Tiranë, 21 Janar 2011

by

“Errësira nuk largohet me errësirë, vetëm drita mund ta largojë. Urrejtja s’mund të largohet me urrejtje, vetëm dashuria mund ta largojë. Urrejtja shumëfishon urrejtje e dhuna shumëfishon dhunë. Rezistenca shumëfishon rezistencë në një spirale zbritëse të shkatërrimit … Lufta prodhon luftë. Reaksion zinxhir i së keqes duhet këputur ose ne do të zhytemi në humnerët e errët të asgjesimit”

Martin Luther King


Tirana sot qe e trishtë. Re tymi u lëshuan mbi të .

Tirana sot qe e mjerë tek kuptonte se qytetarët e saj nuk mendojnë për të , nuk mendojnë për veten.

Shqipëria kupton dhe një herë që qytetarët e saj kanë mbetur të vegjël, mjerisht.

Sot për një sekond secilit nga ne i shkoi në mendje më e keqja dhe menduam (të paktën një pjesë) që s’kemi nxënë asgjë nga e kaluara. Para nisjes së demostratës, por dhe gjatë kohës së zhvillimit dhe zhvillimeve të saj , isha në punë. Ndoshta në një rast tjetër , me një qëllim më qytetar, vetedashës e atdhedashës në të njëjtën kohë , do kisha dashur të isha aty. Ndërsa protesta pritej të nisej, nganjë bisedë me dikë, personi në fjalë tha dicka që më ngeli në mendje : “ Fjala ‘popull’ nuk  ka më vend, ne nuk jemi ‘popull’, ne jemi QYTETARË TË SHQIPËRISË, dhe si të tillë , ky atribut na vetëngarkon me përgjegjësi qytetare” .

Nëse do ju pyes në mënyrën më të sinqertë: Kush iua siguron bukën e gojës , veshjen , arsimimin , mirëqenien e gjithcka për të cilën keni nevojë? Mos vallë bien nga qielli? Kanë qënë dhe janë prindërit tanë , jam unë , je ti , është ai. Jemi ne pra. Asnjë parti nuk e bën . Një parti, cilado qoftë, siguron ‘ushqim’ vetëm për veten e saj .

Sot tek shihje Tiranën mes dhunës, trishtoheshe e njëkohësisht të vinte turp . Është tejet  prekëse tek sheh fytyra të vrara nga të keqjetuarit, keqrritja apo kequshqyerja, për të cilët nuk  kujdeset askush përvec shpatullave të tyre, tek sulmojnë “njëri tjetrin” në emër të karrigeve të “të mëdhenjve” dhe jo në emër të interesave të tyre.

Një palmë u dogj para Kryeministrisë .

Ne nuk na duhet një palmë e djegur , ne nuk na duhet një makinë e djegur.

Ne nuk na duhet një boulevard i shkatërruar . Ne nuk na duhet një Tiranë e Shqipëri e dhunshme .Ne na duhet një shkollë e re, na duhet një universitet i ri . Ne na duhen vende pune . Na duhet një lulishte, një park ,një boulevard, një bibliotekë, një teatër. Ne kemi nevojë për një buzëqeshje . Na duhet një shtrëngim duarsh.

Le të kujdesen vetë pushtetarët për karriget e tyre . Iu siguroj që është gjëja që dinë të bëjnë më mirë .

Ku ishin organizatorët e demostratës, pse nuk ishin në krye të demostruesve? Kush u vra , qëllua ? Qytetari i thjeshtë. Mos vallë ndokush nga krerët e shtetit ? Mos vallë organizatorët e demostratës? Kush e pësoi sërish? Përsëri qytetari i thjeshtë. Kështu do jetë ngahera.

Po, duhet demostruar , si një e drejtë e pamohueshme .

Duhet protesuar nga mëngjesi deri në mbrëmje , si një qytetar i denjë i vendit, për një spital , për një përkujdesje të cilën ke të drejtë ta përftosh. Duhet protestuar nga mëngjesi në mbrëmje për ujë , për drita. Duhet protestuar nga mëngjesi në mbrëmje për vende pune . Duhet protestuar nga mëngjesi në mbrëmje për një shkollë te re, për cilësi në mësimdhënie. Duhet protestuar nga mëngjesi në darkë për një universitet të denjë . Duhet protestuar nga mëngjesi në darkë , për cdo padrejtësi të bërë mbi ty , si qytetar i denjë për vendin.

Por jo!  Sot, pamë e konstatuam me fytyra të vrenjtura se  nuk protestojmë për të tilla gjëra sepse ne na interesojnë partitë, mirëqenia e tyre , sepse ato na ushqejnë cdo ditë me vrerin e tyre, sepse ne duam të merremi me politikë 24 orë ndërkohë që niveli yne i jetesës është mjeran. S’kemi nevojë të protestojmë për asgjë, meqë të gjitha i kemi të siguruara në një vend të varfër si i yni. Ne nuk kemi politikanë  vizionarë. Udhëheqësit tanë nuk i duan qytetarët e këtij vendi.

Lind nevoja të kujdesemi për veten , interesat tona. Të zgjohemi cdo ditë me mendimin se një hap përpara sot, një ditë më e mirë nesër. Të bëjmë si duhet punën që na është caktuar. Të studiojmë , të marrim sa më shumë dije të jetë e mundur, të jemi të informuar për cfarë na rrethon . Psikologjia e një kombi është pasqyra e pastër e kulturës së tij.

Në një shtet demokratik , me një demokraci të brishtë si Shqipëria, ka vend për protesta nga mëngjesi deri në mbrëmje, por s’ka vend për gurë, s’ka vend për flakë e breshëri automatikësh . S’ka vend për dhunë.

Ishte tejet e trishtë të ishe sot vajza e një polici , e një demostruesi . Krejt e trishtë dhe dhembje e madhe të ishe vajza e një prej të vrarëve. Ne jemi qytetarë të Shqipërisë. Le të sillemi si të tillë . Si QYTETARË !

Tags: , ,

23 Responses to “Tiranë, 21 Janar 2011”

  1. Tralala Says:

    Qenke nje vit mbrapa …

  2. flo Says:

    2011

  3. d Says:

    ndjese, spo mesohem dot me kete 2011😀

  4. un Says:

    Mendimi im :

    Sot pashe diçka qe e kam pare shume here. Ne France, ku dhe banoj. Si dhe ne vende te tjera EUROPIANE, ARABE dhe VERIOAMERIKANE.

    Ka ca vite, sidomos qe nga Intifada e pas 2001-it, ajo qe zuri shkak ne “provokimin” e Ariel Sharonit, qe lufta apo protesta e ashtuquajtur e ligjshme dhe e paarmatosur ka degjeneruar ne proteste te paligjshme dhe te armatosur.

    Po t’i vini re pamjet e sotme, ato jane kryekeput njelloj me ato te Rripit te Gazes, te Gjenovas, te Torontos apo atij vendit tjeter qe ia harrova emrin, ne USA, ne veriperendim, nejse. Banda te rinjsh, me kapuçe dhe shkopinj, presin dhe shfrytezojne çdo lloj shkaku per te bere rremuje. Thyejne, gjuajne policine, vjedhin. Ne Europe, keta quhen altermondialiste. Ne France, kane nje emer keshtu : les casseurs (thyesit).

    Nuk ka kurrfare lidhje me korrupsion a me dreq e te bir. Eshte thjesht nje mundesi e mire per rremuje. As e kam idene kush i organizon, cila parti dhe ku furnizohen me mjete. Thjesht di te them se ngjarje te tilla jane bere tashme nje dukuri e zakonshme ne sheshet europiane.

    Duhet thene se protestat popullore europiane, ka ca vite qe kane pesuar nej radikalizim, qofte dhe kur vijne nga njerez ne dukje te frekuentueshem. José Bové, udheheqesi i fshatareve franceze, eshte denuar disa here per thyerje te ligjit, per prishje te fushave te misrit OGM, dhe sot eshte deputet europian. Ka nje lloj zhvendosje te kufirit mes policise dhe protestuesve. Policia sot eshte tejet e matur, tejet ne terheqje. Por ama, ne France, ne momentin qe policia hidhet ne sulm, aty nuk ka me pastaj me dhemb krahu e me dhemb shpina. Kjo nuk ngjau sot ne Tirane, sepse me sa pashe, policia jone eshte ende e papaisur mire me mjete teknike. Nuk pashe makina te mirefillta me uje, ato qe te hedhin zgupthi dhjete meter perpjete, nuk pashe pistoleta flash-ball, nuk pashe veshje te mire polici, qe te mos demtohej ashtu. Mendoj se shteti, kushdo qofte ne qeveri, i majte, i djathte, apo djalli vete, duhet te marre masa qe perfundimisht, te mos kete me permbysje te pushtetit me dhune. Mjafton 97. Duhet gdhendur mire ne tru se nuk ka dhune per pushtet. Ka thjesht protesta paqesore, te perseritura, brenda ligjit, greva dhe gjithfare formash te tjera. Dhe forma me e larte, eshte VOTA.

    Eshte i pakuptueshem qendrimi i nje pjese te opozites per te shkaterruar nje shtet qe ai pretendon ta marre neser ne dore. Si mund te ngrihesh ti kunder diçkaje te cilen e pretendon ta kesh ti ? Kjo eshte vetevrasje. Opozita duhet te punoje per forcimin e shtetit, te ushtrise, te policise, sepse neser do t’i kete ne dore ajo dhe pasneser do te perballet me protesta te tjera nga opozitaret. Eshte me te vertete verberi politike kjo qe po ndodh. Edi Rama, dhe disa krere te tjere, kam pershtypjen se nuk kane as idene me te vogel te luftes politike. Nuk dua te ndez debate ketu por historikisht, e majta shqiptare ka qene me e dhunshme ne Shqiperi. Qe nga 1924-a, me Fan Nolin ne krye, i cili kishte prirje te ditura tashme bolsheviste qe per dreq perkonte me “ortodoksizmin”, e deri tek 1997, e majta ka treguar se nuk e ka shume qejf durimin e ardhjes ne pushtet.

    Kurse e djathta shqiptare, nuk ka kurrfare tradite ne Shqiperi. Ata pak qe u munduan ne 45-46-47, perfunduan ne burgje e ne litar. Mbase periudha me e djathte shqiptare ka qene ajo e Ahmet Zogut, ne vitet e mbreterimit. Pastaj, e djathta shqiptare nuk ka mundur te leshoje rrenje ne Shqiperi. Praktikat e sotme te partive politike, edhe kur vetequhen te djathta, nuk ngjasojne shume me ato te te djathtave te verteta. Gjithsesi, per keto 20 vjet, fakt eshte qe e djathta shqiptare ka qene me LEGALE ne lojen per pushtet.

    Dhe e fundit, nuk di kur do te hiqet nga fjalori politik fjala “popull”. Duke e trajtuar qytetarin si popull, ne ia heqim atij çdo individualitet, çdo aftesi per te menduar apo gjykuar. Nuk ka popull, popujt i duhen vetem populistit, mish per top. Nuk mund te tallesh me njerezit duke e quajtur popull. Cdokush ka emrin e vet, jeten e vet, idete dhe shpresat e veta, dhe nuk duhet kategorizuar ne nje emer te perbindshem “popull”. Ka vetem qytetare. Diten kur Shqiperia do te kete vetem qytetare, dhe kur politikanet do t’i njohin ata per te tille, atehere kemi hyre ne Europe dhe madje dale pertej. Sa kohe qe i behet thirrje “popullit”, ne vetem te zeza do te kemi.

    Shendet, gjithe te mirat per te gjithe ju, ardhshi shendosh ne shtepi. Me mire do te behet… nje dite.

  5. xhibi Says:

    “Në një shtet demokratik , me një demokraci të brishtë si Shqipëria, ka vend për protesta nga mëngjesi deri në mbrëmje, por s’ka vend për gurë, s’ka vend për flakë e breshëri automatikësh . S’ka vend për dhunë.

    Ishte tejet e trishtë të ishe sot vajza e një polici , e një demostruesi . Krejt e trishtë dhe dhembje e madhe të ishe vajza e një prej të vrarëve. Ne jemi qytetarë të Shqipërisë. Le të sillemi si të tillë . Si QYTETARË !”

    Shume mire e ke ti, po fatkeqsisht duket se je minorance ne kete opinion.

  6. Toni Says:

    Jo nuk eshte fare minorance. Po shoh tani ora news live. Kane marre mbi 50 telefonata ne emisjon deri tani dhe jane te gjithe kundra asaj qe ndodhi. Asnje nuk do 97 te dyte dhe shoh qe Rames ju kthye ne boonerang kjo proteste leshi sepse te gjithe po e shajne e mallkojne. Mjaft me vuajti ky popull. Ska me lufte. Protestat e ardhshme Rama do perfundoje vetem me 300 vete dhe do mari fund perfundimisht e te biem rehat nga keto skena dhune.

  7. El_Perro Says:

    si gjithmone kemi nje tendence qe hera heres ti krahasojme, jo vetem kete proteste, qe kshu e kane bere edhe neper bote, bota etj.
    Si gjithmone mendimi i UN -se ishte i cituar me krahasime, problemi eshte se si do ti veje halli situates sone ketu se nuk besoj se kapuconet para km e dijne se quhen “thyersit” “rrembujaxhinjte” apo ndonje emer tjeter. Nese do te ishin aq te mire organizuar do te ishte pershkallezuar (fatemiresisht nuk ndodhi) ne rrethana akoma dhe me agravante. Por, dukej qe nje pjese e te rinjve qe qellonin me gure ekzaltohej nga disa njerez qe ju fliste qe te qellonin. Besoj se versioni i momentit eshte qe keta personi merrnin urdhra nga kreret e djathte te cilet ishin ne zonen e dy kullave. Situata ka marr per mut dhe duke pare palo analistet tane ka vetem zgjidhje qe duhet ti interesojne njeres pale dhe ti bej “dem” pales tjeter.
    Nga nje akt i shemtuar i metes (i cili per hir te se vertetes duhej arrestuar brenda zyrave te shtetit dhe ti viheshin pranga ne prani te medias) por, per ironi te fatit ai bashke me koalicionin del e thote qe eshte trillim, shpifje, modifikim videoje. Nejse
    Besoj se shume qytetare do te donin te protestonin per realitetin kafsheror qe jetojme dhe 1001 problemeve qe jane ketu ne vendin tone, por asnje nuk besoj se do te donte te tilla trazira. Nuk dihet si do ti vej halli republikes sone, qe do te vuajme per shume kohe kjo sdo mend, deri ne momentin qe do te kemi te tille pozite dhe opozite, qe luan “counter strike” me “popullin” (sepse ato lloj njerezish aty ishin popull, nuk mu duken si qytetare), qe fut nje vend te tere ne ngerc vetem per interesa fund e krye personale dhe qe ka nje maske shume te pershtire me te cilen del ne media dhe ben si pozita dhe opozita me europiane e europes.

  8. un Says:

    El Perro, e kuptoj shqetesimin tend, bashkohem me te. Desha thjesht te saktesoj ca gjera, nuk na bejne keq disa krahasime, se kushedi mund te nxjerrim ndonje mesim te mire.

    Edhe ketu ne France, kur behen te tilla protesta, psh te Partise Socialiste ne lidhje me nje PROJEKT-LIGJ (sepse kur eshte shnderruar ne ligj, nuk ka me protesta, ne duhet ta fusim mire ne koke kete !!), pra kur behen te tilla protesta, vete Partia Socialiste Franceze ka sherbimin e vet te sigurise, dmth :

    LARGON TE GJITHE ELEMENTET KEQBERES APO RREMUJAXHINJ nga vargu i protestuesve.

    Te merret vesh mire ! Cdo organizator protestash ne France DISTANCOHET menjehere nga elementet shkaterrues dhe as nuk i nxit e as nuk i perkrah. Pasi elementet e keqinj menjanohen nga turma e protestuesve paqesore, ata merren nen trajtim nga POLICIA. Dmth, ka nje lufte guerile ndermjet policise dhe thyesve.

    Dhe nderkohe, ne krahun tjeter, protesta paqesore vazhdon qetesisht, nuk ka asnjehere nderhyrje te policise mbi kreret e partise socialiste franceze, sepse ata protestojne paqesisht.

    Vetem ketu ne Shqiperi, elementet e keqinj nxiten nga partite. Kjo eshte nje loje vertet shume e rrezikshme, me pasoja fatale. Dje vdiqen ca vete, une s’jam askushi qe te percaktoj nga ku dhe si, por di te them se gjera te tilla jane te renda dhe duhen peshuar mire. Partia Socialiste shqiptare duhet me domosdo qe ta pastroje radhet e veta nga elementet jo paqesore dhe vetem pastaj te vazhdoje luften e saj politike PAQESORE.

    Vendi kryesor i luftes politike, eshte PARLAMENTI. Nuk eshte rruga. Rruga perdoret ne raste te veçanta, kur deshirohet t’i tregohet qeverise sa mbeshtetje ka opozita.

    Shembull : Dominique de Villepin, donte te miratonte dikur nje ligj mbi “punen” (s’po hyj ne hollesira). Mirepo kjo u kundershtua nga sindikatat. Dhe ato u ngriten ne protesta paqesore. Kur Villepin pa se pakenaqesia ishte goxha e shtrire, atehere u detyrua ta terheqe projekt-ligjin. Kjo eshte metoda : behen protesta vetem per te treguar ç’mbeshtetje ke, dhe jo per te thyer e shkaterruar.

    Problemet e Shqiperise, te gjithe i dine, askush nuk i fsheh. Ato pak arritje qe jane kryer qe nga 2005, eshte krim qe te shkaterrohen per nje pasdite. Nese opozita shqiptare mendon ta leshoje ne gjunje vendin dhe te zhduke çdo lloj gjurme te mire qe ka mbire keto kohe, atehere e ka shume gabim. Ne e dime fort mire se pozita ka shume te meta, qe vertet duhen rregulluar sa me pare. Qe nga fjalori e deri tek veprat. Por ama, kjo nuk duhet kurrsesi te behet me vepra te dhunshme. Nuk ka Tunizi ne Shqiperi, nuk ka Haiti, nqs ti pretendon sot se ke nje pasaporte qe leviz ne tere Europen, te lutem shume sillu si europian. Mos merr as shembuj greke, e as shembuj tuniziane. Ktheji dinjitetin vetes, kerkoji te drejtat e tua deri me nje duke ruajtur njefare vetepermbajtje dhe dinjiteti.

    Politika eshte arti i se mundshmes, dhe jo i se pamundshmes, siç kuptohet ne Shqiperi. Ne duhet te mesohemi e ta perdorim ne çdo fushe te jetes dialogun dhe kompromisin. Une te leshoj kete, ti me leshon ate. Kjo eshte politika : debat, dialog, kompromis, marreveshje.

    Nese korrupsioni gelon ne Shqiperi, ti si opozite ke per detyre qe te hartosh planet e tua deri me nje per luften kunder korrupsionit. Kush me thote mua : ç’plan ka opozita qe me te ardhur ne pushtet te luftoje korrupsionin ? Sa here kane propozuar nje projekt-ligj ne kuvend ? Sa here kane rrezuar nje projekt-ligj demokrat ? Asnjehere. Sepse ata thjesht nuk shkojne ne kuvend, edhe ato here kur shkojne, shkojne per te lare hesapet me kundershtaret e tyre qe urrehen aq shume. Kur gjuhen e pushton urrejtja, aty eshte veshtire te dalesh. Edvin Rama, si perfaqesues i opozites, eshte nje katastrofe per ate vend, me gjuhen e tij te urrejtjes ai s’parandjell asgje te mire. E njejta gje dhe me kreun e qeverise : jane kaluar disa caqe qe bejne mu edhe per trurin me te vobekte. Ne keto kushte, si mund te perkrahet ky apo ai ?

    E vetmja perkrahje duhet te shkoje per INSTITUCIONET. Nese sot kemi nje kryeminister qe le per te deshiruar, posti i kryeministrit eshte krejt i nderuar. Nese kemi nje president te mefshte, posti i presidentit eshte i paprekshem. Duhen ndare gjerat, institucioni nga njeriu qe e misheron. Nuk ka rrezim me dhune te Berishes sepse ketu cenon jo Berishen, por institucionin qe ai perfaqeson. Keto gjera duhen bere te qarta sepse e shoh qe urrejtja ne Shqiperi po kapercen çdo permase.

    Vendlindja, vendbanimi apo forma e kokes se Berishes nuk ka asnje rendesi ne çeshtjet tona. As mjekra e Rames apo fotot nudo te tij. Keto jane gjera krejt anesore. E vetmja gje qe ka rendesi eshte CFARE BEN DHE THOTE NJERI, dhe CFARE THOTE DHE BEN TJETRI, pa marre parasysh aspak ne ç’theks e tha, malor apo fushor, bregdetar apo kodrinor.

    Shendet.

  9. Electrical Storm Says:

    E keqja kryesore ktu eshte qe jane vetem dy mundesi zgjedhje.
    PS-istet- ZULLUMQARE
    PD-istet- INJORANCE

    Nderkohe qe Shqiperia ka nevoje per nje LEVIZJE VETEVENDOSJE, (meqe lejohet krahasimi edhe coc e ka nje fare vlere).
    Duhen njerez te rinj, edhe jo rrenje te vjetra qe nuk shkulen me nga kolltuqet.

  10. un Says:

    @ Electrical Storm,

    Jashte pasioneve, e vertete kjo qe thua. Le te shohim pak ç’mundesi ka propozimi yt.

    VETEVENDOSJE, me ç’kuptoj eshte huazuar nga Kosova. Ne vetvete, eshte nje parulle e fisme, e ligjshme dhe e panjolle. Ceshtja eshte si duhet kuptuar. Nese vetevendosje do te thote “vetegjykim”, ne kuptimin e arbitraritetit, atehere e sigurte qe kjo nuk eshte rruga e duhur. Por nese vetevendosje kuptohet qe diten e votimit, te gjithe ata qe kane te drejte votimi, te shkojne lirisht dhe te shprehin me vetedije opinionin e tyre, atehere po, njeqind here po.

    Tani duhen shikuar kushtet praktike te zbatimit. Kur shihet qarte se dy palet kundershtare kane dale jashte loje, atehere perse nuk mendohet per nje force te re politike qe te jete njehere e mire e ndare nga e kaluara komuniste dhe ajo disi anarkike e pas komunizmit ? E kuptoj qe G99 ka shkaktuar mjaft deme ne besimin dhe seriozitetin e ketyre lloj nismave, porse nuk keq te provohet gjithmone. Jam i bindur qe gjeja e paster shndrit vete. Ndershmeria paguan gjithmone, vone por paguan. Nuk jam dakort me ate qe poshtersia fiton gjithmone. Kush perpiqet ndershmerisht, te pakten ne afatgjate e ka te sigurte fitoren.

    Tjeter menyre, jo me pak e menjanueshme : ndertimi i nje shoqerie civile te vertete : shoqatat jo-partiake, qe permbledhin gjithfare interesash si shoqate lexuesish, shoqate per mbrojtjen e mjedisit, per luften kunder kancerit, duhanit, ç’te jete, gjithkush eshte mire te beje nje jete shoqate, sepse vetem aty do te shohe ç’eshte debati, dialogu, ç’eshte te marresh nje vendim, te zgjedhesh nje drejtues, etj.

    Bazen e nje shoqerie te shendoshe perendimore e perben shoqeria civile, ajo qe eshte zotuar ne nje luftim, sado qesharak qofte. Mund te krijosh shoqate dhe per “mbrojtjen e kenaqesive te jetes”, secili sipas pasionit te vet. Dhe keshtu mund t’i largosh disi njerezit nga politika boshe partiake.

    Mbaj mend nga ’92, kishte sindikata punetoresh. Ku jane sot ? Nuk degjoj asnje sindikate. Nuk degjoj asnje proteste sindikatash. E habitshme, kush i mbron interesat e punetoreve apo nepunesve apo gjykatesve apo avokateve apo policeve. Gjithkush ka nje sindikate, te pakten ne France ekzistojne.

    Kur protestat tona t’i kemi te organizuara sipas profesionit apo shoqates ku bejme pjese, atehere them se kemi shpetuar nga partite.

    OK, kjo ishte dhe nderhyrja ime e fundit per kete çeshtje, e kalova masen dhe une. Kalofshi mire.

  11. El_Perro Says:

    U.N , jane shume te drejta dhe te vrt ato qe mendon dhe i ke shkruar, keshtuqe nk mund te ndalosh se shkruari (vetm nese je i bezdisur apo ke t tjera pune). Gjithsesi, dime q ketu nk ekziston shoq.civile apo sindikatat etj etj se nese do t ekzistonin njerezit dhe qytetaret e ketij konbi do t protestnnin thuajse cdo dite (fatekeqsisht( x realitetin e hidhur q eshte ketu. Jam dakort x Levizjen e Albin Kurtit po pervecse ai lufton me te drejte ka temperament anarkist dhe kjo eshte shume e rezikshme ne vendin tone. Si pozita si opozita nk meritojne te jene apo ne nje te neserme te kembejne vendet ne Shqiperi. Ben mu qe luftojne x interesa te tyret. Duket si nje “udhekryq labirinth”, nuk di si do ti veje halli qytetareve te ketij kombi, me dhimbje e pranoj se do te duhet shume kohe dhe breza qe te mund te orientohemi drejt paqes,tolerances,atdhetarizmit,vlerave e dashurise. Me vjen turp qe nje shtet kaq i vogel e kaq i begate nga natyra ka pjelle te tille monstra q vertiten si cakej e hijena neper Shqiperi. Me vjen turp kam kaq pak gjera me te cilat te “mburrem” apo te ndihem “krenar” qe jam Shqiptar! Me vjen keq qe bisedojme e llafosim neper kafenera (qe nuk eshte ndo1 faj i madh n fund t fundit) por, kur vjen puna nuk bejme (ose nuk dijme te bejme, se di) shume me shume sesa ti derdhim mendimet ne tavoline dhe te kthejme shishen e birres. Po behet gjithmone e me e veshtire, dhe nuk shoh ndo1 drite n fund t tunelit, kjo eshte sh e trishte.

  12. spiritus Says:

    Askush nuk e deshiron rreshqitjen e vendit ne dhune dhe anarki.97 eshte shume fresket per tu riperseritur.Populli (jo vetem opozitar) ka 1001 arsye jetike, sociale, ekonomike dhe pse jo, dhe politike per te protestuar.Sa mire do ishte te kishim edhe sindikata sepse jane ato qe kompaktesojne dhe kanalizojne zemerimin popullor ne protesta te organizuara, pertej synimeve imedaite dhe manipuluese te poltikave per pushtet. Sa mire do ishte,sa mire, qe vendi te gelonte nga gjithare shoqatash e klube qytetaresh qe kenaqin hobet e tyre per natyren, kashet, kulturen, gatimin…Dhe keshtu vazhdon tjerrja e leshit te arsyetimit sai intelektual dhe brenda kesaj tabloje kaq idilike , rastesisht dhe krejt pa dashje, kalimthi, pa kurrfare qendrimi te njeanshem, thuhet se Edi Rama eshte katastrofa e ketij vendi dhe..kreu i qeverise ka kaluar ca caqe …dhe ca te vrare qe nuk permenden fare, si bilanci tragjik i shkeljes me kembe te parimeve te demokracise ne nje shtet qe pretendon se eshte ligjor. Si padashje dhe per te mos ndotur tablon idilike harrohet shkelja me kembe dhe tallja me opoziten, grabitja e votave, kusaria dhe kusari qe bertet kapeni kusarin, harrohet kurba ne rritje e varferimit dhe zemerimit te njerzve qe u hidhen si ushqim projektet futuriste per lajthi dhe shege , harrohet provokimi nonstop me megalomanine triumaliste per mbajtjen e pushtetit edhe 30 vjet te tjera. Ne cilin vend me demokraci te shendetshme, kryeministri etjen e tij paranojake per mbreterim dhe pushtet absolut, e shet si projekt ?
    Politika eshte arti te mundshmes POR keto mundesi per te gjetur zgjidhje te mundshme brenda rivalitetit dhe lojes per pushtet minohen, refuzohen dhe hidhen ne ere nge e djathta duke u shehur pas gjethes LEGALE te ligjit.

  13. un Says:

    @ Spiritus,

    Meqe shoh se jam cituar gjithandej por pa ma permendur asnjehere pseudonim dhe asnjehere ne ligjerate te drejte, me lejo disa saktesime.

    Biblioteka qe kam futur ne koke, besoj se nuk eshte aty per t’u marre me idiotesira partiake. Nuk diskutoj per parti, as per programe partish dhe as per perqindjet e tyre. Larg kesaj. Kjo biblioteka qe thashe, me ka bere qe gjerave t’iu fluturoj nga siper, mundesisht te shoh sa me shume. Dhe ajo çfare shoh, eshte kjo :

    Ne Shqiperi, prej vitesh, dekadash madje, flitet vetem nje gjuhe : ajo e urrejtjes. Qe nga 1945, ne viset tona eshte folur vetem kjo : armiku duhet shtypur si mize. Dhe ne fakt jane shtypur goxha. Me vone, ne kete lloj urrejtje kane ardhur te mbivendosen dhe urrejtje te tjera te rendit krahinor apo material. E vetmja urrejtje qe pati pesuar njefare terheqje, eshte ajo fetare.

    Kjo maisje e urrejtjeve, dihet shume mire se kerkon abcesin e vet, kistin e vet, diku duhet te shpertheje : me 97, eshte fakt se pavaresisht kauzes se drejte te atyre qe humben parate, mbase nga syleshesia e qeverise e mbase dhe nga padituria (e kuptueshme deri diku, duke pasur parasysh vetem 4 vjet demokraci), pra pavaresisht kauzave, ajo u keqperdor dhe madje u mbrujt duke i fryre nje zjarri tjeter, ai i ndarjes krahinore. Eshte fakt gjithashtu se ky zjarr nuk ngeli pa u fryre dhe nga krahu tjeter, duke patur parasysh komplekset e 50 vjeteve perbuzje totale. Gjithsesi, pa dashur te ve gishtin per faj, s’eshte synimi im ky, urrejtja klasore e pashuar asnjehere nxori koke menjehere dhe ne krye te 97-es u vune njerez qe kishin pastertisht synime politike, pa asnje lidhje me parate. Kete e verteton fakti se parate nuk u kthyen, dhe se per nja 5-6 vjet me radhe, Shqiperia ka qene vendi me krimin me te madh te njohur ndonjehere : prostitucion, arme, droge, vrasje, skafe, gjithçka. Periudha 1997-2002 ose 2003, ka qene vertet nje periudhe e pajetueshme per nga ana e korrupsionit.

    Eshte fakt gjithashtu se qeveria e pare e Berishes, ajo e 2005-2009, ka pasur disa arritje, te pakten kjo pranohet nga te gjithe organizmat nderkombetare, disa ecje integruese jo per t’u shperfillur, nje ekonomi qe ka pasur rritje te mire, dhe njefare stabiliteti shteteror.

    Ndryshon ca me qeverine e dyte, 2009-2011, sepse kjo filloi qe ne nisje me nje ekuacion te pakuptueshem nga une : partia e dyte ne zgjedhje, PS, refuzon te futet ne parlament. Me rreth 66 deputete, nje numer i lakmueshem per çdo opozite europiane (rreth 45% te kuvendit), PS-ja mund te bente mjaft pune te mira per vendin. Mirepo ajo ka preferuar te kunderten : ndenjen jashte kuvendit, deri dy-tre dite para marrjes se rrogave. Kjo pike ka qene sinjali qe duhet t’i kishte zgjuar Shqiptaret, per t’i thirrur mendjes se me ke kane te bejne. Nderkohe, koalicioni PD-LSI, i dha politikes shqiptare nje si leje te plote per te shfryre ne gjithfarelloj fjalesh : Meta eshte cilesuar si tradhtar, si i pacipe, etj etj. Ne nje kohe qe levizja e Metes, pavaresisht se çfare doli ne pas, duhet te shihej asokohe si nje levizje krejt e re ne hapesiren shqiptare, sepse per here te pare, kishim nje politike te mirefillte : bisedime dypalesh, shumepaleshe per te arritur nje kompromis. Kjo ka qene risia e kesaj ngjarjeje, e qe nuk eshte vleresuar asnjehere si e tille.

    Duke pasur parasysh karakterin kokeshkemb te Shqiptarit, Meta solli nje menyre ndryshe : ok, parimet do t’i shkel dhe bar nuk do te ha. Ky ishte mesazhi qe iu drejtoi Meta ne menyre te terthorte.

    Pastaj, me acarimin e Rames, sepse deshtimi eshte gjithmone i dhimbshem, gjendja politike eshte renduar jashtezakonisht shume. Perfundimisht, per shkaktar te kesaj gjendjeje vertet te ndere, une mbaj thjesht ate qe nuk i ul armet asnjehere. Nese Rama ka nje retorike luftarake, kjo s’eshte per t’u pershendetur. Nuk eshte diçka prej politikani kjo. Prej politikani mendoj se kane qene veprimet e Berishes ne lidhje me Imamin e kompani, dhe Meta me futjen ne koalicion. Ti mund t’ia vesh emrin politike e felliqur, por une te them se keto ishin veprime prej politikanesh. Ndersa Rama, deri me sot, nuk ka treguar as edhe nje veprim prej politikani : terheqje taktike, leshim taktik, koalicion te perkohshem, doreheqje, proteste te pershtatshme, fitimin e zemrave te votuesve, besueshmerine prane BE-se. Asgje nga e tere kjo.

    Ne lidhje me korrupsionin, eshte e qarte se me kete s’pajtohet kush, perveç te korruptuarit. Por gjithmone, keto behen jo me verdiktin e turmes, por te gjykatave. Ka nje prokurori, ka gjykata. Ju thoni : po edhe keto jane ne duar te Berishes. Nuk eshte e vertete. Ne krye te ketyre organeve ka njerez qe kane te drejten e vendosjes me gjykimin e tyre te lire. Po te duash, jep doreheqjen nga prokuroria, nese nuk te lene te punosh. Se ashtu i bie te shfajesojme dhe SS-te qe vrisnin pa te keq.

    Dhe kur opozita sheh se prokuroria nuk po e kryen punen si duhet, ajo merr shenim, dhe ne rastin me te pare te ardhjes ne pushtet me vota te lira, fillon e padit vete prokuroret apo gjykatat qe s’kane bere punen qe iu takon. Keshtu funksionojne gjerat ne Europe ku deshirojme te shkojme.

    Keto ketu jane mendime qytetare dhe aspak militanti apo korrupsioni. Bej nje pune te vogel dhe une, me duart e mia dhe s’kam nevoje te ndyhem me asnje. Por puna eshte se duhet folur ne menyre te pergjegjshme, qe politikes t’i rikthehet kuptimi, dhe jo qe njerezia te ftohen aq shume sa te mos votojne fare.

    Opozita nje rruge ka : KUVENDI I SHQIPERISE. Malcorisht e fushnisht e bregdetisht, kuvend eshte te ulesh dhe te bisedosh. Flet njeri, degjon tjetri. Ndezin nga nje cigare, flet tjetri degjon njeri. Dhe ne fund, masin forcen e kartonit : kush ka bindur me shume. Edhe sikur idiote legjendare te jene 120 deputetet qe kemi zgjedhur, ne jemi te detyruar te degjojme forcen e kartonit te tyre. Qytetari thirret njehere ne kater vjet qe te shperndaj “bonuset” e tij : ti mire, ti tjetri keq. Keshtu funksionon demokracia. Rruga eshte per punetorin, minatorin, fshatarin qe i kalben patatet, bujkun qe ia kane vjedhur token, nepunesin qe e kane hequr pa te drejte, pensionistin qe s’i del pensioni, kjo eshte rruga, ata bejne te ditur zemerimin e tyre, deri ne masen ku nuk preket shteti ku ata kerkojne ndihme.

    The rest is silence… e mbyll Turgenievi nje novele.

  14. flo Says:

    Sot u dha nje lajm se gardistet jane shperblyer me 4 paga(sa pak vleka jeta e atyre fatkeqeve), po sot, individe qe nuk kane asnje mardhenie punesimi me shtetin jane shperblyer me te njejten shume, jam e neveritur!

  15. spiritus Says:

    un,
    Deri diku dakort me analizen .Disa gjera dhe une me duhet ti saktesoj.Skemat teorike dihen.Po flasim per realitetin dhe ne nje vend ku demokracia ehste gjysemdemokraci.Kur flet per rolin e opozites , duhet te jemi te qarte:parlamenti eshte institucioni i te zgjedhurve, rruga (me mjete dhe forma demokratike) eshte “institucioni” popullit.Dhe opozita eshte aty, bashke me te. Kjo ademo-kracia. Aq me teper ne nje parlament ku opozita kastrohet dhe shkelet me kembe.
    me t mira.

  16. doriani Says:

    Edhe pse eshte nje nga gjerat qe me krijon zagushi shpirterore,do them 2 fjale rreth asaj qe mendoj,me shume lidhur me nje idiome historike ,sesa rreth vete ngjarjes.
    Me duket e rendesise kryesore kendveshtrimi i ngjarjes per ta gjykuar sa me drejt.Verej komente nga shqipetare jashte atdheut por edhe nga ata qe benojne aty,kete tendencen(ndonjehere edhe mani) per te hequr vija paralele mes ngjarjesh te ngjashme qe kane ndodhur ne Usa ose europe.Ne baze te parimeve thellesisht historike jam kunder ketij trajtimi.Mendoj se kushtet politiko-historike jane elementi baze per krijimin e ndergjegjes civile-qytetare te nje shoqerie dhe gjykimi i “turmes”,popullit ose i shoqerise besoj se duhet bere nisur nga standarti ku ndodhen keto parime.Per te patur nje shoqeri civile,duhet te kesh ne rradhe te pare nje shoqeri me elemente te theksuar qytetare,edukate qytetare ,qe me kalimin e kushteve te caktuara historike shnderrohet ne edukate civile,ndergjegje shoqerore,kombetare.Jane etapa qe populli shqiptar nuk i ka kaluar dhe dora e shtetit nuk mund te jete e rrepte me ta sikurse ne USA psh.Atje keto hapa shoqeria i ka bere qe ne gjysmen e dyte te shek. 18 ndersa ne kaluam nga nje rend feudo-borgjez ne socializem me ate propocion popullsie qytet/fshat qe te gjithe e dime. Dua te them se parimisht dhuna ndaj institucioneve shteterore nuk eshte e perligjur,por aq me shume nuk eshte e perligjur vrasja e individeve pikerisht nga ky shtet qe ka lene boshlleqe dhe mundesi te panumerta per quajtur “i çale”. Eshte njelloj sikur te çosh ne provim mature nje nxenes te tetevjeçares,patjeter qe do te “digjet” aq me teper kur komisioni provimin e korrigjon me liber ne dore e jo me ate çka kane dije te tyre personale.Individi dhe shteti ne shqiperi vetem keto 20 vjetet e fundit kane patur rast te takohen me nj-tj,eshte nje rruge e gjate por jo domosdoshmerisht tragjike.kaq
    Per te tjerat,rreth boshtit Sali-Rama nuk besoj se ka asgje per te shtuar,te gjitha jane thene.

  17. Xixellonja Says:

    Shume here jam munduar te analizoj, ti gjej sipas vizionit tim nje pergjigje a nje interpretim situates se ne shqiptareve, komunitetit e shoqerise ne te cilen bejme pjese. Por per fat te keq teori politike-historike-ekonomike therrmohen para hibridit me emrin Shqiperi. Keshtu fillon e kupton se s’ka pergjigje, por ka viktima e fajtore. Viktimat jane po te njejtet e fajtoret po ata. Ndoshta ka nje teori qe mund te na pershtatet e ajo mund te ishte Sindroma e Stokholmit, ne e dime cfare na ben keq e megjithate i nenshtrohemi asaj, ne jemi ne menyre te pandergjegjshme e ndoshta dhe te ndergjegjshme te ‘dashuruar’ me te sepse ne ne fakt identifikohemi me ate vete. Ne jemi bere si kanceri qe ha organizmin ne te cilin jeton! Kete e bejme me ane te indiferences dhe injorances qe na karakterizon, jo kapacitetit qe kemi per te menduar afatgjate. Jemi nje komunitet i bashkuar nga gjera te keqia tip arroganca, ambicia dhe konkurrenca e padrejte, morali familjar qe predikojme por s’kemi, ne duam tani dhe gjithcka! Nuk jemi nje komunitet i ndertuar mbi bazen e mirekuptimit, tolerances, idese se gjese se perbashket per nje jetese me te mire dhe jo gjese se perbashket per tu vjedhur nga secili. Po ta mendosh ftohte ne kemi ngelur e jemi mercenare. E nisi Skenderbeu (po ne ate kohe hajde dhe se po e justifikoj) dhe tradita u vazhdua me pas. Mercenaret s’mund te bejne shtet, ata po mund ti paguash por kurrsesi s’do kene mentalitetin e nje shtet-ndertuesi sepse kjo gje nuk arrihet sa hap e mbyll syte por behet me mundim e pak e bejne kete. Prandaj dhe te diskutosh per individe te vecante, per parti, lidere etj do te biesh domosdo ne mediokritet e banalitet. ‘Nese nje komunitet s’eshte i zoti te qeverise vetveten duke zbatuar e respektuar nevojat e te gjithe pjesetareve atehere ai komunitet s’ka te drejte te ekzistoje. Pjesetaret mund shume mire te kerkojne komunitete te tjera ku mund te japin kontributin e tyre, te ndihen te vleresuar’. E ketu kush do te lexoje nen rreshta te lexoje sepse ate dua te them. Cdo gje tjeter pastaj behet pjese historie e treguar nga njerez qe se kane jetuar ndersa ata qe e jetuan s’paten kurajo te luanin as gishtin me te vogel. Prandaj mund te rrime dhe me vite te flasim por per sa kohe nuk ndodh revolucion per mire tek mendjet e njerezve s’mund te ndodhe tek veprimet e tyre. E ja pse ne jemi duke folur ketu e komentuar akoma ngjarje te tilla si ajo e Tiranes sepse fondametalisht ne jemi akoma ne diktature e kush nuk e ka kuptuar ta kuptoje se boll u zgjatem.

  18. un Says:

    ZOGU ME DY KRENA

    Na ishte njëherë, por jo shumë kohë më parë, një zog me dy krena, njëra majtas e tjetra djathtas. Ajo e djathta ishte llupëse dhe e aftë të gëlltisë gjithçka që i duhej të mbushte gushën ; kurse ajo e majta, po aq llupëse, por sidoqoftë ca e ngathtë dhe gjithnjë e uritur.
    Një ditë, Kokëdjathta i tha Kokëmajtës :
    « Ec me mua (ta pret mendja !), kam gjetur një cep të mirë ku ka për të dyja. Do të kënaqemi fare. »
    Kokëdjathta e dinte mirë se ishte një lëndinë e helmuar, por ideja e saj ishte që ta ngordhte Kokëmajtën dhe të ngopej vetëm për vete. Mirëpo s’e kishte menduar aq mirë. Sepse helmi e ngordhi trupin e zogut dhe me ç’rast, të dyja kokat vdiqën.
    ________

    Shkëputur nga Contes des sages qui guérissent (Rrëfime të urtësh që shërojnë), mbledhur nga Marie Faucher, përkthyer nga un.

  19. alfred Says:

    Per Dorianin.

    Kushtet politko-historike qe doje te permendje ti jane te tjera. Dua te theksoj faktin qe historia jone, e trishte per nga thellsia e padrejtesive dhe hegjemonise qe shume vende jane munduar te ushtrojne, eshte nje histori qe rralle here ka njohur ngritje. Ka njohur vetem nje continuitet negativ ne rrjedhen e saj. Pra skemi pasur shume momente kulminante ku mund te thuhet qe ne jemi rritur si koshience. Ky eshte nje kusht historike qe na ka kushtezuar e vazhdon ta beje.
    Nje tjeter aspeket politik dhe, shoqeror njekohesisht, eshte se perseri ketu skemi njohur nje ngritje ne nivel udheheqesish te shtetit si nocion unitar, burrash shteti te vertet (vecse ne periudhen e xhaxhit).
    Pastaj ne i kemi kushtet politike per ta ndertuar nje ndergjegje patriotike ( si dashuri per atdheun dhe jo ti marrim tokat Malit te Zi dhe Greqise), apo nej ndergjegje civile. Ketu nuk ka rol qytetaria si element objektiv por ka rol edukimi i popullsise, elementi me subjektiv i ndertimit te nje shoqerie civile. Nese shteti, ose supozimi i nje te tilli, do te ndertoje nje shoqeri civile, pra shoqeri ku individi eshte i zhvilluar ne te gjitha aspektet e personit te tij, atehere rrugezgjidhja eshte edukimi, dhenja e mundesise se zhvillimit mendor.
    Duhet qe institucionet ti futen punes e te kryejne rolet e tyre dhe jo te jene subjekte te varura nga mendja e nje kokkashte i cili do te vendose gjithcka. Berisha jone do te vendose gjithcka: taksat, shpenzimet publike, politkat monetare, madje dhe inflacionin po te mundte, gjithashtu vendos dhe nivelin e korrupsionit; pra ai vendos sa duhet te vjedh Prifti, Meta, LLeshi dhe Kola.
    Shume faje i kane udheheqesit, dhe apsak populli i shkrete.
    Per sa i perket demonstrates mendoj se shteti sduhet ne asnje menyre ti shkatoje deme fizike qe cojne deri ne vdekje. Ne i kemi njohur shteti fuqine per te ushtruar pushtetin mbi ne ne menyre te drejte: pra me ane te institucioneve. Shteti, sic ndodh ne vendet demokratike, ne shtetin kostitucione, duhet me cdo kusht te mbroje personin, dhe ne castin qe ai do ti jap fund jetes se tij ai duhet ta ndaloje.
    Kam marre pjese ne disa protesta, disa dhe te dhunshme, po kurre skam pare qe shteti te vrase me qellim njerezit. Pra dhe ne rastin kur keta tentojne te zene institucionet shteti ka per detyre ti mbroje keta te fundit me ane te marrjes se masava te duhura, venjes se policeve qe i mbrojne ato, por kurre duke u qelluar. Vetem ne vendet komuniste protestuesit vriteshin neper sheshe (si ajo e sheshit tien an men) Apo ato te Prages apo te Budapestit vite e vite me pare.

  20. doriani Says:

    Mirmbrema Alfred!
    Vura re nje lloj pathosi-irritimi ne pergjigjen tende qe shpresoj mos te kete patur pikenisjen ne komentin tim per arsyen e thjeshte sepse une ne ate qe thashe veçova vetem nje moment qe kishte te bente me paralelizmat e thena keto dite ne komente te shumta ku silleshin shembuj “protestash Civile” ne shume shtete te europes ose ne Usa.Pra,nuk pretendova ti bej nje analize te thelle fenomenit ne te gjitha shtresat,por vetem nje nje aspekt te veçante(dhe per te qene i sinqerte me vehten dhe me ty) edhe aty kam akoma per te shtuar.
    Me beri pershtypje se diku nga komenti yt theksohej edukimi i shoqerise dhe e hidhje poshte,deri diku me force ate raportin e shqoqerise qytetare.Jam i njemendesishem me ty kur me flet per edukimin,di qe ai behet ne shkolla,por mendoj une “edukimi” te cilit ti i referohesh(ose duhet ti referohesh;me ndje per keshillen e sforcuar) ka tebeje me marrdheniet e njeriut me punen.Nese je studjues i historise dhe i fenomeneve shoqerore me kupton se çfare dua te them me kete togfjelesh por nderkohe, nuk dua te hiqem vete si i tille,sepse nuk jam.Me lejo te jap mendimin tim nga pozita teresisht “amatore”.
    Nje pike tjeter qe une do te doja ta kisha prekur te komentin tim te meparshem,ishte edhe roli i individit ne shqiperine e pas 90.BEsoj se ne kete pike jemi te gjithe te se njejtit mendim, ka qene negativ dhe ka ngadaleaur proceset e zhvillimit ekonomik ne pergjithesi dhe ate te emancipimit politik ne veçanti.
    Kishe edhe nje shprehje tjeter qe fliste per burra shteti te vertete, nocion unitar,si ne kohen e xhaxhit?!?! qe une sinqerisht po bej sikur nuk e kuptoj ose vertete nuk e kuptoj.Pranoj te dialogoj vetem ato pjese te ashtuquajtura shkencore dhe te marra ne konsiderate nga doktrina e shkencave politike ne rastin me te keq.
    Sa per kushtet e rritjes se ndergjegjes patriotike nepermjet atdhedashurise se paster,pa kaluar ne nacionalizem,ashtusikurse ti ishe i kujdesshem te parashtroje,eshte nje pjese tjeter e diskutimit, e pranoj qe ka nje lidhje te terhtorte ne ate çfare po flasim, por nuk jam i pergatitur te flas per kete teme me bindje tani .
    Tungjatjeta!

  21. Alfred Says:

    Pershendetje Dorian.

    Jo, pikenisja-irrituese e asaj qe shkruajta( pak i irrituar isha) nuk ishte nga komenti yt, Pra nuk ishte e drejtuar asaj qe the ti. Me dhe shtysen te shkruaja gjithsesi.
    Per sa i perket paragrafit te pare te komentit tend jam dakort dhe e kisha kuptuar dhe me pare se perse e kishe shkruajtur.
    Ne paragrafin e dye mendoj te njejten gje. E di se mundesia e vetme qe kemi eshte te na quajne marksista ose hegelian te majte. Nese flasim per edukim po flasim per zhvillim mendore me ane te njohjes se realitetit objektiv i cili vjen, mbi te gjitha, nga marrdhenia qe kemi me mjetet e punes, me realitetin. Pra puna – sic thoshte dhe Engelsi – na ndan nga majmuni. Nuk na ndan prej faktit qe ne punojme me teper por prej faktit qe ne ndertojme nje ndergjegje me ane te punes. Behemi te vetdishem per rolin qe kemi ne marrdheniet shoqerore. Pra edukohemi ne nje menyre ose ne nje tjeter.
    Ka shume epr te thene ne kte pike por e leme me kaq.
    Edukimi shkaterron cdo gje nese nuk eshte i bere si duhet. Nese nje peme te re nuk i kushtohet vemendja e duhur, vaditje, puni i tket perreth, besoj se ska p.s me ja nxjerr frutat. Kshu ndodh me brezat qe kan lind ne fund te viteve 80 dhe fillim 90-ta. Jane njezet e ca vjeça te gjithe ata qe jane edukuar ne ato vite. Kane te drejten per te votuar,Disa jane dhe te martuar. Shumica sillen verdalle neper Bare. Mbi te gjitha kan nje edukate te korrupsionit dhe te lekut qe ska te ngjashme ne asnje vend te europes. E gjithe kjo vetem deme sjell. Thone, siaps teorive te rritjes ekonomike, qe rritja e popullsise dhe specializimi i klases punetore sjell zhvillim ekonomik: ne shqiperine tone jo. Zhvillimi qe kemi nuk eshte real dhe mbi te gjitha eshte i njeanshem.
    Besoj se kur fola per shtetin unitar e kisha fjalen per nje shtet i cili ka kontrollin mbi te gjithe territorin qe e perkufizon si te tille. Ushtron fuqine e tij mbi popullsine qe ndodhet mbi kete territor dhe mbi te gjitha edukon, e kete ska rendesi se ne cmenyre e ben.
    Per paragrafin e fundit qe ke shkruajtur mendoj se eshte pika e dyte kyçe qe duhet ti japim vlere, pas edukimit. Ndjenja patriotike, ajo russoniane, besoj se ti e di se per cfare flas.

    Kalofsh mire.

  22. Karl Rove Says:

    http://albkarlrove.wordpress.com/2011/02/18/rruga-e-trete-duhet-marre-inisjativa-nga-duart-e-rames-dhe-berishes/

  23. Ngeli ne klase, terrorizon shkollen me arme | shqip.3dl.us Says:

    […] Tiranë, 21 Janar 2010 Ndërsa protesta pritej të nisej, nganjë bisedë me dikë, personi në fjalë tha dicka që më ngeli në mendje : “ Fjala 'popull' nuk më ka vend, ne nuk jemi 'popull', ne jemi QYTETARË TË SHQIPËRISË, dhe si të tillë , ky atribut na vetëngarkon me … Ne nuk na duhet një boulevard i shkatërruar . Ne nuk na duhet një Tiranë e Shqipëri e dhunshme .Ne na duhet një shkollë e re, na duhet një universitet i ri . Ne na duhen vende pune . Na duhet një lulishte, një park ,një boulevard, … https://tiranacalling.wordpress.com/ — Fri, 21 Jan 2011 13:52:45 -0800 *{margin:0; padding:0;} ul{ list-style:none;} #socialbuttonnav {width:90%; overflow:hidden;margin:0 auto;} #socialbuttonnav li{background:none;overflow:hidden;width:65px; height:80px; line-height:30px; margin-right:2px; float:left; text-align:center;} #fb { text-align:center;border:none; } #fb iframe {text-align: center;float:left; } […]

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: