksuale”.Edhe unë, sikurse shoku im , vite më parë, nuk i dhashë babait bekimin tim për turpet që mund të bënte me mamanë në dhomën e gjumit dhe kjo jo për shkak të dashurise që ndjeja për mamanë.Ata flisnin akoma për hartimin tim dhe format e edukimit në përgjithësipor unë nuk dëgjoja, evitoja të shihja mamanë.Ndodhia në shkolle mendoj se ka shënuar fundin e një periudhe të gjatë dhe fillimin e një periudhe tjetër, po aq të gjatë, ku në dukje asgjë nuk ndryshoi por që në të vërtetë, së brëndshmi, unë panova profresorin e letërsisë si pikë referimi.Që prej asaj kohe më ndodhte të thurja ndonjë dialog në heshtje me ‘të.I tregoja ndonjë gjë të kndshme që më kishte ndodhur ose para se të vendosja për diçka, e pyetja.Ishin dialogë ose rrëfime që ndodhnin rrallë,por ndodhnin.Më vonë vura re se një gjë e tillë u përsërit edhe me disa persona të tjerë.Në këto heshtje të gjata me vehten, as atëherë e as  më pas, nuk pashë askund babanë.Sapo kisha mbushur tetëmbëdhjetë vjeç.

Dikur, në mes të kësaj periudhe, unë dhe babai patëm mundësinë tonë të dytë për të bërë diçka bashkë,mundësi që mori shëmbëllyrën e lojës së shahut.Një ditë u gjëndëm rastësisht para kutisë së shahut dhe bemë lojën tonë të parë.Më duhet të pranoj se nuk e pamë njëri-tjetrin si rivalë, të paktën jo që në fillim.Mbizotëronte fryma e ngrohtë dhe miqësore,nën vëzhgimin gjoja të shkujdesur të nënës.Për fatin e keq të babait, por edhe timin, babai ishte një lojtar i keq shahu.E thënë ndryshe, pas disa ndeshjeve, ku thonim edhe ndonjë fjalë, loja e shahut ishte e parathënë të zhdukej si formë komunikimi.Fillimisht,kur kishte paksa rivalitet, si babai edhe unë, ishim të vëmëndshëm dhe seriozë në lëvizjen e gurëve.Më vonë, kur ndeshjeve u dihej fundi, babai ndërroi taktikë.Hante ndonje gjë të çfardoshme gjatë kohës që luanim,tregonte zell të madh në mënyrën sesi qëronte një portokall ose një mollë dhe levizte gurët me një përtaci të paramenduar prej moskokçarësi profesionist.Edhe pse ishin veprime që më acaronin,nuk u grindëm asnjëherë.Mendoj që në pjesën më të madhe ka qënë merita ime.Pas disa muajsh,-mbase sepse unë fitoja gjithmonë,mbase sepse,hiq ca dialogë të thjeshtë ne komunikonim vetëm me zhurmën e gurëve të shahut mbi fushën kuadrate,-asnjëri  nuk shfaqi dëshirën të luante përsëri.

Pas kësaj mbizotëroi një periudhë e gjatë heshtjeje në marrdhëniet tona.Mbarova studimet dhe për arsye pune u largova nga shtëpia.Ndërkohë ata prisnin,prisnin dhe pyetnin:Si po shkon puna?Mund të bësh karrierë?Mund të hapësh një aktivitet tëndin?ke gjetur ndonje vajzë që mund të krijosh familje?.Përgjigjet e mia duket se nuk i kënaqnin,megjithatë kjo gjë nuk i pengoi ata të evolonin pyetjet e tyre,gjihmonë sipas teorise darviniane:Pse s’shkon mirë puna?,pse nuk të shohim të bësh karrierë?,pse nuk hap një aktivitet tëndin dhe mbi të gjitha;Pse nuk martohesh?!.Pyetja e fundit kishte evoluar vërtetë shumë.edhe Darvini vetë do të kishte ngelur i habitur.Fillimisht i vizitoja një herë ne javë,më pas një herë në muaj, pastaj një herë në dy muaj,ndoshta edhe një herë në tre muaj, nuk e mbaj mënd mirë por për të kompensuar, flisnim vazhdimisht në telefon.Fillimisht flisja me nënën.Ajo më pyeste për shëndetin  me të njëjtin shqetësim serioz.Unë isha gjithmonë mirë, nuk sëmuresha asnjëherë dhe gripi nuk me zinte as në dimër.Më pas i vinte rradha babait.Kam përshtypjen se ai e kërruante zërin para se të më fliste edhe pse kërkonte të jepte përshtypjen se  ishte i përgjumur,”po dremisja pak” dhe me ndërhyrjen e nënës e kishte marrë telefonin në dorë.Edhe ai më pyeste për shëndetin shpejt e shpejt, sepse mua më duhej të largohesha ngaqë flisja duke ngarë makinën.Në të vërtetë unë kujdesesha t’u telefonoja ndërsa isha në makinë dhe nja dy herë më ishte dashur ti bija edhe borisë për ta bërë sa më të besueshme situatën.Natyrisht, të ngisja makinën ndërsa flisja në telefon ishte gabim dhe kështuqë të dy nxitonim të përshëndeteshim.

Kur shkova tek ata për herë të fundit pashë se biçikleta e vjetër,që  ndodhej në garazh, nuk ishte më.Kishte qënë gjithmonë atje, me pluhurin e ndryshkun e saj, varur në mur.Kisha këmbëngulur që mos ta hidhnin.Babai nuk kishte thënë asgjë ndërsa nëna ishte përherë në ofensive pasionante.”Biçikleta duhet të hidhet, është e ndryshkur, nuk përdoret më, nuk mund të rregullohet,pse e mbajmë akoma?për të zënë vend?!”Kishte ndodhur të më merrte në telefon e t’ia niste, natyrisht pasi më kishte pyetur me seriozitetin e duhur për shëndetin:Isha poshtë, në garazh,bëra nja dy rrugullime,pashë edhe biçikletën,kot rri atje, si thua, ta hedhim?Unë asnjëherë nuk kisha pranuar ta hidhnin.E kisha përdorur  pak kohë, e vetmja gjë që kishim përdorur të dy, unë dhe babai, mund të dukej si një lloj stafete,por nuk ishte kështu.Ishte një objekt që më kujtonte fëmijërinë e largët por mbi të gjitha mbante aromë shtëpie.
Ndodh  gjithmonë kështu,sendet e fëmijërisë janë aroma e vertetë e shtëpisë.Nëna më tha se më në fund nuk kishte duruar më,babai e kishte ndihmuar ta hiqte nga muri dhe unë më së shumti nuk gjëndesha në shtëpi edhe kur vija ndonjëherë në fundjave,edhe pse rrallë e më rrallë.Atmosfera ishte irrituese.Edhe akuzuese mund të thuhet.Po atë mbrëmje,babai duke shkërrmoqur fjalët ndër dhëmbë dhe me tensionin e brëndshëm që i bënte ti dridheshin duart, deklaroi se unë nuk i kisha ngjarë asfare atij.Hiç.Kjo gjë për ‘të ishte më shumë se e bezdisshme, ishte një përfundim zhgënjyes.E thënë ashtu, pas hedhjes së biçikletës, ishte më shumë se një përfundim i arritur pas vite e vite reflektimi.Ishte një gabim.Natyrisht nga ana ime.Shikoja babanë mbi divan, i përndezur nga mëria e tij dhe më feksën në mënd kronikat e zeza,ku baballarë me probleme në familje,vrisnin gratë ose ish-gratë e tyre dhe më pas edhe fëmijët.Kisha pyetur vehten:fëmijët pse?!Ata nuk kishin faj. Tani kisha përgjigjen.Ata baballarë kishin humbur çdo shpresë se ata femijë do tì ngjanin atyre.Ky fakt i hiqte të fundit copëz dashurie prej narcizi.Kishte nga ato raste kur këta baballarë e kishin humbur shpresën se pasardhësit do t’u ngjanin, që kur fëmijët ishin katër, gjashtë, dhjetë, katërmbëdhjetë vjeç.Në këtë pikë mund të quhesha me fat.Isha 35 vjeç dhe vetëm tani babai e kishte humbur shpresën tek unë.Po të kem parasysh se ai me nënën shkonte mirë, atëherë mund të quhem fatlum,sepse do të thotë që në asnjë rast nuk më kanoset rrezik prej tij.

Ka kaluar kohë që atëherë.Ndonjëherë ndjehem i dobët dhe i plogësht dhe i them ndonjë fjalë profesorit të letërsisë.Herës së fundit, sapo kisha mbyllur një telefonatë me të shtëpisë dhe ndjeva se po të ishte e nevojshme mund ta doja babanë edhe pse nuk e dija se çfarë mund të stimulonte këtë nevojë.Po hamëndësoja intensivisht deri sa më në fund me doli një përgjigje , drejtuar jo vehtes por profesorit:Mu shkërdhye karakteri prof.Nuk kishte rëndësi nëse e kishte dëgjuar apo jo.E rëmdësishme ishte që e kisha thëne dhe padyshim ai do të më kishte miratuar.

Isha tek prindërit në prag te krishtlindjeve.Nëna më e shqetësuar se zakonisht më tha se  duhet të shikoja mundësinë e qiramarrjes së një mitre .Vetëm kështu unë mund të kisha një fëmijë(kishin humbur shpresat se mund të krijoja familje).Në Indi bëhej kollaj fare kjo punë dhe nuk ishte gabim.Kisha kohë që këtë fjalë nuk e përdornim më,ajo vuri re sesi mu hekuros lëkura e fytyrës ndërsa e dëgjova të thoshte “gabim” dhe me një nënqeshje prej nenë me la të kuptoj se nuk e kishte thënë në  kuptimin e vjetër të fjalës.Nuk i ktheva përgjigje,por më habiste nëna ime që kaq papritur ishte bërë mishërim i teorise “darviniane”.Ma zbuloi ajo vetë këtë sekret.Seç kishte një parandjenjë,të mbështetur edhe në fakte parathënëse ugurmira,-që natyrisht nuk mund të mi tregonte,sepse ishte shumë supersticioze,-se po të kisha një fëmijë, ajo patjetër që do të ishte vajze dhe do ti ngjante shumë asaj.Ika duke i thënë se do ta merrja vazhdimisht në telefon.Ashtu bëj.Flas gjithmonë me nënën.Babai gjatë dimrit është i sëmurë me grip dhe gjatë verës vuan nga vapa.Nëna e përshëndet nga ana ime.Ndonjëherë edhe ai më bën të fala.Mbyll telefonin dhe nënqesh me faktet parathënëse të nënës,dëshirën e saj për të patur një mbesë dhe në heshtje pyes:”hej prof.,sikur të lindë vjollcë habitore?!”

Tags: , ,

6 Responses to “Unë, babai dhe dashuria jonë e fundme”

  1. xhibi Says:

    Bukur, me pelqen, flm.🙂

    u gjenda përballë një pyetje të vështirë e të madhe:”Kujt i ka ngjarë?!”.

    😀

  2. xhibi Says:

    Si te gjitha te tjerat, mund te kete nevoje per lemime, por e bukur, dhe me pelqen thellesia dhe ciltersia e atyre qe pershkruan. Flm qe i ndan me ne.

  3. doriani Says:

    flm xhibi per kohen e kushtuar..dhe komentet

  4. Alban Says:

    Bukur.

  5. RAIMONDA Says:

    urime…. jam kurioze edhe per te tjera!!!!

  6. moza Says:

    i dashur Dori,,,,me duhet ta rilexoj prape…kesaj rradhe me duket se ma mbylle gojken……( pathje)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: