A mund të dashurojmë pa vuajtur?

by

nga Mira Meksi

A mund të dashurojmë pa vuajtur? Alegoria e dashurisë është përcaktuar që në fillim të kohërave: një zemër; simboli i saj: një zemër e shpuar tejpërtej nga një shigjetë, që kullon gjak dhe që rrëfen se dashuria është fatalisht dhe pazgjidhshmërisht e lidhur me vuajtjen dhe dhembjen; çifti më emblematik: Romeo dhe Zhuljeta.

Të lashtët, perëndinë e Dashurisë, Erosin, e përfytyronin dhe e paraqisnin si një fëmijë sylidhur, pra i verbër, i shurdhët, lojcak dhe mizor e i pamëshirshëm, gjer edhe me të ëmën, Afërditën. I verbër, sepse vetë pasióni që ai përfaqëson, në më të shumtën e herës, është një përjashtim i mendimit dhe gjykimit cerebral; lojcak, sepse lehtazi merr zjarr, dhe po aq lehtazi shuhet. Është më i bukuri i perëndive të pavdekshme dhe më mizori: shigjetat e tij si rrufeja therin ajrin dhe godasin e shpojnë zemra, — ky veprim paraqitet metaforikisht gjuhësisht: i godituri humbet drejtpeshimin, pengohet, rrëzohet, gremiset, shkërmoqet, vithiset, fundoset, shembet, plandoset, qorrolliset, — bie në dashuri. Në gjuhën shqipe folja “bie” formon shprehjet ku analogjia kuptohet vetiu: bie i sëmurë, bie ngushtë, bie në kllapi, bie në kurth, bie në gjak, bie në dëshpërim, bie në fatkeqësi, bie në betejë, bie i vdekur… Kjo rënie pra, kjo rënie e ëmbël, në rastin e dashurisë, përfytyrohet si pasojë e një veprimi të jashtëm, andaj dhe Mitologjia greke e paraqet dashurinë si një pasion, pra si një mungesë tërësore të arsyes, madje pasioni ( pathema grek dhe passio latin ) konsiderohej si një çrregullim, me veprime të befta e të pakontrollueshme që sillnin rreziqe: vuajtje për individin, dëshpërim për familjen dhe rrëmujë për qytetin; fjalët pacient dhe patologji nga kjo rrjedhin. Në Antikitet u kultivua ideja se pasioni vinte jo vetëm nga jashtë, por edhe imponohej nga Perënditë. E që këtej, i dashuruari-i pasionuar dilte se ishte një viktimë e forcave të jashtme dhe të epërme, ndaj të cilave ai nuk kishte asnjë kontroll, e për pasojë nuk ishte i lirë, apo i përgjegjshëm për veprimet e tij. “Më ndodhi!” dëgjojmë edhe sot e kësaj dite, sidomos kur “ndodhia” thyen parime dhe rregulla të moralit (kur bie p.sh. në dashuri me të dashurin e motrës, apo me gruan e shokut) dhe ngjan sikur dashuria ndodhet në anën e kundërt të vlerave etike dhe morale. Ndonëse parimisht nuk mund të vendosim për një ndjenjë, sërish gjykojmë se ndjenjat nuk janë vetëm një fat që të bie dhe që detyrimisht duhet mbajtur apo vuajtur. Emocionet krijohen apo mbijnë nga një kontekst i caktuar kulturor, por edhe krijohen në gjirin e shoqërisë. Porse duhet pranuar, gjithsesi, se ndjenjat e ndryshojnë mënyrën tonë të të menduarit apo të të parit të gjërave. Fakti që dashuria është vendosur në sferën e mungesës së arsyes, ka bërë që filozofët dhe sociologët të merren shumë me të. “Një pjesë e rëndësishme e mirëqenies sonë luhet në marrëdhëniet dashurore”, thotë R. Kreimer në “Koncepte perëndimore mbi dashurinë”. “Mbetet të pyesim se përse dreqin e përdorim arsyen për shumë vendime të rëndësishme të jetës dhe parapëlqejmë të heqim dorë prej saj kur bëhet fjalë për dashurinë”. Konceptimi i dashurisë si një fenomen jashtë arsyes ka bërë që në kulturën perëndimore dashuria të lidhet me “çmendurinë”, me vuajtjen dhe dhembjen, gjer në atë pikë sa vuajtja nga dashuria është ngritur në vlerën e një virtyti dhe gjer të një heroizmi. Shekaspeare-i e përshkruan kështu këtë formë “çmendurie” në sonetet e tij: O dashuri, po ç’sy më vure moj në ballë/ që ky vështrimi im përherë më gabon,/ në mos po mendja, ku ka fluturuar vallë/ që ndryshe i sheh gjërat dhe ndryshe i gjykon? Dhe më tej: Të verbër dashuri dinake ti më mban/ të metat mos t’i shohë syri im që qan. Ndërsa Lorca kaplohet nga ankthet dhe frika se mos e humbet “çmendurinë e ëmbël”, në Sonet i Rënkimit të Ëmbël : Frikë kam përherë mos humbas mrekullinë/ e syve t’tu prej statuje porfiri/ dhe përmbi faqe çdo natë ledhatinë/ e firomës sate vetmi trëndafili. Në të tjera vargje vajton dashurinë: Oji zë i fshehtë i dashurisë sterrosur!/oji blegërimë pa zot! plagë zezanë!/ oji thumb prej vreri, kamelie e fundosur!oji rrjedhë pa det, qytet pa murranë!, ndërsa në Plagë Dashurie, ulëret nga dhembja: Kjo dritë, ky zjarr që më përpin/ Kjo pamje e hirtë që më rrethon,/ Kjo dhembje për një mendim ngulmon/Ky ankth qielli dhe kohe më vetëtin. Kjo gjëmë gjaku që zbukuron me nge/ kjo lirë pa puls, kjo shkarpë nepsqare/ kjo peshë deti që më godet tinëzare/ ky sfurk që gjoksin tim ka fole. Janë shirita dashurie, shtrat me të plagosur/ ku s’ka as ëndrra, por unë ty të ëndërroj/ mes gërmadhave të gjoksit tim hirnosur. S’ka pikë dyshimi se marrëdhënia midis dashurisë dhe vuajtjes është pothuaj universale, ajo nuk kursen as të vdekshmit dhe as të pavdekshmit: Jupiteri bulurin Olimpit duke u ngashëryer për Leda-n, ndërsa “atje ku përshkumet deti sicilian” – këndon poeti i madh spanjoll, Gongora – “përgjatë udhëve Akis dhe Galateas, ende dëgjohen tek bien dënesat dhe mallkimet buçimtare të xhelozisë së harbuar të Polifemit, ciklopit gjigant me një sy, të dashuruar me nimfën e re, Galatea-n, e cila përvëlohet nga dashuria pas perdeve të zeza të një thurime të dendur urthi”.

Filozofët stoikë radikalë propozuan “shkuljen nga rrënjët” të pasionit, si një kancer për shoqërinë njerëzore; Mesjeta e rivlerësoi pasionin e dashurisë përballë asketizmit të krishterë, por vetëm në kontekstin jashtëmartesor ( e që pa dyshim, s’ka tjetër fat veç dhembjes); trubadurët i kënduan vetëm dashurisë fatkeqe; romantizmi i thuri lavde pasionit dhe nuk e ndau dot kënaqësinë nga vuajtja. Letërsia e përdori kohërave dashurinë-pasion si lëndën e saj më të vyer, aq sa u krijua ideja se dashuria pa vuajtjen, pa vështirësitë dhe pengesat nuk është një dashuri e madhe, e as që ia vlen të jetohet ( Sade-i). E tërë kjo panoramë, lindja e dashurisë-pasion si një goditje rrufeje, si një flamë a sëmundje e mrekullueshme që i bën vdekatarët “të bien” në të e që, domosdo, u jep kënaqësi të pandarë nga dhembja dhe vuajtja, lidhet me dy gjëra: me shigjetën e Erosit apo të Kupidonit e cila shpon, josh, elektrizon, hipnotizon dhe bën që i godituri të vithiset, “të bjerë” në dashuri brenda çastit dhe menjëherë, si edhe me mitin e lashtë të androgjinit, ku dashuria njehsohet me dëshirën, me kërkimin e asaj që “na mungon”, që e dëshirojmë nga frika se mos e humbasim, dhe që është paraqitur si koncept në “Bashkëpirjen” e Platonit. Në mitologjinë greke androgjini ishte femra dhe mashkulli bashkë në një trup të vetëm, një qenie superiore dhe e shumëfuqishme, të cilës Zeusi xheloz i dërgoi një rrufe që e ndau më dysh, dhe qysh asokohe njëra gjysmë është në kërkim të gjysmës tjetër, të pjesës së “munguar”, ose thjeshtë të “gjysmës” siç përmendet termi në ditët tona.

Wilhelmine-a, një nga bukuroshet e fisnikërisë berlineze, njëzet e trevjeçare, në ballon e organizuar nga princi Ferdinand, pasi kërceu 10 minuta me një kapiten të ri, të cilin e shihte për herë të parë, i shkruan një mikeshës së saj: “Që nga ai çast, ai u bë zoti i zemrës sime dhe Zoti im, gjer në atë pikë saqë u mbusha me tmerr, sepse lumturia që më jepte veç pamja e tij, nuk më linte më kohë të mendoja për pjesën tjetër të ekzistencës. I vetmi mendim që kisha në kokë ishte të pikasja nëse më kushtonte ndonjë fije vëmendjeje… Sot, i vetmi ngushëllim që mund të gjej për gabimet e mia është iluzioni se një forcë e epërme më rrëmbeu mua dhe arsyen që kisha në kokë. Aq sa besova përnjëmend se më kishin helmuar…” ( Stendal: Mbi dashurinë)

Vuajtja në dashuri lidhet, veç asaj çka paraqitëm më sipër, edhe me “mospërgjigjen” e tjetrit, me “refuzimin” e dashurisë, me mospërkimin, apo me atë që Stendali, në monografinë e tij “Mbi dashurinë” kur përshkruan fazat nëpër të cilat kalon dashuria, e quan “shuarja” apo “zbehja” e dashurisë, kur njëri mbetet brenda dashurisë, në një kohë që tjetri tashmë është jashtë saj. Dashuria-pasion, ajo e shkaktuar nga shigjeta e Erosit, e çastshme dhe intuitive, ajo që më tepër tërhiqet nga pamja fizike, është e vetmja formë dashurie që njeh Mitologjia greke. “Porse jo të gjithë njerëzit dashurohen kësisoj”, thotë R. Kreimer, “ka nga ata që dashurohen në zjarr të avashtë, qetë dhe butë. Si çdo intuitë, edhe goditja e shigjetës së Erosit mund të jetë e gabueshme, sepse presupozon edhe një dozë të lartë idealizmi. T’i besosh qorrazi një intuite, është të marrësh në sy rrezik të madh. Dashuria mund të lindë edhe nga njohja, nga reflektimi, nga krijimi i disa kushteve që të shpien në zbulimin e tjetrit me të cilin mësohet dashuria”.

Përveç dashurisë-pasion, që, siç thonë rrëfenjat e letërsisë, nuk zgjat më shumë se tre vjet, është e mundur të ndërtohet dashuria-veprim, dashuria-gëzim apo dashuria-partner, ashtu siç e kuptonte Spinoza, i cili e lidhte, pa dyshim, dashurinë me dëshirën, porse dëshirën e kuptonte si një prani, si një gëzim, jo si mungesë dhe as si fatkeqësi. Në këtë kuptim, me qëllim që të përftojë një dashuri në terma veprimi dhe jo pasioni, Fromm-i propozon për anglishten ( çka vlen edhe për shqipen) shprehjen be in love ( me qenë në dashuri, me qenë i dashuruar), për të zëvendësuar shprehjen fall in love (me rënë në dashuri). Është më se e qartë se kush e mohon dashurinë humbet një nga eksperiencat më të mrekullueshme që mund të na ofrojë jeta; është po ashtu e qartë se të dashuruarit edhe mund të mos varet prej nesh, se nuk bëhet me porosi apo me urdhër, se është një mister dhe një e fshehtë nga ato që vetë universi dhe ekzistenca na rezervon, dhe se është, përpos të tjerave, një mrekulli që i shpëton edhe virtyteve. Porse dashuria jopasion, dashuria në termat e Spinozës, është ajo që ndryshon dhe dallohet nga dëshira në dashurinë-pasion, pasi forma e parë e dashurisë ka në qendër të saj tjetrin, njeriun që dashuron, ndërsa dëshira, te forma e dytë, ka në qendër vetveten, egon e saj. Dhe me gjasë, dashuria jopasion është e vetmja formë e dashurisë që mund të na shpëtonte nga vuajtja e sigurt, duke na dhënë njëkohshëm shijen e mrekullisë së saj.

 

Tags: , ,

29 Responses to “A mund të dashurojmë pa vuajtur?”

  1. Tweets that mention A mund të dashurojmë pa vuajtur? « Tirana Calling -- Topsy.com Says:

    […] This post was mentioned on Twitter by Tirana Calling, Darien Levani. Darien Levani said: RT @TiranaCalling A mund të dashurojmë pa vuajtur?: nga Mira Meksi A mund të dashurojmë pa vuajtur? Aleg… http://bit.ly/hG7NF2 #shqip […]

  2. un Says:

    Mire. S’kam ndermend te flas per dashurine sepse fundja e di se do te rrah uje ne havan. Te flasesh per dashurine, eshte te llomotisesh. Asgje me shume. Po ta shpjegoj me nje metafore te bukur, do te them : te flasesh per dashurine eshte njelloj si t’i thuash babait tend : e di ti mo si behen femijet ? Me nje fjale, t’i çash kaptinen tjetrit per gjera qe tjetri s’ti kerkon fare, dhe me e bukura eshte se keto ia thua duke qene i bindur se ti je njeriu i pare ne bote qe ke rene ne dashuri. Shkurt, stop llomotitjeve.

    Ajo ku dua te ndalem eshte nje pjese fjalie e çuditshme qe me la gojehapur :

    “[…] aq sa u krijua ideja se dashuria pa vuajtjen, pa vështirësitë dhe pengesat nuk është një dashuri e madhe, e as që ia vlen të jetohet (Sade-i).”

    E para e punes, ma shpif kjo menyra e te shkruarit te Sade ne formen “Sade-i”. Se ç’tregon kjo ija ne fund, nje djall e merr vesh. Ky kthimi ne trajte te shquar te disa emrave tip Sade, me le syshqyer. Nejse.

    Por te thuash qe Sade fliste per dashurine, dhe madje te lidhesh vuajtjen shpirterore te dashurise me emrin e Sade, do te thote te mos e njohesh fare kete tipin.

    Per Sade, njera perberese e dyshes trup-shpirt nuk ekzistonte fare. Per te, kishte vetem trup. Epshi, seksi, dhimbja fizike, te gjitha keto te lidhin me mishin dhe jo me shpirtin. OK. S’po e zgjas as ketu.

    Dhe e fundit, se nga i shpik ca fjale autorja, Meksi, nuk e di. Bashkepirja, thote. E habitshme. Ne shqip kemi fjalen “Gostia”. Pastaj ka ca fjale te tjera, “buçimtare”, “thurime” (kesaj s’kishte bir nene t’i nxirrte kuptimin”, nuk e di pse eshte perhapur kjo semundja e shpikjes kaq shume ne shkrimet tona. Madje, duke lexuar nje shkrimtare (te lodhur ne fakt) keto kohet e fundit, me eshte dukur se romani i saj kishte si arsye ekzistence thjesht llomotitjen me fjale te çuditshme. Gati eshte kthyer si ne nje gare kush e kush shpik fjale. C’nuk te degjon veshi. Ngaqe eshte folur shume per mosfutjen e fjaleve te huaja ne shqip, eshte kapercyer ne skajin tjeter : shkaperdredhja e shqipes duke ia marre shpirtin te shkretes. Dhe me e bukura eshte se kur t’i shkosh ne fund asaj fjalise, apo vete romanit te shkrimtarit apo shkrimtares, veren se ska piken e yndyres, piken e berthames ne te. Me nje fjale, shpik budalliqe per te mos thene asgje.

    Ne nje kohe qe shqipja gezon burime te mjaftueshme per te dhene mendime romaneske, mbase ajo çalon per filozofira e teknika, por per t’i thene zjarrit zjarr e malit mal, shqipja s’ia shtrin doren askujt. Nejse, ma merr mendja se keto jane pasoja varferie dhe krejt kalimtare, nje dite do te zhduken me diellin e mengjesit, besoj une. Dhe do te mbetet thjesht thelbi. Edhe pas 10000 vjetesh, zjarrit do t’i thuhet zjarr, ndersa bashkepirja do te jete bere xurxull ne ndonje mejhane te harruar katundi. Shume mire.

  3. flo Says:

    😀😀

    “ndersa bashkepirja do te jete bere xurxull ne ndonje mejhane te harruar katundi”.

  4. dana Says:

    Un po mire, gjuha eshte diçka e gjalle,ndryshon apo jo?
    keshtu tani kemi dhe fjalen bashkepirje😀

  5. un Says:

    Dana, e vertete qe gjuha eshte e gjalle dhe aq me mire ! I pari qe duhet te gezohem, jam une. Bashke me shoket dhe shoqet, kuptohet. Por ama, nen masken e luftes kunder fjaleve te huaja (nje lufte mjaft e drejte kjo, megjithese me mase gjithçka), eshte kaluar ne lloj-lloj shpikjesh qe nuk do t’i qendrojne kohes.

    Ajo ku me cingeris nervat mua, eshte motivi i paqene per ta shpikur kete fjale. Platoni ka shkruar diçka me emrin “Banketi”. Te pakten, ky eshte kuptimi qe i ka dhene frengu, dhe besoj edhe ndonje gjuhe tjeter. Por “banketi” e ka fjalen e vet ne shqip, shkurt e bukur, GOSTI. “Jam thirrur ne nje gosti”. Nga ku ka ardhur dhe fjala tjeter, folja “gostitur”, dmth : me kane sherbyer, qerasur, sikur te isha ne nje gosti te madhe.

    Ka mundesi qe disa autore shqiptare te tremben prej fjales “banket” sepse iu duket sikur kjo perdoret vetem per dasma. “Ku e ke banketin ?” i thote Zemritja Shyqyrijes. E kom n’Laprake, ia pret kjo e fundit. Sepse na del dhe problemi tjeter : po nje gosti besimtaresh muslimane te thekur, a marrin pjese ne nje bashkepirje ? Jo, se ata s’pine gje. Atehere ku marrin pjese ata ? E thjeshte : ne nje gosti.

    Gostia eshte si me pije si pa pije, eshte thjesht nje darke, s’eshte e thene te jete dasem. Mjafton te therrasesh nja 10 shoke e shoqe dhe ke bere nje gosti. Kete ben dhe Platon koplluqi : fjala e tij eshte “to sumposion” (kujtoni njeçike simpoziumin e sotem). Asokohe “simpoziumi” ishte thjesht nje “pritje”, tip koktejli i sotem, ku me shume pihet se hahet. Por kjo nuk e ben kete “bashkepirje”, qe me thene te drejten, me krijon pak alergji ne qafe.

    Si thua ti dana, a shkojme tani e bashkepijme pak ? Se keshtu eshte kjo pune, emri do dhe foljen e vet : o turo, ec mer ti shkojme bashkepijme pak se kina mor rrogen sot. Jo mer genco jo, se kom fryke mos bashkepihena, pranej. Shkurt, fjale e shemtuar, pa lidhje.

  6. Lar&Sor Says:

    Komplimente!

    Me pelqen shume blogu juaj, eshte shume romantik dhe pikturat e tregimet e zgjedhura jane vertet shume te ndjeshme dhe na rikthejne ne kohet, kur njerezit shqetesoheshin vetem si te benin art, e jo te vriteshin e demonstronin e te krijonin ca shkarravina postmoderne, sic perpiqen te bejne te gjithe sot.
    Komplimente dhe njehere dhe ruani kete fryme romantike qe duket sikur ka dale nga rilindja dhe e vendosur ne shekullin e ri te konsumerizmit.

  7. dana Says:

    Un perfundimisht kam qeshur shume😀
    ke te drejte,fjala eshte vertete pak e shemtuar, gjithesesi personalisht kam simpati per Mira Meksin dhe nuk flas vetem per kete pjese te vogel.

  8. desaparacidos Says:

    Mua me duket shume e dobet kjo pjesa, ndoshta eshte ideja ime.

  9. un Says:

    Dana😀 (po vendos dhe une nje nga keto dhembeperjashtet, s’e kam zakon por hajt, po e thyej rregullin per ty).

    Per Miren, dy fjale : kam respekt dhe une si perkthyese. Eshte shume e pasionuar pas letersise dhe une i admiroj keto njerez. Ne nje “grindje gazetash” qe ajo ka pasur me Ardian Klosin, pa e njohur as njerin as tjetrin, me eshte dukur se Klosi i binte ne qafe Meksit, sepse pavaresisht se romani i Meksit mund te ishte i dobet, arsyet per çfare e qortonte Klosi ishin te paqena.

    Por ama, nuk mund te rri pa permendur se nuk eshte mire te vrapohet pas fjaleve te reja me çdo kusht sepse pastaj humbet sensin e mases dhe kthehesh ne qesharak. Une jam dakort qe fjale te reja duhet te formohen dhe te hyjne ne shqip, vete mua me ka rene me dhjetera here te improvizoj sepse e shoh qe mendimi i huaj ma detyron kete. Vetem se kjo nuk duhet bere rruge, gjuha shqipe nuk eshte thes i shpuar, mbush mbush se ka vend sa te duash.

    Ne lidhje me pjesen me lart, kuptohet qe ajo eshte konvencionale, jane gjera te thena dhe sterthena, sepse vete dashuria te çan koken. Te ben te mendosh se gjoja je i vetmi ne bote qe ke dashuruar. E vetmja qasje e dashurise qe nuk te merzit, eshte ajo filozofike. Kam lexuar per shembull qasjen jankélévitchiane, ate proustiane, finkielkrautiane dhe se fundi ate marioniane. Dy te fundit do te vijne dhe ne shqip, besoj, nqs shpetojme deri te shtunen. Keto jane gjera te bukura, ndersa per vuajtjet e dashurise, keto jane vertet gjera te ditura. Jo se Meksi duhet qortuar per kete, sepse jam i bindur qe ajo duhet lexuar nga lexuesit shqiptare (psh ata te pankartave te shetitores), por nje lexues ca i sprovuar kalon matane. Shkurt, e vleresoj shkrimin me lart per auditorin kujt i drejtohet, dmth per nivelin e mesem.

    Po ti vete, ç’mendon, more po ç’eshte kjo dashuria ?

  10. flo Says:

    Darien, as une nuk e pelqej, akoma nuk arrij ta kuptoj si kam shpetuar pa u molepsur prej epidemise se latinizimit,te lexuesit shqiptar

  11. alfred Says:

    shume dobet per mendimin tim.
    Lidhjet e paragrafeve = lidhjet e vergjeve te qepeve.
    Vetem Spinoza me Frommin lidhen paksa me nejri tjetrin: gjithsesi mbete sikur me pas bo domino me dopio gjashten. NJeri pragmatist e tjetri thoshte: duaj per veten tende e te tjeret te duan per veten e tyre; keshtu ndryshon bota ndoshta.
    Dashuria pasion e jopasion eshte vertet nje gabim i madh semnatiko – ontologjok ku te shprehurit eristik i konceptualizimit te kesaj ndjesie unike i zbeh forcen fenomenike qe shpreh.

    Pune te mbare Meksi.

  12. Lar&Sor Says:

    E keni shume gabim ju qe s’ju pelqen. Mbase s’e keni kuptuar akoma, por do vije dita kur te kuptoni qe vetem dashuria mund ta shpetoje boten. S’eshte turp te jesh romantik dhe ta duash dashurine dhe Mira Meksi eshet nje prej tyre dhe s’i vjen turp ta pranoje, duhet te ndiqni te gjithe shembullin e saj.

  13. flo Says:

    lar&sor, po ne ne shqiperi prandaj po perpiqemi keto dite, te standartizojme shijet, mendimet, idete… shyqyr qe ua arritem kesaj dite thuaj…

  14. desaparacidos Says:

    Pershendetje Lar&Sor

    Jo shiko, me sa i lexova komentet, ketu nuk shahet “dashuria”, sepse s’mund te shash diçka qe s’mund te percaktosh.

    Peshtypja eshte ajo qe permblodhi Afredi, pra qe M.M mundohet te beje domino me dopio gjashten. Kjo eshte shume e veshtire, nuk behet rastesisht ( keshtu perjashtojme nga diskutimi edhe femrat qe s’dine me lujt domino ) do fat e pune.

    Pastaj, une i urrej ata qe citojne. Jam me kurioz te di ça mendon M.M e jo ça ka pas mendu Herkuli sipas Homerit i rilexuar nga Shopenhauer me komentin e Borgesit. Ti ore ti, ça di ti, leri te tjeret, kjo eshte ideja.

    UN, une si ndjeva aq shume keto fjalet e reja, ne pergjithsi pjesa rrjedh.

  15. alfred Says:

    Ne fakt, lars&sor ti s’e kuptu qe ne ketu spo e shajme Meksin as dashurine e cila eshte aq e bukur . Ne te vertet ne, mendoj, na pelqen dashuria e cila mund te shprehet ne : romanticizm, rilindje, art postmodern, ne luften e klasave.

    Une per veten time e dua shume dashurine .

  16. dana Says:

    Kane lezet edhe dhembet perjashte..jo per gje por shpesh here kemi tendencen te merremi shume seriozisht, ne pergjithesi them; pra duhen te qeshurat, qofte edhe ato virtuale, sepse jane oksigjen per zemren.
    Tani, se c’eshte dashuria eshte e veshtire ta percaktosh qarte; edhe nese pas fjales dashuri shtojme fjalet romantike,seksuale,platonike,ideale,familjare,per veten, zotin,atdheun,per njerezimin,etj, eshte serisht e veshtire sepse secili nga ne ka idete e tij fundja, dhe ato si luan topi.🙂

  17. monkey paw Says:

    jam i sigurte qe pas ketyre fjaleve te fundit fshihet nje koke e madhe :d

  18. un Says:

    Dana😀 (puna eshte mos te na behet huq kjo dhembeperjashtja se pastaj kthehem ne lolo).

    OK. Le ta ftilloj pak ate fjaline e çuditshme te Meksit mbi Saden. Ne fakt, ky i fundit, mendohet te kete pasur trurin me pervers te kohes, ndoshta dhe te gjitha koherave. Imagjinata e tij ishte jashte çdo lloj kufiri, nuk ka dy si ai. Une nuk e di nese Meksi ka lexuar ca romane te Sades, 120 ditet e Sodomit, psh, por aty ka gjithçka perveç dashuri. Sade, ne asnje çast nuk permend dashurine, thjesht sepse shpirti per Saden, eshte inekzistues : ka vetem kenaqesi mishi. Dhe kenaqesia, per Saden, mund te vinte nga vuajtja, dhimbja. Kjo mund te kete qene kleçka qe e ka ngaterruar Meksin.

    Sade, ne shkrimet e tij, ka per detyre qe te skandalizoje çdo lexues dhe t’ia vrase qe ne berthame çdo grimce dashurie qe mund te kete mbetur ne shpirtin e lexuesit. Pershkrimet e tij anatomike jane trash, horror, shkurt, te papertypshme. Per te, nuk ka tjeter veçse natyra e eger. Ne jemi kafshe qe kemi vetem instinkte, natyra jone eshte instinktive dhe duhet ta pranojme kete, sipas Sades. Cdo lloj pengese qe ne i nxjerrim instinktit, nepermjet kultures, edukimit apo tjeter, eshte per Saden e kundernatyrshme dhe cenon harmonine e gjithesise. Prandaj, e vetmja keshille e Sades ishte : njerez, bindjuni natyres tuaj, dorezojuni instinktit, mos e frenoni veten, jini sa me kafshe, sa me prane thelbit tuaj, mema Natyre ka menduar per te gjitha, ndryshe s’do te na kishte bere keshtu !

    Sidoqofte, figura e Sades eshte komplekse dhe ka shume per te thene, por po ndalem ketu, nuk po behem shume sadist, per hir te Xixellonjes qe me terheq veshin ngaqe shkruaj gjate.
    _____

    Perseri, ti Dana nuk na e the se ç’eshte dashuria per ty. Sigurisht qe ska dy ide njelloj, por do te donim te dinim idene tende.😀

    Une e di keshtu dashurine : thjesht nje mjet i mire kunder vdekjes. Tjeter perkufizim, s’di. Eshte dhe ca e embel, por kjo s’eshte ndonje gje e veçante sepse keshtu iu duket te gjitheve😀

  19. dana Says:

    Ok Un, nese do me duhej te zgjidhja nje fjale..per mua eshte burim.🙂

  20. flo Says:

    Kush tha qe femrat nuk dine te luajne domino?

  21. d Says:

    Mundohemi me kot te limitojme dashurine me fjale. Dicka qe ka shume dimensione eshte e pamundur te limitohet, thuhet .
    Edhe ne rastin me pak te komplikuar ndjesite nuk arrihen te shprehen teresisht sic jane , me peshen e ngjyrave qe mbartin. Njerezit shpesh flasin per dashuri , por ndoshta edhe ata vete nuk e dine ne e kane provuar ndonjehere.
    Po sikur dashuria te jete dicka utopike? Si lumturia psh ?
    E di pse them keshtu ? Sepse per disa persona qe jane dashur , vjen nje moment e behen si te huaj kur ndahen ? Si i vihet emri ne kete rast ? Do thoni ju qe nuk eshte e thene te jete permanente ne kohe, epo mire me mire keshtu them dhe une😀

  22. un Says:

    @ flo,

    Nuk e kapa mire kete lidhjen “femer – domino”. Ndonje shpjegim, te lutem ?

    @ d,

    Qe dashuria nuk eshte utopike, kjo dihet nga pasojat qe sjell ajo (po perifrazoj ketu Houellebecqun) : budalliqe rruges, letra 25 faqeshe, e deri tek vetevrasja me çarçaf ne ballkon. Marcel Proust, psh, thoshte se ajo s’ekziston, eshte nje mashtrim. Besonte me teper tek miqesia. Dashuria s’eshte reciproke, thoshte ai, dhe bashkimi i zemrave eshte genjeshter e paster. Blaise Pascal pyeste veten se çfare duam ne kur dashurojme dike : personin, pavaresisht cilesive te veta, apo pikerisht keto cilesi ? Kurse Freudi, nje gje kishte ne goje : seksin.

    Te rikthehemi tek Houellebecq : ky tipi, thote se dashuria eshte drejt zhdukjes, te pakten qe nga revolucioni seksual i 68-es. Personazhi i Anabeles tek “Therrmijat” eshte mjaft simptomatik : nje vajze e bukur qe dashuron nje djale i cili as qe e ka mendjen tek dashuria. Atehere ajo, meqe e bukur si drita, shkon e shpartallohet me lloj-lloj vipash, duke shpresuar se seksi, kenaqesia eshte lumturia. Mirepo, ja qe nja dy-tre abortime bejne qe ajo humbet perfundimisht aftesine te jete nene. Dhe ç’ndodh ? Takon tipin qe e ka dashur dikur. Tipa vazhdon te mos interesohet per femrat. Atehere Anabela, ne moshen 40 vjeçare, zbulon kotesine e jetes se vet, dhe me sa mbaj mend une, vret veten. Te duket sikur njeriu eshte mes dy opcionesh : o dashurine, o seksin. O jeten dashurore te gjysherve tane (por pa kenaqesi seksuale – te ndrydhur dmth), o seksin e shfrenuar pa kurrfare ndjenje. A pajtohen te dyja ? Sigurisht qe jo : thjesht ngaqe nuk jane te te njejtit rend : njeri eshte fizik e tjetri shpirteror. Njeri lodhet ne mes te rruges, e tjetri e beson veten nje rinor te perjetshem.

    Ne lidhje me piken e ngritur nga D. mbi “urrejtjen pas ndarjes”, kjo eshte thjesht nga dashuria, siç e thashe, mpleks ca gjera te vetafirmimit, dhe keto te fundit s’kaperdihen lehte. Sedra njerezore eshte mjaft e acaruar ne pune dashurore. Nuk e duron deshtimin. Ose kur e pranon, mbytet ne goten e rakise. Me tej, linja ne studio.

  23. flo Says:

    Kishte shkruar ca me lart Darieni qe femrat nuk dine te luajne domino, ia ktheva qe dine, dmth pergjigja ime ishte ne kuptimin e drejtperdrejte, pa nentekst, nekuptime apo nen-degezash te hamendesuara
    se me te vertete qe une di te luaj🙂

  24. un Says:

    flo, falemnderit, tani e pashe ç’kishte thene Darieni. OK.

    Tani shtrohet pyetja : a eshte “sexy” nje vajze qe luan domino ? Se une kam nje pershtypje te ngulitur se po, jane. Ne pergjithesi, femrat qe merren me lojera shoqerie, jane “sexy”. Te pakten francezkat vdesin per lojera. Edhe une gjithashtu merrem me nje lloj loje. Me ka ndodhur shpesh te kem kundershtar nje femer. Ne fillim, puthemi, ne te dyja faqet, dhe i urojme njeri-tjetrit “bonne chance”. Pastaj fillojme lojen. Puthemi serish kur mbaron loja, duke i thene fituesit “bien joué”, dhe fituesi thote “merci”, dhe pastaj : tu veux un verre ? (deshiron nje gote ?). Meqe une isha mjeshter ne kete lojen, fitoja pothuaj gjithmone. Dhe me binte mua t’i propozoja nje gote. Dhe çupkat me thoshin gjithmone : avec plaisir, ose : je veux bien. Dhe pastaj ngjiteshim lart e uleshim ne nje divan. Merrnim dy gota dhe bisedonim. Aty lindnin miqesi te reja. Por edhe dashuri te reja. Pastaj, me kalimin e kohes, dhe pas nje reflektimi te gjate qe beja ne oret e mia te humbura, vereja se ne fakt, arsyeja kryesore qe çupat vinin te luanin, ishte pikerisht kjo, lindja e dashurive gati rastesore. Mbaj mend, keshtu kam njohur plot çupa. Dikush e mire e dikush grifshe, por eshte fakt se dashuria lehtesohej shume nga ndermjetesimi i lojes. Njehere, me ra te luaj kunder nje vajze qe ishte vertet shume e bukur. Iu afrova dhe i thashe : te lutem, mos ma merr per mburrje, por une s’ia lejoj vetes kurre te fitoj kunder nje vajze kaq te bukur. Ajo buzeqeshi pas dhe me tha : jo, te lutem, dua te luash seriozisht, dua te shoh sa e kam hapin, sa kam perparuar. OK, i thashe, s’do te bej asnje leshim. Dhe filluam lojen. Kur po i afrohesha fundit dhe dukej qarte se do te fitoja, bera nje gabim teknik disi te nderlikuar dhe kjo me kushtoi lojen. U puthem, i thashe : te lumte, megjithese ishte per fajin tim. Sidoqofte, morem gotat dhe u ngjitem lart. Aty pashe se goca aq e bukur ishte nje goce aq e trishte sepse s’kishte mundur kurre te kishte nje lidhje me shume se dy-ditore. Meshkujt jane maskarenj, me thoshte ajo, te bejne ç’te bejne dhe pastaj ia mbathin. Me vinte keq ne fakt per kete çupen se dukej goxha e zgjuar porse nje fat i keq e ndiqte hap pas hapi. Kur me ne fund i thashe se une kam thyer rekorde ne kohezgjatjen e nje lidhjeje dhe me ka ndodhur te shkoj deri ne nje jave, ajo u mahnit dhe me tha : çudi, se ti s’te jep kete pershtypje, ti me dukesh se je nga ata qe dashurohen perjete. I thashe : ashtu eshte, vertet qe dashuroj perjete por puna eshte se vete jeta nuk eshte e perjetshme. Ajo eshte nje katrahure, i thashe une, qe me ka nxjerre gjithmone bllof. Dhe se rekordi qe permenda, eshte vertet ajo ç’me ka lejuar jeta. Ketu, ajo u duk sikur u ngushellua dhe iu duk vetja si jo e vetme ne bote. Megjithate, nuk rame ne dashuri, megjithese te dy perpiqeshim te dukeshim te dashurueshem. Hapesirat tona, njera dy-ditore dhe tjetra nje-javore, ishin te mbyllura qe ne fillim nga mosperputhje fizike. Ajo ishte shume e bukur, ndersa une mesatarisht i ngrenshem. Por ajo e vleresoi shume biseden, dhe kur u largua me la numrin e telefonit. Nuk e kam thirrur ndonjehere, kushton shume gjate dites. Ne darke qe eshte “free”, nuk ben sepse kujton se po e therras per qellime te papohueshme. Une vazhdoj te luaj nga ana ime, jam diku lart ne renditje, francezkat qe me bien perballe vazhdojne te luajne per te gjetur shpirtin binjak, por pa ia arritur. Sepse shpirti binjak, me ç’kam degjuar lajmet e fundit, eshte nje mashtrim i gjalle, “une vraie fumisterie”. Kjo eshte pak a shume, flo.

  25. flo Says:

    Une domino me shume kam luajtur athere kur nuk ia kisha nevojen miqesive te reja, dmth.kur kam qene axhami🙂, por edhe me letra, kam ditur shume lojera, dhe gjithmone fitoja,( kam patur shume fat ne letra) aq sa ma benin me hile, kur ndodhte kjo, une protestoja dhe lija lojen pergjysem…
    Ne gjimnaz kam luajtur dhe futboll😀, kemi patur nje profesor fiskulture, te cmendur fare… nejse se dola nga tema fare tani…

  26. un Says:

    Protestimi gjate lojes, per shkak te nje hileje, eshte mese i nevojshem sepse ne fakt, ne nje loje dyshe, duhen vene pikat mbi i. Do te luajme, por sipas rregullave. Mire eshte qe te dy t’i respektojne ato deri ne fund. Loja pastaj vendoset nga zotesia dhe fati. E para eshte pervoja qe ke mbledhur, e dyta eshte krejt jashte mundesive tona. Mund te te bjere dore per dore dopio gjashta (siç thote Darieni) dhe gjasat per “domino !” jane te pakta. Por mund te te bien dhe pese jeka, dhe dy te fundit te jene te mbyllur. Shkurt, protestimi ne loje eshte diçka e “shendoshe”. Ajo ku s’jam dakort, eshte lenia e lojes. Kjo, per mendimin tim, duhet bere vetem atehere kur kundershtari ben GJITHMONE me hile, kur s’mund te rrije pa dredhuar. Ne kete rast, sa me pare ta kuptosh me kë ke te besh, aq me mire. Sepse nuk shtyhet loja me nje hileqar te lindur. Por nese ai ben nje hilke te vockel here pas here, sa per t’i dhene lojes pakez “punch”, atehere mendoj se lenia e lojes eshte diçka e nxituar. Te gjitheve iu ndodh te bejne nga pak hile, e rendesishme eshte qe ajo te mos kete pasoja te renda, psh, te te beje hile ne doren e fundit, kur te dy jeni per te dale per nje pike. Ketu s’durohet. Ketu duhet rregull. Por nese eshte nje hile e vogel nga fillimi i lojes dhe ai te ka fituar thjesht 2 pike, atehere ia vlen nganjehere te mbyllesh syte ose te kundershtosh lehte, mundesisht buzagaz. Sepse fatit nuk i dihet. Mund te te vije dhe ty te besh nje hile te vockel. Dhe keshtu loja kalon ne hare.

    Problem eshte kur njeri s’eshte mesuar te beje hile asnjehere, as te vogel as te madhe, kur ndershmeria eshte per te nje çeshtje “per jete a vdekje”. Ketu ne fakt, eshte mire te gjesh nje partner qe edhe ai te jete i rregullt, perndryshe loja s’shkon asnjehere deri ne fund. Une kam mendimin se per te luajtur nje loje, duhet njohur vetja ne fillim, dhe pastaj duhet perpjekur te njihen lojtaret perballe. Perndryshe gjendemi perpara situatash te pakendshme, deri dhe ne lot. Eshte shume e veshtire te durosh humbjen tende kur s’ke bere asnje faj. Padrejtesia, edhe ne loje, eshte vertet diçka qe mund te te beje ta humbasesh mendjen. S’duhet nenvleresuar, them une.

    Kurse futbolli eshte loje kolektive, faji shperndahet, hilja fashitet pa e marre vesh, eshte gjithmone diçka gazmore. Lojerat tek per tek, keto po, ketu duhet pasur shume kujdes. Mund te humbasim gjithçka, shok, miq, te dashur, madje dhe te dashuren ose te dashurin.

  27. flo Says:

    ndodh ne fakt, sa behesh gati te gjuash penalltine, te humbet nga syte topi
    kjo per te qene brenda temes

  28. Wild`Honey Says:

    Jam shume dakort me Lars etj etj,
    Blogu eshte shume i sheqerosur, madje i uroj stafit gezuar Shen Valentinin. ♥

  29. xhibi Says:

    Si perfundim mundemi a s’mundemi te dashurojme pa vuajtur?

    Pertoj te lexoj shkrimin dhe komentet per momentin, por po e shenoj per ta lexuar me vone.🙂

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: