( Closed ) City Park Albania

by

Kurioziteti më çon deri të autobusët luksoze që nisen nga qendra e Tiranes. Nuk kuptoj se pse bashkia ka dhënë leje që mjetet të nisen prej këtej duke shtuar edhe një autobus tjetër në trafikun e rënduar të qytetit. Apo pse transporti publik përdor ca gërmadha ndërsa privatët janë gjithmonë para nesh. Autobusi vjen, ndalet, mbushet, niset. Nga jashtë makina ka disa letra të ngjitura që tregojnë për arritjet e vendit tonë. Të bukura, të pastra, joshëse. Brenda është plot, njerëz nga çfarëdolloj klase e kulture. Ka shumë çifte të moshës se thyer, dhe nuk e di se pse por ky detaj më ngelet në mendje. Nisemi. Trafiku është kapriçoz, mund të ecësh më 30 kilometra në orë e pastaj të ndalesh. Si gjetkë, një vizite në Citypark Albania ( CA ) , the largest Shopping mall in the Balkans është edhe një ngjarje sociale. Nëpër qytetet ku kam shkelur, të gjithë dyqanet e mëdhenj mbushen plot e përplot. Në fundjave shumëkush nuk di mirë se çfarë të bëjë e atëherë shkon nëpër vende të tilla. Duhet të këtë të bëjë më vetminë e më pjesëmarrjen. Në fakt ekzistojnë më mijëra faqe sociologjie të cilat flasin për vendet e reja të takimit. Vende si CA kanë zëvendësuar kishat, bilardot, libraritë, e deri diku edhe lokalet. Kjo në Shqipëri nuk mund të ndodhi, si për diktaturën e lokaleve si për mundësitë ekonomike të klasës së mesme shqiptare. E megjithatë, ajo që është e sigurt është që pjesa më e madhe e bashkëpasagjerëve të mi nuk shkojnë aty për të blerë. Kush për të pare, kush për të shtyrë kohen, kush për të shkruar ndonjë artikull mesatarisht të keq. Është si një tempull.

Në autobus ama, mungon një pjesë e shoqërisë. Edhe pse të varfërit janë e dallohen lehtë, mungojnë të mjerët. Këta psh mund t’i takosh gjatë linjës Tiranë-Rinas. Në atë copë rruge  përfitojnë nga zemërgjerësia apo lakmia e shoferit e bëjnë një copë rruge më emigrantët. Shkojnë deri në fshatrat afër Rinasit. Shpesh here janë të njëjtat nëna që ulen në rrugët e Tiranes e shesin majdanoz a kumbulla. Ore, po si ka mundësi që edhe këto plakat e këputura shkojnë jashtë shtetit?, më pati pyetur njëherë një emigrant, gjithë mllef e xhelozi. Donte që Evropa të ishte vetëm e tija, e unë doja që ti thoja diçka aq të fortë saqë të shkatërroja arrogancën e tij fodulle. Por s’është se më erdhi ndër mend ndonjë gjë e saktë kështu që mbaj mend të kem ngritur supet. Ndoshta edhe i kam folur, kane kaluar shumë vite.

Shumëkush e njeh rrugën që të nxjerr nga Tirana. Në të dy krahët e tua shtrihen çfarëdolloj biznesesh të zymta. Të shikosh majtas apo djathtas është e njëjta gjë. Lavash më ujë të pishëm. Flamuj që dikur kanë qenë të kuq –  tashme të zverdhur nga dielli –  masin patriotizmin tonë. Gomisteri, shesim makina, dentistë, shalle mbuluar nga vite pluhuri, universitete private, fabrika, limuzina, vila, mobilieri, përsëri fabrika, pallate që shndrisin e themele të braktisura. Çdo gjë është një sfidë kundër harmonisë. Këtu ndërtohet kështu : hedh themelet, shkon në emigrim. Bëjnë para për një kat, kthehen, hedhin katin e parë, shkojnë në emigrim, kthehen, hedhin katin e dytë, shkojnë në emigrim. Vazhdojnë kështu derisa vdesin sepse, siç thonë të vjetrit “ Shtëpia ka 1001 gjëra, shtëpia s’mbaron kurrë” .

Nga jashtë CA duket si triumfi i kapitalizmit shqiptar, shembulli i përparimit, prova e suksesit që shtrihet vetëm pak kilometra jashtë Tiranes. Gjithçka shndrin. Një shqiponje krenare zbukuron hyrjen, shkallë më mermer e kamerier më kostume. Nga brenda duket si një lodër gjigante që një fëmijë i llastuar ka braktisur aty sepse po loz më diçka tjetër. Këtu kane ardhur edhe lojtaret e Real Madrid-it, më thotë dikush me krenari. Domethënë që nëse kane ardhur edhe ata këtu, do të thotë që ne nuk jemi rronxho ponxho, diçka vlejmë. E masim përparimin tonë më vizitën e ca çunave të llastuar që dine se të gjuajnë një top. Ca thua ti re? – përgjigjem – Çunat e Realit?Po po. Biles thonë që u ka pëlqyer shumë. – E kush e thotë? – pyes kurioz. Ngre supet.

Për shumë njerëz, përparimi i Shqipërisë matet më hendekun midis klasave. Sa më i thellë të jetë ky, aq më para ka ecur vendi jone. Është një arsyetim i gabuar sepse ekonomia nuk është medoemos mirëqenie. Tregojnë një histori shumë domethënëse : nëse ti ha dy pula për darkë, e unë s’ha asgjë, statistikat thonë që dy veta kanë ngrënë dy pula për darkë, pra që secili prej nesh ka ngrënë një pulë. Por këto janë detaje për të cilët nuk është mirë të mendojmë. Jo sot, kur Citypark is the city that will make us proud for a long time. Citypark is the diamond of Albania. Citypark është qyteti më të cilin do të krenohemi të gjithë, është guri i çmuar i vendit tonë. CAështë diamanti i Shqipërisë. Të urtët thonë që diamanti e qymyri janë vëllezër, edhe pse nuk i flasin njeri tjetrit .

Këtu ka ardhur edhe F.Corona, thonë, për të inauguruar dyqanin e tij. F.C është një kriminel që jeton duke bërë shantazhe, përgjigjem. Ngre supet, këto janë detaje pa rëndësi.

Bëjmë një xhiro, shplodhim këmbët, prekim arritjet. Arritjet janë dyqane luksoze që rrethojnë godinën nga brenda. Praktikisht qendra është bosh ndërsa rreth e rrotull gjenden shumë dyqane të vogla. Kujton magazinat La Fayette pak para se të mbyllin. Ora shënon mesditën e një fundjave më diell, ky vend duhet të ishte plot. Por duket qartë që pjesa më e madhe e atyre që ndodhen tani brenda godinës janë punonjës, ndërsa klientët ecin me duar në xhepa. Shitëset rrinë mbështetur në tavolinë me sytë nga dyert. Te dera krijohet një kufi i padukshëm që pak njerëz guxojnë të shkelin. Shikojmë dyqanet, janë ndër emrat më të mëdhenj të modës botërore. Peugeot,  Police Be Unique,  Primigi,  Rebook – Adidas, Replay,  Roger’s, Samsonite, Sarah Chole, So Chic, Versace Home, Vodafone. Nuk e kuptoj se pse Rebook e Adidas janë bashkë, e jam shumë i joshur nga So Chic. Si përfundim më duket se i shikoj të gjitha por pas pak dyqanesh nuk kuptoj më asgjë. Ngatërrohen me njëri tjetrin, janë te gjithë njësoj e duket sikur shesin të njëjtat gjëra.

E megjithatë diçka më ngelet në mendje : çmimi e larte i çdo gjëje në dyqanet anash, pak sipër normales ato në dyqanin ushqimor. Në fakt CA është i mbyllur për shumë konsumatorë shqiptarë, është përtej mundësive të tyre ekonomike e psikologjike. Më një llogaritje të thjeshte mendoj që rroga e shitëses së disa dyqaneve nuk i mjafton për të blere 2-3 gjera në dyqanin në të cilin punon. Kjo është një statistike që mund të përdorni për ta matur pak më mirë arritjen shqiptare.

[1] Qymyri e diamanti kanë të njëjtën përbërje kimike, por strukturë fizike të ndryshme. Praktikisht, karboni nuk e lejon dritën që të kalojë, e thith edhe e ndal, ndaj edhe ngel i zi. Diamanti thjesht lejon që drita ta depërtoje, ky është ndryshimi.

Gusht 2010, Tiranë

Tags: , ,

3 Responses to “( Closed ) City Park Albania”

  1. oltimus Says:

    Me pelqeu

  2. Romeo Says:

    Mese e vertet ajo qe thua🙂 Shkrim shume shume domethenes qe duhet te vej te llogjikoj shume persona ne kete bote. Edhe per mendmin tim hendeku midis shtresave te popullsise, sidomos kohet e fundit, eshte ber jashtezakonisht i madh.
    BRAVO! edhe nje here per shkrimin….

  3. bubikacurrel Says:

    jo c’do gje qe shkelqen eshte flori ,,,,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: