Fjalimi i shkrimtares nobeliste Herta Müller

by

Nobelistet 2001-2009, perkthyer nga Urim Nerguti, “Tirana Times”, 2009

Në vazhdim të vënjes në praktikë të idesë së publikimit të një pjese prej fjalimeve të  shkrimtarëve Nobelistë në ditën e marrjes së çmimit , këtë javë është menduar të publikohet një pjesë e fjalimit të shkrimtares nobeliste Herta Müller.

Herta Müller është një shkrimtare gjermane me origjinë rumune. Fituese e çmimit Nobel për Letërsi për vitin 2009, për veprat e saja rreth jetës në Rumani, Evropën Juglidore pas Luftës së dytë botërore, dëbimin e pakicës gjermane në pjesën rumune në Banatë, si dhe për esetë e saja për traumat e luftës dhe ikjen e saj në Gjermani.

Një pjesë nga fjalimi i saj në Stockholm:

“KE SHAMI ? më pyeste nëna tek dera e kurtit, për çdo ditë, në mëngjes, para se të dilja në rrugë. Nuk kisha. Duke qenë pa shami, kthehesha dhe merrja një në dhomën time. Nuk kisha kurrë, sepse për çdo ditë, prisja këtë pyetje. Shamia ishte prova se nëna ime më mbronte në mëngjes. Pjesën tjetër të ditës, për çështjet e tjera, kullurdisesha vetë. Pyetja KE SHAMI ? ishte një fjalë e ngrohtë e thënë ndryshe. E drejtpërdrejtë, ajo do të kishte qenë bezdisëse, kjo nuk bëhej tek fshatarët. Dashuria ishte fshehur nën petkat e pyetjes. Ajo nuk mund të shprehej ndryshe veçse thatë, me një ton urdhëror, si gjestet e punës. Madje ishte befasia e zërit ajo që theksonte dashurinë. Për çdo mëngjes, tek dera, isha fillimisht pa shami, dhe prisja të kisha një të tillë për të dalë në rrugë ; ishte njëlloj sikur, falë shamisë, nëna ime të ishte e pranishme.

Dhe njëzet vjet më vonë, në qytet, isha që prej kohësh vetëm, përkthyese në një uzinë mekanike. Ngrihesha në pesë të mëngjesit dhe e merrja punën në gjashtë e gjysmë. Në pushimin e mesditës, dëgjoheshin kore punëtorësh. Kurse punëtorët e ulur në tavolinë, i kishin sytë të zbrazët si të aluminta, duart të latërzhyera në graso, dhe bukën të mbështjellë në letër gazete. Para se të hanin copën e tyre të sallamit, kruanin bojën e shtypshkronjës që kishte mbetur mbi të. Dy vjet rrodhën kështu, zvarrë-zvarrë.

Viti i tretë shënoi fundin e barazisë së ditëve. Në hapësirën e një jave, pashë të më vijë tre herë në zyrë, herët në mëngjes, një trupmadh i gjatë shpatullgjerë, me një vështrim blu përshkëndritës : një kolos i sigurimit.

Herën e parë, më shau duke ndenjur në këmbë dhe iku.

Herën e dytë, hoqi fëshfëshen, e vari në dorezën e raftit dhe u ul. Atë mëngjes, kisha sjellë tulipanë nga shtëpia, dhe po i ndreqja në saksi. Ndërkohë që më vështronte, ai mburri përvojën time të veçantë në natyrën njerëzore. Kishte një zë të butë që m’u duk i dyshimtë. Ia ktheva mbrapsht komplimentin : merrja vesh në tulipanë, por jo në qenie njerëzore. Ma ktheu me një pamje tallëse se ai dinte më tepër mbi mua sesa unë mbi tulipanët. Dhe doli, fëshfëshen në lak të krahut.

Herën e tretë, ai u ul dhe unë ndenja në këmbë, ngaqë dosjen e vet e kishte vënë mbi karriken time. Nuk guxova ta zbres në tokë. Më quajti idiote të ngordhur, përtace, të përdalë, po aq të pistë sa një buçe rrugësh. E shtyu saksinë në buzë të tavolinës dhe, në mes, vuri një laps dhe një fije letre. Dhe ulëriti : shkruani ! Në këmbë, i diktuar nga ai, shkrova emrin, datëlindjen dhe adresën time. Pastaj : çfarëdo qoftë shkalla e afërsisë apo e lidhjeve të gjakut, unë nuk do t’i them askujt se… dhe ja fjala e frikshme rumune : colaborez, se unë bashkëpunoj. Këtë fjalë, nuk e shkrova. Ula lapsin, vajta tek dritarja dhe vështrova jashtë rrugën e pluhurt. Nuk ishte e asfaltuar, kishte gropa dhe shtëpi të shtrembëra. Kjo rrugicë e zvetënuar quhej ende Strada Gloriei, rrugë e Lavdisë. Një mace ishte ngjitur mbi një man të zhveshur, në rrugën e Lavdisë. Ishte macja e uzinës, ajo me vesh të grisur. Përsipër saj, një diell mëngjesor, si një daulle e verdhë. Ia bëra : n–am caracterul. Nuk është ky karakteri im. Këtë ia thashë rrugës, jashtë. Fjala “karakter” e acaroi sigurimsin. E grisi fletën dhe i hodhi copat përtokë. Por duke menduar se do të duhej t’ia paraqiste eprorit të vet këtë orvatje rekrutimi, u ul dhe i mblodhi të gjitha copat, duke i rrasur në dosje. Pastaj lëshoi një psherëtimë të gjatë dhe, krejt i shprishur në fytyrë, e flaku saksinë e tulipanëve për muri : saksia u thye, dhe u dëgjua një si kërcëllim dhëmbësh në fluturim. Dosjen nën krah, mërmëriti : do të pendohesh për këtë, do të të marrë lumi. Thashë me vete : po të nënshkruaj, nuk do të mund të jetoj më me veten time, pra do të jetë njëlloj. Kështu që më mirë më hidhni ju në lumë. Dera e zyrës, duke qenë tashmë e hapur, ai kishte dalë. Jashtë, në Strada Gloriei, macja e uzinës kishte kërcyer nga pema mbi çatinë e shtëpisë. Një degë luhatej si një trampolinë.

Të nesërmen, filluan kokëçarjet. Donin që ta braktisja përfundimisht uzinën. Për çdo mëngjes në orën gjashtë e gjysmë, duhet të paraqitesha tek drejtori. Dhe gjithmonë, në zyrën e tij gjeja kryetarin e bashkimeve profesionale dhe sekretarin e Partisë. Njëlloj si nëna ime me pyetjen e saj të dikurshme ke shami ?, drejtori më pyeste çdo mëngjes : ke gjetur ndonjë punë të re ? I përgjigjesha njëlloj : nuk kam kërkuar, ndihem mirë këtu, do të doja të rri deri në pension.

Një mëngjes, kur mbërrita, gjeta fjalorët e mi të trashë përtokë në koridor, përpara derës së zyrës. E hapa, tani ishte një inxhinier aty brenda. Më tha : këtu trokitet para se të hyhet. Këtu jam unë tani, ti s’ke punë. Nuk mund të kthehesha në shtëpi : nuk iu duhej dhënë asnjë shkas, do të më kishin pushuar nga puna për mungesa të paarsyeshme. Nuk kisha më zyrë, por duhej me çdo kusht që të vija të punoja normalisht, për çdo ditë, dhe s’bëhej fjalë ndryshe.”

Fjalimi i nobelistes Herta Müller përfundon si vijon :

“Për ata që diktatura i zhvesh nga dinjiteti i tyre për çdo ditë, deri sot, unë do të doja të them, qoftë dhe një fjali të vetme që përmban fjalën “shami”. T’i pyes thjesht : KENI NJE SHAMI ?
Ka mundësi që kjo pyetje, në çdo kohë, të mos ketë asnjë lidhje me shaminë, por me vetminë e mprehtë të qenies njerëzore…”

Advertisements

Tags: , ,

6 Responses to “Fjalimi i shkrimtares nobeliste Herta Müller”

  1. Tweets that mention Fjalimi i shkrimtares nobeliste Herta Müller « Tirana Calling -- Topsy.com Says:

    […] This post was mentioned on Twitter by Darien Levani. Darien Levani said: RT @TiranaCalling Fjalimi i shkrimtares nobeliste Herta Müller: Nobelistet 2001-2009, perkthyer nga Urim… http://bit.ly/gzQSyh #shqip […]

  2. flo Says:

    Ndoshta fjalimi me i bukur i te gjitha koherave

  3. un Says:

    Une kam degjuar dhe kete histori :

    Diku nga vitet 70, nje sigurimc surratvrenjtur hyn ne zyren e shkrimtares Ismaile Kadires dhe i thote : ulu aty tani e shkruaj : “une, Ismaile Kadirja, lindur dhe rritur ne kaq e aq, jap fjalen se nuk do t’i them askujt se une… bashkepunoj. Kur shkoj tek kjo bashkepunoj, Ismailja ngre koken dhe e pyet kete surratin : me ke do bashkepunoj, qe ta marr vesh mire, se une i zgjedh bashkepunetoret e mi dhe per bese, me surratin tend nuk bashkepunoj. Ky tipi i thote Ismailes : po jo bre shoqja Kadire jo, nuku behet llaf me mua, po mo u merzit, se do te ta gjejme njecke qe te pershtatet. Dhe Ismailja u sigurua nga sigurimi se nuk do t’i ngopnin nje bashkepunetor kokeqoshe por ndonje qe dinte shkrim e kendim e pse jo, qe te kishte lexuar shkrimet e saj. Si perfundim, Ismailja nuk e firmos letren sepse ne çastin qe po matej te shkarraviste, nje sorre i krrokati ne dritare : Krrau, krrau, mos kadirrrrre ! Dhe Kadirja çmoi se kjo ishte nje shenje e qiellit qe me kete firme do zhytej mire ne hale.
    Ne fakt, shume vite me vone, Kadires i thane se ke qene spiune, kur e verteta ishte krejt ndryshe. T’i kishin derguar ndonje kokepatate tjeter, me gjithe qejf, por me ate veshleshin, s’behej fjale. Por populli s’ia ndante : ti Ismaile e ke ngjier gjishtin dhe s’te çngjihet me. Ismailja s’e çan fort menderen se libra ka shkruar boll, botime s’di gje a ka botuar, por per te shkruar, sa te duash. Une e di mire qe askush prej jush s’e njeh Kadiren, dhe s’keni nga ta njihni sepse Kadirja ka qene thjesht shkrimtare e fshatit tim, dhe jehona e saj nuk i kalonte Tre Mullaret e Djegur qe ishte dhe kufiri mes fshatit tim dhe atij fqinj. Por gjithsesi, fshati im ka qene goxha i lakmuar dhe kjo eshte arsyeja qe ai surratpisi erdhi te korruptoje Kadiren. Une per vete nuk besoj se Kadirja e ka firmosur ate letren ; me teper besoj se ia kane bere si atij shkrimtarit tjeter te fshatit ngjitur, Millo Kuderes, qe ia gjeten nje fletushke te firmosur. Me hile, siç duket, por nje goxha firme u gjet. Shkurt, shpifesit dhe falsifikuesit kane marre ne qafe shume njerez, Skiner Beja ka marre nje kala te tere ne dore, pa e nxjerre fare pisqollen. Thjesht me nje pusulle qe ia kishte falsifikuar nje katundar i veti qatip. Shume te ngaterruara keto punet e Sigurimcave. Vetem kjo gruaja shkonte te punonte ne uzine mekanike e te perkthente bullonat dhe fermot e maqinerive. Te tjeret e benin gjumin qete-qete, si Kadirja jone qe ka qene krietare e frontit demokratik te rrethit. Per zotin, une s’i bie me ne te kesaj punes se grave.

  4. desaparacidos Says:

    Nuk e di se pse mezi e pertyp kete Muller-in une. Ndoshta se kam filluar te lexoj ne frengjisht e se merrja vesh tamam, a ndoshta se s’me pelqen edhe aq shume stili.

    E akoma se marr vesh mire se pse dreqin ja kane dhene çmimin Nobel. Me duket se kohet e fundit Nobel eshte bere çmim politik me shume se sa çmim letrar ( arsye per te cilen I.K. se ka marre e as ka per ta marre) . Per te mos folur pastaj per faktin qe u bene nja 20 vite qe Nobeli nuk shkon ne Amerike! E ky me duket snobizem total, nga ata te tipit ” Rrini ju se s’merrni vesh nga kultura…”

  5. un Says:

    Desaparacidos,

    Ne fakt, eshte dhe çeshtje shijesh. E di qe keto s’diskutohen, por di dhe tjetren qe ato duhet te diskutohen. Sepse ne nuk mund te rrime rob te perjetshem te relativizmit kulturor qe si formule themelore ka kete : “E di se shkrimtaret e medhenj jane te medhenj por per mua jane te vegjel dhe ua bej naften te gjitheve.”

    Te vime tek Mülleri dhe çmimi i saj. Mulleri ka nje stil te vetin qe e dallon thelbesisht nga te tjeret. Me pak fjale, shkrimi i saj eshte ky : fjali te shkurtra te ngarkuara mire por duke mos rene ne sy. Me fjale te tjera : shkrim ne dukje naiv tejet djallezor.

    Proza e saj eshte poetike dhe poezia e saj eshte prozaike. Si duhet kuptuar kjo ? Keshtu : me prozen e saj te tejet ngarkuar me figura letrare (sidomos metafora, simbole dhe alegorira), ajo e kodon mesazhin dhe e fut ne lartesite e poezise, e dehjes (poezia eshte dehje, ne thelb). Shkurt, ajo e fisnikeron prozen, e kthen nga diçka te rendomte ne diçka te fisme. Ndersa poezia e saj qe shquhet ne kete proze eshte sidoqofte prozaike sepse merret vertet me gjera te tokes, te jetes ketu poshte dhe madje me gjerat me elementare te jetes : nderi, dinjiteti, vuajtja, poshterimi, turpi, çnderimi, etj. Te gjitha keto nuk kane asnje permase hyjnore por jane gjera qe i shohim perdite ne toke, ne rruge, ne shkolle apo pune.

    E dyta, perse Mulleri shkruan keshtu si shkruan ? Ka shume mundesi qe kjo t’i kete qene diktuar nga kushte te tjera dhe jo nje vullnet i veti. Sepse te shkruaje nen diktaturen e Sigurimit, per nje gjermane qe banonte ne Rumani, ku kishe perballe jo vetem shtetin komunist por edhe fqinjet e tu qe flasin ndryshe nga ty, atehere je e detyruar te gjesh kodin e shprehjes. Ti nuk mund te thuash asgje hapur por mund te vrasesh shume me teper me metodat e tua te terthorta. Fillimi keshtu duhet te kete qene. Pastaj ma merr mendja i eshte bere natyre e dyte qe te flas gjithmone me ndermjetesime.

    Tek Mulleri, ideja vjen rralle here e drejtperdrejte, asnjehere nuk ta thote cope ne sy, por ta nenkupton, te terheq ty ta shohesh, te le ca gjurme dhe te thote ndiqi se do arrish.

    Pastaj vijme tek permasa e saj pastertisht letrare. Kur vjen fundi, letersia behet me fjale (perveç ideve). Dhe fjalet jane lodra. Duhet te luash me to, t’i shijosh e t’i besh te kercejne. Po ua gjete muziken, atehere fjalet behen te pavarura, fillojne e kombinohen vete, vendosin nje lloj kodi te brendshem te tyre, pa nderhyrjen e folesit. Kjo eshte kur folesi e kthen ne art fjalen dhe jo me ne vegel. Nje foles i rendomte rruge dallohet me nje shkrimtar nga kjo qe i pari e sheh gjuhen si vegel komunikimi, e i dyti e sheh si qenie te gjalle e cila synon vetem nje gje : bukurine.

    Ne lidhje me arsyen e dhenies se çmimit : une s’jam ne koken e atyre pleqve por mendoj se kjo ka qene nje pergjigje perfundimtare per te gjithe shkrimtaret e Lindjes qe kane vuajtur nen komunizem : hapni kujtesat tuaja dhe kujtohuni per çfare keni bere. A ishit ju te pranishem ne thirrjen qe ju drejtoi Historia ? A ndiheni mire me veten tuaj ? A mendoni se do te vepronit njelloj po qe se do te perseritej Historia ?

    Keto pyetje, ma merr mendja qe kane sulmuar te gjitha mendjet e shkrimtareve te Lindjes diten e dhenies se Cmimit. Une nuk i di pergjigjet apo monologjet e ketyre shkrimtareve, por kete pershtypje kam.

    Ne personin e Mullerit, ne fakt, jane bashkuar shume gjera : njefare ideje e dinjitetit njerezor (siç thoshte de Gaulle : njefare ideje e Frances), me njefare ideje te letersise. Perqafimi i letersise me kete dinjitet njerezor eshte, besoj une, formula e suksesit. Nje letersi, nqs e shperfill kete dinjitet dhe shkon te beje krushqi me nje force shtypese te ketij dinjiteti, per mua s’eshte letersi, madje eshte anti-letersi. Camus e ka thene shume mire ne fjalimin e vet, letersia zgjedh gjithmone anen e te shtypurve ; e kunderta eshte absurde.

  6. flo Says:

    Per mua Muller eshte pak Jelinek, duke i shtuar nje umilta te qashtert dhe duke i hequr ca perversitet nga ai i Jelinekut. Kam lexuar vetem nja dy tregime te saj, dhe stili i atyre fjalive te saj te shkurtra eshte ai qe me ka terhequr shume

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: