Një mbrëmje

by

” Love is our identity “, Nouran

nga Françoise Sagan
rktheu në shqip  Urim Nerguti

« Ca gjëra harrohen vetëm duke u marrë me gjëra të tjera », tha ajo me zë të lartë ; dhe e ndali ecjen nëpër dhomë me një të qeshur të vogël. Kishte tre mundësi : t’i telefononte Simonit dhe të dilte me të, të merrte tre hapa gjumi dhe të flinte deri të nesërmen (por kjo zgjidhje e neveriste si një shtyrje afati e kotë), ose të lexonte një libër. Por libri do t’i shpëtonte nga duart, sado tërheqës të ishte, ose më saktë (dhe ajo përfytyronte qëndrimin e vet) do ta ulte mbi çarçaf dhe do t’i mbyllte sytë, e ulur ashtu mbi shtrat, me dritën që do t’ia zverdhonte qepallat dhe me këtë pështjellim që nuk e braktiste. Ose që e braktiste me çaste, çaste ngadhnjimi, hareje ku ajo thoshte me vete, « i pohonte vetes » se ajo s’e kishte dashur kurrë Markun, dhe se pak rëndësi që ai kishte ikur. Jo, zgjidhja e librit ishte për t’u hedhur poshtë, ajo s’e duronte veten duke lexuar, e duronte vetëm duke u trullosur. Me « të tjerët ».

T’i telefononte Simonit. Ndërsa binte zilja, ajo e shëtiste telefonin nga faqja tek veshi, kauçuk të zi dhe të lagësht që e neveriste disi, duke dëgjuar tingullin e mprehtë të mbytur apo të rishfaqur në varësi të ngjeshjes ose jo përkundër lëkurës. « Do të përbënte një skenë të mirë filmi, mendoi ajo, gruaja duke thirrur dashnorin, duke ia përkëdhelur zërin si për fillim… » Simoni kishte zë të freskët, të përjetshmin zë të freskët të Simonit. Ajo e kuptoi se duhet të ishte vonë.

« Jam unë, tha ajo.

– Mirë je ? tha Simoni. Jo, nuk duhet të jesh mirë përderisa më merr në këtë orë.

– Nuk jam keq jo, tha ajo – dhe sytë iu mbushën me lot përballë butësisë së zërit të tjetrit –, nuk jam keq, por do të doja të dalim diku për një gotë. Ishe shtrirë ?

– Jo, tha Simoni, dhe për më tepër, edhe mua më pihet. Për dhjetë minuta jam atje. »

Me të ulur telefonin, dhe përballë fytyrës së shprishur në pasqyrë, ajo u ndje e dërrmuar nga ideja se duhet të dilte, e pushtuar nga dëshira që të rrinte në këtë dhomë, vetëm, me mungesën e Markut, me atë çka mbase ishte me vend të quhej vuajtje. Ta ushqente, t’i dorëzohej kësaj vuajtjeje. Ajo filloi ta urrejë këtë instinkt vetëruajtjeje i cili, që prej afro një muaji, e shmangte nga kjo vuajtje si një dordolec. E përse të mos përpiqej të vuante pak, në vend që t’i shmangej, që të shmangte gjithmonë gjithçka ? Vetëm se kjo ishte e kotë, po aq e kotë ta lësh veten të jesh fatkeq sa dhe të përpiqesh të jesh i lumtur, po aq e kotë sa gjithë pjesa tjetër, sa jeta e saj, sa Simoni, sa kjo cigare që ajo e shtypi në taketuke para se të lyhej pak.

Simoni ishte tek dera. Ajo i buzëqeshi kur po zbrisnin shkallët, duke u kthyer drejt tij dhe anuar kokën prapa, dhe i dërgoi një buzëqeshje të turbulluar. « Eshtë e vërtetë se kemi qenë të dashur, mendoi ajo, përpara Markut ; s’më kujtohet më aq mirë përse jemi prishur. » Në fakt, asaj s’i kujtohej më ndonjë gjë e madhe nga ajo periudhë, sepse gjërat binin përpara Markut, shkërmoqeshin si murojat e Jerikos. Oh ! mjaft më mendove për Markun. Ajo nuk e donte më, nuk dëshironte që ai të rikthehej, asaj i vinte keq thjesht për vetveten, për vetveten në atë çast, e rrumbullakët, e lëmuar, e mbushur, duke u endur në një orbitë të huaj.

« Jam e lodhur me veten, tha ajo në makinë.

– Je e vetmja, tha Simoni, – dhe mori një zë të mprehtë : ne të gjithë të duam shumë.

– Ti e di, tha ajo, është si ajo kënga e Mac-Orlan :

Do të doja, do të doja nuk e di fort mirë,

Do të doja të mos e dëgjoj më zërin tim…

– Dëshiron të dëgjosh timin ? tha Simoni. Të dua, e dashur, të dua çmendurisht. »

Qeshën të dy. Mbase ishte e vërtetë. Përpara diskos, ai i hodhi krahun në sup dhe ajo u mbështet vetvetiu pas tij.

Vallëzuan. Muzika ishte një gjë e nxehtë, e mrekullueshme. Ajo e kishte mbështetur faqen pas supit të Simonit, pa fjalë. Vështronte para vetes vallëzuesit e tjerë, fytyrat e tyre të anuara prapa duke qeshur, apo të tendosura në pritje, duart e burrave të mbështetura mbi shpinën e grave, zotëruese, trupat e nënshtruar ndaj ritmit. Ajo s’mendonte për asgjë.

« Kjo heshtje… tha Simoni. Marku ? »

Ajo tundi kokën :

« Ti e di, Marku ishte një histori ndër të tjera. Gjërat s’duhen zmadhuar. Jeta kalon.

– Fatmirësisht, tha Simoni. Jeta kalon, unë mbetem, ti mbetesh. Ne vallëzojmë.

– Ne do të vallëzojmë tërë jetën tonë, tha ajo. Ne jemi nga ata njerëz që vallëzojnë. »

Në të gdhirë, ata dolën në ajrin e freskët, u shkundën dhe makina e Simonit i shpuri tek ai. Ata s’thanë asgjë por më pas, duke vajtur për të fjetur, ajo e puthi në faqe, u mbështet në supin e tij dhe i vuri një cigare të ndezur në buzë.

Dita kalonte përtej perdeve, ndriçonte rrobat përtokë, dhe ajo i mbante sytë të mbyllur.

« Ti e di, tha ajo me një zë të qetë, është e çuditshme jeta, tërë kjo…

– Çfarë ? tha ai.

– Nuk e di », – dhe duke u kthyer nga ai, fjeti në brinjë. Ai ndenji një çast pa lëvizur, pastaj i fiku të dyja cigaret dhe fjeti gjithashtu.

 

nga Françoise Sagan

Tags: , , , ,

8 Responses to “Një mbrëmje”

  1. alfred Says:

    “Ti e di, Marku ishte një histori ndër të tjera. Gjërat s’duhen zmadhuar. Jeta kalon.”
    Kjo te fut tmerrin e ne te njeten kohe tregon se jeta qeveriset prej ligjeve qe ne na duken gjithnje te panjohura e shpesh te padrejta. Ne kete tregim me duket sikur e gjithe veshtiresia e personazhit eshte e nesermja, me pas cdo gje behet me mire.
    Panta Rei…

  2. Era D'estate Says:

    “Ajo filloi ta urrejë këtë instinkt vetëruajtjeje i cili, që prej afro një muaji, e shmangte nga kjo vuajtje si një dordolec. E përse të mos përpiqej të vuante pak, në vend që t’i shmangej, që të shmangte gjithmonë gjithçka ? Vetëm se kjo ishte e kotë, po aq e kotë ta lësh veten të jesh fatkeq sa dhe të përpiqesh të jesh i lumtur, po aq e kotë sa gjithë pjesa tjetër….”

    Kjo eshte pikerisht ajo qe u ndodh njerezve qe vallezojne tere jeten e tyre pavaresisht gjithckaje, s’e konsumojne kurre dhimbjen e tyre, enden mes buzeqeshjeve e paperfillshmerise ne dukje e ligeshtimi u ze gjithnje e me shume frymen. Ndersas ata qe vuajne ne menyre akute e demonstrative gjithnje pastrohen nga mbetjet e me pas jane te lire pergjithnje.

  3. desaparacidos Says:

    Nuk e kuptoj kete, ” të merrte tre hapa gjumi dhe të flinte deri të nesërmen “… çfare eshte ” tre hapa gjumi”, thuhet ne shqip?

  4. xhibi Says:

    Me pelqen, flm Urim per perkthimin dhe prurjen, sidomos nga keta autoret jo-anglishtfoles qe dhe s’na bie “rruga” ti lexojme. Do isha kurioz ta lexoja dhe ne anglisht (meqe s’di frengjisht)…

    desparacidos: hapa = hapje (pills)

    Era, nuk jam i sigurt qe vuajtja eshte ilaci, apo qe ka me shume te mira se te keqia. Mbase eshte me shume ceshtje tipa njerzish; ata/ato qe ‘vallzojne’ jane tipa te tille, si dhe ata qe vuajne…

  5. a Says:

    Ata qe vuajne nje dhimbje ne menyre te menjehershme duan me doemos ta shprehin por kjo sdo te thote qe nuk jetojne me te gjithe jeten, madje jetojne intensivisht me te deri ne castin qe nuk ka me dallim mes lumturise dhe vuajtjes, shkrihen ne nje trup te vetem.

    Njerezit qe vallezojne gjithe jeten jane personazhet e tregut te vanitetit qe fshehen pas nje buzeqeshje, pas nje vuajtjej qe nuk duan, qe genjejne veten vazhdimisht; hipokrizia e veprimeve te padrejta qe bejne te tjere shnderrohet ne te vetmin meter gjykimi per cdo gje. Ata, nen udheheqjen e nevojes se domosdoshme te veteruajtjes shnderrohen ne perbindesh te boshllekut te cdo gjeje perreth. Ne vend qe te jete ne binaret e natyres ata jane shnderruar ne asgje prej te ashtuquajturave ide liberale te cilat i kane lidhur perqafe pas nje trungu te trashe e te kalbur.
    Eshte e natyrshme vuajtja, eshte e natyrshme qe instiktivisht te ruhemi duke e shkarkuar diku por kurre te fshihemi. Eshte e natyrshme instikti i vetevrasjes, kerkimi i rrezikut. te kundertat e ketyre jane pjelle e kultures perendimore.

  6. Nuvole Says:

    Eshte shume e thjeshte te evidentosh hipokrizine e gjithcka tjeter te denueshme tek te tjeret. Cdo qenie e gjalle ka tendencen e natyrshme t’i arratiset dhimbjes edhe pse arratisja mund te rezultoje njesoj e dhimbshme. Instikti i veteruajtes eshte me kompleks sesa te shoqerohet em hipokrizine e e ide ilberale e kultura perendimore etj etj.
    Nese s’pranojme kompleksitetin gjithnje te paparashikueshem te njeriut e situtatave ka shume mundesi te vazhdojme gjithmone te bejme kategorizime qe jane shume larg asaj qe eshte ne te vertete. Por duke qene komplekse, ne sigurisht perceptojme, ndjejme, reagojme, kuptojme, vuajme, dashurojme, perpiqemi te vete-sherohemi, enderrojme e buzeqeshim ne menyra te ndryshme.

  7. a Says:

    NUk e eshte e vertet. Nuk eshte natyren e njeriut te shmange dhimbjen. AJo eshte ne cdo gje, ne cdo ndjesi, ne cdo hap qe hedhim, ne cdo enderr. Ta mposhtim duke u arratisur eshte gjeja me vanitoze qe mund te behet: pjelle e kultures sone qe eshte munduar te shtypi cdo impuls dhe instikt qe mund te shkaterronte rregullsine e shoqerise, te klasave, te shteteve.
    Njeriu eshte ai qe eshte, njeri i shpellave, njeri qe ka mangesi si organike ashtu dhe mendore. Pra eshtenjeri qe shpreh vuajtjen ndaj mangesive perreth tij. Vret sepse e di qe do vritet, urren sepse e di qe do te urrehet. Te pranojme kete eshte gjeja me e ndershme qe i behet arsyes sone. Ta shmangim evidencen eshte vanitet, eshti si ai personazhi i Thackeryt, Rebeca, e cila duke mos pasur Nenen qe ti gjente burre perpiqet ta gjej vete, ben si jetime, ben si e dashur, buzeqesh pa e ndjere, vetem e vetem sepse kultura e saj ja kishte imponuar ne nje fare menyre, ne vend qe te ishte e sinqerte me veten dhe natyren e saj, te pohonte brenda vetes qe ajo po e kerkonte dicka te tille, te pohonte se asaj nuk i interesonte gje tjeter vecse nje njeri i pasur, te mos buzeqeshte vetem sepse duhej, te mos shmangte natyren e saj vetem sepse ashtu duhej te ishte.
    Te behemi te vetedishem qe shume gjera ekzistojne dhe nuk mund ti mposhtim eshte nje ankt sublim qe i behet qenjes, pa u fshehur ne miresite qe duet te rrjedhin me do e mos nga natyra njerezore vetem prej faktit se vazhdojme te gjykojme si hipokrizi aktet e te tjereve.

  8. Alket Bushi Says:

    (Nga “Kështu foli Zarathustra”.)

    NJË
    O njeri! Ki mendjen!

    DY
    Ç’po thotë mesnata e thellë?

    TRE
    “Unë fle, unë fle!”

    KATËR
    Nga një ëndërr, befas, u zgjova!

    PESË
    “Bota është e thellë”.

    GJASHTË
    Më e thellë sesa mendon dita.

    SHTATË
    E thellë është dhimbja ime.

    TETË
    Gëzimi është më i thellë se hidhërimi.

    NËNTË
    Dhimbja thotë: ik që këtej!

    DHJETË
    Çdo gëzim dëshiron përjetësinë.

    NJËMBËDHJETË
    Do të thellën, të thellën përjetësi!

    DYMBËDHJETË

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: