Ku shtrohet Vala… (Romancë)

by

 

Lasgush Poradeci

Ku shtrohet vala përmi zall
E fryn një këng’ e pakuptuar,
Të pashë, motër, plot me mall,
më pe me shpirt të llaftaruar.

Q’aherë silleshim me nge,
Gjith vet-i dytë, vet’e dytë..
Dh’i shtinja sytë gjith përdhe-
Gjithë përdhe m’i shtinje sytë..

Po me t’u ndarë vet e vet,
Më s’kishim turp që s’kishte fjalë..
Na ritej malli posi det,
Posi një det që vjen me valë:

E prapë silleshim me nge
Gjith vet-i dytë, vet-e dytë;
E prapë sytë gjith përdhe,
Gjithë përdhe pikonin sytë.

………………………………..

………………………………..
Q’aherë qamë plot me mall
Atë vështrimin e kaluar,
Ku shtrohet vala përmi zall
E fryn një këng’ e pakuptuar.

Se kish kuptim që s’kish kuptim,
Kuptim’i fellë-i mallit t’onë;
Se malli jon’ish zotërim,
Që robëron përgjithëmonë;

Se s’dashuronja-as un’ as ti,
Po dashuronte dashurija:
Një dashuri – një fshehtësi
M’e fshehur sesa fshehtësija.

 

 

 

 

Tags: , ,

3 Responses to “Ku shtrohet Vala… (Romancë)”

  1. xhibi Says:

    Janë mijëra puthje fine

    Në një gji, në breg të detit, larg, që kur nuk mbahet mend,
    Në një qoshe që pak kush e ka parë në këtë vend;
    Rrinin fshehur nga të tjerët, një shkëmb shtufi i vetmuar,
    Dhe një valë e shkumbëzuar…
    …keq pas tij e dashuruar.

    Ish’ një gur me zemër guri, madhështor gjer lart në re;
    Një shkëmb bregu, gur i murrmë, me plot zgavra e fole.
    Por atje në breg të detit dhe një valë qënkesh zgjuar,
    Edhe rritur nëpër ujëra anës bregut të copëtuar.

    Kush e di si pati nisur?! Kush e pa atë fillim?
    Kush ka qenë q’e ngacmoi këtë lodër të pakthim?
    Kush i vuri pran’ e pranë njëri tjetrin të shikojnë,
    Njëri tjetrin keq të vluar…përgjëruar të përgjojnë?

    Vala ishte krahëlehtë, nazetare plot magji,
    Dhe gjith’ vinte edhe kthehej duke luajtur në gji.
    Në k’të mëngëzë të detit q’e kujtoj gjithnjë me mall,
    Val’ e ëmbël zgjohej-flinte faqezën shtruar në zall.

    Bredharakja lodërtare here vinte, here shkonte,
    Dhe pas këmbëve të ftohta shkëmbin akull përqafonte.
    E kupton që miku i bregut as e sheh, as e dëgjon,
    As një fjalëzë të ëmbël ngushëllimi s’i dërgon.

    I afrohet kokën ulur duk’ e ndjell’ në gji të saj.
    I njom këmbët me lot brenge hidhëruar dhe pastaj,
    …Shkumbëzohet e xhindosur, mbledh demonët e tërbuar.
    Dashurin’ e egër shkëmbit ja dërgon të qindfishuar.

    Shkëmbi…akull…rrinte bregut; kokën mbante drejt përpjetë.
    A mos vallë atje lart, dashuruar ish’ me retë?
    Eh! E shkreta val’ e vogël sa mundohet e rënkon;
    Dashurin’ e përvëluar më kot shkëmbit ia tregon.

    Qante vala dit’ e natë, pa pushuar e me lotë.
    -Si të bëj që guri i murrmë të më dojë mua? -thotë.
    -Si të bëj o det, mësomë. Dua ndihmë! Pse s’më thua?
    Si të bëj që shkëmbi i dashur të më dojë vetëm mua?

    -Mos qaj valë! Duke qarë nuk ndjen guri i harruar.
    Përkëdhele, perkëdhele!…Ledhatoje papushuar!
    Puthe valë! Puthe shumë!…Mos e lodh ti zemrën kot!
    Veç me ledha e mund gurin. S’ke ç’i bën atij me lot.

    I shikon grimcat e rërës, kaq shumë nëpër dete?
    Motrat tënde duke puthur i kan’ bër’ gurët për vete.
    Lumturohu bija ime dhe për ty shkëmbi do tretet.
    Do ronitet krejt pas teje; rër’ e imët do të mbetet!

    Qeshte vala dhe mendohej: -Ç’flet dhe ky deti tani!
    Grimc’ e rërës q’i mbush fundin…paska qënë dashuri?!!

    -…Jan’ shkëmbinjtë që jan’ falur.- qeshet vala e gëzuar.
    -Aty prehen të ronitur valëve të dashuruar.

    …Janë mijëra puthje fine, adhurim që s’mbaron kurrë,
    Që në shekuj valët dhanë dashuruar nëpër gurë…
    Dhe gëzohej val’ e vogël në një qoshe, në bregdet.
    -Do të vij’ një ditë”, -thotë, -unë shkëmbim do ta tret!

    Dhimitraq Papando

  2. un Says:

    Edhe Papando eshte mjeshter ne llojin e vet.

  3. d Says:

    po pse more xhibi sna the ta vinim si artikull ndonje dite🙂

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: